E enjte, 29.07.2021, 11:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Liljana Kona: Zemra e tij është e madhe...

E marte, 02.06.2015, 07:55 PM


Zemra e tij është e madhe,

shpirti i tij është i bukur

(Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së atdhetarit, leksikografit dhe poetit Sadulla Zendeli-Daja)

Nga Liljana Kona - Ekonomiste, Tiranë

Kur Sadulla Zendeli-Daja erdhi për vizitë në familjen tonë në nëntor të vitit 2014, mori dritë e tërë shtëpia, sepse kishim mes nesh një njeri të mirë dhe të urtë, fisnik, të çiltër dhe zemërgjerë. Me këto vlera njerëzore e kemi njohur gjatë tërë kohës, pasi Daja di ta çmoj dhe ta shpjerë më përpara miqësinë, duke respektuar fjalën e urtë se “që të kesh miq, duhet të jesh edhe vet mik”. Prandaj ky njeri i rrallë ka aq shumë miq e të njohur, jo vetëm në Suedi, Gostivar, Kosovë e Shqipëri, por në të gjithë diasporën.

Në të gjithë veprimet e tij, Daja rrezaton cilësi të vyera, që do të dëshironin t`i kishin shumë njerëz. Përpara tij ndihesh gjithnjë mirë. Vështrimi i syve të tij është gjithnjë i ëmbël dhe i ndritshëm, sjellja e tij është përherë e qetë dhe me takt e klas, veshja gjithnjë elegante, mirësia shfaqet dukshëm në pamjen e tij. Shprehjet e veçanta: “I nderuar”,” “e nderuar”, “ju lutem zonjë, zotëri!”, përdorimi i ndajfoljeve “mbase”,  “ndoshta”, mënyra se si ai të falënderon, se si të shpreh respekt e konsideratë, të gjitha këto i japin delikatesë, hijeshi, dritë dhe bukuri portretit të tij. Dajës i ka lezet edhe kur ai bënë një sugjerim, kur jep një këshillë. Ai komunikon qetë dhe lirshëm edhe me një bashkëmoshatar, me një koleg, me një të ri apo fëmijë, duke u mirëkuptuar dhe duke dhënë shpresë dhe besim me fjalën e thjeshtë dhe të ngrohtë. Daja tregohet i gatshëm ta largojë nga vetja brengën e tij, kur sheh se i njohuri, miku, shoku ndihen në hall. Atëherë, ai lë mënjanë hallin e tij dhe familjarizohet me hallin e tjetrit. Ndonëse ka 50 vjet në mërgim, Sadulla Zendeli-Daja ndjen mall për fshatin e tij, ku edhe dielli ndrit ndryshe, ndjen mall për gurët e vendlindjes, për përroin, për rrugicat dhe shtigjet e pyllit, për lojërat fëmijërore dhe lëndinat me bar. E merr malli për cicërimat e zogjve, për zhurmën e gjinkallave, për ujin e burimit që është po aq i pastër sa shpirti dhe zemra e tij. Me mendje dhe me zemër, Daja është përherë në atdheun e tij të dashur, në Gostivar, në Sërmnovën e bukur.

Në librat poetikë dhe në ato në prozë të Dajës, krahas mallit ndihet edhe dhimbja, mundimi, sakrifica. Gjithnjë i përkushtuar, ai nuk e ka lënë asnjë çast jetën t`i shkoj kot dhe pa qëllim. Me orë dhe pa orë  e ka bërë natën ditë. Në këtë sakrificë është përfshirë gjithnjë e tërë familja, e cila e ka mbështetur përkushtimin e tij, ia ka lehtësuar mundimet dhe vështirësitë.

Nga bisedat me Dajën, kam dëgjuar se ai punon deri në orën e vona të natës:

-Hajde se vajti vonë, - e thërret bashkëshortja, Arzia.

-Po vijë, po vijë, - i përgjigjet ai dhe vijon pa u ndalur punën me librat.

Krijimtaria artistike, e veçanërisht fjalorët, kërkojnë punë të madhe, të jashtëzakonshme. Këto lloj veprash me sakrifica janë bërë gjithnjë. Prandaj dhe them me vete se, jo vetëm brezi ynë dhe brezi më i ri, por edhe brezat që do të vijnë më pas në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, apo kudo në trojet shqiptare, do të kenë shumë për të mësuar nga Daja ynë.

Ne ndihemi krenar sot, krenar do të jemi  edhe në të ardhmen me veprat e Dajës, sepse ato janë me vlera të mëdha, janë thesare për kombin. Kjo punë  e mundimshme, edhe e ka lodhur, e ka konsumuar edhe fizikisht, por askush nuk ka dëgjuar ndonjëherë Dajën të ankohet, aq më pak të mburret për çfarë ka bërë. Thjeshtësia dhe sakrifica kanë qenë dhe janë cilësi të tijat, gjithnjë duke iu kushtuar në heshtje punëve të atdhetarisë dhe krijimtarisë. Për atë çfarë ai bën për shqiptarinë dhe kombin, do të thosha pa ngurrim se Daja ynë është “Dhaskal Todri” i kohëve të sotme. Ky nuk është thjesht një vlerësim apo kompliment, por mbështetet nga disa arritje të mëdha të Dajës: hapja e shkollave shqipe në Nybro, Emmaboda dhe Kalmar, krijimi i shoqatës “Ilirida”, pasurimi i bibliotekave suedeze me libra shqip, hartimi i fjalorëve Shqip-Suedisht dhe Suedisht-Shqip, krijimtaria në prozë dhe poezi...Janë aq shumë gjëra që shprehin punën e një njeriu, i cili, i mbështetur edhe nga bashkëkombës të tjerë, ka punuar dhe sakrifikuar vetëm me një qëllim të madh: t`i shërbejë sa më mirë dhe sa më shumë Kombit Shqiptar.

Sa here jemi takuar me Dajën, ai vazhdimisht ka sjellë në bisedë Xien, bashkëshorten e nderuar, të shtrenjtë për të dhe për tërë familjen. Me fjalët dhe përshkrimet që ai i ka bërë asaj, me përmallimin që flet për të dhe sakrificat, Xia, shfaqet përpara nesh një grua shembullore dhe e respektuar. Ndonëse nuk e njohim, ne i admirojmë vlerat e saj si nënë dhe bashkëshorte e mikut tonë Dajës. E përfytyrojmë atë duke i qëndruar si shqiponjë të gjithë familjes, por edhe duke iu gjendur kurdoherë pranë bashkëshortit, duke ia lehtësuar sa mund vështirësitë. Kur e dëgjojmë Dajën tek rrëfen e kujton me mall kohën e rinisë, ne ndjejmë admirim për sakrificat që ai dhe Arzia kanë bërë për njeri-tjetrin, që atëherë kur u njohën, u dashuruan dhe u martuan, e deri sot kur Daja po mbush 80 vjeç. Xia, kjo grua shpirtmirë i ka dhënë dhe vazhdon t`i japë Dajës qetësinë, mirësinë, shpirtgjerësinë dhe mbi të gjitha dashurinë. Daja është me fat që ka gjithnjë pranë këtë grua të mirë dhe të urtë, që i dhuron përherë mbështetje dhe lumturi familjare.

Respekt të veçantë do të shprehja për vajzën e dashur të Dajës, Linditën, për djemtë Ismetin, Agimin, Blerimin, nuset, fëmijët, për nipërit dhe mbesat, për të gjithë të dashurit dhe miqtë e tij të shumtë, që bashkë me Dajën, banojnë në ishullin Ëland apo në qytete të tjera suedeze, Gostivar e diasporë. Sa herë që Daja ka ardhur në Tiranë, i ka kujtuar dhe ka folur pa u lodhur për ta, ka treguar fotografitë e tyre, ka shprehur mall dhe dashuri. Daja është tip i njeriut tepër të ndjeshëm, zemra e tij është e madhe, shpirti i tij është i bukur.

E sjell fjalën edhe te jeta e dikurshme në Gostivar, te fëmijëria dhe familja  e tij në Sërmnovë, te prindërit babai Sulë dhe nëna Kadime, te kujtimet e dhimbshme dhe plot mall për ta...

Shfletoj librin “Ju dua më shumë se veten”, të shkruar nga bashkëshorti im Viron Kona dhe, teksa rrëmbehem nga leximi dhe shoh se si portretizohet karakteri, cilësitë e vyera dhe vepra e çmuar e Dajës, them me vete se, për këtë njeri kaq të mirë, kaq të urtë dhe me klas, për këtë njeri brilant dhe të sakrificës, është plotësisht i meritueshëm ky libër dhe të tjerë. Daja është shembull se si duhet të jetë dhe çfarë duhet të bëjë njeriu.

Urimet më të përzemërta për 80-Vjetorin e lindjes, Dajë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora