E diele, 28.04.2024, 10:20 AM (GMT+1)

Mendime

Engjëll Koliqi: Letër mbretëreshës së shekullit të dashurisë

E premte, 04.07.2008, 07:40 PM


Engjëll Koliqi
Letër mbretëreshës së shekullit të dashurisë

Në sytë e tu

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Rrëfimi im për Ty fillon që nga ëndërrbardha e mrekullueshme, o mbretëresha ime e shekullit të dashurisë. N'atë të bekuarën ëndërr më erdhën shenjtërit dhe çeta engjëjsh, në valle festive. Që të gjithë, njëzëri, më thanë: - Po deshte ta shohësh realitetin e botës së re, të bazuar në kushtetutën e mrekullisë, gjeje mbretëreshën e shekullit të dashurisë dhe shikoje në sy! Pa ditur mirë se ku jam, menjëjherë ia caktova vetëvetes detyrat e reja, konform rrethanave që këndshëm m'i diktoi ëndërrbardha ime e mrekullisë. Detyra e parë ishte që ta gjej mbretëreshën e shekullit të dashurisë, dhe pa humbur kohë të gjeta o velenxa ime e bekuar. Detyrat tjera sheshoheshin njëra mbas tjetrës dhe që të gjitha më dilnin me vulën e garancisë së sukseseve, nga kthjelltësia e dashurisë, nga sytë e tu magjikë, që me fuqinë e mrekullisë tashmë janë edhe sytë e dashurisë sime, o mbretëresha e shekullit tim. Këso mrekullishë mund të ndodhin vetëm në regjime të mirëfillta dashurie.

Me këtë letër, o mbretëresha ime e bekuar, së pari të shkojmë larg-larg, në antikë, sepse që atëherë profetët kishin paralajmëruar shekullin tonë të mrekullive. Që atëherë ishin paralajmëruar sytë magjikë të mbretëreshës, që do e drejtojë këtë shekull me mrekulli dashurie. Që atëherë ishte paralajmëruar froni ynë mbretëror. Që atëherë ishte paralajmëruar privilegji, që mua më ka vendosur në fron – përkrah teje, o mbretëresha ime e bekuar.

Duke u nisur nga pikat e paralajmëruara nga profetët, fillova t'i dalloj një nga një dukuritë dhe proceset e mrekullueshme, pikërisht në syte e tu, o mbretëresha ime e shekullit të dashurisë.

·       Fillova me të parën dhe me të vërtetë u binda. "Duaje të afërmin si vetëveten" shkruante në dritat e syve të tu të mrekullueshëm. Diçka më preku thellë në shpirt dhe fillova të meditoj. Tashmë e kam të qartë – duhet dashur të afërmin e farefisit, të afërmin lokal të bashkëjetesës, si edhe bashkëpunëtorin e veprimtarive profesionale dhe përgjithësisht jetësore. Tashmë e kam këtë bindje, që më është forcuar nga sytë e tu, o mbretëresha ime – vetëm me dashuri ndaj të afërmit i përmbushim intereset e përbashkëta, që pikësëpari na dhurojnë rehatinë shpirtërore dhe shprehinë e punës së frytshme, në shërbim të njerëzimit.

·       Pastaj, në sytë e tu të këndshëm, nga thellësia e kthjelltësisë, si e qiellit veror, më doli porosia tjetër: "Garanci e sukseseve jetësore, gjithmonë është respektimi reciprok në mes palëve dhe në mes njerëzve". Menjëherë m'u kujtuan shumë raste, kur njerëz të caktuar mendojnë se vetëm ata janë të vlefshëm dhe kur nga mendime të gabuara tashmë janë thelluar edhe në bindjen e gabuar, me të cilën shpallen të pazëvendësueshëm, duke kërkuar që të gjitha intereset të adresohen drejt tyre. Me këtë porosi, o mbretëresha ime, e kam të qartë se duhet bashkëpunuar me të gjithë dhe duhet respektuar të gjithë – edhe ata më të vegjlit. Natyrisht, bashkëpunimi dhe respekti duhet të jenë edhe në anën tjetër, sepse vetëm me reciprocitet i kemi sukseset të garantuara.

·       Diç thellë në zemër më lëvizi fuqishëm, kur në sytë e tu, mes vezullimave, më doli vendimi historik: "Me bekim mrekullie të marshojmë bashkë, derisa ta ndërrojmë botën me dashuri". Dhe, pikërisht në ato çaste – mbretëresha ime – ne filluam marshimin e përbashkët, për ta ndërruar këtë botë me mrekulli, për t'ia dhuruar në çdo pëllëmbë frymëzimin e dashurisë – të vlefshëm për çdo qenie njerëzore. Marshimi ynë, me fuqi mrekullie, nuk do të pushojë kurrë, o mbretëresha ime.

Mbretëresha ime e dashur, duke falënderuar Zotin për të gjitha këto privilegje që na i ka dhuruar, do e thërras njerëzinë mbarë, që të lexojnë në sytë e tu të mrekullueshëm porositë dhe detyrat historike, për të drejtuar dhe lulëzuar bashkë shekullin e dashurisë. Do i thërras të gjithë që menjëherë t'i marrin detyrat dhe përgjegjësitë, sepse ato – bashkë me sukseset, na takojnë të gjithëve dha janë të pandashme e të patjetërsueshme. Me porosinë historike që del nga kthjelltësia e syve të tu të mrekullueshëm, o mbretëresha e shekullit tim të dashurisë, do i thërras të gjitha qeniet njerëzore, që të jenë pjesëtarë të barabartë në të gjitha aktet e dashurisë dhe të të gjitha sukseseve tona, në shërbim të njerëzisë. Do i thërras të gjithë, që të përgatiten dhe ta nisim bashkërisht vallen e madhe festive. Do i thërras të gjitha qeniet njerëzore, që secila e secili ta shohin e ta lexojnë në sytë e tu të mrekullueshëm, porosinë historike të ndërrimit dhe të drejtimit të botës me dashuri. Para të gjithëve, këtu – në këtë fron tonin të mrekullueshëm, o mbretëresha ime, do e shpall hapjen e shekullit të dashurisë, që në histori po hyn si shekull i pambaruar, për të mbetur i tillë deri në amshim. Do e shpall vendimin historik të fillimit të mbarë e të pambaruar, që doli vezullueshëm nga sytë e tu të mrekullueshëm, o mbretëresha ime. Do i thërras të gjithë dhe do e ngrehim bashkë dollinë e festës historike, të fillimit të shekullit tonë të dashurisë, që po hyn në histori me mrekulli të garantuara. Do i thërras të gjithë, që paraprakisht të fillojmë bashkë vallen festive, sepse në sytë e tu po lexoj garancitë për suksese të plota, o mbretëresha ime e mrekullive. Eja edhe ti, me vezullimat e kurorës mbretërore e mbushe me rreze të këndshme vallen festive, që do e përshkojë historinë tonë, që sot e deri në amshim. Gëzuar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora