E premte, 26.04.2024, 05:12 AM (GMT+1)

Mendime

Besi Bekteshi: Kush janë më të mirët, spiunët apo ata që mbajtën spiunët?

E diele, 06.07.2008, 04:07 PM


Kush janë më të mirët, spiunët apo ata që mbajtën spiunët?       
 
Nga Besi Bekteshi

Rreth viteve 80-të një nga dënimet shembullore dhe futjet në burg për “Agjitacion dhe Propagandë” ka qenë rasti i një personi tepër të urtë dhe të qetë, që në një radhë qumështi mbasi për herë të parë bëri fjalë pse njerëz që ishin “minj zyrash” merrnin pa radhë dhe ju ruhej litri nën banak e përfundon “rebelimin” e tij me frazën: Nuk ja vlen të bëjmë fjalë, për këtë të shkretë shishe, që ka më tepër ujë se sa qumësht!!!.Nejse këtë rast të zakonshëm dënimesh e dinë të gjithë. Fatkeqi ishte dhe anëtarë partie dhe “militonte” në një organizatë të vogël. Në fillim u mblodh organizata e tij dhe vendosi përjashtimin e anëtarit, i cili jo vetëm që kishte “denigruar shokë me pozita të vogla” në radhën e qumështit, por kishte sharë dhe qumështin vetë. Në mbledhje, folën të gjithë dhe sekretari i partisë që i dha fundin politik duke propozuar përjashtimin nga partia dhe shtoi se “ky njeri i duhet dorëzuar organeve të diktaturës” dhe drejtësisë së popullit. Pa dalë nga dera e partisë, të shkretit “mbajtës së radhës së qumështit” e kthejnë edhe në zyrën e Këshillit dhe Frontit (në fakt ishin afër të tre zyrat) dhe i heqin edhe triskën e frontit dhe në këtë moment njeriu i urtë që u rebelua vetëm një herë, kuptoi se do ti vinin prangat. Kështu në fakt ndodhi. Në sy të familjes vetëm 2 orë më vonë, njerëzit e sigurimit dhe polici, i erdhën në shtëpi me një “Gaz 69” dhe e arrestuan “Në emër të Popullit”. Në gjyq i dolën dëshmitarë dy persona që kishin qënë në radhë, të cilët “riprodhuan” bisedat e atij mëngjesi dhe në pretencën e prokurorit dolën edhe disa fakte të ndjekjes së tij në punë dhe jetën familjare, ku u kuptua qartë se një njeri tjetër dhe i afërm i familjes, spiunonte në “Sigurimin e Shtetit” për të dizenjuarin për tu bërë theror dhe që fundin e kishte te radha e qumështit. Pra tragjedia ka një viktimë, por pjesëmarrës janë shumë. Ky person ka dalë nga burgu në vitet 90-të dhe pa kaluar shumë ditë, është larguar nga Shqipëria për të mos u kthyer më kurrë dhe me moshën që kishte atëherë, tani nuk jeton, por vitet e largimit nga Shqipëria i kaloi në vetmi, i abandonuar nga familja dhe fëmijët, të cilët edhe ata në një farë mënyre pësuan një dramë të madhe pavarësisht se ishte përsëri një njeri tepër i afërm i tyre që kishte bërë punën e spiunit, deri në gjirin e kësaj familje. Çfarë ka këtu për tu habitur dhe kush është këtu “burri më i mirë” për të hapur dosjen. Spiuni që ishte i afërm i familjes dhe që kishte marrë urdhërin apo inisiativën për të spiunuar? Maskarenjtë e radhës që donin të merrnin qumësht pa radhë? Dëshmitarët e radhës që tregonin si personi kishte folur dhe denigruar shokët për litrin e qumështit? Sekretari i partisë shok i viktimës, që ngriti sëpatën politike mbi të? Shokët e organizatës që aprovuan dënimin dhe folën për të? Kryetari i Frontit dhe ai i Lagjes që e “çorganizuan” edhe nga lagja dhe organizata masive”? Familjarët që i ranë hasha viktimës apo banorët e lagjes që nuk shkelën më në shtëpi të tij? Kush? Natyrisht që është një ingranazh i stërmadh që ka bluajtur shumë viktima, por ama viktima këtu edhe pse mund të presupozohen shumë, ka vetëm një: Ai është personi që pa asnjë faj është ndodhur midis këtyre lakejve dhe ingranazheve të poshtër të diktaturës dhe që nuk kanë asnjë dallim nga spiuni akoma më i poshtër, që jepte informacione që nga brenda. Në këtë mes shprehja qëllimkeqe e Sali Berishës se “jemi të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” po jep frytet negative të saj, në