E premte, 18.06.2021, 01:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Kur jeta shndërrohet në vepër

E diele, 07.06.2015, 05:15 PM


KUR JETA SHNDËRROHET NË VEPËR LIND PËRJETËSIA

“Jeta është e pamatur”, përkushtime, përgatiti Mevlyde Mezini Saraçi, botoi QKAPSH “Gjakova”, Gjakovë, 2015.

Nga Halil Haxhosaj

Dekadat e fundit të shekullit XX dhe vitet e para të shekullit të XXI për shqiptarët në përgjithësi, por për ata të Kosovës në veçanti, kanë lëvizur në dy rrafshe që janë shënuar në historinë më të re të njerëzimit.

Rrafshi i parë është plot dritë sepse edhe në trojet tona u ndezën dritat e para të shoqërisë së re moderne demokratike dhe u shporr njëherë e përgjithmonë diktatura e proletariatit, që kishte mbushur të gjitha poret e asaj shoqërie të demoduar të shoqërisë njerëzore.

Rrafshi i dytë për shqiptarët e Kosovës mori ngjyrën e kuqe të lirisë dhe çlirimit nga okupatori shekullor serb, i cili u pagua shtrenjtë me jetën e dhënë të heronjve, dëshmorëve, trimave e luftëtarëve ku eshtrat e disave ende nuk janë të gjetur dhe nuk dihet akoma për varrezat e tyre. Ky rrafsh lindi edhe paradoksin e vet të këtij fillim shekulli, i cili veç është shënuar si diçka e veçantë dhe tragjike për fatin e këtyre të pagjeturve.

Simbioza e të gjitha këtyre e ka kurorën e vet, sepse në këtë karvan janë përfshirë shumë njerëz, individë e fytyra të njohura që nuk e ndalen për asnjë moment interesimin që plagët e Kosovës të shërohen, të mos dhembin dhe të prarohen me triumfin e lirisë e të pavarësisë. Në mesin e këtij grupi të përndritur patjetër është edhe Gjylgjyzare Karaxhia Xharavina, Zarushi, e cila ishte në mesin e këtij karvani, por, madje, shpesh edhe si prijatare e tij, derisa biçikleta i doli nga rruga dhe trupin e saj e plandosi në tokë, por shpirti u ngrit në shtatë palët e qiellit. Aty paksa u ndërpre aktiviteti i Zarushit aktiviste, teknike medicinale, politikane e më se shumti humaniste, por nuk u harrua dhe nuk po zvetënohet fare figura e saj, madje as edhe kontributi, veprimtaria, qëllimi, synimet dhe të gjitha të tjerat. E gjitha kjo shihet e pasqyruar dhe e shpërfaqur në disa anë e aspekte, por një kurorë përjetësie ajo e mori kur lindi ideja që të mblidhen të gjitha shkrimet përkushtuese për këtë figurë dhe të botohen të bashkuara në një vepër karakteristike edhe me titull figurativ e metaforike “Jeta është e pamatur”, që korrespondon me të gjitha anët e arta të kësaj veprimtareje dhe humanisteje. Dhe vërtet është kështu, sepse është thënë që nga lashtësia se nuk ka qenie njerëzore që ka mundur ta matë jetën e vet, e madje as të tjerëve, sepse “Jeta është e pamatur”. Jetë të këtillë ka edhe vlera e këtij libri të cilin sot po e përurojmë në shenjë respekti për Zarushin dhe veprën e saj prej veprimtareje dhe humanisteje, të cilin e ka përgatitur për botim Mevlyde Mezini Saraçi dhe e botoi QKAPSH “Gjakova”.

Libri në strukturimin e vet ka tre kapituj të cilët mund të jenë edhe qerthuj strukturor artistik që e përmbushin kriterin e një vepre përkushtuese të një figure të dalluar, siç është ajo e Zarushit të cilës i dedikohet, dhe përbëhet nga kapitulli i parë POEZI, i dyti PËRKUSHTIME dhe i treti ALBUM të cilëve iu prinë shkrimi i redaksisë “Hyrja”, fotografia e figurës të cilës i përkushtohet dhe biografia e Gjygjyzare Karaxhija Xharavina, Zarushit. Mbi këtë synim, autorja që e përgatiti këtë libër ia arriti që ta pasqyrojë qëllimin e saj, por edhe ta shpalosë këtë krijimtari përkushtuese nga tri kënde. Shikuar në tërësi kjo arrihet me sukses, por fatmirësisht edhe forma e shpërfaqjes e figurës ka anët e veta dalluese të një mozaiku që kurorëzohet me simbiozën e këtij indi figurativ e artistik.

Në kapitullin “Poezi” janë paraqitur vargjet përkushtuese të tetëmbëdhjetë poetëve që kanë shkruar poezi kushtuar Zarushit. Kjo është bërë nga secili prej tyre në mënyrë sa më lirike, por në ndonjë rast edhe me tone elegjiake, por kurrsesi me intonacione pesimiste e të pa zgjidhje. Ndjena dhe shprehjet e tjera në këto vargje rrjedhin intimisht, lirshëm, por edhe figurativisht edhe pse njihet subjekti për të cilin shkruhet. Fatmirësisht kjo gjë nuk teprohet, madje as nuk tjetërsohet, por qëndron në nivelin e duhur të një krijimi ndjenjësor. Dhe kështu arrihet qëllimi dhe synimi i caktuar, sepse poetët në vargjet e veta shprehen: /Zarush/ lindja jote është një shekull mirësie/ Engjëll në tokë/ Parajsë je në qiell/ Ku hëna u skuq/ Kur mësoi për ty/ Te varri im mos derdhni lot,/Këtë unë s’e dua aspak,/ Je fërfëritja e lehtë e ajrit/Mes fjalëve të pathëna…/ Mes rrezeve të diellit/Ti dielli i parajsës/ Zoti të mirët i merr në parajsë/ O bilbil i bukur fluturo të lutem te Zarushi/ Kjo engjëllushe e rrallë/U shndërrua në legjendë/ Në dritën e rrezes ikin ngjyrat/ Legjendë e gjallë e gjallë.../Zarush u bëre përmallim për një çast/fluturove në qiellin e kaltër/ Gjygjyzarja motër.../Urata në çdo votër/ Dhe çdo varg po qanë penave pa jetë /Kush tha që ti nuk ke kthim/Me mall.../Një zemër e mallëngjyer sot është zgjuar/ e të tjera figura.

Kapitulli “Përkushtime” është paksa më i madh dhe këto shkrime janë në formë proze që fillojnë me fjalime apo përkushtime të tjera q            ë janë bërë në momente dhe shënime të caktuara të ndonjë manifestime apo përkujtimi për këtë figurë, pra për Gjylgjyzare Karaxhija Xharavina, Zarushin. Këtu janë të përfshira shkrimet e kryetares së komunës së Gjakovës, zonjës Mimoza Kusari Lila, Fetije Huruglicës, Dr. Ahmet Asllanit, Sevdije Tara Haxhibeqirit, Lumnije Shllakut, Adem Lushajt, Rubik Bejtullahut, Ilir Hajdarit, Nesrete Kumnovës, Mevlyde Muhaxhirit, Besim Këpuskës, Afrim Domit, Armend Kukelit, Emine Kicës, Shkëlzen Rexhës, Liljana Katirait, Sulltane Ferizit, Artan Muhaxhirit, Ali Tafarshikut, Dr. Besnik Bardhit, Leonora Dautagës, etj. Kapitulli mbyllet me një shkrim të Fehmi dhe Natyra Xharavinës, bashkëshortit dhe vajzës së Zarushit.

Kapitulli i tretë “Albumi” është një begati tjetër e këtij libri sepse e shpërfaq një pjesë reale të veprimtarisë dhe jetës së Gjylgjyrare Karaxhija Xharavina, Zarushit. Ky kapitull me mëvetësinë që ka paraqet dëshminë që dashtë e pa dashtë shndërrohet në dokumentacion real, madje edhe praktik, si pasqyrim i dromcave reale të jetës dhe veprimtarisë së aktivistes dhe humanistes Zarushit. Edhe këtu materiali shpërndahet nëpër disa kaptina që janë etapa të paraqitjes së jetës të përkushtuares, e cila ka anët e veçanta, por edhe të përbashkëta. Andaj, madhështia e kësaj jete dhe veprimtaria depërton nëpër disa hallka të zhvillimit, duke marrë nuancat dhe referimet e rezultateve të arritura me sukses dhe me plot harmoni e dashuri. Kjo gjë realizohet duke u paraqitur me nga dy fotografi që përmblidhen gjithsej në 52 sosh.

Albumi strukturoret shkallë-shkallë duke filluar që nga aktivitetet profesionale si infermiere, pastaj aktiviste, humaniste, mësimdhënëse, politikane, e deri udhëheqëse e grupit të asamblistëve të AKR-së të Asamblesë së Gjakovës. Kjo shkallëshmëri është e përzgjedhur dhe nuk është e tejkaluar.

Rrjedha e albumit kurorëzohet me takimet e Zarushit me fytyra të njohura të jetës politike si me Medelin Olbrajt, figurën e njohur të arenës politike të SHBA-s gjatë kohës së luftës çlirimtare të Kosovës, takimet e ngrohta zyrtare, por edhe miqësore me presidenten e Kosovës, zonjën Atifete Jahjaga e të tjera. Kuptimin e nënës, bashkëshortes, bijës, shoqes, e të tjera, albumi e merr në fotografitë që paraqesin anën e familjes së saj, ndërsa kuptimin e përjetësisë dhe të pavdekshmërisë të Zarushit e paraqesin fotografitë e ceremonisë mortore që janë shprehje e dashurisë për të.

Ky libër përkushtues për këtë figurë kaq të madhe e kaq të njohur ka edhe elemente të tjera që do të hetohen e shijohen në të ardhmen, sepse është një pasuri specifike për bibliotekat individuale, por edhe publike e pse jo edhe profesionale.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora