Mendime
Skënder Buçpapaj: Kosova post-traumë
E hene, 04.08.2014, 06:32 PM
KOSOVA POST-TRAUMË
NGA SKËNDER BUÇPAPAJ
Dua të përmend kryehere se nuk bëj pjesë në racën e atyre opinionbërësve që mëtojnë t'i kenë vënë pikat mbi i në shkrimet e tyre apo të atyre që mëtojnë të japin direktiva me këto shkrime politikës, diplomacisë, shoqërisë ose tjetërkujt.
E bëj këtë para se të nënvizoj që temën e post-traumës e kam trajtuar pareshtur (sistematikisht) në shkrimet e mia të dikurshme. Kam theksuar atëherë dhe e përsëris sot e në vazhdimësi dhe pafundësi se trauma që pësoi populli i Kosovës në vitet e luftës ishte nga më të pashembulltat në historinë e njerëzimit, e quajtur me të drejtë nga mediat botërore si traum biblike, pra e krahasueshme me tragjeditë më të rënda të njerëzimit ndër mijëvjeçarë.
Kështu kam ngulmuar se trauma do vetëtrajtuar nga populli i Kosovës, por, në radhë të parë, do trajtuar nga faktorët miq e aleatë dhe nga faktorët e saj që e udhëhoqën vendin dhe popullin në proceset e kohës. Në aspektin e trajtimit i kam mëshuar rëndësisë së veçantë të aftësisë integruese, pra përfshirëse dhe jopërjashtuese që ngërthen gjithmonë në vetvete populli i Kosovës dhe shoqëria e Kosovës.
Rastet e tilla, si individuale ashtu dhe kolektive i nënshtrohen një terapie shpirtërore tejet të vëmendshme dhe tejet të kujdesshme nga faktorët përkatës ndërkombëtarë dhe vendës. Përvojat shekullore, deri tek më të vonat, kanë treguar dhe kanë dëshmuar se traumat nuk shërohen me trauma ashtu si mund të shërohet zjarri me zjarr, të ftohtët me të ftohtë e tjerë. Pra, nënkuptohej që popullit të Kosovës t'i kurseheshin sa më shumë përballjet e reja të rënda në periudhën e tranzicionit drejt shtetit të saj të pavarur dhe sovran, drejt ndërtimit të institucioneve të demokracisë së saj perëndimore.
Kjo jo për gjë tjetër, fundja, përveçse për të shmangur mundësisht pasojat me dëme vështirë të ndreqshme, natyrisht edhe ato me rëndësi për imazhin e vendit. Kjo nuk mund të arrihej, natyrisht, duke i fshehur plagët, duke mos i prekur plagët dhe duke mos i prekur plagët, pra, në fund të mbramë, duke mos i trajtuar plagët. Lënia e tyre të mahisen, dihet, bën që ato të shpërthejnë diku e dikur në forma të vrazhda e të rënda, të pahijshme, deir edhe shëmtuese e tronditëse.
Ata që më së paku kanë pasur lidhje me sakrificat e popullit të Kosovës në vitet e konfliktit 1998-1999, në krye të një shekulli pushtimi nga më të egrit, i harruan këto sakrifica dhe mbi to vunë heroizmat e tyre individuale, në të vërtetë të paqena.
Me veprimet e mosveprimet e tyre, ata ia ngushtuan ose ia mbyllën perspektivën popullit nga vijnë. Përvojat kanë treguar, në mënyrë të pagabueshme, se, sa më të gjera e sa më të mëdha të jenë perspektivat, aq më shumë një popull, një vend, një shoqëri integrohet në të ardhmen, progresin, përparimin. Të njëjtat përvoja kanë treguar se ngushtimi i perspektivave, mbyllja e perspektivave vetëm sa e tundon një popull, një vend, një shoqëri drejt pashpresave, drejt regresit.
Vonesat e gjata drejt zyrtarizimit të pavarësisë, vazhdimi i tyre në rrugën e faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës, natyrisht, nuk i shërbejnë aspak qartësimit të perspektivës. Kosova, absolutisht pa e merituar, mbetet i vetmi vend në Ballkan pa liberalizim të vizave, mbetet i vetmi vend në Ballkan pa afate të integrimit të saj në BE dhe në hapësirën veriatlantike, mbetet vend pa shtet funksional, pa institucione të plota të sigurisë, mbetet vend ku investuesi kryesor, ndonjëherë i vetëm, mbetet emigracioni saj.
Në këtë kontekst, është shumë i kuptueshëm alarmi i këtyre kohëve, sidomos i këtyre ditëve, për lajmet e fundit nga Siria, ku një shqiptar, kryen një akt makabër e publik, absolutisht të dënueshëm, absolutisht të papranueshëm, madje "në emër të Zotit". Çdonjëri nga ne, si pjesëtar i kësaj shoqërie dhe këtij kombi, njeri i mediave apo jo, nuk do të kishte dashur kurrë që të vinte një ditë kur do të ndeshej me një rast të tillë. Ky është një deformim të cilin nuk do ta kishim dashur kurrë në qenien tonë. Ne tashmë po ndeshemi me të dhe na takon ta shikojmë e trajtojmë realisht, pa tabu dhe pa komplekse. Por, natyrisht, barrën më të madhe dhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë duhet ta marrin institucionet drejtuese të vendit, sidomos ato të sigurisë. Dhe Kosovës, popullit dhe shoqërisë, të mos i krijohen mbipesha të tepërta psikologjike.
Të mërkurën, në Prishtinë, komandanti i lartë i NATO-s, Philip Breedlove tha se radikalizmi është shqetësim për të gjitha vendet e NATO-s të cilat po punojnë së bashku për t’u përballur me këtë dukuri. Breedlove tha se përfshirja e qytetarëve të Kosovës në lëvizjet radikale në Siri dhe vende të tjera është shqetësuese dhe se ky është një shqetësim jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjitha vendet e NATO-s, që radikalët që dalin nga zonat e konfliktit, radikalët që vijnë nga të gjitha vendet e NATO-s, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, të cilët stërviten dhe kthehen në vendet e tyre, janë problem për të gjithë. Ai tha se vendet e NATO-s po bashkëpunojnë në shumë fusha për të luftuar këtë çështje.
Deklaratën e Breedlove e solla edhe për të thënë se përgjithësimi i faktit, zgjerimi i fajit apo autorësisë, çorientimi dhe hutimi i opinionit, krijimi i dyshimeve e mosbesimeve ndaj aftësive imune të Kosovës, popullit dhe shoqërisë së saj kundër çdo negativiteti në trupin e tyre vetëm sa e gërricin plagën përkatëse, e cila luftohet vetëm duke u atrofizuar, frenuar dhe çrrënjosur dukurinë nga ka lindur. Përvoja e vendeve të tjera në këtë drejtim rritja e kapaciteteve të sigurisë kombëtare, funksionalizimi dhe fuqizimi i plotë i shtetit janë ndihmë e drejtpërdrejtë për Kosovën.
Pra, pa rënë në alarmizëm çmobilizues dhe fatalist, pa rënë në inflacion propagandistik, kërkohet nga ne përballja reale me problemin, duke ua bërë absolutisht të pamundur çdo veprimtari radikalëve që kthehen nga zonat e konfliktit, si dhe duke ua bërë absolutisht të pamundur çdo rekrutim të mëtejshëm. Për këtë kërkohet bashkëpunim i ngushtë i pareshtur e i shumëfishtë me të gjitha vendet e NATO-s. Në këtë mënyrë, jam absolutisht i sigurt se Kosova do ta përballojë me sukses të plotë edhe këtë sfidë, sikurse të gjitha sfidat e tjera, sado të rënda që kanë qenë.