vitin 2008-të. Kjo shprehje ka dashur që të barazojë në faj, ato që nuk mund të barazohen. Kjo shprehje ka dashur të justifikojë të gjithë ato që në një mbledhje, kanë marrë vendime politike dhe juridike, për të dënuar persona të ndryshëm, me dhe akoma më shumë, pa faj. Berisha ka sajuar një “demokraci” të komunistëve të rafinuar dhe të fajshëm, për të ndyrë të gjithë shoqërinë. Nejse, sot po rifillon edhe një herë “ballafaqimi me spiunët” dhe po kërkohet që në ingranazhin e madh të diktaturës, të gjendet ai që ka spiunuar atë të “radhës së qumështit” dhe këtë gjë Berisha kërkon ta bëjë në 2008!!! Kjo bëhet se janë disa prej tyre (spiunëve) të brendshëm në partitë themelore dhe më pak themelore dhe Berisha kërkon që ti mbajë prej ko...ve, për sa kohë ka në dorë edhe dosjet e tyre. Pse duhet të ketë arsye të tjera. Tani, spiunët janë një “handrak” i jashtëzakonshëm shoqërisë tonë post komuniste, por nuk janë vetëm. Nuk moralizohet klasa jonë politike se spiunët do të identifikohen dhe pse ky proces tashmë i tentuar për tu kryer me shumë vonesë, padyshim që është i dyshueshëm. Është i dyshueshëm edhe në se edhe sot do të kryhet me të vërtetë. Pse kjo? Po pse si në çdo gjë në diktaturë, edhe “Sigurimi i Shtetit” komandohej nga partia. Ishin sekretarët e partisë dhe e gjithë struktura që hante njerëz, kur i vinte uria dhe shërbëtorët e vegjël, vetëm siguronin informacionin që ajo pastaj të zgjidhte mishin më të mirë. Mirëpo të tillë ka plot në të gjithë strukturën e madhe politike tonën dhe janë pikërisht këta njerëz që edhe spiunët i kanë përdorur edhe në “demokraci”. Për më tepër, i kanë përdorur, sepse ju kanë pasur edhe letrat në dorë. Edhe tani kërkojnë ti përdorin, akoma më në mënyrë të sofistikuar. Dosjet ishte dashur për ti hapur që në fillim dhe të ishin domen publik dhe jo domen i komunistëve, të konvertuar në antikomunistë, që të vazhdonin demokracinë me mënyrat e tyre të njohura. Shembull është Gjermania me dosjet e STASSI-t dhe spiunët e deklaruar, ku çdo kush mund të vërtetojë se nga kush është spiunuar dhe nëse personi është, apo nuk është, dhe se çfarë është thënë dhe shkruar për të. Pastaj politikisht një njeri i tillë i spiunimit nuk ka shanse të kandidojë dhe të shkojë edhe në sferat e larta të politikës. Me anën e këtyre dosjeve, kanë dalë edhe bashkëpunëtorët në Gjermaninë Federale dhe as që ka bërë kush një zhurmë të tillë në shtetin e kulturuar dhe qytetëruar perëndimor. Por gjermanët nuk mbajtën edhe strukturën bolshevike në drejtim. Pra nuk mbajtën as komunistët dhe sekretarët e partisë të dikurshëm në politikë, sepse ato janë mësuar me spiunët dhe nuk mund të punojnë pa to. Në këtë drejtim nuk kuptohet se kush është burrë më i mirë, një spiun apo një sekretar partie që ka vepruar akoma më përpara se vetë spiuni apo ka pritur deri sa spiuni të kryejë detyrën që i ka ngarkuar partia. Nuk kuptohet pse duhet të jetë burrë më i mirë, një ish komunist që ka marrë vendim dënimi politik, se sa një spiun që i ka dhënë të dhënat partisë, që ka pasur nën kontroll sigurimin? Natyrisht që duhen larguar spiunët e mbijetuar me lejen e sekretarëve të partisë deri në 2008, në politikën e lartë të shtetit shqiptar dhe tashmë kuptohet edhe pse janë vonuar deri tani në politikë. Por duhen larguar edhe ato që i kanë mbajtur dhe punësuar deri në zyrat më të larta të shtetit shqiptar. Ndërsa spiunët pak njihen dhe shpesh herë jo, por vetëm me pseudonime, ato që i kanë mbajtur dihen, dhe kanë emër dhe mbiemër, kanë role të larta në parti dhe qeveri institucione të zgjedhura apo edhe më lart dikur dhe kanë qenë edhe komunistë të devotshëm për vite me radhë. Tani kush janë burrat më i mirë në këtë mes?! 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora