Mendime
Dush Gashi: Gaza, një shkas cinik
E diele, 03.08.2014, 12:04 PM
Gaza
Nga Dush Gashi
Kur dukej se ithtarët e islamit politik në Kosovë do të tërhiqen pak, pas një vrasjeje të llahtarshme sadiste para kamerave të një bashkideologu të tyre në Siri, akt nga i cili edhe shumë personalitete kontroverse publike fetare a politike-fetare u detyruan të distancohen, ata tashmë kanë gjetur një shkas tjetër për të shfaqur angazhimin e tyre: konfliktin izraelito-palestinez dhe sulmet e tanishme të ushtrisë së Izraelit kundër Hamasit, lëvizjes militante islamike e cila e kontrollon brezin e Gazës.
Një shkas i paqenë, natyrisht.
Kosovarët, të cilët ende i kanë në kujtesë tmerret e luftës së pabarabartë me Serbinë dhe i vuajnë pasojat e saj, pothuajse e kanë të natyrshme të identifikohen me palestinezët, ndonëse viktima, sigurisht në përpjesëtime shumë më të vogla, ka edhe nga pala tjetër.
Madje, kosovarët, nga përvoja e tyre e hidhur, sikur kanë të drejtë të rezonojnë edhe kështu: mirë, Hamasi nuk është në rregull, por krejt në rregull - së paku sa u përket strukturave udhëheqëse - nuk ka qenë as UÇK-ja jonë, por do të ishte e pafalshme që shkaku i kësaj një popull i tërë të viktimizohet.
Fundja, kosovarët e rëndomtë s'dallojnë shumë nga qytetarët e tjerë të botës, të cilët tashmë kanë filluar të shfaqin haptas mospajtimin se Izraeli, të drejtën e tij për vetëmbrojtje, po e realizon duke mos i respektuar rregullat mbi luftën.
Kosovarët ndjejnë dhimbje për viktimat civile në mesin e palestinezëve, ndonëse e dinë se përfaqësuesit e tyre politikë nuk e mbështesin shtetin e Kosovës, por janë në anën e Beogradit.
Por, është cinike që për palestinezët të ndjejnë më shumë dhembshuri besimtarët islamë. Konflikti izraelito-palestinez, apo madje edhe arabo-palestinez, ndonëse të dyja palët kanë qëlluar të të dy besimeve, islamit e judaizmit, megjithatë nuk është konflikt fetar.
Përkundrazi, Izraeli është i vetmi shtet demokratik në regjion në Lindje te Afërt dhe palestinezët që jetojnë brenda vetë Izraelit, askush nuk i ndjek për shkak të besimit të tyre.
Edhe më të pasinqertë këtë mbështetje, të cilën besimtarët islamë apo ithtarët kosovarë të islamit politik kinse ndjehen më përgjegjës t'ua japin palestinezëve e shfaq fakti se, në të vërtetë, është mu heshtja arabe ajo e cila ia ka mundësuar Izraelit që këtë herë, siç po duket, t'i lajë krejtësisht hesapet me Hamasin.
Mediet e jashtme bëjnë të ditur se Egjipti, ushtria e të cilit një vit më parë e ka shtypur strukturën udhëheqëse të Vëllazërisë myslimane (organizatën simotër të Hamasit), ka filluar të udhëheqë një koalicion të ri të shteteve arabe (Jordania, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe), i cili në konfliktin ndërmjet Izraelit e Hamasit, është rreshtuar në anën e Izraelit.
“Urrejtja dhe frika të cilën shtetet arabe e ndjejnë ndaj islamit politik madje është më e fortë edhe se alergjia e tyre ndaj premierit izraelit Benjami Natanjahu” - citon gazeta kroate “Jutarnji list” të ketë thënë Aaron David Miller, ish-negociator për Lindjen e Afërt.
Madje, ky koalicion fajin për viktimat e pafajshme palestineze në Gazë ia hedh Hamasit, pasi që Izraeli është kthyer në aleat të tyre kundër islamit politik.
Sidoqoftë, qytetarët e Kosovës, të të gjitha përkatësive etnike e fetare, të cilët ia duan të mirën këtij vendi, do të duhej të kenë shumë kujdes për implikimet që mund të kenë veprimet e tyre në pozicionin ndërkombëtar edhe ashtu të pavolitshëm të vendit të tyre.
Përfaqësuesit e besimit islam, ndërkaq, do të duhej të kenë kujdes që, edhe në rast se nuk pajtohen me politikën e shtetit izraelit, nuk do të duhej të katandisen aq keq sa të krijojnë ndjenja antisemitizmi ndër popullatën e Kosovës. Pos islamikëve politikë, natyrisht, të cilët sigurisht se këto gjërash nuk kanë në agjendë.