E diele, 28.04.2024, 11:50 AM (GMT+1)

Mendime

Skënder Shkupi: Një mjekër dhe një shami

E shtune, 05.07.2008, 01:37 PM


NJE MJEKER DHE NJE SHAMI

Nga Skënder Shkupi

Në viset e Shqipërisë Jugore, përdoret shpesh sentenca shpotitëse “u zunë për mustaqet e Çelos”. Se kush ishte Çeloja pak rëndësi ka, me sa duket duhet të ketë qenë një burrë pak i rëndësishëm. Ndërkohë, ka edhe një vjershë folklorike, më tepër argëtuese se tallëse, që lidhet me “shaminë që ka Dudija”, një çupë nga viset e Tepelenës apo Mallakastrës, me të cilën qenë dashuruar dy veta dhe që merreshin me shaminë e Dudijes, për të mos rënë fort në sy për merakun e madh të tyre faqe të tjerëve, ndërkohë që të tjerët zbaviteshin me ta. Diçka e ngjashme po ndodh këto ditët e fundit me mjekrën e Julianit apo shaminë e Behijes, që kanë turbulluar Rektoratin e Universitetit të sapokrijuar të Durrësit dhe myftinitë e Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit. Në pamje të jashtme kjo ngjan vërtetë me precedentët argëtues folklorikë të Çelos e Dudijes. Një djalë i ri mysliman që ka dëshirë të mos e rruajë mjekrën e tij, por ta lerë atë të gjatë dhe një vajzë e re që e gjen më komode mbulimin e kokës sesa zbulimin e saj, apo nxjerrjen e kërthizës përjashta krahas dekolteve të skajshme të shoqeve të saj, nuk duhet të përbënin kurrfarë shqetësimi për askënd. Sigurisht, në një situatë normale. Mirëpo, me te drejtë mund të shtrojmë pyetjen: A gjendemi ne sot në një situatë normale? Ndofta të paktë janë ata, edhe në SHBA apo në Evropën Perëndimore, që ta ndiejnë realisht se vendet e tyre janë tashmë në luftë me një nazizëm të ri, me repartin e avancuar të një fondamentalizmi sa agresiv, aq edhe të pashpirt. Al- Kaeda e provoi me fakte ngjethëse se nuk është aspak një kundërshtar i neglizhueshëm. Avantazhi më i madh i pjesës më agresive të fondamentalizmit islamik është ilegaliteti i saj, fshehja dhe maskimi i veprimeve terroriste me të drejtën e pamohueshme të kujtdo për të shprehur lirisht bindjet e tij fetare dhe për t’i praktikuar ato pa pengesë. Në këtë luftë të re ka një asimetri të plotë. Në Perëndim, janë në shumicë ata që luftojnë për të drejtat e njeriut përfshirë, kuptohet, edhe të drejtën e femrës për t’u mbuluar. Ndërsa në Lindje, në ato vise ku sundojnë me dorë të hekurt fondamentalistët, një femër e zbuluar mund ta paguajë edhe me jetë guximin e saj. Të rinjtë islamikë të indoktrinuar në kampe stërvitore të specializuara, po përgatiten me përkushtim për të vrarë qindra mijëra njerëz të pafajshëm, vetëm sepse nuk janë myslimanë. Atyre u thuhet se të gjitha të zezat që po heqin, varfëria, mjerimi dhe fatkeqësitë e ndryshme kombëtare apo sociale kanë një autor të vetëm, imperializmin e krishterë perëndimor. Atyre u thuhet që të vrasësh një të krishterë apo një izraelit, është një sevap i dëshiruar dhe i shpërblyer nga Perëndia. Djemve të rinj u kanë mbushur mendjen, se në botën e përtejme ata i presin krahëhapur me dhjetëra bukuroshe që do t’u kompensojnë deficitet e tyre të rënda tokësore në fushën e erotizmit të munguar, do të kenë të hanë e të pinë sa të duan dhe do të jetojnë pafundësisht një jetë të mrekullueshme, një lumturi të paanë e të pafundme. Në të tilla rrethana, përballë mizerjes së përditshme, ata nisen me dëshirë në aksione vetëvrasëse, sepse mezi ç’presin që ta prekin atë botën tjetër që është plotësim i çdo dëshire e kënaqësie. Lexuesi mund ta përfytyrojë qartë se sa të rrezikshëm janë individë të tillë të cilët kur vdesin për vete, madje me shumë dëshirë, as që mendojnë për viktimat e tyre, që nuk përjashtohet aspak të jemi edhe ne, ndonëse përpiqemi me mish e me shpirt për të drejtat e njeriut, ku përfshihet edhe skota e atyre vrasësve mizorë. SHBA dhe Europa e Perëndimit ndodhen në luftë. Ne, si aleatë të tyre, jemi gjithashtu në luftë me terrorizmin e Al - Kaedas. Kjo nuk është një deklaratë diplomatike, që nënkupton solidaritetin tonë me aleatët perëndimorë. Aspak! Kemi të bëjmë me një fakt real pasi trupat tona janë të vendosura në Irak dhe Afganistan. Qëndrimi i trupave të aleancës atlantike në Irak apo Afganistan nuk është një veprim anti-islamik, përkundrazi, ato trupa janë atje për të mbrojtur miliona myslimanë të tjerë të pafajshëm që rrezikohen nga tërbimi terrorist islamik i Al-Kaedas dhe i pasuesve të saj. Ata janë atje për të realizuar pajtimin e besimeve dhe mirëkuptimin mbarëbotëror të njerëzve, pavarësisht nga fetë që praktikojnë apo ideologjitë te të cilat besojnë. Ato janë atje për të emancipuar ata njerëz dhe për të demokratizuar ato vende. Ndërkohë me të drejtë shtrohet pyetja: ç’lidhje kanë të gjitha këto me mjekrën e Julianit apo me shaminë e Behijes? Personalisht, jam i prirur të besoj se të dy të rinjtë janë njerëz krejtësisht normalë dhe paqësorë që shohin jetën e tyre dhe që u pëlqen të bëjnë atë që bëjnë. Mirëpo jemi në luftë. “Mjekra e Julianit” dhe “shamia e Behijes”, mbartin një simbolikë të përcaktuar qartë dhe transmetojnë një mesazh. Ato janë medalje të gjalla të një ideologjie që shprehet në ditët tona me një agresivitet të skajshëm. Le të përfytyrojë lexuesi, në vitin 1942 një britanik apo një amerikan të bredhë lirisht rrugëve të Londrës apo Nju Jorkut, me një kryq të thyer të varur në qafë. Ndonëse një traditë e vjetër demokratike angleze dhe një kushtetutë amerikane ua garantonte paprekshmërinë dhe respektin për zgjedhjen e tyre, vështirë se do t’i shpëtonin linçimit nga turmat. Këtu duhet të ndalemi pak. Ka vërejtës, që me të drejtë theksojnë se mjekra e gjatë dhe mbulimi i grave nuk u takon vetëm terroristëve, por edhe miliona islamikëve të tjerë paqësorë. Sigurisht. Por tek Al-Kaeda ato përbëjnë simbolin e shenjtëruar të Islamit militant që sfidon çdo arritje të qytetërimit të sotëm dhe që është gati t’i verë zjarrin botës së sotme perëndimore, për hir të një ideje absurde të ngadhnjimit të rendit të tyre mizor. Edhe kryqi i thyer nuk ka qenë vetëm simbol i nazistëve. Ai ndeshet fillimisht në Indi. Ai është një simbol diellor. Varret e ilirëve të lashtë janë të mbushura me kryqe të thyer. Por një turmë e revoltuar britanikësh apo amerikanësh, që do të sulmonin një nazist pervers të kombit të tyre në ato vite të vrenjtura të L2B, gjatë veprimit të tyre, nuk do të kishin fare parasysh as Indinë e as Ballkanin por Gjermaninë e Hitlerit. E tillë është edhe simbolika e lartpërmendur, që mbartin ndofta pa qenë fort të ndërgjegjshëm edhe dy të rinjtë tanë të UD. Kryefjala e protestës së gjerë kundër vendimit të Rektorit të UD, për përjashtimin nga shkolla të të dy të rinjve, nëse ata nuk pranojnë të korrigjojnë qethjen apo veshjen e tyre, kanë qenë të drejtat e njeriut, mbrojtja dhe respektimi i tyre. Të përzihesh në veshjet e grave apo qethjet e burrave, është në të vërtetë një akt meskin që na kujton atë periudhën e brigadave të rinisë së Enver Hoxhës, që kërkonin të korrigjonin madje edhe modën e turistëve të huaj që vizitonin Shqipërinë Socialiste në vitet e diktaturës. Mirëpo, këtu kemi të bëjmë me një rast krejt të veçantë, në kushte të veçanta e të jashtëzakonshme të luftës, ku përligjen edhe shkelje jo thelbësore të të drejtave të njeriut. Unë jam pothuajse i sigurt, në masën gati 100 për qind, se Juliani dhe Behija janë si të gjithë ne të tjerët, njerëz paqësorë. Por në kushtet e sotme ata duhet të kuptojnë se është në interes të vendit të tyre, pra edhe në interesin e tyre, që të pranojnë njëfarë cënimi të të drejtave të tyre për hir të një përfitimi shumë më të madh, siç është pavarësia e Kosovës apo garantimi i një mbështetjeje ekonomike edhe më të fuqishme të Perëndimit ndaj nesh. Nuk është aspak sekret që Shqipëria ndodhet në shënjestrën e shumë qarqeve të ekstremistëve islamikë. Me një shumicë myslimane, ajo mund të ëndërrohet prej tyre si një pararojë e mësymjes së madhe terroriste ndaj Evropës së krishterë në një të ardhme të afërt. Mirëpo për këtë duhet përgatitur terreni. Dhe lulet e para të një përpjekjeje të tillë janë, pa dyshim, djemtë mjekroshë dhe vajzat e mbuluara. Të tjerat vijnë prapa. Të mos harrojmë që kemi edhe dy fqinjë të sertë që vigjilojnë natë e ditë për të na inkriminuar si terroristë islamikë dhe presin vetëm rastin. Të mos u japim atyre mundësinë komode për të na dëmtuar. Ka kritizerë që ankohen, se pse Rektori i UD nuk merret fare me femrat barkjashtë apo me meshkujt me flokë të gjata, apo me veshje të shkarravitur ekstravagante. Kjo, kuptohet, ka ndodhur jo se rektori ka dobësi për to apo për ta. Kjo ndodh sepse nuk ka dalë asnjë femër barkjashtë në botë që të kërcënojë se do të hedhë në erë bark-mbuluarat apo ndonjë hipi që do të djegë me benzinë burrat me kollare. Hierarkët e lartë të Al-Kaedas nuk kanë ngurruar madje t’i kërkojnë edhe Xhorxh Bushit të ndërrojë fenë, ndërkohë që nuk dimë nëse ndonjë politikan perëndimor t’i ketë kërkuar Osama Bin Laden-it të kthehet në të krishterë. Duhet të mos harrojmë për asnjë çast se nuk bëhet fare fjalë për punë mode apo censurimi të mendjeve të lira të rinisë shqiptare. Është fjala që ndodhemi përpara një kërcënimi real të një agresioni të frikshëm. Ndërkohë edhe Hirësia e tij, Myftiu i Shkodrës, mund ta ketë marrë vesh që natën e 11 shtatorit 2001, në një lokal të qytetit të tij, një pronar qeraste klientët për të festuar rrëzimin e dy kullave binjake në Nju Jork. Një rast krejt i veçuar ky, por thellësisht tronditës, që tregon se rreziku i terrorizmit islamik nuk është edhe fort imagjinar, siç mund të pretendojnë shumë luftëtarë të devotshëm të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri. Së fundi, le të ndalemi pak te koncepti i shenjtëruar i respektimit të të drejtave të njeriut në rendet demokratike. Është një nga fitoret më të mëdha të historisë së Perëndimit të 200 viteve të fundit. Mirëpo si çdo koncept themelor edhe ai ka karakter relativ. Le t’i referohemi historisë së re të dy vendeve me ndikim më të madh apo më të vogël islamik, Turqisë dhe Shqipërisë. Në vitet ‘20 – ‘40 të qindvjetorit që kaloi, Kemal Ataturku burgosi dhe persekutoi me mijëra hoxhallarë, madje duke i detyruar ata që mbetën të dalin me kapele republike e me kravatë në rrugë kurse veshjen ceremoniale ta veshin e ta zhveshin në xhami; i detyroi femrat të zbulohen, nxori ligjin që në zyra nuk pranoheshin gra të veshura tradicionalisht por vetëm alla-franga e masa të tjera të shumta drakoniane që ne sot na i ngrenë flokët përpjetë ngaqë përbëjnë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Mirëpo, si rrjedhojë, Turqia i shpëtoi perspektivës së tmerrshme të kthimit në një Afganistan të dytë nën trysninë e turmave të mykura islamike, të cilat Ataturku i vrau e i preu pa mëshirë. Ndërkohë, Ahmet Zogu, në vitet ‘30-të të shekullit të kaluar nxori ligjin e heqjes së ferexhesë për gratë dhe të përdorimit të kostumit civil nëpër zyrat shtetërore për burrat, duke bërë të mundur të shmangej kontrasti i thellë që mund të lindte ndërmjet besimeve të ndryshme për shkak të paraqitjes së jashtme e cila kishte edhe rrjedhoja të tjera të parashikueshme. Nëse gratë do të mbesnin të mbuluara, pak prej tyre mund të shkolloheshin disi, por intelektuale të mirëfillta nuk ngjizeshin dot nga një brumë i tillë. Ndërkohë burra zamani, me tirqe apo veshje jo-civile, nuk do të ishin shumë të prirur për t’u shkolluar në universitetet e Evropës, si rrjedhojë midis të krishterëve e myslimanëve do të krijohej një hendek i madh e i rrezikshëm. Ishin nismat e mbretit Zog ato që siguruan daljen e një brezi intelektualësh të mëdhenj në vitet ‘30-‘40 të mbretërimit të tij, pa kurrfarë dallimi si nivel nga përkatësitë e tyre fetare. Ishte ajo frymë që edhe sot, sigurisht pa neglizhuar edhe unifikimin e dhunshëm të shoqërisë shqiptare të ndërmarrë prej komunistëve, në Shqipëri askush nuk vë re ndonjë ndryshim në shkollim apo mentalitet ndërmjet intelektualëve me prejardhje të krishterë apo myslimane. Atëherë, shtrojmë pyetjen: A bënë mirë apo keq, Ataturku dhe Zogu, që shkelën me të dyja këmbët të drejtat e njeriut turk dhe të atij shqiptar, për shumë vite të gjata me radhë? Përgjigjen le ta japë vetë lexuesi. Në kuadrin e të gjitha parashtrimeve të mësipërme, le t’ia lemë lexuesit edhe përgjigjen e pyetjes së fundit: A veproi mirë apo gaboi rektori i UD, z. Agim Kukeli, me vendimin e tij kundër Julian Mebellit dhe Behije Hoxhës?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora