Kulturë
Edibe Osmani: Pashkët dhe disa ceremoni rituale
E hene, 13.04.2015, 06:35 PM
PASHKËT DHE DISA CEREMONI RITUALE
(Fragment nga vepra “Rite e besime popullore në viset e Tetovës dhe të Gostivarit”, Shkup 1997)
Nga Edibe Osmani
Ceremonitë rituale të shënuara gjatë ekspeditave të bëra 1995-1997
E PREMTJA E ZEZË është dita e premte para Pashkëve. Këtë ditë nuk e ndeshim me emërtim tjetër. Hyn në grupin e të kremteve të mëdha. Besimtarët mbajnë kreshme. Vendësit e krishterë të kësaj krahine na thonë se është Dita e Madhe,ditës i bëhet nder duke mos punuar . As “ zoga fuli” nuk mbaron/bën/.
Nëse ndonjë person vuan nga dhembja e kokës ai lan kokën të Premten e zezë,sa zbardh dita /pa lindur dielli/. Ndërsa i shmanget larjes së kokës në të premtet e tjera të vitit me besim se do të gjeje shërim. Gjatë larjes personi pëshpëritën tri herë fjalët: ”Për shëndetet e zotoj, t’largohet kjo e ligë,sat e laj ene mo s’e laj.”
Besimtarët e krishterë të Rekës së Epërme, aty nga ora 15 i takojmë nëpër kishat e fshatit pa dallim moshe dhe gjinie. Amvisat duhet të marin ushqim kreshmor prej shtëpie,lule dhe ndonjë dhuratë për Krishtin. Në mes të kishës vendoset ikonostasi i stolisur me lule dhe dhuratat e sjellurra nga besimtarët. Në të është vendosur ikona me figurën e një të shenjti të krishterë e pikturuar në pëlhurë. Ata besimtarë që mbajnë kreshme nuk hanë dhe thuhet se është “strof”/strof-rreptësisht ndalohet për të ngrënë në kishë/, prej orës 15 e deri sa të qëndrojnë në kishë. Kur afrohet mesi i natës, aty nga ora 24, besimtarët e mbulojnë ikonostasin me pëlhurë të bardhë, e nxjerrin në oborrin e kishës dhe e shoqërojnë të gjithë pjesëmarrësit. Gjatë ceremonive rituale ikonostasin e shetisin disa herë rreth e rrotull kishës, kurse prifi i shoqëron me kandil në dorë dhe këndon meshën që besimtarët nuk e kuptojnë. Një grup besimtarësh njëzërit bërtasin” Kristos vaskreste,krishti fluturon. Kurse grupi tjetë që i shoqëron,u përgjigjet :”Me të vërtet fjuturon, fjuturon, fjuturon.”
Këto fjalë përsëriten nga besimtarët gjatë 5-10 minutash gjatë kohës që shëtitet ikonostasi. Pasi e kthejnë ikonostasin në kishë, e mbulojnë mirë, e rregullojnë dhe nga ky moment Jezus Krishtin e kanë “rrëmuet në tokë”. Pjesëmarrësit besimtarë na thonë se këtë ditë rreth ikonës dhe brenda në kishë bëhen shumë ceremoni fetare. Na shpjegojnë se kjo është dita se kur e kanë gozhduar krishtin në kryq,dita e vuajtjeve dhe e vdekjes së tij,nga rrjedh dhe emërtimi i së kremtes E Premtja e Zezë.
Në çdo të premte ndër shqiptarët, si dhe në popujt tjerë të Evropës,kemi natën e festës dhe ditën e festës.Nata e festës bije një mbrëmje para festës dhe pikërisht në atë kohë fillon festa. Kjo ka të bëjë me rregullin, sipas të cilit dita 24 orëshe fillon në ,mbrëmje me të perënduar të diellit. Kjo traditë gjendet edhe në kalendarët e Mesapotomisë dhe të ebrejve të lashtë. (Citat: M,Tirta, Etnografia shqiptare,Tiranë nr. IX, f.162.)
Krishtin e akuzuan se përhapte ide e mësime që ishin kundër priftërinjve hebraikë dhe pushtetit,sepse thoshte që të varfërit s’duhet të paguanin tatime shtetërore e tjerë. Prandaj e nxorën para gjyqit,e dënuan me vdekje dhe e gozhduan për së gjalli në kryq. Citat: Mark Krasniqi, Nga Gurra.., Prishtinë, ”Zëri” 1991, f. 221. Në vigjilje të kësaj të kremteje,bëhen varoshka-kolovarka,të stolisura me lule që ia varin ikonës në kishë. Duke sjellë lule dhe gjelbërime,besimtarët shpresojnë se gjatë vitit do t’u shtohet bereqeti.
“E SHTUNA E MBRAPSHTË” –Në terren nuk e ndeshim me emërtim tjetër.Është vigjilja e Pashkëve. Është dita e shtunë,kur janë kryer të gjitha përgatitjet për pritjen e kësaj feste të madhe te ortodoksët e këtyre anëve. Si në çdo të kremte edhe në këtë ditë,femra është ajo që i kryen ceremonitë rituale.Çdo amvisë sjellë në mëngjes ujë”të fjetun” nga kisha me të cilin gatuhet buka rituale “e bekuar e Pashkës”. Çdo person i krishterë,sa zbardh dita lahet. Në kusinë që përdorin për t’u larë anëtarët e familjes,amvisa vendos monedhën e argjendtë dhe lule të freskëta. Kështu besohet se gjatë vitit anëtarët e familjes do të ndjehen më të shëndetshëm dhe më të fortë fizikisht.
Në orët e pasditës të gjithë fshatarët e krishterë,shkojnë në kishë. Detyrimet më të mëdha si në çdo të kremte,ashtu edhe tani i ka çdo amvisë.Ajo,përveç ushqimit që përgatit për të ngrënë në kishë nuk harron të marrë edhe vezë të ziera për të ngrënë. Është zakon që amvisa të marrë me vete edhe vezë të vitit të kaluar,që kan qëndruar një vit pranë ikonës në shtëpi të saj.Këtë vezë ajo e hedh në oborrin e kishës nën një dru të njomë që jep fruta. Riti përcjellet duke shqiptuar tri herë me zë fjalët: Voja e kujshe, qofshin shëndosh cullët ke shpija!
Porsa hyn në kishë,amvisa vendos një tjetër vezë të kuqe pranë ikonës,mbi ikonostas, dhe, para se të kthehet në shtëpi, e merr vezën, bën tri herë kryq, e prek ikonën duke pëshpëritur dhe duke i përsëritur prap fjalët: Voja e kujshe,qofshin shëndosh cullët ke shpija!.
Kjo vezë vendoset pranë ikonës në shtëpi dhe aty qëndron një vit. Kur i pyetëm vendasit e kësaj krahine se çfarë domethënie kish ky rit, na u përgjigjën: Që gjatë vitit fëmijët t’i kemi të shëndetshëm dhe shtëpia të na shtohet sa më shumë me fëmijë.”
Dita e Pashkëve
Është ditë e dielë. Si periudhë përgatitore për të kremten e Pashkës,më parë përmenden të Lidhmet e Pashkëve, Kreshmët, Java e Bardhë, Dita e Llazarit e tjerë. Është festë e hebrenjve (e çifutëve) e cila festohet shumë shekuj para Krishtit,si kujtim i ditës, kur këta dolën nga robëria e egjiptianëve dhe u vendosën në Palestinë. Kësaj dite hebrenjtë i thoshin pas-ha. Kjo fjalë depërtoi edhe në gjuhën shqipe. Citat: Mark Krasniqi, vep.e cit. F. 279.
Në traditën e Pashkëve nuk ka shumë zakone me rastin e kësaj dite,ndryshe nga ditët para festës.Duhet theksuar se gjatë kësaj feste,ceremoniali kishtar është mjaft i gjërë. Gjatë Ditës së Pashkëve prifti viziton çdo shtëpi të krishterë,duke kunguar ata besimtarë që kanë mbajtur kreshmët e Pashkëve. Duke kënduar meshën ai stërpik me ujë anëtarët e familjeve,shtëpitë,oborret e tjerë. Edhe buka e bekuar e Pashkës gatuhet me kujdes nga amvisa. Ajo mundohe t’i japë bukës formë të bukur, bën disa kryqe në të.
Ditën e Pashkëve fshatarët shkojnë për urime te njëri tjetri,vizitojnë të afërmit dhe farefisin.Gjatë vizitave shënuam disa shprehje të bukura: ”Për shumë mot/ mat /mot/ Pashkët! Tjetri ia kthen: Gëzuet qoftë e për shumë mat! Ngrejnë dolli duke thënë: ”Gzuet qofshim e për shëndet! Amin, n’mat ngjefshim ma mirë!”
Në orët e pasditës, Ditën e Pashkës tubohen fshatarët grupe-grupe e shëtitin për të uruar festën në çdo shtëpi. Pasi perëndon dielli, në muzg, para se të errësohet, në rrugicat e fshatit Beliçicë, fshatarët kapen në formë rrethi dhe ndezin duaj thekre. Ata na thonë bëjmë xhuguli dhe “ceravitemi”! Djegin, përcëllojnë këmbët, duke thënë: t’dojxha, t’pojsha (të dogja e të poqa). Gjatë ritualit grupi i grave këndon:
Proni lula bardhë e duku bardhë, Proni te ajo kisha mes kërshele,/gëlqere/ Po aty kishte trima shumë,/ Trima shumë e nuse t’reja,/ Vasha t’reja e fmij t’rij./ Qera here ene ma shumë, ooih! [38]
Me ritualin e djegies së zjarreve, fshatarët besojnë se gjatë vitit dielli do të ndriçoje si flaka e duajve.Pas ceremonive rituale vazhdon vizita nëpër familje. Është zakon në familjen që vizitohet e fundit,amvisa çel magjen dhe gatuan petulla për të gjithë fshatarët. Ky aheng zgjat deri në orën 24 të natës. Kulti i diellit është dëshmuar edhe nga një lajm interesant i shkruar, Filozofi Maksimnga Tiri, i cili jetoi në kohën e Antonomit në librin e tij A duhet t’u ngrihen perëndive shtatore, përmend se Peonët, fis ilir në Maqedoninë e sotme, e adhurojnë diellin në formën e një disku të vogël, të ngritur mbi një shtyllë të gjatë. Citat: Aleksandër Stipçeviç, Simbolet ilire, f.47.
Sikurse edhe kryqi nuk është symbol origjinal i krishterimit sepse atë e ka njohur popullsia e Evropës qysh në epokën pagane qoftë si symbol, qoftë si motiv dekorativ, edhe “Pashkët janë imitim i fesë pagane, i ditës së ringjalljes së perëndisë së pjellorisë Atis. Atë e festonin shumë shekuj para Krishtit, si kujtim të ditës kur këta dolën nga robëria e egjiptianëve dhe u vendosën në Palestinë. (Citat: Mark Krasniqi, Nga gurra e traditës… f. 228 Për ta kuptuar prejardhjen pagane të Pashkëve, duhet krahasuar ngjarjet, besimet dhe ritet e ngjajshme ndër popuj e fise të ndryshme të epokës së para krishterimit. Në Rekën e Epërme rite të shumta bëhen para Ditës së Pashkëve.
Nëna e Shpëtimit