Antiamerikanizmi është tradhti
kombëtare
Nga Lis Bukuroca
Politika
shtetërore palestineze nëpërmjet ambasadorit në Beograd u proklamua si politikë
pro-serbe. Ai tha shkurt e qartë se Kosova nuk kan qenë kurrë e pushtuar nga Serbia dhe se Kosova është një krijesë e
Perëndimit. Parimisht mund të kuptohet kjo deklaratë, sepse ai flet për
interesa nacionale palestineze, e jo për interesa fetare. Shtetet nuk kanë në
mes vete lidhje emocionale miqësore, por kanë vetëm interes, dobi nacionale.
Asnjë njeri me dy palë mend të shëndosha në kokë, nuk mund të përkrahë luftën.
Çdo vrasje është traumatizim i një familje. Çdo vrasje e njeriut është një
tragjedi në vete dhe përfundimi i një bote. Lufta është fundi i racionalitetit
njerzor.
Të gjithë
popujt e Ballkanit para interesave karrieriste individuale, vendosin interesat
nacionale dhe arrijnë të na diskriminojnë dhe dominojnë në Serbi, në Mal të Zi,
në Maqedoni, në Greqi e Turqi. Nuk kemi dëgjuar kurrë një politikan serb,
malazez, maqedonas të shpallë Vladimir Putinin vëlla, edhe pse kanë lidhje
gjaku, gjuhësore dhe fetare. Politikanët tanë kur janë në pyetje ngritjet e
tyre, i imponojnë popullit vëllazëri. Perëndimi ka dhe do të ketë një problem
me Erdoganin dhe me ata ministra turq, që përpiqen të ndalojnë të qeshurit e
grave, por jo qarjen e tyre. Perëndimi nuk e sheh me sy të mirë nënshtrimin e
Kosovës ndaj Turqisë.
Të
shkruhet me emocione për palestinezët, është e lehtë. Kanë shkruar edhe në
kohën e Titos, sepse ishte politikë jugosllave. Më kujtohen akoma Sabra dhe
Shatila. Kështu edhe për Sajgonin, Vietnam. Shkrimi jonë mirëpo nuk do të
ketë ndikim askund në botë. Arab janë diku 200 milion dhe kanë shumë më shumë
fuqi se sa ne për ta ndryshuar gjendjen atje. Në Arabi Saudite protestat
pro-palestineze shpallen në kundërshtim me Kuranin... Kosova ka diku 1.3 milion
banorë brenda dhe pesha e saj në politikën globale është aq e madhe, sa e
Gjylekarës (katund i Gjilanit) për Ballkanin.
Po nëse shkruajmë, atëherë shkruajmë
kundër shtetit të hebrenjve, edhe nëse arsyetohemi se nuk jemi kundër popullit
hebre, kjo nuk do të na ndihmonte shumë. Me atë shkrim ne do t' i dërgonim
mesazhe radikalëve se ne kemi ideale të njëjta. Ata mund të krenohen me
ndikimin e tyre. Nëse e bëjmë këtë kundër hebrenjve, atëherë përkrahim idenë e
palestinezëve se Kosova është tokë serbe e pushtuar nga Perëndimi. Nëse
luftojmë shtetin e Izraelit, atëherë luftojmë hebrenjt që luftuan në ndërtimin
e shtetit të Kosovës. Këtu injorojmë interesat nacionale dhe përplasim ide
naive, me besim naiv për drejtësi universale, çfarë nuk ekziston, por duke
shpërfillur dhe harruar se para interesit nacional, nuk kanë vlerë bindjet e
mia private. Sikur të ekzistonte drejtësia universale, atëherë palestinezët do
kishin shtetin, kurdët, baskët e shumë popuj tjerë...Nëse jemi aq emaptik për
shkak të lidhjes fetare, atëherë urdhëresë është të heshtet se janë në pyetje
ineteresat nacionale, çfarë ne nuk i kuptojmë, nuk i dimë se çfarë janë, çfarë
qëllime kanë dhe sa mund të dëmtojnë. Nuk i kuptojmë se nuk kemi pasur shtet
dhe nuk marrim vesh se dëmi mund të jetë kolektiv, edhe ndaj tyre që nuk e
merituan.
Antiamerikanizmi
është antishqiptarizëm i kulluar. Antiamerikanizmi është tradhti. Tradhti në
Perëndim konsiderohet, kur një individ vepron kundër interesave nacionale.
Antiamerikanizmi nuk është vetëm mosmirënjohje, por është edhe përgaditje për
ta kthyer Serbinë në Bonsteel. Serbia po punon për këtë dhe dalngadalë
po pranohen shpjegimet e saja. Harroni përrallat e Thaçit për abetare se
kufitarët kosovarë mbrojnë kufijtë. Policia serbe hyn e del në veri kur t' i teket. Shtetin e
Kosovës nuk mbron askush, e as nuk mund ta bëjë, përveç Bondsteelit.
Perëndimi
ka ditur për akuzat ndaj Thaçit edhe më heret, por nuk i kanë besuar, i pat
kundërshtuar edhe Barnard Couchner, por kur nisi interpretimi i intervenimit të
NATO-s dhe shpallja e tij si interes strategjik amerikan, ndryshoi çështja.
Pasoi edhe luhatja e Thaçit mes Lindjes dhe Perëndimit. Madje, madje u shkua aq
larg sa shfaqeshin edhe numra të avionëve duke u përpjekur meritat t' ia
kalojnë Turqisë. E fakti është se pa NATO, Turqia nuk do ta niste asnjë avion,
sepse pas qafe do ta kishte gjetur Rusinë. Kaq e thjeshtë është kjo matematikë
politike me interesa nacionale në këtë planet. SHBA nuk ka pasur interese në
Kosovë, për këtë flet intervenim tejet i vonuar humanitar. Aty ku ka interes
SHBA, reagon brenda jave. Shpjegimet shqiptare Serbia ua ka dhe ua prezanton
Perëndimit. Me deklarata të tilla zhvleftësohej akti humanitar amerikan dhe
shpallet përfitim, profit. Nuk kanë degraduar intervenimin amerikan vetëm
klerik të ndikuar nga bindjet fetare, por edhe akademik, madje edhe Rexhep
Qosja tek Rudina Xhunga e përmblodhi si “interes strategjik amerikan.“ Pas
vrasjes së amerikanëve në Gjermani, pati edhe kërkesa për t' u tërhequr SHBA
nga Kosova, nëse ndodhë një akt i tillë në Kosovë, Amerika mund të largohet,
sepse miu nuk mund të tallet me luanin, as ta mashtrojë, jo. Edhe një: në
rezonin e politikës shtetërore gjermane është mbrojtja e shtetit të hebrenjëve.
Çfarë del
si facit nga ky artikull? Kemi të drejtë ta dëmtojmë aq shumë interesin
nacional, aq sa i lejojmë vetes ta dëmtojmë familjen tonë. Derisa nuk
perceptojmë shtetin si grumbull i familjeve tona, do ta dëmtojmë, rrënojmë,
ashtu si morëm pjesë në rrënimin e Jugosllavisë.