E premte, 01.11.2024, 01:00 AM (GMT)

Mendime

Elida Buçpapaj: Skandalet bankare në Shqipëri

E hene, 08.12.2014, 07:13 PM


HISTORIA E GIORGIO AMBROSOLIT TË KUJTON SKANADALET BANKARE NË SHQIPËRI

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Në Shqipëri këto gjashtë muajt e fundit kanë ndodhur dy krime ekonomike të nivelit më të lartë shtetëror. Vrasja e drejtorit të Credins Bank Artan Santo dhe vjedhja e Bankës së Shtetit Shqiptar, që u shoqërua me arrestimin e Guvernatorit dhe të disa zyrtarëve të këtij institucioni.

Deri tani shteti shqiptar nuk ka zbardhur asnjë nga këto krime, të cilat duhet t’i zbardhë me çdo kusht. Asnjë investitor i huaj nuk ka siguri të vijë në Shqipëri, nëse vendi nuk garanton shtetin ligjor. Shtet ligjor i dënon shkelësit e ligjit, pa marrë parasysh postet e larta që ata mbajnë, prandaj thuhet se “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.

Megjithë pengesat, barrierat, vështirësitë, gjithçka duhet të jetë e tejkalueshme, sepse në një sistem demokratik, shteti i së drejtës duhet të triumfojë. Ne të gjithë duhet të besojmë se në Republikën e Shqipërisë duhet të ketë shtetarë të aftë e të ndershëm që ta kryejnë me devocion detyrën ndaj shtetit dhe qytetarit. Sepse ndryshe sistemi demokratik do të degradojë në sistem mafioz.

Këto ditë televizioni publik italian RAI UNO shfaqi filmin – “Qualunque cosa succede” –Çfarëdo që të ngjasë-, një miniseri televizive kushtuar Giorgio Ambrosolit. Një film kushtuar po Ambrosolit, me titullin “Un eroe borghese“, mban firmën e Michele Placidos.

Po kush ishte Giorgio Ambrosoli? Duke cituar Carlo Azeglio Ciampi, ish-Presidentin e Italisë « Giorgio Ambrosoli ishte një qytetar italian në shërbim të Shtetit, i cili thjeshtësisht dhe normalisht kreu detyrën». Ndërsa në fjalët që motivojnë Medaljen e Artë të Vlerave Qytetare midis të tjerave thuhet se “Giorgio Ambrosoli ishte shembull i shkëlqyer i sensit të lartë të detyrës dhe të integritetit moral absolut, deri në sakrificën ekstreme”.

Më thjeshtë, Giorgio Ambrosoli ishte një avokat profesionist me kompetenca, shumë i aftë dhe i ndershëm që sakrifikoi jetën për hir të vlerave të shtetit ligjor.

Pas crack-ut të Bankës Private të Italisë, Giorgio Ambrosoli emërohet në shtator të 1974 prej guvernatorit të atëhershëm Guido Carli komisar likuidues i kësaj banke, me qëllim hetimin e situatës ekonomike, ku dyshohej për krim ekonomik. Siç rezultoi, në këtë aferë mafioze kishte përfshirje të politikës, eksponentëve të financës së lartë, deri të figurave të Vatikanit si dhe mafies siçiliane këtej e përtej oqeanit, do me thënë në SHBA, që e kishin kthyer Bankën Private të Italisë në një kupolë të krimit të malavitës dhe shtetarëve të korruptuar.

Duke qenë se fjala ishte për fitime me miliona e miliona dollarë, Giorgio Ambrosoli merr sinjale kërcënimesh menjëherë sapo emërohet dhe pesë muaj pasi kishte marrë detyrën, në shkurtin e vitit 1975, i ndërgjegjshëm për situatën kritike, ai do t’i shkruante një letër së shoqes, ku i linte amanet rritjen e fëmijëve. Në fakt, ajo që priste do t’i vinte 4 vjet e sa më vonë, në 12 korrikun e 1979, kur ai gati e kishte mbaruar detyrën që kishte caktuar vetes, të paraqiste prova të mjaftueshme kundër Michele Sandonan, pronarit kryesor të Bankës Private të Italisë që kishte shumicën e aksioneve. Sandonan drejtësia do ta dënonte me burgim të përjetshëm, me akuza të provuara për veprimtari kriminale mafioze dhe si mandant (porositës) i vrasjes të Giorgio Ambrosolit.

Që kur e mori detyrën e deri në vrasje, Giorgio Ambrosoli pati pak mbështetës nga ana e shtetit, aq sa dukej sikur shteti mbante anën e mafies. Ndërkohë ai kishte mbështetjen e guvernatorit të Bankës të Italisë, Paolo Baffit, i cili kishte zëvendësuar Guido Carlin dhe të Mario Sarcinellit, që atë kohë ishte nëndrejtor i Bankës së Italisë dhe përgjegjës për mbikqyrjen e bankave të kreditit.

Për t’i dhënë goditjen përfundimtare Giorgio Ambrosolit, drejtësia e kapur italiane, në marsin e 1979, vetëm katër muaj përpara vrasjes, arreston edhe të dy mbështetësit e tij, Guvernatorin Paolo Baffi dhe Mario Sarcinelli, që akuzohen nga Prokuroria e Romës për shpërdorim të detyrës dhe favoritizëm personal. Sarcinelli u arrestua dhe doli nga burgu vetëm pasi u shkarkua nga detyra, ndërsa Baffit iu shmang burgu për shkak të moshës.

Arrestimi i dy figurave të shquara të botës të financës u prit me indinjacion të thellë dhe manifestime solidariteti, ku vlen të përmendet një apel publik i firmosur nga 147 ekonomistë nga më të famshëm të Italisë. Paolo Baffi dhe Mario Sarcinelli dolën të pafajshëm, por Baffi nuk pranoi më të vijonte detyrën e Guvernatorit të Bankës të Italisë, të cilën pas tij në gushtin e 1979, vetëm një muaj pas vrasjes të Giorgio Ambrosolit, e mori Carlo Azeglio Ciampi, i cili në vitin 1999 për dy mandate rresht, do të ishte Presidenti i Republikës Italiane.

E tregova këtë histori e cila ka shumë ngjashmëri me aktualitetin shqiptar, sa i përket krimit ekonomik, për të treguar se lufta kundër shkelësve të ligjit nuk ka lindur as sot dhe as dje, se kjo luftë është permanente dhe ku fitues duhet të jetë gjithmonë shteli ligjor dhe qytetari, pavarësisht bindjeve politike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora