E diele, 28.04.2024, 10:18 AM (GMT+1)

Mendime

Agron Tufa: Kë shqetëson Fjalori i Gjuhës Shqipe të Mehmet Elezit?

E premte, 04.07.2008, 06:55 PM


Agron Tufa
Gjuha shqipe paralele

Nga Agron Tufa

(Kë shqetëson Fjalori i Gjuhës Shqipe të Mehmet Elezit?)

Nuk është fjala për një gjuhë sekti, slang-u, apo për ndonjë strukturë paralele komunikimi ilegal. Pra nuk është fjala për një kod mistik e hermetik që lyp deshifrime. Është fjala për gjysmën e matematikës të fjalëve shqipe të papërfshira në Fjalorin e “Gjuhës së Sotme Shqipe” (FGJSSH, 1980), e cila është injoruar nga ekzistenca e saj, në pjesën dërrmuese – fjalë, shprehje, kategori gramatikore e përftesa nga gojëfoljet e trevave të Veriut, Maqedonisë e Kosovës, por edhe nga krahinat e skajshme të Jugut të Atdheut. Shkrimtari dhe filologu Mehmet e Elezi ka tash dy vjet që e ka nxjerrë nga harresa këtë thesar të gjuhës shqipe, duke bërë një punë kolosole e vetmitare, aq sa nuk kanë arritur të bëjnë stafe me dhjetra shkencëtarë të Akademisë së RPSSH-së ndër disa dhjetëvjeçarë.

Për Fjalorin e Gjuhës Shqipe të Mehmet Elezit nuk është folur, edhe pse ka dy vite që ndodhet nëpër librari. Më saktë, përveç një shkrimi recensional të një gjuhëtari, ka patur edhe 3 shkrime të tjera nga gazetarë, të cilët thjesht shtrojnë pyetjen në 3 shkrimet e tyre: “Pse nuk shkruhet dhe nuk flitet mbi këtë fjalor?”. Ndërsa një kanal televiziv shumë i fortë, me urdhër nga drejtoria e ka heqë lajmin që bën me dije botimin e këtij fjalori, duke marrë masë për gazetarin që e ka përgatitur lajmin, duke e privuar nga puna. Ai farë burri paska thënë: “gjatë gjithë historisë së këtij televizioni, nuk është dhënë kurrë një lajm më i poshtër dhe më antishqiptar se ky!”. Shih çfarë ekuivokësh bëjnë vaki përmidis kësaj Shqipnie! Megjithatë, unë do ta kundroj Fjalorin e Gjuhës Shqipe të Mehmet Elezit, nga një pikëpamje profesionale, të lidhur ngushtë me zejen time të shkrimtarisë, në lidhje me fjalën dhe frymën e gjallë, pa të cilën nuk do të kishte, ndoshta, pikë rëndësie ekzistenca ime. Dhe ajo që më ngazëllen e dëshpëron është fjala dhe fryma e shqipes, fjalë për fjalë shkronjë për shkronjë – anima et verbum.

Në punën e tyre krijuese, origjinale apo përkthimore, pa përjashtuar këtu edhe atë lloj recepienti të hollë e të apasionuar që është lexuesi – (bashkëkrijues i përjetshëm i poetëve dhe shkrimtarëve) gjatë aktit krijues të leximit, pra, të dy këto kategori që i ndan një kufi tepër i hollë, nuk i kanë shpëtuar hartimit të doracakëve me fjalë e shprehje që kanë patur më për zemër. Në qoftëse biem në një mendje, që një ndër cilësitë e poetit është aftësia e tij për t’u habitur, atëherë shkallën më të ndjeshme e më emotive të habisë e përbën zbulimi i botës së çuditshme të fjalëve në përgjithësi, dhe zbulimi i secilës fjalë të marrë veçmas. Sepse “gëzimi i njohjes” së poetit me fjalën si kyç i një radhe imazhezh dhe asociacionesh, është i ngjashëm me gëzimin e ndërtuesit para materialit të epshëm për ndërtim. Fjala ka energjinë e shekujve dhe bart frymën e përdoruesve paraardhës. Atë që ia mohojnë fjalorët, poeti e gjen në ligjërimin e gjallë, ndër kontekste të gjalla, të cilët nuk mund t’i ndryjnë fjalorët e akademive, prandaj duhen alternativa shtesë, kënveshtrime shtesë, për t’iu përafruar sadogrimë hartës prore elastikë të fjalorëve kombëtarë leksikografikë. Fjalorët leksikografikë janë të ngjashëm me zgjerimin dhe rrudhjen e mundësive, ashtu si ajo lëkura simbolike e shagrenit që paraqet Balzaku.

Po kush do ta ngrejë fjalën dhe t’ia dëftejë atë kohës? Uria e poetit, në rastin më të mirë e poetit-filolog për fjalën nuk mund të krahasohet me asnjë disiplinë të kanonizuar shkencore që vepron sipas projekteve dhe direktivave akademike, në kohëra, ideologji dhe kontekste të varura nga konjukturat politike dhe ideologjike.

Ja pse “Fjalori i Gjuhës shqipe” i poetit, shkrimtarit dhe filologut Mehmet Elezi përbën, përveç një akti heroizmi dhe sakrifice, edhe habinë se sa larg mund të të shpjerë dashuria për fjalën, si kusht i domosdoshëm i nevojës së brendshme për krijim. Por nëse “nevoja për materialin ndërtues”, apo uria e krijimit mund të gjejnë zgjidhje të karakterit individual, Mehmet Elezi e ka kapërcyer këtë kornizë, duke e bashkëpjestuar aktin e dashurisë dhe mahnisë me të tjerët. Sepse dashuria për krijim dhe vetë krijimi më së mbarami, e ka pashmangësisht të ndërkallur vetinë bujare të bashkëpjesëtimit me të tjerë.

Një ndër virtytet e Fjalorit të z. Mehmet Elezi, përveç dyfishimit të hartës tonë leksigrafike kombëtare, është pikërisht qasja ndaj ligjërimit, jo si inventarizues burokratik i shtrezave të fosilizuara ndër gojëfoljet e trevave shqiptare, por si krijues dhe vlerësues i rafinuar i vetive të fjalëve, duke i marrë ato në mjedisin e gjallë organik, në pikun e ligjërimit kuvendues, folklorik apo letrar. Përfshirja e fjalëve bashkë me kontekstin e gjallë të ligjërimit, me kategoritë e anatemuara gramatikore të shqipes, me përftesat, trajtat, ndjfoljet e pasthirmat e shumta, që të gjitha të papërfshira në fjalorët e deritashëm, e zhburgos debatin mbi gjuhën shqipe, duke e nxjerrë atë nga pika e vdekur ku e pati ngallmuar shkenca e gjuhësisë socialiste.

Fjalori i Mehmet Elezit na dëshmoi edhe njëherë tjetër, më plotësisht, se kufijtë e nocioneve gjeopolitike, puritanizmi gjuhësor, projektet e utopisë së keqe mbi një vetëdije artificale të “njeriut të ri socialist” si folës, nuk përputhen me realitetet gjuhësore të etnisë, pavarësisht dëmit dhe plagëve që iu dhanë ligjërimit të gjallë të shqipes.

Nga të gjitha meritat dhe pasuritë që ka ky Fjalor (ma do mendja se intuitivisht harta e këtij fjalori i parapriu në njëfarë kuptimi edhe hartës politike të shqiptarëve në Ballkan me krijimin e shtetit të Kosovës), do të veçoj zgjedhjen e njësisë së fjalës në pikëvlimin e ligjërimit, kuvendimit gojor, folklorik apo ligjëratës artistike të shkruar. Gjuha dhe kultura jonë nuk e kanë luksin të paraqiten të gjysmuara, duke hequr dorë nga gjysma e leksikut të saj. Vetë fondi prej 41 mijë fjalësh që ringre Mehmet Elezi, një njeri i vetëm përballë ekzistencës së një akademie ndër dhjetëvjeçarë të tërë, flet mjaftueshëm për shkallën e tëhujësimit dhe alienimit ideologjik e rracist të shqipes. Përvetësimi i të drejtës së folësit, se çfarë fjalësh duhet të përdorë ai, është shkalla me skajshme e absurdit ideologjik dhe njëjtazi me të sjell shprishjen e fizionomisë identitare të këtij folësi. Por Mehmet Elezi e ka nxjerrë nga kthetrat e agonisë, pikërisht potencialin e brendshëm të fjalëve, akoma pa dhënë frymën e fundit të shekujve, akoma pa shterruar semantikën e konteksteve, energjinë e imazhit dhe domethënies që ruan fjala. Kjo qasje është bërë në momentin kritik, kur përballë ekspansionit të realeve globalistë, këto fjalë mund të konsideroheshin si gjuhë e vdekur, akoma më të pashpresa se simotrat e tyre në latinisht apo greqishten e vjetër. Është punë e poetëve, krijuesve, përkthyesve dhe lexuesve, të cilët duke pirë në ujin e gjallë të kësaj shqipje të mohuar, të kryejnë me gjedhin kombëtar trasfuzionin e përgjithshëm të gjakut të lodhur të shqipes dhe t’i rezistojnë presionit të gjithanshëm të terminologjisë së huaj. Vetëdija gjuhësore e poetëve, krijuesve, atyre që merren me mundimet dhe mahninë e fjalëve është përcaktuese në mbijetesën e gjallë të një gjuhe. Ne nuk duhet të nisemi nga kritere të keqkuptuara shkencore për të zbatuar ligjësi të dyshimta mbi gjuhën.
Gjuha, kam bindjen, sillet me bartësin e saj ashtu siç e bart ai. Sforcimi kolektiv për të krijuar një gjuhë të re totalitare dështoi në të gjitha përpjekjet e saj përgjatë shek. XX. Ndërsa tash gjuha rrezikon të bëhet fir në zgafellat e kulturës postmoderniste.

Gjuha është një armë e papërsosur dhe shumë e rrezikshme. Ajo na tradhëton në çdo hap, lind prej vetes kundërshti dhe konfuzion. Veçanërisht e vështirë është bërë gjuha, derisa kuptimi i saj real, përmbajtja e saj reale e fjalëve pothuajse ka humbur. Tani në filozofi dhe filologji na takon të grindemi e të luftojmë për secilën fjalë, të bëjmë marrëveshje për domethënien e saj mes fletëve të vëllimeve të shumta. Të zbrazëta, me kuptimin e realeve të humbura fjalët shpesh nuk na lejojnë të dialogojmë me njëri-tjetrin. Do të donim t’i afroheshim njëri-tjetrit dhe të filsnim me dorë në zemër, por fjalët na mbajnë të paralizuar në distancë. Kështu vazhdojmë të kushtëzohemi, të biem në ujdi se çfarë nënkupton fjala, kuptimi i drejtpërdrejtë i së cilës ka humbur kujtesën. Ne na duhet të rikthejmë mistikën e fjalëve, jo magjinë, që të sugjestionon; mistikën e fjalëve që gjithnjë çliron. Fjalët janë ngulfatur në ekzistencën e mistershme të botës, fjalt janë ontologjike. Sepse kuptimi real i fjalëve rikthehet kur fjala lidhet Logos-in. Atëherë nuk kemi të bëjmë me racionalizmin, por me poezinë .

Mos i kërkoni poezisë lëndë diskrete, konkretësi, materialitet. Kjo është po ai revolucion urie. Dyzimi i shën Tomës. E përse qenka e domosdoshme të ndjesh me gishta? Dhe kryesorja, përse u dashka të identifikohet fjala me gjërat, me sendin të cilin ajo shenjon?

Mos vallë gjësendi na qenka zot i fjalës? Fjala është – Psikeja. Fjala e gjallë nuk e shenjon sendin, porse zgjedh lirisht, mu si për banesë bujtjeje këtë apo atë kuptimësi sendore, gjësendi, - një trup të dashur. Dhe përreth sendit fjala bredh lirisht, njashtu si shpirti përreth kurmit të braktisur, por të paharruar . Ajo çka thuhet për sendoren, kumbon disi ndryshe kur aplikohet ndaj imazheve:

Prends l’eloquence et tords-lui son cou!*

Shkruaj vargje pa imazhe, nëse mundesh, nëse ia del. I verbëri e njeh fytyrën e dashur, memzi duke e prekur atë me gishtat që shohin, dhe lotë gëzimi, gëzimi të njëmëndët i buisin syve pas një ndarjeje të gjatë. Poezia është e gjallë me imazhin e brendshëm, me atë plazmim kumbues të formës, e cila parathotë poezinë e shkruar. Ende nuk ekziston asnjë fjalë, ndërsa poezia kumbon tashmë. Kumbon kështu imazhi i brendshëm, të cilin e përçik veshi i poetit.
Fjala u bë jo shtatëgrykëshe, porse gajde njëmijëgrykëshe, e gjallëruar me frymëmarrjen e të gjitha shekujve njëherësh .

Gjuha është më e vjetër se sa shkrimtari; gjuha zotëron një energji centrifugale që ia përcjell potenciali i saj kohor – d.m.th., gjithçka që gjendet para kohës. Dhe ky potencial përcaktohet jo dhe aq me përbërjen sasiore të kombit që e flet këtë gjuhë. Dhe sidomos, gjuha sot nuk përcaktohet nga njeriu i rëndomtë, pa vetëdije gjuhësore. Madje as nga teoritë shkencore që e shihin gjuhën si “një produkt social, shumë e kushteve të domosdoshme që ka pranuar kolektivi, që të ndihmojë në realizimin, funksionimin dhe mundësimin e veprimtarisë ligjërimore, e cila ekziston tek çdo bartës i gjuhës ”. Fjala dhe gjuha i përshtaten imazhit që ka skicuar poeti me fjalën:

“Para buzëve, ndoshta, pëshpërima ka lindur,
Fëshfërima në gjethnajë – më parë se drurët,
Dhe atyre që përvojën ua blatojmë,
Para përvojës i kanë gjetë konturet.

(O. Mandelshtam)

* Tekstualisht: “Merrë gojëtarinë dhe thyeja qafën!” (fr, nga vargjet e P. Verlenit “Art poetique”).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora