Kulturë
Adem Zaplluzha: Asnjë fjalë nuk frymon
E marte, 10.06.2014, 07:24 PM
ADEM ZAPLLUZHA
ASNJË FJALË
NUK FRYMON
Redaktor:
Adnan Abrashi
Recensent:
Mazllum Baraliu
Lektor:
Ahmet Pllana
Shoqata e Shkrimtarëve
“Fahri Fazliu”
Kastriot, 2014
ATY KU FJALËT PËRHERË FRYMOJNË...
“Poezia shfaqet si njohje e drejtpërdrejtë për fshehtësinë e tmerrshme, të cilën jeta e jonë, e rrëmbyer nga fshehtësia kozmike, ia parashtron vetvetes
( Roland dë Penvil)
“Ma jepni një fjalë të bukur dhe unë nga ajo do ta krijoj poezinë ”, kështu, në mes tjerash, kishte deklaruar në një emision televiziv poeti ynë i madh dhe miku im i dashur, Adem Zaplluzha. Nga ai emision i vlefshëm dhe i pasur prezantues, jo rastësisht i shkëputa mu këto fjalë për ta shprehur kështu në metaforë botëkuptimin tim që kam për të, sikur një “krijues përherë i kapluar nga transi poetik”.Vërtet, si ta vlerësosh ndryshe këtë poet tonë të shquar cilësor, e mbi të gjitha të begatshëm sasior, sikurse është Adem Zaplluzha, i cili, së bashku me këtë vepër konkrete në botim, edhe më tepër e pasuron visarin tonë të krijimtarisë së gjithmbarshme poetike kombëtare, duke marrë pjesë aty me gjithsej 86 vepra të veta të botuara në poezi. Po ta kesh parasysh gjithë këtë opus përmbledhjesh poetike të botuara nga një autor i vetëm krijues, fiton përshtypjen se ke të bësh me një njeri i cili nuk njeh kotësinë. Si duket, çdo hap për të në jetë është përsiatje, trans i veçantë i përqendrimit shpirtëror, gjendje kjo e duhur transcendentale, nga e cila si vetëdije gufon vargu poetik i thurur në poezi.
Gjithnjë kam menduar se kritika letrare për një vepër të shkruar artistike, e veçanërisht për një vepër të zhanrit poetik, bëhet nga profesionist e fushës së caktuar adekuate. Andaj, në momentin kur, poeti dhe miku im i dashur, Adem Zaplluzha, kërkoi nga unë që të jem redaktor i veprës së tij të 86-të me rend në poezi, titulluar: ”Asnjë fjalë nuk frymon”, t’ju them të drejtën, në fillim u befasova shumë. Edhe pse, që më parë i kisha të lexuar shumicën e veprave të tij, dhe, sado-kudo, në vete veç kisha të formuar një koncept të përgjithshëm si bindje për frymën e tij krijuese, tashti këtë ofertë e përjetova, jo më si dikur, një ftesë për një debat të ndërsjellë miqësor, por si një sfidë serioze për një vlerësim më autoritaiv që pas vete ka një përgjegjësi më të madhe publike. Natyrisht, përveçse si obligim, njëkohësisht ky besim për mua ishte edhe një privilegje e madhe, të cilën assesi nuk mundja ta refuzoja.
Duke lexuar me vëmendje veprën në dorëshkrim, gjëja e parë që menjëherë më ra në sy ishte metafora e paradoksit të titullit të përzgjedhur nga vetë autori: ”Asnjë fjalë nuk frymon”?! Si redaktor, t’ju them të drejtën, këtu pak hamendësova , por shpejtë u binda se pikërisht ky emërtim metaforik i kësaj vepre, shprehë realitetin tjetër paradoksal të asaj që duhet të thuhet për poezinë e Adem Zaplluzhës: se çdo fjalë frymon fuqishëm në vargun të tij poetik. Aq fuqishëm saqë emocionalisht nuk e lë indiferent edhe dashamirin e zakonshëm dhe jo aq të pasionuar të poezisë. Ai, mbase, këtë joshje fascinante të përfitimit të lexuesit e bënë në mënyrë automatike... dhe, pikërisht këtu fshihet mrekullia krijuese e një autori të begatë që ne zakonisht e vlerësojmë si “talent”. Talent të radhë, pa dyshim.
Pra, përmbledhja me poezi “Asnjë fjalë nuk frymon” qysh nga titulli na jep retorikën e heshtur, pasivitetin që ngritët në nivelin e emocionit e të asociacionit të metaforës klinike. Shenjëzon metaforën e vdekur por të ringjallur brenda diskursivitetit tekstor. Asnjë fjalë nuk frymon jashtë fjalës e fjalisë, jashtë mendimit e ndjenjës, përfundimisht jashtë poezisë. Gjithçka çka është poezi, çka është figurë ka trajtimin e lirshëm të frymës e të frymëzimit. Poezitë e autorit kthehen gati përherë në retrospektivë duke dashur të prekin në të shkuarën e të gjitha kohërave, duke gjetur kujtimet, jetën dhembjen dhe dashurinë. Figurat e kujtimit, stacionet, mjegullat përherë nostalgjizojnë;
Këto valë të kripura herë hynë
E herë dalin si lugetër
Nga përgjumja e fanarit të një nostalgjie
Zgjohen përmbytjet e peshkatarëve
Poezia e dashurisë është ekspresive duke dashur të sjellë origjinalitetin krijues të autorit. Atdheu shprehet si etje, e etja si epistem dhe si gnosis të hedh detyrimisht në krajatat e dhembshme, të durimit të njeriut tonë dhe mbi të gjitha të dhembjes nëpër kohë e histori. Poezia okazionale është poezi e meditimit ekstrapersonal. Autori dyndet në botën e tij personale duke dhënë edhe super fuqinë e tij krijuese, na hedh në retrospektivë dhe në nostalgji me kujtimet te cilat janë aq të freskëta dhe i japin simbolikë tekstit poetik. Qyteti i Lidhjes nuk determinon veç historinë dhe të kaluarën por ngjeshët edhe me autorin, jetën e tij dhe në veçanti me dashurinë dhe bukurinë dualiste të qytetit dhe të vajzës shqiptare;
Lozte edhe era
Me fustanin e gocës
Kurse Lumëbardhi
Si çdo herë krenar
Depërtonte nëpër damarët
E lashtësisë së qytetit të Lidhjes
Gjatë tërë kohën, si në këtë vepër, ashtu edhe në gjithë krijimtarinë e poetit e bukura është kudo prezentë, por ajo nuk ka te bëjë kryekëput me te mirën dhe as decidivisht me moralin, por konceptohet si një absolute ne vetvete. Nga vargu në varg , lexuesi i joshur, gradualisht vëren se ajo e ndryshon trajtën, është e papërcaktueshme, e lëvizshme, të duket se nuk i nënshtrohet rregullave e doktrinave... Është e tillë, sepse ajo gjithmonë shpik vetveten. Po ashtu, duhet të thuhet gjithsesi këtu se e bukura, sikur në këtë përmbledhje, përgjithësisht sikur në gjitha poezia e Adem Zaplluzhës, është tërësisht subjektive sepse gjithkush e përjeton atë nga këndvështrimi i vetë! Kjo pra është universaliteti i kumtesë specifike në poezitë e Adem Zaplluzhës
Meqë nga natyra nuk jam ithtar i fjalamanisë dhe fjalë gjatësisë së tepruar për të shprehur dhe përshkuar diçka që gjithsesi duhet edhe drejtpërdrejtë të përjetohet, këtë parathënie modeste bërë kësaj vepre, do ta përfundoja me një urtësi të shkruar nga një autor gjenial emri i të cilit, në këto momente , nuk po më kujtohet:
“Në detin e pakufishëm të poezisë vetëm poeti është krijues absolut; bota zhvillohet sipas dëshirës së tij. Në qoftë se është i ndjeshëm, bota në poezinë e tij do të jetë i ngjyruar me emocione; në qoftë se nuk është i ndjeshëm, bota në poezinë e tij do të jetë shterpe. Poeti i mirë, për nga vullneti i vet absolutisht lirisht mund t’i ngjall sendet pa shpirt si dhe t’ua marr shpirtin atyre që kanë.”
Të gjitha këto karakteristika të mirëfillta, janë prezentë në poezitë Adem Zaplluzhës, duke dëshmuar kështu se poezia është vërtet fryt i prekjes së shpirtit me realitetin.
Adnan Abrashi
Prizren, 30 shtator 2013
Në çdo kafshim molle
Cikli i parë
TË KUJT JANË KËTO LOT
Sonte dua të pi edhe pak
Më kuptoni
Kam shumë nevojë të dehem
Me këtë nostalgji të trishtuar
Shikoni sytë e mi
Se si shndërrohen
Në qirinj pa dritë
Të kujt janë këto lot
Që shndërrohen në rreke
Akujsh të kristalta
Sonte vetëm ti më mungon
Dhe gota e verës
Dua të pi edhe pak
Këtë gllënjkë të fundit të trishtimit
Një hënë e plagosur
Noton në dhembjen e qiellit
Edhe pak
Edhe pak shpresë
Për gotën e dehur
Në fundin e këtij tregimi
KU ISHIN DUART E TUA
Një fjalë e lënduar
Ëndërron diku udhën e një balade
Që asnjëherë nuk përfundoi
Te buzët e pritjeve
Sonte dua të eci
Nëpër shtigjet
E kujtesës së Lumëbardhit
Nëse zgjohen nga trishtimi
Zambakët e bardhë
Do i kërkoj në mesin e kashelashave
Mbase shumë pak kohë kemi
Për të arritur të pamundurën
Ku ishin duart e tua
Kur në mua përfundimisht
Mbytej varka e shpresave
Erdhe ashtu siç u largove
Në gjëmën e Jonit
Përmallshëm vajtuan hënëzat
Diku në frymën e kristaltë
Të dallgëve të tërbuara
Zgjohej një baladë
Në shpirtin e plagosur të kohës
ISHTE NJË KOHË E EGËR
Me gjasa vrapove edhe ti
Prej një ane të rrugës
Në anën tjetër të kujtesës
Atë ditë binte shi i tejdukshëm
Në përparësen e mjegullave
Kur u pamë
Kishte ndryshuar çdo gjë
Në morfologjinë e nofullave
Vetëm disa fjalë
Të pakuptueshme
Pikonin si akuj prej kristaleve
Ishte një kohë e egër
Asnjë lule nëpër vazot e qytetit
Nuk ëndërronte shiun
Vetëm dyshimi
Në sinqeritetin e kukullave
Rritej si gjelbërimi i barit të njomë
Erdhi edhe mbrëmja e pritur
Asgjë nga itineraret e trenave
Akrepat e orës së vjetër
Qanin te murishtat
Derisa era e shfrenuar
Diku te shelgjishtet e pikëlluara
Qante si nusja për dhëndrin
Që asnjëherë
Nuk u kthye nga lufta
Prishtinë, 22 maj 2013
MELODINË E NJË KËNGE
Në trajtën e një cope argjile
Ishin duart e tua
Sytë dhe vetullat e thinjura
I përngjanin shtrezeve
Nuk më kujtohet
Por ti si përherë
Më duket se i shtrije duart
Në atë anë të rrugës
Kah vinin mjegullat
Një kalorës i vetmuar
Krahasohej me trokun e lodhur të gjokut
Dhe herë pas here
Shikonte pas shpine
Mos vallë po e ndjek
Ajo hije e shëmtuar
Ikte tej udhëve të gjata sterra
Tretej diku edhe vrapi i egër
Mes dizgjinëve
Një pelarin fërshëllente si e trishtuar
Melodinë e një kënge
Që përsëritej në çdo kohë
NGA PARZMA E TOKËS MËMË
Kjo vjeshtë sivjet më herët
Trokiti në portat e rrudhave
Nuk dëgjohej asnjë zë
Përpos ngërdheshjes së erës
Njëmijë vjet udhëtova
Deri te ëndrra e kukullës së drunjtë
Hijet binin si kokrrizat e breshrit
Mbi qerpikët e këputura të dritës
Nga parzma e tokës mëmë
Pritnim një dritë pak më ndryshe se kjo
Hingëllimat e mjegullave u dëgjuan
Përtej shtatë kodrave të shenjta
NJË KALORËS I ZI
Ishte trishtim të shikosh
Zbrazjen e dyqaneve
Dhe portat e hapura
Qepenat si të dehur nga tmerri
I kishin lëshuar vetullat
Si flamujt në gjysmë shtize
Një kalorës i zi
Hingëllonte më shumë
Se kuajt e egër të erës
Asfaltit të plasaritur
Dukshëm dalloheshin
Zgërdheshjet e ingranazheve
E keqja trokiste pandërprerë
Në pikëllimin e ullukëve
Që dënesnin nëpër çati
Frynte një kob i trishtueshëm
Nëpër shpirtrat
E lagjeve të zbrazura
Një kalorës i zi
Më e zezë se kjo sterrë nate
Hungëronte në gjuhën e bishave
Te një kafkë
Që kundërmonte në rrugë
TE NJË MOL I VETMUAR
Nuk di më
Athua po zgjohem
Ose jam duke hyrë
Nëpër labirintet e një ëndrre
Diçka e paqartë
Paraqitet në horizontin e largët
Tundje varkash të thyera
Në dallgët e Jonit idhnak
Deti i trazuar shikon diku larg
Përtej horizonti
Dëgjohen zërat e pulëbardhave
Përzier me krakëllima korbash
Te një mol i vetmuar
Ku lindin shpresat
Dhe vdesin peshkatarët
Një qiri asnjëherë nuk gjunjëzohet
Këto valë të kripura herë hynë
E herë dalin si lugetër
Nga përgjumja e fanarit të një nostalgjie
Zgjohen përmbytjet e peshkatarëve
SI GJETHET E FISHKURA
Secili prej nesh
Kemi nga një kukull
Ose shkarazi identifikohemi
Me shpirtrat e drunjtë
Të rrënjëve
Një ditë zgjohemi
Para këndesit
Kurse ditën tjetër
S’mund të na zgjoj askush
Përpos urisë
Ngjan që u përngjajmë pemëve
Sa herë që ecim horizontalisht
Tërmal kujtesës
Si gjethet e fishkura
Na lëvizin duart e dehura
Gati në çdo përshëndetje
Ndjejmë se si kristalet e akullit
Depërtojnë thellë
Shumë thellë
Në shpirtin e ngrirë të dimrit
DERISA TI
Unë i kapërthej komçat
E këmishës së arnuar
Kurse ti
E zhvesh lëkurën tënde
Prej bronzi
Kur më zë gjumi
Gërhas si treni i vjetër
Derisa ti
Me sytë e tu të gështenjta
Ngjyros jelekun e mëngjesit
Kur unë zgjohem
Ti ke ikur diku në harresë
Komçat dhe jeleku i ngjyrosur
Mbesin peng në kujtesën e ylberit
I SHKUND TRISHTIMET E BEHARIT
Përherë kam menduar
Se kukullat qeshin dhe si nuset
I lyejnë buzët
Kur vjen vjeshta gjethet dalin nga lëvozhga
Ecin drejtë bigëzimeve të lumenjve
Tërfili si çdoherë ëndërron
Të ketë më shumë gjethe
Se sa që ka luleshqerra
Mbase pranvera vetëm njëherë në vjet
I shkund trishtimet e beharit
Kur kthehen mërgimtarët
Rrugët kanë një buzëqeshje pak më ndryshe
Se sa kur ikin zogjtë nga vendlindje
Era ka një mall që i përngjan
Vetëm duarve të nostalgjisë
Ky penel fjalësh
Asnjëherë nuk i përngjan ylberit
Sepse në buzët e thara të erës
Vetëm zogjtë e egër
Kanë mundësi ta shuajnë etjen
NËSE NGJAN E KUNDËRTA
Ky njeri që çdo ditë kalon këndej
Sa shumë po i përngjan erës
Në secilin hap
Gozhdon nga një tregim
Dhe ecën drejtë një vegimi të përsosur
Nëse ngjan e kundërta
Me të dyja duart e mbanë kokën
Që të mos ikën nga trasta
Dhe sa herë që është i vetmuar
Për një bisedë banale
Ua prish gjumin
E të gjitha kukullave të qytetit
Ky njeri që sot ecën fillikat vetëm
Ecën pa e përfillur askënd
Ndoshta as që ka
Se kujt mund të ja prishi gjumin
Shkon drejtë një qëllimi
E nëse mbërrin
S’do të gjej asnjë derë
Ku mund të trokas në mendjen e dikujt
KJO COPË PREJ MJEGULLE
Sa shumë po i përngjajnë
Këto zarfe
Qiellit të kaltër të vendlindjes
Orë e çast
Fluturojnë pëllumbat prej argjile
Kjo copë prej mjegulle
Mbase qenka furka e stërgjyshes
Sa mirë e tirrte kohën
Të cilës i përziheshin këmbët
Mes dy kohërave
Dhe gatuante bukë misërnike
Për disa ushtri
Ajo si djallin i përbuzte gjeneralët
Por e donte pushkën e gjyshit
Më shumë se djemtë e saj
Me duar të një gruaje të moshuar
Nga disa herë në ditë
Ledhatonte kondakun
Thonë se kishte marrë pjesë
Në disa luftëra
Nga syri i saj shqiponjë
Askurrë nuk i shkoi për dore armikut
Të ikte nga plumbat
DEGËT E MANËS SË ZEZË
U ktheva përsëri në shtëpi
Por ky kthim
Nuk po i përngjan ecjes sime
Degët e manës së zezë
Sot po dënesin si krimbat e mëndafshit
Këto trungje të rrapeve
Paskan një tjetër shije
Kur shtrihen për toke
Pemët nisën të ecin në disa drejtime
Sa shumë etje paska ky lis i prerë
Nuk desha të krahasohem me asnjë flutur
Në shpatullat e mia të vrara
Po mbinë flatra engjëjsh
Një diell
Pak më ndryshe se ai ekzistues
Nuk është në gjendje më
T’i ngrohi
Këto eshtra të ngrira
Pak
shumë pak më duhet sonte
Që të krahasohem
Me vetmin time
Kjo natë e gjatë
Nuk i përngjan askujt
Përpos duarve të mia të gjata
Dhe plagëve të erës
ZOGJTË E FUNDIT TË SHPRESËS
Nëpër ajrin e lagshtë
Depërtojnë fshehurazi
Hapat e një qivuri të harruar
Nata frymon si një lis i gjallë
Gjethet i kanë lëshuar qepenat
Në gjysmë shtize
Errësira merr frymë me mushkrit e barit
Kthehem deri te burimi i etjes
Pikë uji nuk paska mbetur
Në kujtesë
Një zog nate
Cijat mbi një degë të thyer
Mëngjesi nga një largësi e padukshme
Troket pandërprerë
Nëpër dyert e gjelbërimit
Hapen disa lloje portash të frymëmarrjes
Askund
Asnjë derë e mbyllur në kujtesë
Me disa dërrasa të grisura
Dikush i mbylli të gjitha dritaret
2.
Vetëm ullukët prej llamarine
Recitojnë
Një poemë të harruar nga shirat
Ky tren që fle mbi këto binarë
Paska ikur nga fëmijëria
Sterrë në zbrazëtirën e qiellit
Asnjë yll në horizont nuk shihet
Në gjumin e mjegullave
Po bije një shi i zi
Papandehur zgjohet një këngë e vjetër
Prej baladave
Filluan të dalin një nga një
Zogjtë e fundit të shpresës
KAM ETJE
Kam etje
Kush mund të ma shuaj mallin
Për plagët e atdheut
Diku një zog vajton në vetmi
Diku një tokë e gërryer
Dënes si çilimi
Kam etje moj nënë
Kam frikë
Të mos më drobiten dhëmballët
Kush po dënes
Atje në kujtesë
Kam etje moj nënë
Shih si paskam mbetur
Në këtë kthesë
Moj nënë kështu pa shpresë
NË MENDJEN E NDRYSHKUR
Ishe njeriu më i uritur
Në botë
As Kadareja nuk pati forcë
Me t’i marrë
Dizgjinët e turpit nga dora
Nëpër xhadenë Egnatia
I tërë pluhuri i botës
T’i verboi sytë
Ti mbete me ndërgjegjen e erës
Dhe ende sot kuvendon
Në heshtje
Me diçka
Që nuk i përngjan asgjëje
Një grusht verdhushkash
Prej pluhuri
U fundosën përgjithmonë
Në mendjen e ndryshkur
Të xhadesë së turpit
ME T’I NUMËRUA MËKATET
Në ekstazë
Ti e kafshoje drurin
Njëqind kukulla i puthe
Me ndryshkun e buzëve të tua
Nëpër shtëpitë me drita të kuqe
Sipas qejfit tënd
I ndërroje këmishët dhe ngjyrat
E neoneve
Nuk kalonte asnjë natë
Pa i marrë erë asaj djerse të rënd
Që i përngjante temjanit të ndezur
Dikur kur ike prej vetvetes
Askush më nuk ishte në gjendje
Me t’i numërua mëkatet
TE KEPI I TRISHTIMIT
Këto korale
Po i përngjajnë sonte
Letrave të adoleshencës
Sa herë që i ngacmon dikush
Dëgjohen vajet e peshkatarëve
Diku në ëndrrën e një dallge
Hënëzat përjetojnë
Ekzaltimin e përmbytjes
Një fanar i vetmuar
Te kepi i trishtimit
Herë i kyç
E herë i shkyç dritat
Anija e fundosur
Si asnjëherë më parë
Dremit
Në gjumin e meduzës së kaltër
Kur tërbohen dallgët
Një titanik i ri lëshon rrënjë
Në kërthizën e palidhur
Të detit të tërbuar
SE SI T’I PËRNGJAJ PENELIT
Të lutem
Gjeje një copë hapësire
Në shpirtin tënd
Dhe pikturoje vrapin e kalit të egër
Pikturoje erën
Kah frynë nëpër kafkën e këtij të vdekuri
Dhe diellin kur fshihet
Pas kaçubave te kodra e vogël
Më duhet të fundosem si ti
Në botën e ngjyrave
Dhe nëse nuk di asgjë
Do mësoj
Se si t’i përngjaj penelit
Kjo fushë e gjelbër si peizazhi
E një ëndrre të kaltër
Sa mirë po m’i përkujton zarfet
Kur të shkruaja letër
NË ÇDO KAFSHIM MOLLE
Po që se më premton koha
Sonte do të bisedoj
Me fotografitë e moçme
Dhe me duart e fëmijërisë sime
Ishte dikur një kohë e egër
Në çdo kafshim molle
Na hanin krimbat
Nuk flinim si duhet
Nëpër portat e ëndrrave tona
Natë e ditë trokitnin makthet
Askush nuk mund të kuptoj si unë
Për fëmijërinë time
Ishte një mollë e ndaluar
Sa herë që e kafshoja
Më mpiheshin dhëmbët
FOTOGRAFIA
Në këtë fotografi
Nuk qenka regjistruar qeshja e jote
Buzët e tua po i përngjajnë erës
Dhe pemëve vjeshtore
Të kam thënë
Se qeshja jote i përngjan fluturës
Kurse ti këtu mërrolesh si lisi i sëmurë
Të kujtohet stoli nën blirin e lagjes
Aty ku ja vumë dizgjinët hënës
Ishte një natë pa yje
Vetëm sytë e tua bënin dritë
Të kam thënë se qeshja e jote
I përngjan fluturës
Kurse ti sonte sërish mërrolesh
Si lisi i harruar i lagjes
Prishtinë, 23 maj 2013
Asnjë fjalë nuk frymon
Cikli i dytë
KUSH I KYÇI DRITAT
Në shurdhësinë e kësaj dhome
Nuk paska mbetur asnjë mizë
Kah ikën fluturat
Cila dorë i shkundi mbrëmë
Degët e pikturave surrealiste
Kjo tablo në murin afër pasqyrës
Dhe ikona e harruar
Paskan mbetur në mëshirën e pluhurit
Kush i kyçi dritat
Kur ikën njerëzit nga kjo heshtje
Ndoshta shpirtit i hijes së zhdukur
Sillet si një lloj trishtimi
Nëpër dhomën e gjumit të kësaj shurdhësie
fluturojnë mizat e verbëta
Netët vijnë dhe ikin nga kjo heshtje
Sa keq kur edhe dritaret
Kalojnë kokulur
Nëpër rrugët e harresës
ASKUSH NUK MË NJEH
Bredhi rrugëve të heshtura
Herë preki njërën dorë
E herë tjetrën
Më duket se nuk ekzistoj
Qenkam njeri i huaj
Për këto çati
Gjymtyrët disi më duken të ftohta
Kjo kapelë në kokën time
Me gjasë ishte e zbrazët
Ose asnjëherë
Nuk përjetoi ngrohtësinë e njeriut
Nuk di por eci si somnambul
Nëpër rrugët e fëmijërisë
S’shoh njeri
As të tjerët nuk më vërejnë
Si një merimangë e moshuar
Kaloj nën urat e qytetit
Asnjë përshëndetje nga algat
Askush nuk më njeh
Diku nga horizonti
Me thërret një pulëbardhë e murrme
ECIN EDHE KËMISHËT
Ecin e nuk ndalen
Këpucët e mia të vetmuara
Një bastun i vjetër
Mbase i stërgjyshërve të komshiut tim
I përcjellin arkivolet nga ky qytet
Ecin edhe këmishët
S’ndalen as pantallonat e arnuara
Çdo gjë këtu lëviz me shpirtin e erës
Zogjtë kërcejnë prej një çatie
Mbi ullukët e çatisë tjetër
As lagjja s’paska gjumë
Një fëmijë qan te një kallamishte
Pemët në lëvizje e sipër
I shkundin degët
Kur kalon pinokio
Për ta ngacmuar
gjumin e drunjtë të bubuzhelëve
QYTETI I LIDHJES
Nëpër gjurmët e barit
Derdhej loti i vesës
Era qante si një kalama
Në prehrin e mëngjesit
Nën urën e gurit
Kalonte një femër ngarkuar
Me dashuri
Kalonte
Edhe një copë dallge
Nëpër buzëqeshjen e urës së drunjtë
Kalaja sodiste peizazhin e pafund
Te brigjet e Drinit të Bardhë
Loznin shtojzovallet
Me medaljonin
E një valleje të lashtë pagane
Lozte edhe era
Me fustanin e gocës
Kurse Lumëbardhi
Si çdo herë krenar
Depërtonte nëpër damarët
E lashtësisë së qytetit të Lidhjes
NJË NJERI
Një njeri
Sa endacak po aq edhe poet
Për çdo ditë
Bisedon me kukullat e drunjta
Ecën nëpër rrugicat e qytetit të lindjes
Një kërrabë pagane
Me mallëngjim shikon kambanën
Dhe merimangën në minaren e vjetër
Një njeri me një palë dizgjinë
Prej fjalëve
Ecën dhe i shënon kronikat
E të gjitha llojeve
Ato të zeza
Dhe ato pak më ndryshe
Vetëm një bastun i vjetër
Përmallshëm bisedon me rrugët
Dhe vrapin
E ditëve që pambarimisht
Largohen nga përgjumja e kalldrëmeve
KJO KOKË
Sot nuk kam fare uri
Dje u ngopa së kafshuari
Pjesët e jetës sime
Kjo kokë e krisur
Nuk paska të ndalur
As uria s’i doli përpara
Kjo kokë
Mbase nuk di asgjë tjetër
Përpos kafshimit
Sa shumë më mundon uria
Sa që një ditë
Do e ha edhe kokën time
LAKMIA
Mbase këto cifla dëshirash
Nesër do i përngjajnë gjeneve
Kush e di se sa mbretëri
I kafshoi mizorisht
Lakmia e njeriut
TATUAZHIN E NJË KRYQI
Kur nuk patën
Se çfarë të më bëjnë tjetër
Në trupin tim vizatuan
Tatuazhin e një kryqi
Dhe një kokë derri të egër
Qesha kurse nga qeshja ime
U befasuan gardianët
Nga dritarja e qelisë
Pikonte në zemrën time
Një kokërr drite inkandeshente
Një zog shprese mi solli disa letra
Dhe gazetën ditore
Ku lexova
Se në ndërgjegjen e Evropës
Ishte zgjuar vetëdija e fjetur
Atëherë i dëgjova kambanat
Në mendjen e burgosur
Nga kambanorja dolën disa zëra
Që ende sot në veshët e mia tingëllojnë
Po ato psalme
Të kënduara nga engjëjt
KURSE KËTU BRENDA
Sonte mund t’i preki
Të gjitha këto mure të lagështa
Askund vetvetja ime
Disa kujtime të gozhduara
S’mund t’i përshtaten kësaj pamjeje
Vazhdoj ecjen nëpër sterrë
Vetëm sytë e një maceje të zezë
Mund të dallohen
Në pasqyrën e turbullt të dritës
Kanë filluar të përsëriten të reshurat
Jashtë nuk bie asnjë pikë shiu
Kurse këtu brenda meje
Dhe këtyre mureve të larta
Kohë shumë e përshtatshme
Për kultivimin e kërpudhave
Dikush troket
Pandërprerë dëgjohen trokitjet
Dhe krakëllimat e korbave
Çatia si asnjëherë më parë
Gjëmon si Drinin i Zi
MBI QIVURIN E NJË STINE
“Një varr si një shelg i braktisur
Qanë me lot drerësh”
Arkivoli i vetmuar te dunat
Përjeton ringjalljen e erës
Sonte asnjë zog shtegtarë
Nuk ndalet te plepat
Kundërmimi i rënd prej lagështie
Si kolla e keqe po përhapet fushave
Bilbili i fundit në ograjë
I harroi të gjitha këngët
Një nënë ende po qan me lot zogjsh
Mbi qivurin e një stine
ASNJË FJALË NUK FRYMON
Kalonin të moshuarit
Nëpër vetminë e rrugëve
Një kërrabë çapitej mbi stërkala shirash
Mbase pranvera paska ardhur
Më herët sivjet
Ky arkivoli i kaltër si syri i një njeriu
Më duket se po i përngjan
Letrave të adoleshencës
Më kujtohet ishin të kaltra
Dhe të pashpirt
Si ëndrrat e mjegullave të zbrazëta
Shumë letra të shkruara
Pa asnjë fjalë të gjallë
Me gjasa paskan ikur diku
Pëllumbat prej argjile
Ose poçari
Është zgjuar sonte tepër vonë
Këto letra të bardha dhe të kaltra
Prej fjalëve të lënduara
Qenkan të ngarkuara
Me dhembje elektronike
Asnjë fjalë nuk frymon
Në tastierat e shpresës së përmbytur
NA DEGDISI SI ZOGJTË E VERBËR
Do vij nënë
Do kthehem nëpër stinët e zogjve
E kur të mbërri në atdhe
Do takohem
Ndoshta me fëmijërinë time të leckosur
E di atje më presin qepenat
Dhe zëri i trishtuar i gërnetës
Të kujtohet kur më përcjelle
Binte një shi i imtë atë ditë
Mbi flokët e tua të thinjura
Binin edhe mallkimet për regjimin
Që na dëboi
Nga ngrohtësia e sofrës
Na degdisi si zogjtë e verbër
Nëpër katër anët e botës
Sot unë po vij nënë
Kam blerë për veti
Një arkivol të mrekullueshëm
E di të gjithë do qeshni me mua
Por unë desha
Që në fund të rrugës
Të kem
Një përcjellje si i ka hije njeriut
NDOSHTA PËR HERË TË PARË
Po kthehen
Ndoshta për të parën herë
Po vijnë zogjtë e ikur nga mendja
Kush do t’i ndal shirat
Që të mos ja ngacmojnë gjumin vjeshtës
Një lis i kujtesës po qanë si pegun
Gjarpri me zile
Më shumë i përngjan njeriut
Se sa llojit të zvarranikëve
Mjegullat zbresin për herë të parë
Mbi dizgjinët
E kalorësve të apokalipsit
Po kthehen
Ose po ikin dika tjetër
Frymëmarrjet e zogjve të dehur
Kjo natë e dehidruar
Mbase paska filluar kësaj here
T’i përngjaj trishtimit
Kur me duart e saja të zeza
Po i vret
Fëshfërimat e gjetheve të njoma
KUR FLENË ZOGJTË E FJALËVE
Nëpër lagjen tonë
Për çdo mëngjes kalon fshehurazi
Zëri i një rapsodie të harruar
Zambakët çelin vetëm një herë në vjet
Në fjalët e pathëna të poetit
Mbinë manaferrat
Kur flenë zogjtë e fjalëve
Nëpër mallkimin e zjarrit kalojnë hijet
Ato të dukshme
Dhe ato të tejdukshme
Ne nga kujtesa e jonë i zbresim engjëjt
Dhe sa herë duam të identifikohemi
Me rrjedhën e ujëvarës
Zgjohemi herët në mëngjes
Bisedojmë me brigjet e përgjumura
Kur na mbesin fjalët e pathëna
Jashtë mendimeve të mira
Nëpër xhepat e shirave
Ballafaqohemi me morfologjinë e heshtjes
Dhe shndërrohemi pa dashje
Në statuja të mermerta
Deri sa era e përpinë gjuhën e saj ujore
VAZOT PREJ MJEGULLAVE
Kur njerëzit më shikojnë në fytyrë
Më së miri më gënjejnë
Nëna ime
Më së miri i fshehin fjalët
Në çdo qeshje fle një tregim
I pathënë
Ku fshihet rrjeti i merimangës
Dhe pështyma e erës
Nëna ime
Fshihen lakuriqësit e shpirtrave
Kur thyhen shtambat e qiellit
Nëpër pastelet e ngjyrave
Zbresin shirat e çmendur
Zbresin
Vazot prej mjegullave
Nëse kalojmë nëpër harresat
E mendimeve
I gjejmë të gjitha arsyet duke çapitur
Nëpër kokat tone të lodhura
Nga shthurjet e fjalëve të paramenduara
Nëna ime
Nga shthurjet e fjalëve
NËPËR UDHËT E RAPSODIVE
I zgjas duart
Preki pafundësinë e një shtegu
Asnjë dallëndyshe sonte
Nuk fluturoi
Nëpër lotin e brishtë të shiut
Si një qilimi i llastuar
Era qante në kambanoren e lagjes
S’ndaleshin ulërimat
As të lehurat e mjegullave
Me tërë peshën e saj
Nata zbriti mbi çarçafin e pritjes
Ikën edhe yjet e fundit
Nga lagja e evgjitëve
Përtej një hapësire
Që i përngjan
Duarve të lëngëta të imagjinatës
Përrallat u zgjuan dikur vonë
Kur trishtimi hyri
Nëpër udhët e rapsodive
Prishtinë, 24 maj 2013
SI FËMIJËT ME KUAJ PREJ BASTUNI
Nga harlisjet e mjegullave
Në brendinë e pasqyrës
Po zgjohen zogjtë
Një ushtar i vetmuar
Ende në trastën e fëmijërisë
I ruan ëndrrat dhe letrat e dashurisë
Era nëpër gjethet e mushmollës
Del nga një shishe
Mbyllur me tapë para qindra vjetëve
Shirat si kuajt galopojnë nëpër qytet
Kukullat e drunjta
Nuk i ndalin të qeshurat
Ushtari era dhe kukullat
Lozin një vals të vjetër
Si fëmijët me kuaj prej bastuni
MBYLLEN QEPENAT E DYQANEVE
Sa herë që malli troket
Në portat e shpirtit endacak
Zgjohemi para këndesit
I kërkojmë ëndrrat e fshehura
Te një lis që bleron vetëm dhembje
Rrënjët kanë më shumë qeshje
Se çdo njeri
Si stërkalat e shiut rrebesh
Prej gjetheve pikon e kaluara
Duam ta zëmë fluturën e fëmijërisë
Luadhet ikin përtej shtatë bjeshkëve
Vetëm një bletë e moshuar
Në petalet e lules së venitur
I lexon hieroglifët e një historie të dhunuar
Kur nata vjen te ne
Mbyllen qepenat e dyqaneve
Lagjja fundoset në gjumin e zakonshëm
Mbase njerëzit edhe në këtë kohë
Ende janë duke fjetur
NJË NATË SI KJO
Në këtë boshllëk me vetmin time
Dremis nën hijen e kujtesës
pema e fëmijërisë
Gjumi i përdalë
Thërret të kaluarën e hidhur
Dhe kohën e urisë
Thash se rri me vetminë time
Askush nuk vjen këtu sonte
Në sfondin e trishtuar të hapësirës
Imazhet zhduken një nga një
Për befasi
Edhe këto sandale të varura
Qenkan të vetmuara te këto tela elektrike
Një natë si kjo
Të mos përsëritet më asnjëherë
Koj vetmi si një gozhdë e ndryshkur
Qenka ngulur në trurin tim
Poeti
Zogu dhe sandalet
Varrosin një sekret të trishtë
Në gjumin e kësaj nate
UNË DI FARE MIRË
Brenda meje thyhen gurtë
Athua zemra mund të dënesi
Kur bie ky shi i zhveshur
Nga trungu i gjetheve
Lartë te perdet e imazheve
Të ndryshkura
Pikon e nuk ndalet
Shpirti i ndrydhur i ditës
Një kalë i egër i kujtesës
Nuk e ndal galopin asnjëherë
Ka më shumë se njëmijë vjet
Që fëmijët e lagjes sime
Po i përngjajnë urisë
Mos të lutem
Mos i thuaj askujt
Se vjen nga një galaktikë e errët
Unë di fare mirë
Se atje kurrë nuk mungon drita
NATËN VIJNË LEJLEKËT
Natën vijnë lejlekët
Dhe e mbulojnë qiellin e vjeshtës
Nga sytë e ikonave
Si rrëke shirash
Derdhen lotët e trishtimit
Dimrat nuk janë si në vendet e tjera
Çatitë mëkatare rëndohen
Si shpirtrat e njerëzve
Rrugët janë të boshatisura
Dhe u përngjajnë zemrave të vetmuara
Edhe pranverat ndryshojnë
Gjelbërimi duket
Si një tablo e zbrazët vizatimi
Ku piktorët fillestar
I huazojnë ngjyrat prej ylbereve
Asnjë lule nuk çel këtu
Si në atdheun tim
As zogjtë nuk din të cicërojnë
Nëpër degët e gështenjave
Natën vijnë lejlekët
Dhe e mbulojnë qiellin e vjeshtës
NËPËR XHAMAT E GJUMIT
Mbi varfërinë e kësaj tryeze
Një mushkonjë
Sa e zhurmshme
Po aq edhe e bezdisshme
Mbi pjatat e palara të ditës
I lëshon vezët
Qiriu i ndezur
Tani më
Nuk duket askund
Një erë e rënd temjani
Shpërndahet
Nëpër lagështit e mureve
Disa lloje bubuzhelësh
Në pasqyrën e plasaritur
I krehin flokët e verdha
Mes disa pikturave surrealiste
Një kohë të gjatë
Po kalbet një mollë e kafshuar
Shiu si i ikur nga çmendina
Mërzitshëm troket
Nëpër xhamat e gjumit
Diku në horizontin e përvëluar
Në zog nate
I kyçi kandilat e yjeve
NGA DURIMI I LISAVE
Nuk di
Se si ndodhem këtu
Por më pëlqejnë shtegtimet e yjeve
Tani jam me vetminë time
Kurse nesër do jem
Në anën tjetër të kujtesës
Këto bredhje meteorësh
Nuk i njohin kufijtë
I përngjajnë zogjve të egër
Ku nëpër çdo degë të kajsive
Mbjellin nga një puthje
Herë fluturoj mbi dete
E herë ngjizëm me aromën e fushave
Kur më sëmbojnë trishtimet
Nga durimi i lisave
Kërkoj një grusht nostalgji
DROMCAT E SË KALUARËS
Më beso
Më së shumti i dua gabimet e tua
Kur gënjen të bëhet fytyra all
Prej mollëzave pikojnë
Pastelet prej luleshqerrave
Pastaj harron se gënjeve
Dhe sërish
Ia fillon një gënjeshtre të re
E cila i përngjan fjalëve të kota
Por ka një trajtë të njeriut
I cili sinqerisht dashuron
Kur ke kohë rrëfehesh për adoleshencën
Fare mirë kuptoj
Se nuk ke se çfarë të thuash
Çdo fjalë e jote
Disi të mbetet në gurmaz
Edhe ato të përngjajnë ty
Të kam thënë se ti përbëhesh
Prej një përzierje
E cila në shpirtin e saj
Me xhelozi i ruan
Dromcat e së kaluarës
Dhe instinktin e pafajësisë së erës
GËRHITJA E NJË ORE MURI
Në dhomën e fjetjes
Nata ishte njëra ndër netët më të gjata
Asgjë nuk dëgjohej përpos
Gërhitjes së orës së murit
Dhe cijatjes së një miu të bardhë
Kur i shikoja akrepat e ndryshkura
Koha ndalej dhe vendnumëronte
Me një rrapëllimë të trishtueshme
Kurse boçat lëshoheshin mbi tavolinë
Si gijotina e shekullit pesëmbëdhjetë
Mëngjesi më dukej se kurrë nuk do të vij
Ullukët e çative pikonin sterrë
Kurse forma e oxhakut të shtëpisë
Askurrë nuk e humbi vertikalen
Edhe pas bombardimeve
Mbase ishte edhe më kryelartë
Në dhomën e fjetjes
Nata ime nuk kishte të bitisur
S’kishin të sosur as cijatjet e minjve
Gërhitja e një ore muri
Befasisht iku me ardhjen e agsholit
KUR TË MBËRRIMË TE NJË PEMË
Nëse bisedojmë për kohën
Nuk duhet ta harrojmë
Orën e madhe
Në murin e kishës
As treguesit e kohës së orës diellore
Sa herë që zbritëm shkallëve
Në fund na prite një tjetër itinerar
Ose dilnim nga lëkura e jonë
Dhe e ndërronim
Këmishën e djersitur
Kur të mbërrimë te një pemë
Që nuk i shkunden frytet
Do kuptojmë
Se nën hijen e saj
Mrizojnë vetëm zvarranikët
Më pastaj
Do ecim deri në pambarim
Udha është e gjatë
Ku nuk mund ta gjejmë fundin
As trokun e kalit të zbutur
Prej dizgjinëve të kujtesës
MES HAPAVE TË ERËS
Shpeshherë mëngjeset përzihen
Me rregullat e ekzistencës
Kur zgjohen mushkonjat
Njerëzit kuptojnë
Se vendnumërojnë në gjumë
Vjenë një njeri me kukëza
Dhe mendon
Se ka arritur fundin e botës
I cili akoma nuk e ka përjetuar
Ecjen e tij të sinqertë
Mes hapave të fërfërimës së gjetheve
Kur mbërrimë deri te plepat
Pandërprerë trokasim
Në portat e rrënjëve
Kurse trokitjet e shurdhëta
S’dëgjohen nga gjëma e dallgëve
Sipas një rregulli të pashkruar
Ne përherë
E arsyetojmë mungesën tonë
U përngjajmë të burgosurve
Kur është në pyetje pafajësia
MBASE TE VARRET E FSHATIT
Sërish jam fundosur
Në boshllëkun e mendjes
Lexoj një libër të vjetër
Ose libri po i lexon
Mendimet e mia të shthurura
Një harabel kërcen
Prej një dege të shëndosh
Në degën tjetër të sëmurë
Kjo vjeshtë
Herët paska mbetur pa gjethe
Te komshinjtë e mi muhaxhir
Mbrëmë qante qeni i moshuar
Në stelën e re
Mos vallë
Ëndërron arkivolin e shpërnguljes
Në kafenen e lagjes sot mungonte
Shitësi i gazetave
Mungonin edhe varrmihësit
Mbase te varret e fshatit
Sot do ta pinë kafenë e mëngjesit
Prishtinë,25 maj 2013
Makthi im i mirë
Cikli i tretë
AS PREJ LEJLEKËVE SHTEGTARË
Më gjasa këtu qenka pikënisja
Nëse mbërri hapin tim në ikje
Teposhtë shkallëve
Askush më nuk mundet të më zë
Nuk janë ikjet e mia prej njerëzve
As prej lejlekëve shtegtarë
Unë herë largohem
Dhe herë i afrohem vetvetes
Kur më thërret një zë nga lashtësia
Domosdo duhet të nisem
Në të kundërtën
Vendnumërimi nuk i bënë mirë natyrës sime
Kjo nisje askurrë nuk ka pas dizgjin
Sa herë që frynte era prej majave
Ne i përngjanim drurëve të përgjumur
Dhe somnambulëve që bredhin nëpër çati
SI NJË HIJE E TEJDUKSHME
Të gjithë më thonë
Se koha po kalon
Unë vërtetoj të kundërtën
Ajo po vjen me vrapin e fërfëllizës
Kalojmë nëpër vërrimat e saja
Ashtu të padukshëm
Në një formë të lëngtë
Nga tejdukshmëria i përngjajmë
Zbehjes së frikës
Sa herë që deshëm ta zëmë
Ajo veç me shekuj
Ishte para nesh
Ose shndërrohej në flluska pastelesh
Dhe ec e zëre kohën
Në brendinë e erës
Koha ah sa shumë i përngjan
Shtegtarëve
Herë jeton në ne
E herë te miqtë tanë
Andaj të gjithë njerëzit
Njësoj mendojnë
Se koha po kalon para nesh
Si një hije e tejdukshme
AKOMA EDHE SOT SHPRESOJNË
Kjo udhë e gjatë
Mbase nuk paska të sosur
Vetëm shtegtarët ia njohin huqet
Dhe një lejlek i vetmuar
Sa herë që kthehet në atdhe
Ndalet te krojet të pi ujë
Në shenjë respekti
Përherë lë nga një pendël
I njeh edhe gjoku jelegjatë
Dizgjinët e tij
Ende e rruajnë gjëmën e një ikjeje
Në pluhurin e një mallkimi
Nëpër sinorët e kësaj rruge
Me qindra duna varresh
Të muhaxhirëve
Akoma edhe sot shpresojnë
Se do prehen njëherë e përgjithmonë
Në prehrin e mëmës së sfilitur
I SHIKONTE LISAT E GJATË
Bariu rrinte ulur mbi një gur
Dhe qante me fyellin prej druri
Qante e s’i ndaleshin lotët
Edhe fyelli i përngjante njeriut
Nëpër lagështinë e vërrimave
I shikonte lisat e gjatë
Dhe sërish lotët s’ndaleshin
Kurse ky duet i trishtueshëm
Akoma sot dëgjohet
O njeri i nderuar
Nëse edhe njëherë kalon
Pranë varrit të Naimit
Po që se s’di të këndosh
Përmendi me nostalgji
“Lisat e gjatë të Shqipërisë”
NËSE NUK VJEN SONTE
Nëse nuk më vjen sonte
Ç’më duhen ëndrrat
Miqtë e mi fare mirë e dinë
Se asnjëherë
Nuk më kanë pëlqyer shqetësimet
E gjumit
Kupto e dashur
Unë nuk jam njeriu i ëndrrave
Po s’i preka flokët e tua të verdha
Ç’më duhen ëndrrat e zbrazëta
Eja nata është e gjatë sonte
Të pres kur zbresin yjet
Në këmishën tënde të gjumit
Nëse nuk vjen
Mund t’i mbysësh pëllumbat
Prej argjile
Ti e di se unë nuk u besoj ëndrrave
Erdhe ose s’erdhe
Mua sërish do më gjesh këtu
Te ky fanar i vetmuar peshkatarësh
Duke të pritur ty
E dashura grua
Poqë se nuk më vjen sonte
Më beso
Edhe nëse kalojnë njëmijë net si kjo
Unë sërish do të të pres
Te fanari i vetmuar i peshkatarëve
M’I MORRI TË GJITHA ËNDRRAT
Unë nuk kisha ëndrra
Ndoshta isha i zbrazët
Por malli për ty
Nuk më linte të fle
Erdhi si fryma e mirë
M’i morri të gjitha ëndrrat
Dhe më tha troç dashuro
Ofrohu preke lulen posa të çelur
Për ty i ka hapur petalet
Asnjë gonxhe sonte
Nuk i pëlqen ëndrrat
Afrohu dhe përjeto
Zbritjen e yjeve
Dëgjoje serenatën e gjetheve
Dhe gërnetën
Kah vajtojnë me zë
Fatin e një valsi të harruar
Nata ishte e qet kur u pamë
Mbi flokët e tua
Vallëzonin zogjtë e bardhë
Afrohu preki sonte yjet
KËTË KURORË TRISHTIMI
Kur kaloj i vetmuar nëpër qytet
Me duket vetja si sovran
Unë dhe vetmia ime
Harrojmë se jemi të barabartë
Në ndarjen e nostalgjisë
Nganjëherë edhe bashkohemi
Me të vetmuarit e tjerë
Në shpirtrat e tyre
E gjejmë një botë
Krejtësisht tjetër
Një botë
Të përbotshme në ecje e sipër
Ndodh që bisedojmë me kukullat
E vitrinave me xhama të pista
Dhe nëpër pasqyrat e qytetit
I krehim flokët e palara
Ose këpucëve ua lidhim lidhëset
Të mos na ikin nga këmbët
Poqë se na premton koha
Blejmë nga në palë pantallona
Të importuara nga gjermania
Mbase me siguri
Janë të ndonjë psikopati të vdekur
Kur lodhemi nga vetvetja
Dhe vetmia e jonë
Ulemi në fronin e së kaluarës
Dhe vazhdojmë me mbretërinë tonë
Ose abdikojmë
Por gjithsesi fronin ua lëmë atyre
Që denjësisht mund ta meritojnë
Këtë kurorë trishtimi
DRURËVE TË NGULUR
Rrugët disi
Paskan një tjetër formë
Këto ndryshime atmosferike
Fshihen pas qeskave të najlonit
Një grua e moshuar ecën me vështirësi
Nuk e mbajnë këmbët
As mbamendja
S’i përfillë rregullat e morfologjisë
Ajo kalon e hutuar
Prej një poeme në tjetrën
Pa i respektuar gabimet ortografike
Këndon një këngë të vjetër
Mbase shumë më e vjetër
Se mosha e saj
Pranë vitrinave vargan kolonash
Prej lypsarëve
Duart e shtrira u përngjajnë
Drurëve të ngulur
Në shpirtin e tokës së djerrë
JO MIKU IM JO
Jo miku im jo
Ti s’mund t’i vrasësh fjalët
Ato janë të zbrazëta
Si premtimet e kota
Shpirtërisht vuajnë
Nga një anemi e pashëruar
Në fytyrat e tyre
Nuk ka asnjë pikë gjaku
E si mund të vritet diçka
Që nuk ka gjak
Jo miku im jo
Ti s’mund t’i vrasësh fjalët
NËSE TË ZËNË NË BEFASI
Kur kalon nëpër pyllin e shpirtit tënd
Mos i prek ëndrrat
Sepse ato vet lëvizin si lisat
Dhe i përngjajnë deteve pa fund
Nëse të zënë në befasi
Zgjati duart e tua të gjata
Dhe shkundi frytet e së kaluarës
Pa ua prish gjumin peshqve
Kyçi dritat e fanarëve
Mos përto të lutem
Kur çmenden dallgët në mbrëmje
Ti sërish zgjati duart
Shkundi degët e anijeve
Të përmbytura
Nga lotët e trishtimeve
T’I PËRNGJAJ FENIKSIT
Sa herë që këtu në mërgim
I dëgjoj
Tingujt e një muzike pagane
Lus hyjin
Të më shndërrojë në lejlek
Ose pas vdekjes sime
T’i përngjaj feniksit
S’dua të më varrosin me bandë
Në këto lulishte
Më pëlqejnë manaferrat e fshatit tim
Dhe krenaria e lisave
Që ecja e tyre
U përngjan ecjeve të perëndive
Më kuptoni
Nuk më pëlqen luksi
Dhe mbishkrimet në mermer
As epitafet te disa koka të krisura
“këtu pushon poeti
Dhe këtu mbreti”
Nuk më pëlqejnë
Këso lloj epitetesh pas vdekjes
MBRËMË KUPTOVA
Në lëkurën time të kripur
Do e vizatoj tatuazhin
E një alge të murrme
Ose nga sytë e meduzës të krijoj
Pavdekshmërinë
E varkës së përmbytur
Mbrëmë kuptova
Se edhe peshkaqenët lehin
Kur prishet moti
Dhe se peshqve fluturues
Dikush ua ka prerë krahët
Nuk mund të kuptoj
Se pas këtyre ndryshimeve
Çfarë do bëhet
Me ëndrrën e detit
Dhe rrjetin
E merimangës së peshkatarëve
KU DO TË MË MBESIN ESHTRAT
(Meditim i një ushtari të panjohur)
Si një detar i regjur
I ankorove
të gjitha mundësit njerëzore
Dëshirat
Guximin dhe shpresat
Vetëm për çlirimin e atdheut tënd
E lëshove spirancën
Thellë e lëshove
Në rrënjët e pavdekshme të tokës
Që mos ta shkuli
Asnjë tufan
Nëse ngjan e kundërta
Ti do bëheshe sërish dallgë
Për t’i mbrojtur lisat dhe eshtrat
Pa mëmën tokë
Je dhe jemi si zogjtë e shenjtë pa krih
Kurse me të
Mund të fluturoj mbi të dy bota
Në atë të nëndheshme
Dhe në botën e mbidheshme
Prishtinë, 26 maj 2013
JAM DISI MË ESËLL
Pranë gjerave të pavlera
Shoh se si zvarritet emri im pa mbiemër
Një lloj hardhuce pa gjuhë
I korrigjon gabimet e mia ortografike
Mbi tavolinën e punës thinisht zgërdhihen
Lugët dhe pjatat e palara
Një shishe gjysmë e zbrazur vere
Kundërmon uthull të prishur
Në qoshe të dhomës
E paskam lënë çorapin e këmbës së djathtë
Të majtën e veshi vetëm një herë në vjet
Kur vijnë festat e vezëve të kuqe
Pasi ikjes së zogjve nga mendja
Jam disi më esëll
Për tu larguar problemeve ditore
Ulem te pragu i shtëpisë
Dhe e rrufis përditshmërinë monotone
NUK MBETI ASNJË KOJRRILE
I mora disa fjalë prej një përralle
Dhe ia dhurova erës
Era qante si një kërthi
Kurse të trokiturat nëpër dyer
Nuk ndalen asnjëherë
Nga trupi i ngurtë i një gjethi
Binte një shi i bezdisshëm
Zogjtë filluan me ikjet e tyre të para
Te kambana
Nuk mbeti asnjë kojrrile
Nuk ndalej as era
Nga shpirti i saj prej njeriu
Dolën pulëbardhat e fundit
Dhe ikën tejpërtejmes
Kur qante dreri i vjetër
Me ngashërim qante
Edhe dënesja e shiut
Si një foshnje e lënë në faltore
Qante
Trishtueshëm qante dita
MBI QIELLIN E VRARË
Fushave po ecin kallinjtë
Ato prej gjaku
Dhe metali vezullues
Po ecin drejtë
Deri te një fund
Që asnjëherë nuk mbaron
Kanë dalë edhe njerëzit
Po i imitojnë rrënjët
Ecin duke u kalamendur
Përballë një qëllimi të paqëllimtë
Si statuja bronzi qeshin
E herë
Mërrolen arkivolet
Mbi qiellin e vrarë
Fluturojnë lejlekët prej argjile
Nuk paska mbetur asnjë pëllumb
Për letrat e shkruara
Me lot
Nga marinarët e gurtë
MALLI
Poqë se dashuria matet me mall
Ajo do i përngjanë atdheut
Sytë e mi të bronztë
Nuk qajnë më
Por për çdo ditë nga pak kullojnë
Një lloj gjaku prej trishtimi
MBRËMË ISHIM LARG
Mbrëmë ishim larg
Shumë larg njëri tjetrit
Ti i përngjaje një ylli në vezullim
Kurse unë shkundjes
Së një meteorit të moshuar
Ishim aq shumë larg
Sa që mundëm ta prekim
Largësinë e pamat
Me majat e gishtave tona
Mbrëmë ishim larg
Aq larg
Sa që e dëgjonim në dhomë
Frymëmarrjen e njëri tjetrit
Mbrëmë ishim larg
Shumë larg
Përtej prekjeve të largësisë
MAKTHI IM I MIRË
Njëmijë vjet trokita
Në gjumin tënd
Dhe asnjëherë nuk i hape portat
Makthi im i mirë
Makthi im i ëmbël
Prishtinë, 27 maj 2013
Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi si mësues nëpër fshatrat Studençan të Therandës (ish Suharekës) dhe Hoça e qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botoi në revistën “Pionieri”, më 1957. Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe pendës themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në Kuadër të punës së këtij grupi letrar qe botuar përmbledhja “Ngjyra e kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një serë shkrimesh nëpër gazetat e kohës që dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, prezent në disa antologji dhe në librin Kosova letrare të poeteshës Monica Mureshan. Është prezantuar në Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-1990, nga Hasan Hasani, në Leksikonin Shkrimtarët Shqiptarë për fëmijë 1872 - 1995 nga Odhise K. Grillo, si dhe në librin Portrete Shkrimtarësh nga Demir Behluli, Prishtinë, 2002Në maj të vitit 2013 Klubi i Artistëve dhe i shkrimtarëve të Durrësit ia ndau çmimin e karrierës për kontributin e dhënë në letrat shqipe. Jeton dhe krijon në Prishtinë ndërsa aktivitetin letrar e zhvillon në kuadrin e Klubit letrar “Fahri Fazliu”, në Kastriot.
BOTIME TË AUTORIT
1. “Puthje”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1974.
2. “Ecjet e viteve të mëdha”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë 1995.
3. “Çamarrokët e Thepores”, poezi për fëmijë, “Shkëndija”,Prishtinë 1996.
4. “Muret”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë, 1997.
5. “Morfologjia e dhembjes”, poezi, “Faik Konica”, Prishtinë,2000
6. “Ai vjen nesër”, poezi, Qendra e Kulturës, Klubi letrar“Fahri Fazliu”, Kastriot, 2oo7
7.
“Letër nga mërgimi”, poezi, Klubi letrar “Fahri Fazliu”Kastriot , 2007
8. “Letër nga mërgimi 2 “ poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi
letrar , “Fahri Fazliu”, Kastriot 2007
9. “Udhëndarja”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar ,“Fahri Fazliu”, Kastriot , 2008
1o. “Thirrje e gjakut”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Klubi letrar, “Fahri Fazliu”Kastriot 2008
11. “Asgjë sikur molla”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi
letrar “Fahri Fazliu”, Kastriot, 2009.
12. “Vesa në lotin tim”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri Fazliu”, 2009,
13. “Puthja e gozhduar”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi
letrar, “Fahri Fazliu”, Kastriot , 2oo9.
14. “Kashelasha në vargje”, poezi për fëmijë,” Qendra e kulturës, Kastriot, 2oo9.
15. “Pema e bekuar”, E përkthyer, Rumani, 2o1o.
16. “Bajraktarët e vatanit”, poezi satirike, Klubi letrar, ”Fahri Fazliu” Kastriot , 2010.
17. “Hijet e ndryshkura”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.
18.”Stuhi në Kutulishte”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.
19. “Posa ikte nata”, poezi, “Qendra e kulturës “, Kastriot,2010.
2o. “Loja e myshqeve”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.
21. ”Lumëbardhi dhe gjëma”, poezi,”Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o
22. “Metafora e heshtjes”, poezi, “Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o
23. ”Hyji në Prekaz”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Kastriot,2010.
24. ”Sinorët e hinores”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot 2010
25. ”Don Kishoti dhe Rosinanti”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot, 2010
26.”Zjarri i dashurisë”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2010
27. ”Kur likenet vallëzojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010
28. “Ditari në vargje”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 201O
29. “Tingujt që nuk përfundojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o1o.
3o. “Shtegu i mallit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010
31. ”Korniza e thyer”’,Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, -Kastriot, 2010
32. “Zgjimi i gjëmës”,Poezi, Shoqata e Shkrimtareve-Kastriot, 2010
33. “Vallja mistike”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2010
34. ”Merre kodin”, Poezi për fëmijë, Shoqata e shkrimtarëve Kastriot,2011
35. “ Letër atdheut” poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2011
36. “ Tejdukshmëria e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11
37. “ Përtej teje”,poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2011
38. “Sa afër e sa larg” , poezi, Shoqata e shkrimtarëve-
Kastriot, 2011
39. “Vallja e zanoreve”, Poezi , Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11
40. “Ikja e eshtrave”, Poezi për të rritur, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11
41.”Kalorësit e mjegullave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2012
42. “Hingëllimat e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot 2012
43. “Kur pemët i ndërrojnë këmishët”. Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12
44. “Mirëmëngjes Imzot”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve – Kastriot, 2o12
45. “Kafshimi i mikut”, Poezi satirike, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012
46. “Atje tej maleve”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve , Kastriot-2012
47. “Heshtja që del në shesh,” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot -2o12
48. “Portat e shpresës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot-2012
49. “Në dhomën time gjysmë të errët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12
5o. “Kinse Lojë Shahu”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12
51. “ Për çdo dekadë nga një baladë “, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12
52. “Fusha e mëllenjave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2o12
53. “E kujt është kjo vetmi”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12
54. “Mos pyet për adresën e lumit”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2012
55. “ Stoli në parkun vjetër” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012
56. “Urori i stralltë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12
57. “Po të mos ishte fjala”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot,2o12
58. “Thyerja e urave”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12
59. “ Trokëllimat në gjumin e dallgëve”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12
60. “ Në flokët e dëborës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012
61. “Një grusht nostalgji”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2o12
62. “ Kur filluan të flasin njerëzit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2012
63. “Kur stinët kapërcejnë fshehurazi”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot,2012
64. “ Lisi në rrënjët e veta” , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot 2o12
65. “Eca ecëm dhe do ecim”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12
66. “Fëmijët e erës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot 2012
67. “ Çast në fund të stinës”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot-2012
68. “Si të flas me drurët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012
69, “ Më pëlqejnë mendimet e tua”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012
70. ”Andej dhe këndej kohës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012
71. “Zëri i heshtjes”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12
72. “Kush i lexoi letrat prej erës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012
73. “ Fluturimi i korbave në netët pa hënë”, prozë poetike, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012
74. “Koha e ime dhe koha e jote”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot , 2012
75.” Diku te një baladë”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012
76. “ Sonte çdo gjë po i përngjan lotëve”,Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012
77 “ Ky def prej hëne”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012
78.“Pyesni zogjtë në ikje ”,Poezi , Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”- Kastriot 2013
79 “ Fërfërimë gjethesh”, Poezi, Shtëpia 80. “Refrene yjesh”, Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013
81. “Te delta e mjellmave”, Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”, Kastriot- 2013
82.“Rinjohja”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013
83.“Diku në fund të një fillimi”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013
84.“Makthi i hijes”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-“ Fahri Fazliu”Kastriot, 2013
85.“Një zog prej uji”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”- Kastriot,2013
86.”Asnjë fjalë nuk frymon”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2014-
PËRMBAJTJA
Në çdo kafshim molle - Cikli i parë ............. 11
Të kujt janë këto lot ........................................ 13
Ku ishin duart e tua ........................................ 14
Ishte një kohë e egër ....................................... 15
Melodinë e një kënge ..................................... 17
Nga parzma e tokës mëmë .............................. 18
Një kalorës i zi ................................................ 19
Te një mol i vetmuar ...................................... 20
Si gjethet e fishkura ........................................ 21
Deri sa ti ......................................................... 22
I shkund trishtimet e beharit ........................... 23
Nëse ngjan e kundërta .................................... 24
Kjo copë prej mjegulle ................................... 25
Degët e manës së zezë .................................... 26
Zogjtë e fundit të shpresës .............................. 28
2. ..................................................................... 29
Kam etje ......................................................... 30
Në mendjen e ndryshkur ................................. 31
Me t’i numërua mëkatet ................................. 32
Te kepi i trishtimit .......................................... 33
Se si t’i përngjajmë penelit ............................. 34
Në çdo kafshim molle ..................................... 35
Fotografia ....................................................... 36
Asnjë fjalë nuk frymon - Cikli i dytë ......... 37
Kush i kyçi dritat ............................................ 39
Askush nuk më njeh ....................................... 40
Ecin edhe këmishët ......................................... 41
Qyteti i lidhjes ................................................ 42
Një njeri .......................................................... 43
Kjo kohë ......................................................... 44
Lakmia ............................................................ 45
Tatuazhin e një kryqi ...................................... 46
Kurse këtu brenda ........................................... 47
Mbi qivurin e një stine .................................... 48
Asnjë fjalë nuk frymon ................................... 49
Na degdisi si zogjtë e verbër .......................... 50
Ndoshta për herë të parë ................................. 51
Kur flenë zogjtë e fjalëve ............................... 52
Vazot prej mjegullave .................................... 53
Nëpër udhët e rapsodive ................................. 54
Si fëmijët me kuaj prej bastuni ....................... 55
Mbyllen qepenat e dyqaneve .......................... 56
Një natë si kjo ................................................. 57
Unë di fare mirë .............................................. 58
Natën vijnë lejlekët ......................................... 59
Nëpër xhamat e gjumit ................................... 60
Nga durimi i lisave ......................................... 62
Dromcat e së kaluarës ..................................... 63
Gërhitja e një ore muri .................................... 64
Kur të mbërrimë te një pemë .......................... 65
Mes hapave të erës ......................................... 66
Mbase te varret e fshatit ................................. 67
Makthi im i mirë - Cikli i tretë ................... 69
As prej lejlekëve shtegtarë ............................. 71
Si një hije e tejdukshme .................................. 72
Akoma edhe sot shpresojnë ............................ 73
I shikonte lisat e gjatë ..................................... 74
Nëse nuk vjen sonte ........................................ 75
M’i mori të gjitha ëndrrat ............................... 77
Këtë kurorë trishtimi ...................................... 78
Drurëve të ngulur ............................................ 80
Jo miku im jo .................................................. 81
Nëse të zë nata në befasi ................................. 82
T’i përngjaj feniksit ........................................ 83
Mbrëmë kuptova ............................................. 84
Ku do të më mbesin eshtrat ............................ 85
Jam disi më esëll ............................................. 86
Nuk mbeti asnjë kojrrile ................................. 87
Mbi qiellin e vrarë .......................................... 88
Malli ............................................................... 89
Mbrëmë ishim larg ......................................... 90
Makthi im i mirë ............................................. 91
Biografia ..........................................................92
Botimin e këtij libri e financon
DREJTORIA PËR KULTURË, RINI DHE SPORT I
KUVENDIT KOMUNAL-OBILIQ
Katalogimi në botim – (CIP)
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës
821.18-1
Zaplluzha, Adem Asnjë fjalë nuk frymon / Adem Zaplluzha. - Kastriot : Shtëpia botuese “ Fahri Fazliu” , 2014. - 101 f. ; 21 cm.
Adem Zaplluzha : f. 92-98
ISBN 978-9951-664-04-2
|