E enjte, 01.05.2025, 03:26 AM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Diplomatë dhe analfabetë funksionalë

E hene, 04.08.2014, 06:54 PM


Diplomatë dhe analfabetë të tjerë funksionalë

Nga Arbana Xharra

Analfabetë funksionalë. Kështu, me këto fjalë, përkufizohen ata persona që vetëm mund të shkruajnë dhe të lexojnë fjali të thjeshta, por janë të paaftë të kuptojnë tekste të ndërlikuara, pra njerëz që kanë vështirësi të mëdha të të kuptuarit logjik. UNESCO-ja e ka definuar analfabetin funksional në vitin e largët, më 1978, atëherë kur shqiptarët shënonin 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe kur arsimimit të brezave të rinj u kushtohej shumë më tepër rëndësi.

Sot, nën regjimin e Partisë Demokratike të Kosovës, analfabetët funksionalë e kanë gjetur strehën: po punësohen njëri pas tjetrit në diplomacinë kosovare. Në rrethana normale, të punosh si diplomat domethënë të kesh kaluar dhjetëra pjekurie dhe të jesh i arsimuar, jo vetëm formalisht.

Natyrisht që Kosova ka diplomatë të mirë, ambasadorët në Budapest, në Zagreb, në Suedi e në ndonjë metropol tjetër e përfaqësojnë Republikën tonë në mënyrë shumë të denjë. Por, këto janë përjashtime. Rregulli që ka vendosur ministri, Enver Hoxhaj, është rregull i degradimit absolut të zyrtarit diplomatik. Në fakt, Hoxhaj po hyn në histori si shkatërruesi më i madh i diplomacisë kosovare, si person që pa asnjë skrupull punëson e avancon në funksione diplomatike militantë të partisë së tij, të PDK-së.

Rasti i fundit, i njollosjes së diplomacisë kosovare, është emërimi i Ramiz Lladrovcit, ish-deputet i PDK-së dhe politikan me imazhin e cubit, në postin e ambasadorit të Kosovës në Tiranë. Fyerje më të rëndë për shtetin shqiptar se ky emërim zor se mund të ketë. Por, meqë “jemi një” e “jemi vëllezër” Tirana do të heshtë dhe do ta pranojë Ramiz Lladrovcin si përfaqësues të interesave të Kosovës në Shqipëri.

Mbetet vetëm të sigurohet një përkthyes për Lladrovcin, duke pasur parasysh se njohuritë dhe të shprehurit e gjuhës shqipe nga ana e tij janë tejet të kufizuara, për të mos thënë qesharake, nëse i kemi parasysh paraqitjet e tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Një shtet funksional, nuk do ta avanconte Lladrovcin, por do të angazhonte prokuror që do të hetonte pasurimin marramendës dhe të dyshimtë të “komandat Lladrovcit”.

Mjafton t’i hedhësh një sy formularëve të deklarimit të pasurisë së tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit për të parë pronat që ka deklaruar, ndonëse pa ua përcaktuar ndonjë vlerë, bashkangjitur edhe orën “Rolex”. Por ja që Ramiz Lladrovci së shpejti bëhet “homolog” me Ilir Dugollin dhe Sami Ukellin.

Ai  pret të dekretohet ambasador nga ana e presidentes, Atifete Jahjaga, e cila gjithnjë e më shumë po luan rolin e kukullës së dirigjuar nga PDK-ja, duke e fëlliqur edhe postin e presidentes, e cila së paku formalisht do të duhej të ishte e pavarur dhe të qëndronte mbi partitë politike, fundja pa votat e partive të tjera, krahas PDK-së, Jahjaga ende do të bartte uniformen e polices.

Me gjasë Lladrovci do t’ia zë vendin Sylejman Selimit, njëri nga shumë komandantët e UÇK-së, i cili po gjykohet si i dyshuar për vepra aq fisnike siç janë: torturimi, dhunimi e keqtrajtimi i popullatës civile gjatë kohës së luftës.

Është momenti i fundit që shumica parlamentare, që përfaqësohet nga Blloku: LDK, AAK, Nisma, dhe LVV-ja të protestojnë dhe të ndërmarrin hapa urgjente kundër degradimit të diplomacisë kosovare, e cila është shndërruar në bahçe për mbjellje militantësh, të cilët marrin rroga të majme nga buxheti i varfër i Kosovës.

Tani jo vetëm që do të duhej të kërkohej dorëheqja urgjente e Hoxhajt, por është e domosdoshme që ai të japë përgjegjësi për të gjitha emërimet skandaloze. Duke e ditur se në qeverinë e ardhshme nuk do të jetë më ministër i Jashtëm, Hoxhaj po kujdeset që militantët partiakë, kryesisht analfabetë funksionalë, t’i rehatojë në poste diplomatike. Kriter i vetëm është devotshmëria poshtëruese e analfabetëve ndaj PDK-së. Kjo është diplomaci jaranësh dhe jaraneshash dhe është kundër interesave të Kosovës.

Andaj, Hoxhaj nënshkruan dhe përgatit emërime skandaloze, siç është, ta zëmë, dërgimi i një futbollisti të dobët në Ambasadën e Kosovës në Zagreb. Uliks Emra nuk do të merret me sport në këtë përfaqësi diplomatike, por thuhet se do të jetë zyrtari i dytë. Po në këtë ambasadë është dërguar si konsull një shërbëtor i PDK-së nga Dragashi. Më parë i njëjti ka punuar në Romë. Shumica e të emëruarve nga ana e Hoxhajt nuk flasin, as nuk shkruajnë asnjë gjuhë të huaj. Këto ditë u shkarkua i ngarkuari me punë i Kosovës në Podgoricë për shkak të një shënimi skandaloz në “Facebook” kundër Sali Berishës.

Por, skandali i vërtetë është që Hoxhaj dhe urdhërdhënësit e tij nga PDK-ja dërgojnë persona të tillë për të përfaqësuar Kosovën. Një rast tjetër qesharak, absurd, fyes ndaj këtij vendi është sjellja e të ashtuquajturës diplomate, Zana Zeqiri-Rudi, e cila e përfaqëson Kosovën në Panama. Po e shikuat profilin e saj në “Facebook” ju do të shihni se ajo duket se nuk ka punë tjetër përveç se të postojë fotografi të bebes së saj, që e ka lindur në Panama. Vajza e saj, me emrin Liza, nuk ka faj që e ëma diplomate pothuajse çdo ditë poston foto: Liza duke u larë në vaskë, Liza “po i terë thonjtë”, Liza e veshur me fustan të bardhë, Liza treditëshe...

Dhe të gjitha këto fotografi i pëlqejnë këshilltarët e Enver Hoxhajt, sepse në diplomacinë tonë nuk ka më kufi mes privatësisë dhe publikes. Cila do të jetë fotografia e radhës? Enver Hoxhaj duke hequr pampersë të bebeve të amvisave, që e quajnë veten diplomate dhe marrin rroga 2000, 3000, 4000 euro. Është momenti i fundit t’i thuhet stop këtij joprofesionalizmi të skajshëm.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx