E hene, 29.04.2024, 03:07 AM (GMT+1)

Mendime

Preç Zogaj: Pastrim apo dekonspirim, kjo është çështja

E premte, 04.07.2008, 06:21 PM


Preç Zogaj
Pastrim apo dekonspirim, kjo është çështja

Nga Preç Zogaj

Tema shtatëmbëdhjetë-tetëmbëdhjetë vjeçare e pastërtisë së figurës së ...zyrtarit në lidhje me regjimin komunist, e rrudhur si e tillë kryesisht te rrjeti i ish-bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit falë një investimi të veçantë të ish-zyrtarëve komunistë gjatë viteve të fundit, po jeton edicionin e radhës, duke ngritur përpjetë, si pluhurin e përhershëm, për të dhjetën a njëqindën herë, qëllime të mira dhe qëllime të liga, vizione të qarta dhe vizione të turbullta, mirësi dhe poshtërsi, naivitete dhe hilera. Një zhurmë periodike, një ritual që mëton të rikthejë vendin dhe shoqërinë në pikën e nisjes, që riciklon vit pas viti debatin "kush ke qenë e kush kam qenë", a thua se nuk ka dhe s'do të ketë kurrë në këtë vend exit, dalje, ikje, ndarje nga e kaluara komuniste; një zhurmë që akuzon për mungesë të ndërgjegjes së shtetit dhe historisë, për çoroditje dhe krisje të rënda në përqasjet e këtij rrafshi, ku meskiniteti, llogaritë e vogla, ligësia dhe interesat politike të çastit sfidojnë njohuritë dhe principet, largojnë zgjidhjet e drejta demokratike, tjetërsojnë realitetet e djeshme në atë shkallë sa t'u japin përshtypjen të rinjve që nuk e kanë jetuar komunizmin, se në këtë vend paskemi patur një diktaturë të mirë, por ishin njerëzit dhe kryesisht siluetat e spiunëve që iu futen nga poshtë e nga lart diktaturës sonë lule dhe e… e prishën, e bënë mizore, vrastare! Ky mashtrim, kjo gënjeshtër, kjo maskaradë, që sponorizohet vijueshëm edhe nga injoranca, rehabiliton vetvetiu doktrinën dhe ideologjinë e diktaturës, strukturën dhe infrastrukturën e saj, kastën e saj, regjimin njëpartiak, luftën e klasave, izolimin, terrorin, domethënë vetë thelbin e ekzistencës së saj.
Sot, midis kësaj zhurme të ngarkuar me konspiracion dhe patetikë,  që ofendon vijueshëm parlamentin dhe institucionet shtetërore të Shqipërisë, unë po provoj të bëj atë që duhet ta bëjnë zyrtarë me një veshje institucionale më të lartë se imja: Po them: Shqipëria  ka bërë në vitin 1996 një ligj për kontrollin e figurës së zyrtarit, për hapjen dhe shqyrtimin e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit në funksion të atij ligji. Ky ligj ka vepruar nga viti 1996 deri në vitin 2001. Komisionet e pastërtisë, të ngritura në bazë të këtij ligji, gjegjësisht komisionet Mezini dhe Bezhani, përgjatë pesë vjetëve nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë hapur dosje dhe kanë verifikuar të kaluarën e personave që kapte ligji. Qindra njerëz janë penguar të kandidojnë në zgjedhjet politike apo edhe lokale, mijëra të tjerë janë penguar të punësohen ose janë përzënë nga administrata shtetërore. Shumica e deputetëve të sotëm të Kuvendit të Shqipërisë i janë nënshtruar verifikimit sipas ligjit, në komisionet e verifikimit ose në gjykatë. Ligji kishte një afat të qenies në fuqi dhe s'mund të ndodhte ndryshe, sepse edhe ndëshkimi i krimeve penale ka përgjithësisht një afat, e jo më ndëshkimi i rrethanave që nuk përbëjnë vepër penale, siç janë ato të parashikuara në ligjin e pastërtisë. Unë nuk jam një njohës i mirë i ligjeve të lustracionit dhe nuk mund të bëj krahasime me vendet e tjetra. Kam patur opinionin se ligji shqiptar i vitit 1996, me pamundësinë për të evituar arbitraritetin dhe voluntarizmin në përcaktimin e kufijve midis grupeve "të papastra" dhe grupeve "të pastra" në një diktaturë homogjene nga kreu në bazë, me sforcimin për të ndëshkuar njerëz me shenjën e grupit dhe me produktin e shumë paradokseve të paharruara, ka qenë një ligj i ashpër dhe i padrejtë, sado që  nuk i mungonin klauzolat realiste. Gjithsesi, ai ligj, me të mirat dhe të këqijat, veproi derisa u arshivua në histori. Në këtë aspekt Shqipëria mund të këtë qenë në një hap me disa vende të Evropës Qendrore dhe disa vite përpara vendeve të Evropës Lindore. A është e vërtetë kjo?
Atëherë cili është problemi, ç'është kjo kakofoni a thua se Shqipëria nuk i ka bërë këto? Problemi, sipas bindjes sime mund të përmblidhet fare mirë me shprehjen e njohur popullore "hedh një budalla një gur në lumë, hidhen njëqind e nuk nxjerrin dot". Dikush, kalimtar dhe pa ide në politikë, mbetet i mbërthyer nga kureshtja apo zilia perverse ndaj rivalëve dhe kundërshtarëve politikë dhe fillon e mendon  pa të shohim njëherë mos del ndonjë gjë në favorin tim andej nga arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit"! Dikush tjetër hidhet e thotë se ligji i mëparshëm s'ka vepruar për të gjithë njëlloj, megjithëse nuk ka një analizë për këtë! Një i tretë, që ka lindur më vonë, çfarë nuk është një arsye për t'u mburrur, sepse ditëlindja është një fakt i natyrës, ngrihet e thotë "nuk i kam parë unë, dua t'i shoh edhe unë". E të tjera e të tjera... E tërë kjo nuk mbaron kurrë. Shteti dhe drejtësia nuk mund të varen në këto trille, cilat do qofshin motivet. Shteti dhe drejtësia do të ishin deficitarë në këtë pikë, nëse nuk do të kishin bërë kurrë ligj. Por kur e kanë bërë e aplikuar ligjin, çështja ndryshon.
Duke njohur te kryeministri Berisha protagonistin e ligjit të vitit 1996, unë do ta ftoja atë të deklarojë sërish para publikut se ai e ka bërë ligjin e tij, se ligji i tij ka vepruar në dy pushtete, në atë të demokratëve dhe të socialistëve. Edhe uji që është mirësi nuk kalon dy herë në të njëjtat brigje. 
Nëse ka patur probleme me zbatimin e ligjit të viteve 1996-2001, atëherë e vetmja gjë e arsyeshme që mund të bëhet është ngritja e një komisioni parlamentar, që do të verifikojë zbatimin e ligjit të vitit 1996. Ky komision mund të nxjerrë një bilanc të zbatimit të atij ligji dhe të paraqesë një raport në Kuvend. Në bazë të përfundimeve do të reflektohej më mirë se si do vazhdohet më tej.
Dua të them dy fjalë për socialistët, që kanë paraqitur projektin e tyre. Socialistët votuan kundër ligjit të PD-së në vitin 1996. Shumica socialiste votoi gjithashtu kundër ligjit që paraqitën demokristianët në vitin 2005, në prag të zgjedhjeve politike të atij viti. Në të vërtetë unë nuk jam çuditur që socialistët e Servet Pëllumbit në vitin 1996 apo të Fatos Nanos në vitin 2005 votuan ashtu. Ata, duke votuar ashtu, besoj kanë patur vetëdijen se, në qoftë se duan të klasifikojmë mekanizmat e diktaturës komuniste, sado që për mua kjo nuk ka ndonjë rëndësi praktike tashmë, truri i diktaturës ka qenë partia, komanda ka qenë partia, të parët kanë qenë komunistët. Gjithçka tjetër ka qenë vegël e partisë. Pra, ish-komunistëve që ishin në ballë, që bënin kërkesa me përbetime e përgjërime për t' pranuar në parti, nuk u shkonte dhe nuk u shkon të bëjnë ligje ndëshkuese për ata janë rekrutuar me imponim apo edhe me dhunë, me parimin "kujt t'i bjerë" nga arma e tyre e dashur, nga ish-sigurimi në një periudhë  të errët pa alternativë zgjedhjeje. Kjo sigurisht do të ishte thellësisht e padrejtë dhe e pamoralshme dhe do të dëshmonte një degradim të skajshëm të gjykimit. Ndërkaq, megjithëse kanë votuar dy herë kundër dhe megjithëse nuk kanë lajmëruar në fushatën e vitit 2005 ndonjë qëndrim ndryshe, përgjatë kësaj legjislature, socialistët e Edi Ramës paraqitën një projekt të denjë për trashëgiminë e tyre të luftës së klasave, të sajimit të biografive, madje, edhe më keq se kaq. Projekti i PS-së nuk i gjykon njerëzit për atë që kanë bërë, por për atë që u kanë bërë, për atë që u ka ndodhur. Si i tillë, ky projekt është luftënxitës dhe propozon një përplasje pa precedent. Unë i ftoj ta tërheqin atë me nxitim dhe ta kujtojnë si një lajthitje të çastit; i ftoj të përqafojnë parimet e projekteve të PD-së që njohin vlerën e distancimit dhe referojnë vetëm aspektet kriminale të veprimtarisë së subjektit që verifikohet. Dhe kështu duhet të jetë, sepse përndryshe në vend të një ligji për pastërtinë do të bënim një ligj për dekonspirimin, çfarë nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e botës. Vetë ideja e pastrimit nuk mund dhe nuk duhet të realizohet nëpërmjet dekonspirimit. Do të ishte njëlloj si të qëlluarit në turmë për të zënë një nishan. Paktet e shërbimeve sekrete me qytetarët, në çdo kohë, bëhen për të mos u marrë vesh. Kur shteti, për një arsye të caktuar, vendos të prishë në mënyrë të njëanshme këtë marrëveshje duhet të marrë përgjegjësitë përkatëse dhe të llogarisë efektet në rrafshin e sigurisë së vendit. Prandaj këto lloj ligjesh nuk mund të bëhen as për të nxjerrë inate të rastit, as për të ilustruar muhabete kafenesh. Është shumë e rëndësishme të përcaktohet metodologjia dhe rruga që ndiqet për të shkuar me saktësi tek ajo që konsiderohet veprimtari kriminale e personit, që ka çuar në dënime, burgime apo internime të personave të tjerë. Se për këtë bëhet ligji, apo jo? Është e detyrueshme të bëhet transparencë nëse personi ka bërë kërkesë për t'u bërë bashkëpunëtor apo i është kërkuar me forma presioni, premtimesh apo me imponim e dhunë. Është e detyrueshme gjithashtu të vendosen sanksione të rrepta për abuzime me këtë temë. Në momentin kur ka mbaruar verifikimi, çdo spekulim i mëtejshëm duhet dënuar në emër të mbrojtjes së dinjitetit të personit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora