E marte, 19.03.2024, 04:28 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Ditë e bekuar!

E hene, 22.09.2014, 07:51 PM


Ditë e bekuar!

Nga Elvi Sidheri

Vizita e Papa Françeskut në Tiranë, megjithëse me një zgjatje prej vetëm 10 orësh e gjysëm, do të mbetet padyshim në historinë moderne shqiptare, si një moment ndryshimi radikal, i statusit dhe ndjeshmërisë ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, në Europë dhe botën e qytetëruar perëndimore.

Në fakt, nuk ka kaluar edhe aq shumë kohë qëkur ky Papë argjentinas, u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, por sidoqoftë një botë e tërë gjatë kësaj periudhe ka qenë dëshmitare e dëshirës së tij të mirë, e vullnetit të këtij njeriu për të ndryshuar dhe përmirësuar shumëçka që nuk shkon si duhet, në këtë botë të globalizuar materialiste, aq sa edhe brenda vetë kishës së madhe katolike.

Jo rastësisht, prandaj edhe dita e zgjedhjes dhe fjalimit të tij të parë përballë mijëra besimtarëve në Vatikan, ka mbetur tashmë në kujtimet më të bukura dhe të ndjera e prekëse, të njerëzimit, pas asaj fraze hyrëse tejet çarmatosëse, të njerëzishme dhe miqësore “Mirëmbrëma”!

E nëqoftëse me “Mirmbrëma” Papa Françesku iu drejtua botës pasditen e një viti e gjysëm më parë, një “Mirmëngjes” na kushtoi ai ne shqiptarëve të dielën e 21 shtatorit të vitit të 2014-ë pas kryqëzimit dhe ringjalljes së birit të perëndisë, kryqin e vuajtjeve stërmunduese të kalvarit të të cilit, edhe ky Papë, ashtu si tërë paraardhësit e tij, mban varur në qafë.

Ishte një “Mirmëngjes” kuptimplotë, më tepër se madhështor, ai që figurativisht, ardhja e këtij Pape, i solli porsi një përshëndetje hyjnore Shqipërisë, mëngjesin e fillimit të kësaj vizite papnore në Tiranë e rrethina.

Pak rëndësi kishte dita me shi, moti i vrenjtur, retë e ngrysura në qiell apo skërmitjet “potencialisht” kërcënuese që ishin bërë disa ditë që dëgjoheshin andej-këtej, lidhur me këtë vizitë të shumëpritur në atdheun tonë.

E meqënëse i mençuri dhe rrallëgabuesi popull, thotë se “Dita e mirë, dallohet qysh në mëngjes”, atëherë, të ndodhte ndryshe s’kish sesi, dhe vizita e Papa Françeskut, nisi, rrodhi e u mbyll shkëlqyeshëm, duke na lënë pas të gjithëve ne, si shqiptarë, një kujtim të jashtëzakonshëm dashurie, mirëkuptimi dhe mirësie që ky njeri i thjeshtë, ku burrë i dashur me sy të ëmbël dhe sjellje të përulur, ky Papë i popullit, ky bari i grigjës së Perëndisë, rrezatoi për të gjithë ne, me fjalët dhe gjestet e tij aq njerëzisht të hyjshme.

Ky Papë erdhi në tokën e mëmëdheut tonë të lashtë, i bindur më tepër se kurrë, se këto troje ku ne jetojmë, janë vërtetë tonat...

Ky njeri që përbën atin shpirtëror të një miliard katolikëve nëpër botë, peshkopin e qytetit të përjetshëm Romës, dhe klerikun zemërmadh e vullnetplotë, mëkëmbësin e Zotit në këtë planet të koklavitur, luftërash, masakrash e mashtrimesh vlerëpakëta, erdhi në Shqipëri, pasi siç pohoi edhe vetë botërisht, qe kujdesur që mbi historinë tonë të gjatë e të përvuajtur, të informohej thellë personalisht.

Një njeri që nuk ish tronditur gjer në palcë vetëm nga persekutimet shtazërore ndaj të cilave përgjatë 45 vjetëve u nënshtruan pjestarët e klerit jo vetëm katolik në vendin tonë, por edhe mbi historinë e këtij populli, në tërë gjithësinë e saj të lashtë...

Për këtë arsye, jo më kot gjatë fjalimit të tij, gjysëm meshë e gjysëm bashkëbisedim vëllazëror, me mijëra të pranishmit e mbledhur qysh me natë në sheshin Nënë Tereza, Papa Françesku përmendi me rradhë themelet e historisë dhe nderit tonë kombëtar.

Që domethënë: “Nënë Terezën, Shqiponjën e flamurit dhe Ilirinë!”

E kur unë si shqiptar, dëgjoj Papën që flet me pasion dhe dashamirësi, para bashkëatdhetarëve të mi, në mes të kryeqytetit të atdheut tim, ndërsa tërë mediat dhe vëmendja botërore janë përqëndruar pikërisht tek këto fjalë që dalin nga goja e këtij personaliteti madhor, që të thotë hapur se Nënë Tereza ka qenë shqiptare, se Shqiponja, simboli që qëndron në flamurin tonë kombëtar, duhet të na ngrejë lart ashtu siç bëri me popullin e Izraelit në kohërat biblike, e që ne jemi pasardhësit e ilirëve, të cilët Shën Pali pat vizituar 2 mijë vjet më parë, teksa përhapte fjalët e Perëndisë anembanë, atëherë vetëm i lumtur mund të ndihem.

Ashtu siç çdo shqiptar i vërtetë besoj!

Është e tepërt të kujtoj këtu, se gjumi ynë i zakonshëm mbi dafinat e vetëbërjes së qejfit kombëtar, është përherë kurthi ku si popull biem me këmbët tona.

Kjo ndërkohë që Nënë Terezën, Shqiponjën e flamurit, vetë Gjergj Kastriotin që na e dha këtë emblemë dhe krenarinë e trashëgimisë së veprës e luftës së tij përbashkuese prej pesë shekujsh, si asgjë e ngjashme për ne si popull...por edhe lashtësinë tonë, njëlloj si origjinën ilire, ngahera na e kanë kundërshtuar e mohuar me çdo mjet, fqinjë xhelozë, shqipfolës gjakshpëlarë dhe shumëkush ndër paragjykuesit antishqiptarë, në lindje ose perëndim të Europës, apo tjetërkund në këtë botë ku ata ndodhen.

Fjalët e Papës kështu, janë edhe një vulë më tepër, që konfirmon dhe i bën të ditur botës, sidomos asaj perëndimore të qytetëruar, se ne si popull, jemi pjesë e këtij qytetërimi, kemi dhënë kontributin tonë të spikatur për të dhe jemi të lashtë në këto troje, si pakkush tjetër.

E pra miq, lexues të dashur, do pranuar se ne si shqiptarë, jetojmë në një ambient ku gjithçka e jona si popull, shihet vazhdimisht me lupën më zmadhuese të mundshme (të gabimeve, ceneve dhe anëve të këqija), ku e kaluara jonë si popull dhe trashëgimi historike, vijon të keqinterpretohet sipas orekseve të atyre që do të dëshironin akoma që të na paraqisnin si të pajisur me bisht, siç mëtohej dikur t’i mbushej mendja Europës këtu e njëqind vjet më parë, që për shkak të “egërsisë” sonë fisnore të pagdhendur e të pashërueshme, të na shfarosnin shqiptarë-mohuesit, njëherë e mirë nga faqja e dheut.

Ndërkohë që nga ana tjetër, fjalët e Papa Françeskut para gjithë audiencës tërëplanetare, nuk janë gjë tjetër, përveçse ar i kulluar i qëndisur me ëndje dhe sinqeritet të çiltër mirëdashës kundrejt nesh, në xhubletën e lashtë që e vesh hijshëm trupin e shqiptarësisë së pavdekshme.

Ky Papë pra, na ka nderuar!

Ky Papë, bëri për ne, shumë më tepër se tjetërkush para tij, dhe pas tij dyshoj fort, gjatë orëve të shkurtra të asaj vizite, e cila qysh tani po duket e paharrueshme, si një ëndërr e bukur, që për fat, por edhe për habi, kësaj rradhe u bë realitet.

Një realitet tepër i bukur ky, për të qenë i vërtetë, nga i cili njeriu ka edhe frikë që të zgjohet, duke druajtur se mos ky mirazh i paqtë do të zhduket sërish në çast, ashtu si edhe papritmas erdhi e u formësua, duke na ridhënë shpresë tek e sotmja, tek bota, tek e ardhmja, tek Zoti, tek hiri i Perëndisë dhe tek vetvetja!

Por të nesërmen u zgjuam dhe vërejtëm se kjo s’pati qenë aspak një mirazh, por një e vërtetë edhe më e bukur dhe e prekshme, sesa ç’mund të kishim përfytyruar edhe në ëndrrat tona më të guximshme.

“Dio vede e provede” thonë italianët, që në shqip do të ishte si për shembull “Zoti shikon dhe ndihmon”, e neve Perëndia, sërish po na gjendet në krah ndoshta edhe kësaj rradhe.

Nëse një përkujdesje e tillë për këtë popull “Heronjsh për atdhe dhe martirësh për fe”, siç pak a shumë, vetë Papa Françesku na përkufizoi ne shqiptarëve në fjalën e tij pranë presidentit tonë të republikës, z.Nishani, Zoti e ka gjetur të udhës që të na e ofrojë, mënjanë udhëve të tij të panjohura dhe të pafundta, edhe nëpërmjet veprës, mirësisë dhe fjalëve të këtij Pape të popullit, më tepër sesa thjesht të dogmës, atëherë padyshim që jemi një popull fatlum!

Qysh në këtë moment, si shumë të tjerë, edhe unë mendoj se ky Papë, ka nisur tashmë që t’i hedhi hapat që do t’ia dorëzojnë emrin e tij historisë më të ndritur të njerëzimit dhe katolicizmit në përgjithësi.

Ashtu si edhe me paraardhësin e tij më të afërt e të ndritur fundja, Papa Gjon Palin e dytë, polakun zemërbutë e mirëbërës, tanimë edhe shenjt të mirëfilltë, që shoqëruar me shqiptaren e madhe Nënë Terezën, 21 vjet më parë, pati qenë i fundit Papë që kish shkelur (e puthur përunjësisht) dhe bekuar tokën e fisme shqiptare.

Mikpritja jonë e shquar shqiptare, bashkëjetesa dhe respekti ynë i ndërsjelltë për fenë dhe besimin në Zot të njëri-tjetrit, ashtu si edhe kujdesi për mikun që vjen të na vizitojë dhe të na kumtojë fjalën e Perëndisë, ishin të tëra tipare tonat të rralla, unike më tepër se thjesht të mrekullueshme, që bënë xhiron e tërë televizoneve të botës, gjatë orëve të pranisë së Papa Françeskut në Tiranë.

Kryeqyteti ynë, ofroi për sytë kureshtarë, mosnjohës, indiferentë apo pse jo, edhe paragjykues e përçmues të Europës dhe me gjerë, një pamje të denjë, të qytetëruar dhe pikërisht...”europiane”!

E merita nuk ish vetëm e sheshit “Nënë Tereza”, e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe gjithë atij ansambli arkitektonik të punuar me aq shije të hollë dhe fisnike, nga mjeshtrat italianë 80 e ca vite të shkuara...

Qenë njerëzit, shqiptarët, ata që i dhanë jetë dhe e lartësuan këtë pritje madhështore, që e fisnikëruan dhe qytetëruan përpara qindra kamerave të huaja, imazhin e lëkundur të Shqipërisë dhe banorëve të saj, në sytë e botës.

Papa na tha neve, se Zoti na do ashtu dhe jo më pak sesa gjithë të tjerët, ai na i shenjtëroi me mallëngjimin e vet, martirët tanë të fesë, të rënë nën goditjet e çmendurisë shtazarake moniste, si dhe i tregoi Europës se vlerat tona unike shumëfetare, janë një përparësi, e jo arsye për të na margjinalizuar në cepat e errët të pjesës së padëshiruar të kontinentit tonë sa të vjetër, aq edhe të përbashkët.

Ky Papë kuptoi në fund të fundit, dhe këtë mesazh deshi që nga qendra e Tiranës, nga sheshi që i përkushtohet figurës dhe veprës së përvuajtur të Nënë Terezës, t’ia përçonte njerëzimit, se shqiptarët Zotin e quajnë me emra të ndryshëm, por “shqiptaria”, i bën që njëri-tjetrin t’a duan njëlloj pavarësisht këtij fakti dhe Perëndisë t’i luten gjithësesi, pa u ndalur në vogëlsirat përçarëse, të ndasive fetare.

Kjo bota e ashtëquajtur moderne e ditëve tona, në “pikën e ujit” shëmbëlltyrë dhe metaforë të këtyre ndasive, dhe pamundësisë për t’i tejkaluar ato njerëzisht, me mirëkuptim e tolerancë, është duke u mbytur në fakt!

Sepse siç ka pas thënë një katolik dhe erudit i madh shqiptar, Gjergj Fishta: “Kemi Bajram, kemi edhe Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”!



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora