Mendime
Vangjush Saro: Precedenti i gradës zero...
E marte, 05.08.2014, 07:59 PM
Precedenti i gradës zero...
Përndryshe: Marrëzia e mohimit total
Nga Vangjush Saro
Vjedhja monstruoze në Bankën e Shtetit, për çka po flitet e do të flitet gjatë, në një vështrim, ishte një përpjekje e dëshpëruar për ta trazuar vendin dhe për ta kthyer atë në nivelin zero; jo thjesht nga pikëpamja e sigurisë financiare, por edhe në kontekstin e mungesës së shtetit. Te ne, janë të shumta dhe të herëpashershme episodet që duket se shpien në këtë stad rrënimi. Një shumicë shqiptarësh, më së pari ata që janë në majë të politikës, të krimit, të përfshirë në klane, nuk ndalen përpara asgjëje, mjaft të majmen vetë dhe të kryejnë "detyrat" për llogari të lobeve që qëndrojnë prapa tyre. Ditë më parë, në Kuvendin e Shqipërisë, disa ligje të rëndësishme kanë kaluar me kartonat e shumicës së majtë, duke na kujtuar kështu se për çështje themelore, edhe më tej, politika dhe shoqëria shqiptare do të vazhdojnë të ndjekin modele të vjetra, një prej të cilëve është prapë ai i precedentit të nivelit zero. Me fjalë të tjera, edhe në këtë episod, kemi një marrje e rimarrje të praktikave të mohimit total e të vënies së gjithçkaje në dyshim; kjo etje për rrënim, shpjegon edhe mungesën e tolerancës dhe të bashkëpunimit.
Le ta "përkthejmë" edhe njëherë, thjesht e sipas këtij "kodi", shfaqjen më të fundit të dukurisë, atë të miratimit të njëanshëm të ligjeve e të Reformës Vendore. Thelbi do të ishte: Nuk ka asgjë, asgjë, asnjë arritje; ka vetëm gënjeshtra. Kjo ishte edhe flluska e sapunit e deklarimeve të opozitës së djeshme, që sakaq u përvetësua dhe po "fryhet" edhe nga opozita aktuale. Në një kuptim më të gjerë, paqendrueshmëria, frymëzimi për t'u kthyer në kuotën zero, mohimi total dhe përbaltja kanë pushtuar një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare. Në të gjitha temat e mundshme, në vlerat shoqërore, në histori, në kulturë e art, në mendim e në ndërtim, aplikimi i precedentit të gradës zero, mbetet një shenjë e qartë e ridukjes së hijeve të së shkuarës, kur kishte vetëm... arritje socialiste dhe kurrgjë tjetër. Ka njerëz që mund të pyesin se ç'lidhje kanë këto kohë e këto rende me njëri-tjetrin (!) Është fjala - në një sens artistik - që shumë syresh kanë dëshirën për të shijuar në vetmi fitoret e dyshimta, vdekjen e nesërme.
Jam shprehur edhe më parë, nuk mund të ecet edhe më tej me qëndrime esktremiste, tipike shqiptare, kur qoftë për një gjë madhore a qoftë për një detaj, pozicionet e palëve, të klaneve, pse jo edhe të individëve, janë diametralisht të kundërta dhe të papajtueshme. Është e qartë që shumë terma e shumë tema të së shkuarës së afërt (mbase edhe më shumë se aq) duhen parë dhe rishqyrtuar në një dritë tjetër. Por në këto e sipër, ne s'mund t'iu vëmë shkelmin të gjitha prurjeve e dukurive të atyre dekadave, duke thirrur në ndihmë metodat maoceduniste, që pastaj të gjykojmë e të dënojmë sipas praktikave staliniste e enveriste dhe kështu, ç'mbetet? T'ia fillojmë sërish nga e para, nga zero. Këtu, në kuton zero, ka shumë njerëz që kanë zënë radhën për të përfituar ndonjë kockë, pasi të jetë bërë e mundur, sipas tyre, rrënimi i gjithçkaje: këta janë politikanë, që pasi i thithën të gjitha llojet e gjireve, duhet të mbijetojnë duke coptuar edhe këtë gji të fundit; janë gjysmëintelektualë e gjysmëletrarë të dështuar a të vonuar (në mos të parealizuar), që mëtojnë të rrëzojnë lisa e, duke qenë shkurre, të zënë vendin e tyre, në një pamje me përmasa dhe kolor grotesk.
Është
bërë e turpshme tashmë, që herë pas here, me dhe pa shkak, të nisen fushata
turpërimi kundër njeriut më të njohur të letrave shqipe, I. Kadaresë. Mirë se
një pjesë e krijimtarisë dhe jetës së tij mund të ketë edhe "hije";
por po kujtoj një emër tjetër të njohur të kulturës shqiptare, P. Markon. Duke
u përpjekur të kuptojmë vuajtjen e shtrirë në kohë dhe jetën plot peripeci e
ndalesa të tij dhe nëse nuk do të vlerësonim ndërkaq veprat e tij më të arrira
("Qyteti i fundit", "Nata e Ustikës", etj.,) do ta
shumëfishonim absurdin që shoqëron jetën dhe veprën e personalitetit dhe emrit
të nderuar. Ç'është e vërteta, nuk se shohim ndonjë dashamirësi të madhe edhe
ndaj tij.
Ka edhe
forma të tjera të shfaqjes së dukurisë e precedentit të nivelit zero. Riciklimi
i politikanit S. Berisha, nënkupton pak a shumë një rikthim atje tek ishim, një
gradë zero për t'i marrë dorën vend e pa vend dikujt që pothuaj e ka mbyllur
karrierën me shumë probleme.
Askush nuk mund të marrë përsipër të na drejtojë në precedentin e gradës zero, të vjedhë apo të lejojë vjedhjen dhe pastaj të fshihet apo të mbrohet nga politika. Askush nuk mund të na ofrojë (në kulturë, gazetari a gjetkë) përgjithësime vetiake e që bien erë, ngase ai për vete është një i harruar apo aq e ka fushën e njohjes e të tjera këso, tema të cekura mbase edhe më parë. Ky vend nuk ka nevojë të kthehet sërish dhe herë pas here në gradën zero; e ka bërë këtë disa herë. Ia kanë bërë. Ia kanë bërë ata që kanë qenë protagonistë në këto episode të ulëta, të përsëritura, por që falë lidhjeve të cilat shumica e shqiptarëve nuk i dinë, ende mbijetojnë. (Si simbol i gradës zero, i vetmi rast kur e vlen termi.) Mbase do hapur krahu për më shumë pjesëmarrje të partnerëve në këtë tranzicion grotesk. Duhet ende shumë kohë që të kemi dhe të besojmë institucionet tona, për të mos u sjellë si vandalë me pasurinë, kulturën dhe emrin e këtij vendi.