E diele, 28.04.2024, 07:17 PM (GMT+1)

Mendime

Edmond Tupja: Euro 2008 dhe dhunimi mediatik i shqipes

E diele, 06.07.2008, 03:28 PM


Euro 2008 dhe dhunimi mediatik i shqipes

Nga Edmond Tupja

Të gjitha ndeshjet e Euro  2008-s u dhuruan sportdashësve shqiptarë emocione të shumta, pozitive dhe negative, sigurisht, dhe kjo falë, ndër të tjera, edhe ...transmetimit të tyre nga "komentatorët" e kanalit televiziv Top Channel. Po e vë në thonjëza fjalën "komentator", sepse, pasi rrëmova në Fjalorin e gjuhës shqipe, botim i vitit 2006, zbulova se "koment" do të thotë "analizë, shpjegim e vlerësim për një ngjarje politike, shoqërore, kulturore etj." dhe natyrisht që ngjarja sportive në fjalë, pra Euro 2008-a, përfshihet në fjalëzën "etj.". Mjerisht, nën dritën e këtij përkufizimi objektiv, pra, të paanshëm, mua më rezulton që "komentatorët" e ndeshjeve të Euro 2008-s, d.m.th. ata që flisnin pareshtur për 90 ose edhe 120 minuta, kanë qenë thuajse thjesht transmetues, ndërsa specialistët që jepnin mendimet e tyre pas ndeshjeve ishin komentatorët e vërtetë sepse bënin analiza e vlerësime duke dhënë edhe shpjegimet e duhura.
Përveç shpejtësisë së të folurit dhe gjallërisë së transmetimit, jo rrallëherë edhe të tepruar, transmetuesit në fjalë më kanë skandalizuar, indinjuar dhe revoltuar me mënyrën e tyre ndoshta të pavetëdijshme, por gjithsesi të paturpshme, sesi e dhunuan gjuhën shqipe gjatë transmetimit të çdo ndeshjeje. Ata dhunuan rëndë së pari leksikun e shqipes, së dyti, disa struktura themelore të saj si lakimi i emrave të përveçëm, së treti disa struktura kuptimore, së katërti disa struktura morfosintaksore, së pesti stilin gjuhësor të denjë për mediat elektronike serioze, duke treguar sheshit se ata nuk njohin as shqipen, as gjuhët e huaja nga të cilat janë të ndikuar, as elegancën e gjuhës së transmetimit, elegancë edhe gjuhësore, edhe stilistikore që mban tashmë vulën e pashlyeshme të Andon Mazrekut, Ismet Bellovës, Skifter Këlliçit e të disa të tjerëve.
Dhunimi i leksikut: Si guxojnë këta transmetues të përdorin pa pushim fjalë të tilla si merkato (treg), kondicionoj (kushtëzoj), rikuperoj topin (rimarr), posedoj (zotëroj, kam), fraksion (pjesë), perfekt (i përsosur, i përkryer), memorje (kujtesë), totalisht (krejt, krejtësisht, tejet, plotësisht), startoj (filloj, nis), unikal (i pashoq, i papërsëritshëm), respektiv (përkatës), internacional (ndërkombëtar), evitoj (shmang), kompeticion (garë, kampionat), delir (kllapi, jerm), rinovoj (përtërij), determinant (vendimtar, përcaktues), tapet i gjelbër (qilim), në top formë (në formë të shkëlqyer), anonçoj (përmend, them, lajmëroj), preçiz (i saktë), grintë (këmbëngulje, vendosmëri, shpirt luftarak), tenton portën (kërkon, provon, orvatet, përpiqet, rreket të godasë portën) etj., etj..., ndërkohë që nuk përdorin as edhe një herë të vetme fjalët shqipe që përkojnë me to dhe që unë i kam vënë në kllapa, meqë ata, me sa duket, as nuk dinë mirë shqip e as nuk duan të hapin fjalorët e shumtë shqip-shqip dhe ata italisht-shqip, anglisht-shqip, frë-ngjisht-shqip, etj.
Dhunimi i lakimit të emrave të përveçëm: Në shqipe nuk thuhet, p.sh., "topi në duart e Bufon" apo "në duart e Van der Star", por "topi në duart e Bufonit, e Van der Starit"; nuk thuhet "me ngjyrat e Liverpul" por "me fanellën e Liverpulit"; nuk thuhet "në ekranin e Supersport", por "në ekranin e Supersportit"; nuk thuhet "krosim i Zhirkov", por "krosim i Zhirkovit" aq më tepër që në rusishte emrat rusë lakohen dhe që në shqipe gjithashtu ata lakohen; nuk thuhet "nga ana e Balak", por "nga ana e Balakut", nuk thuhet "Franca e Domenek", "Spanja e Arragones", "skuadra e Gusiding", por "Franca e Domenekut", "Spanja e Arragonesit", "skuadra e Gusidingut", etj., etj.
Dhunimi i kuptimit të disa fjalëve si edhe i lidhjeve të tyre të leksikalizuara me disa të tjera: Në shqipe thuhet "dy lojtarë kombinojnë bashkë" dhe jo "koordinojnë bashkë"; thuhet "hap lojën në të majtë" dhe jo "shpërndaj lojën në të majtë"; thuhet "i ka zënë rezen" dhe jo "i ka mbuluar rezen"; thuhet "e ka vënë në vështirësi" dhe jo "e ka vendosur në vështirësi"; thuhet "italianët kanë rastin të shfrytëzojnë një mundësi" dhe jo "...kanë shansin të shfrytëzojnë..."; thuhet "rast mjaft i mirë për spanjollët" dhe jo "shans mjaft i mirë..." etj., etj...
Dhunimi i disa strukturave morfosintaksore: Në shqipe thuhet një shall - shuma shalle, jo "shalla"; thuhet tri minuta dhe jo "tre" minuta; thuhet "goli i barazimit me Zvicrën" dhe jo "goli i barazimit ndaj Zvicrës"; thuhet "gjithçka në baraspeshë të plotë" dhe jo "gjithçka në një totale baraspeshë" etj., etj...
Dhunimi i stilit gjuhësor të denjë për mediat elektronike serioze: Kemi struktura me përsëritje të kota, çka është tipike për ligjërimin bisedor, pra, për të folmen e rrugës dhe të kafeneve. Kështu, në radio apo në televizor, duhet thënë "X lojtar përparon" ose edhe "avancon", por jo "avancon përpara"; "Cilësitë që ka ..." dhe jo "Kualitetet që ka dhe posedon..."; "Dëshmon, tregon, shpreh edhe një herë tjetër" dhe jo "Rikonfirmon edhe një herë tjetër", "Nisin edhe një herë" ose "Rinisin" dhe jo "Rinisin edhe një herë", "Kthehet përsëri" dhe jo "Rikthehet përsëri"; "Gjermanët janë tërhequr" dhe jo "Gjermanët janë tërhequr prapa"; "Mundësi për turqit" dhe jo "Mundësi e mirë për turqit"; "Spanja, skuadra që qëndron më lart" qoftë edhe "Spanja, skuadra superiore" por jo "Spanja, skuadra më superiore"; "Tifozët spanjollë, më të shumtë" dhe jo ""Tifozët spanjollë, më të shumtë në numër"; "Protagonistët e Euro 2008-s" dhe jo "Protagonistët kryesorë të Euro 2008-s"; "Në pulpën e majtë" dhe jo "Në pulpën e këmbës së majtë"; "Ishte mënyra më e mirë për ta nisur ndeshjen siç duhej" dhe jo "Ishte mënyra më e mirë për ta nisur ndeshjen në mënyrën e duhur" etj., etj...
Le t'u shtojmë këtyre dhunimeve tragjikomike edhe qershizën në mes të tortës: dhunimin e logjikës së mendimit. Si mund të thuhet "Gjyqtari vazhdon lojën" në një kohë që ai nuk luan vetë, por vetëm mbikëqyr ndeshjen dhe kujdeset për mbarëvajtjen e saj? Prandaj duhej thënë: "Gjyqtari nuk e ndërpret lojën" ose "Gjyqtari e lë të vazhdojë lojën". Si mund të thuhet "Skuadra spektakolare dhe që dhurojnë show" ndërkohë që "spektakolar" do të thotë pikërisht "që dhuron show"? Ja ku të çon mushka e mosnjohjes së kënaqshme të gjuhëve të huaja! Një këshillë: kur nuk njeh gjuhë të huaja, mos u rrek të tregosh të kundërtën, përdor më mirë fjalë shqipe dhe je i nderuar, ndryshe bëhesh qesharak dhe, njëkohësisht, për mëshirë! Si mund të thuhet "Instinkt fantastik i Leman" ndërkohë që instinktet janë të lindura, kurse pritja e shkëlqyer që kreu portjeri Leman tregoi se ai kishte reflekse fantastike, por të fituara, jo të lindura! Prandaj duhej thënë "Refleks fantastik i Lemanit". Si mund të thuhet, pasi i njëjti Leman pret një top tejet të vështirë, që "Tifozët gjermanë marrin frymë lehtë"? Ata kanë marrë frymë thellë dhe janë ndier të lehtësuar, kjo është logjika e mendimit. Si mund të thuhet për një skuadër që ka epërsi të plotë mbi tjetrën "Dominim total, i ndjeshëm"? Total do të thotë "i plotë", kurse "i ndjeshëm" do të thotë i dukshëm, i rëndësishëm, por jo i plotë! Pra, kur thua "total, i plotë" ke thënë tashmë më shumë sesa thotë mbiemri "i ndjeshëm"! Ah, logjikë e shkretë, me sa respekt të kanë trajtuar zotërinjtë në fjalë!
Si përfundim, me lejen apo edhe pa lejen e tyre, po guxoj t'u jap disa këshilla: Të freskojnë njohuritë e tyre në leksikun, gramatikën dhe ligjërimet e ndryshme stilistikore të gjuhës shqipe. Të thellojnë njohuritë në ato gjuhë të huaja që i kuptojnë ose i flasin sado pak e sado keq! Të disiplinojnë vrundujt patetikë e bombastikë që, nganjëherë, të kujtojnë fjalimet e fryra të udhëheqësve, civilë apo ushtarakë, të Partisë së Punës. Të shmangin provincializmin folklorik, familjar ose fshatarak, që nxjerr krye herë pas here në gojën e tyre gjatë transmetimit (P.sh. të mos i thërrasin kurrë teleshikuesit "Miq!" se me siguri të tërë nuk i kanë të tillë", si edhe të shmangin përdorimin e pasthirrmës "Hë") . të mos sajojnë në çast metafora e mënyra të thëni të përçudnuara që tingëllojnë naive ose qesharake. Gjatë transmetimit, ta shfaqin sa më pak tifozllëkun e tyre vetjak për këtë apo atë skuadër. Të mos harrojnë se transmetojnë për teleshikues që i kanë sytë në ballë pa qenë të verbër prandaj, disa gjëra që i tregon qartë ekrani, nuk është nevoja t'u thuhen e stërthuhen (p.sh. shiu që bie dukshëm). Brenda mundësive, të dëgjojnë dhe ridëgjojnë transmetimet e Andon Mazrekut, Ismet Bellovës e Skifter Këlliçit për të përfituar nga shqipja dhe stili i tyre; do të ishte shumë mirë sikur të njëjtën gjë ta bënin edhe me transmetues të huaj të denjë për profesionin e tyre (p.sh. Sandro Çoti) dhe të mos ndikohen shumë nga transmetuesit latino-amerikanë që shpesh klithin si çunakë briskpavënë! Të ridëgjojnë rregullisht transmetimet që sapo kanë bërë vetë për të kapur gafat që mund t'u kenë shpëtuar dhe të përpiqen të mos i përsërisin ato! Vetëm kështu, më pak robër të sigurisë vetjake dhe më të hapur ndaj atyre që u japin këshilla në të mirë të profesionit që ushtrojnë, ata do të nderojnë veten dhe do të meritojnë besimin e kanalit televiziv ku punojnë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora