E diele, 28.04.2024, 04:47 AM (GMT+1)

Mendime

Dosjet janë hapur, puna është të lexohen

E shtune, 05.07.2008, 05:31 PM


Aida TANCICA

Politika shqiptare kthen edhe një herë në vëmendje hapjen e dosjeve të krimeve të komunizmit. Çfarë e pengon politikën shqiptare t'i shkojë deri në fund kësaj nisme, të dalë nga e shkuara, kur një gjë të tillë e kanë bërë edhe të tjera vende ish-komuniste...? Frika? Frika për t'u përballur me të vërtetën e dalë në publik? Më shumë se një detyrim moral, hapja e dosjeve të komunizmit është një detyrim ndërkombëtar. Them detyrim, sepse ka ardhur koha që politika shqiptare t'i tregojë botës se 50 vite diktaturë tashmë janë një kapitull i mbyllur. Duhen hapur dosjet edhe për një qëllim njerëzor.

Shqiptarët duhet të dinë se kujt ia kanë dhënë votën e tyre, të ftojnë mëkatarët në vetëpastrim. Mes diskutimeve dhe ideve pa fund thuhet se është gjetur një gjuhë e përbashkët: "po" dosjet do të hapen për zyrtarwt e lartë... E parë në një këndvështrim më të gjerë, kjo temë nuk është çështje e njërës apo tjetrës parti, por e klasës politike në tërësi. Këta zotërinj të kollarisur harrojnë se kapërcimi i situatave të tilla do të ishte më i kapërdishëm me pak tolerancë, që nënkupton tërheqje nga politika dhe me një falje publike. Vjen një moment i kapërcimit të brezave dhe jo vetëm ndjesa, por dhe prirja e re është domosdoshmëri përfaqësimi tashmë. Dhe kjo do të ndodhte vetëm nëse zotërinjtë e kollarisur do të rikthenin në kujtesën e tyre shpirtin liridashës shqiptar. Do të kthenin në vëmendje Dhjetorin e viteve '90. Do të kthejnë në vëmendje raportet e ndërkombëtarëve që e kanë përcjellë popullin shqiptar me ide të theksuara demokratike.

Mirëpo kur flasim për argumenta njerëzorë, duhet të kujtohet edhe diçka. A mundet Shqipëria të arrijë aspiratat pa plotësuar kushtet...? A do të mjaftonin vetëm arritjet ekonomike? A do të mjaftonin reformat e bëra dhe premtuese? A do të mjaftonte konsensusi politik kur një i tillë nuk është se gjendet për një çëshje të tillë ku e shkuara ka zgjatur keq tentakulat në imazh? Nuk do të doja të bëja një përllogaritje të numrit të personave spiunë të komunizmit, se kjo do të ishte dramatike dhe jo vetëm, por edhe në përmbajtje të dosjeve. Sepse ky ka qenë një fenomen nga dera në derë e nga dritarja në dritare, e vështirë të gjeje njerëz që mburren.

Përmbajtja e dosjeve dhe pikat e renditura me detaje do të jenë gjykatësit më të mëdhenj për këta njerëz. Mirë është që këta hafije të bëhen moshë e tretë. Dhe pikërisht në këtë çështje besoj se nuk do të llogaritet më posti, por fati i këtyre personave, të cilëve pritet t'u vihet peshorja në atë që kanë bërë. Ka nga ata që me paturpësinë më të madhe, edhe pse janë vetë pjesë e listës, kapardisen në ekrane dhe diskutojnë për këtë temë me kompetenca. Miq politikanë dhe drejtues të medias që e keni një emër atje në arkivin e Sigurimit, duhet të bëni kujdes që gjatë transmetimit në lajme, në emisione, mund të gjeni përballë pseudonimin tuaj dhe vështirë se e kaloni me buzëqeshje. Nëse sot po diskutohet hapja apo jo e këtyre dosjeve, një tjetër argument mjaft i rëndësishëm është transparenca e tyre. Dosjet e ish-spiunëve të komunizmit do të hapen përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit 2009 ashtu siç është dhe deklaruar? Kush do të përfshihet në bërjen transparente të tyre? Cili do të jetë roli i medias? Më shkoqur për të mos ju lodhur puna, është që në listat e partive në 2009-ën të mos ketë kandidatë spiunë, që mandatin tjetër Kuvendi të mos kërkojë prapë hapje dosjesh, por të harxhojë energji për ligje që mirërregullojnë jetën e shqiptarëve.


Dosjet, sigurimi dhe krimi i organizuar

Basir Çollaku

Reformat, integrimi në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në NATO, hapja e negociatave për liberalizimin e vizave me BE, janë përparësi që kanë sjellë një imazh të ri për Shqipërinë. Kryetari i mazhorancës Sali Berisha, në shumë herë të thënieve ka përmendur zotimin se është gati të ndërmarrë çdo vendim, çdo nismë ligjore, marrëveshjeje që përmbush detyrimet e vendit tonë për të përfituar viza, anëtarësim dhe integrim në BE. Në këtë këmbëngulje kryeministrore ka dhe një iniciativë tjetër, që rezulton rekomandim e detyrim njëherësh i Bashkimit Evropian, në përputhje me rezolutën e KE për dënimin e krimeve të komunizmit. E kjo më së miri bëhet nëse hapen dosjet, nëse ndodh kjo pritshmëri e gjatë që nuk po nis, por vetëm rri gati.

Një krim që ende mbetet në fuqi në një masë fatkeqe të konsiderueshme në Shqipëri janë spiunët, punëtorët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të konvertuar në deputetë, politikanë, zyrtarë të lartë dhe nivele të ndryshme. Vështirë që para tyre të dilnin viktimat e të merrnin pushtet, si tani po tentohet. Unë jam i bindur, se nuk do të ketë anëtarësim, integrim, përballje e denjë me këta përfaqësues të vjetër sa vetë sigurimi, që hera-herës promovojnë e mbështesin çuditshëm dhe politikë të re, ndonëse me thinja të vjetra. Mjafton të lexosh "Mëkatarët" e Nafiz Bezhanit për të marrë vesh dhe nga ato që s'ka thënë avokati, apo se kanë lënë të thotë, por deri diku ka lënë të merret vesh, se kjo gardë e vjetër është bërë armatë e re dhe zvarrit pafund zbulimin e sekreteve. Në fakt, për të qenë të sinqertë e më shumë të besueshëm, asaj që ka mbetur nga dosjet. Kam përshtypjen se dosje, inventari i punës së fshehtë, arkivi i tyre, bartet nga persona me dijeni të veçantë dhe përdoret shumë herë, duke bërë që trima të fjalës së lirë në politikë e në jetën publike, të rudhen sa herë i kthehen kujtesës.

Parlamenti ka vendosur që komisioni për hapjen e dosjeve të spiunëve, të nisë nga puna dhe mirë do të ishte që të përfshihen në sitë edhe 105 kandidatët që presin të nxjerrin pesë emrat për t'u emëruar në Gjykatën e Lartë nëpërmjet dekretit të Presidentit Bamir Topi. Pastërtia e figurës nuk është vetëm kostumi firmato, dhe nëse politika përdor këtë mjet kontrolli ndonëse të vonuar pak, për t'i thënë mjaft dikujt që i ka rrëshkitur pushteteve me gjithë hijen e sigurimsit në shpinë, nuk është aspak gabim. Unë që kam pasur njerëz të familjes në burg politik, e di shumë mirë se kush ka spiunuar xhaxhanë tim dhe të afërmit e mi, e ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit për t'i dërguar ata në qeli. Madje, di që dhe më pas ky soj vazhdon mburrjen si familje demokratësh të regjur, ngaqë janë persekutuar atëherë tmerrësisht. Fali o zot se nuk dinë çfarë bëjnë, do thotë dikush? Jo, nuk është thënia që u shkon për shtat këtij soji, sepse kanë ditur hollë se çfarë kanë bërë dhe vazhdojnë ta dinë madje më mirë tani çfarë po bëjnë. Deputeti Aleksandër Biberaj që do të jetë drejtues i komisionit në Kuvendin shqiptar, në detyrën e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u përzgjodh të hetojë krimet e Stalinit në Ukrainë dhe në vendet e tjera ish-sovjetike, për vitet '32-33, të quajtura vitet e urisë. Por kjo armë e Sigurimit të Shtetit është një prodhim i mirëfilltë stalinist i prodhuar në Shqipëri, që ka funksionuar për gjysëm shekulli në mënyrën më larg të mundshme të mendjes njerëzore, duke bërë viktima sa vështirë të numërohen saktësisht.

Kemi parë të gjithë në shtyp në mënyrë të përsëritur të paktën mbi 25 pseudonime, emra të huazuar nga bujqësia blegtoria dhe pemëtaria, artizanat, që përkatësisht janë sigurimsa të vjetër e udhëheqës të rinj në karriket që mbajnë sot, në Parlament, në administratë, në drejtim mediash, e dhënie ekspertize analizash, që rrinë gjakngrirë, nëse u është fshirë mëkati i vjetër. Frika nuk është se merret vesh se kush na paskërka qenë spiun, jo ketë merak e kanë hequr me kohë shqiptarët, se zor të ketë mbetur hafije pa u identifikuar, por ata janë bërë të fortë në pushtet dhe në ekonomi dhe frika është se ata mund të jenë në gjendje të diktojnë rrethana. Oligarkia financiare, që ka si krah këshillues dhe përse jo force, ishët gjëmëndjellës, nuk kanë kokrrën e dëshirës të prodhojnë demokraci, duke larguar nga karrigia njerëz të përvetçëm. Sali Berisha, në vazhdën e mbajtjes së premtimeve duhet që deri në mandatin e dytë që do të marrë në zgjedhjet e 2009, të mbajë dhe këtë premtim të rëndësishëm, të mos e lërë për legjislaturën tjetër.

Ky premtim i mbajtur do i sjellë rezistencë nga jo pak grupe që po bashkohen politikisht, pasi problemi i ri i Sigurimit të Shtetit është Krimi i Organizuar. Kjo shtresë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ka mundur të konvertohet e përshtatet më mirë, duke kontrolluar para të pista, trafiqe, etj. Por, fatmirësisht kanë dështuar në monopole, ngaqë s'po i lë Berisha dhe po përpiqen të mos humbasin të tjerat, ku kanë lëshuar terren. Duke qenë ustallarë, kanë shpikur etiketën Korrupsion, që ia vënë çdo lloj malli që duan të mbetet stok, e më pas ta shesin vetë. Fabrikojnë flirte me pjesë të pushtetit dhe kanë krijuar një përzierjë të re, që ka në brendësi ish-Sigurim Shteti dhe krim të organizuar që ka lindur Sigurim të Organizuar, pjellë të pastër kriminale.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora