Kulturë
Zog Hysenaj: Kryekënaqësia ime
E premte, 04.04.2014, 07:33 PM
Zog Hysenaj
Kryekënaqësia ime
Në brengat e mia të vjetra, fshehur kujtimi
Si besim i fëmijërisë më rikthehet rinia,
Humbur në kullën e vjetër shenjtorë gëzimi
Origjina e përhershme e poezive të mia.
S’i numëroj dot mënyrat se si e dua
E sa mall kam për të, jo, kurrsesi,
Ti, gjëmë e vjetër e kullës prej atyhi më thua
E unë, i them me dhimbje: atje s’mund të vi.
Nuk ia di dimensionet mallit që kam për ty
Gjatësinë ia di, por jo gjërësi e thellësi
Në gjoks më shtrëngon e shpesh herë më ngroh
Thellë rrënjët e mallit, deri në ka të zi.
Eh, erdha mbrëmë...
Mbrëmë erdha e ndejta tërë natën e gjatë
Këmbëkryq në odën e burrave të vaktit
Kryedarkën e hëngra vetëm bukën thatë
Të tëra kujtimet i shpalosa në hirin e oxhakut.
Dhe ika po mbrëmë me mall të shuar
Në shpirtin tim, i lirë dhe i bindur
Mirënjohje për jetë më duhet kushtuar
Faleminderit kullë, që mua më ke lindur.
E dashur është gjithmonë urëza e shtëpisë
Rrënjët e mallit në ujërat e syve të mi
E largët flaka e zdritshme e madhështisë,
Kryekënaqësia ime, kjo libër për ty.
Geg-hysenit të djelmnisë
S’kam sesi e s’kam se qyshë
Të mos shkruaj vjersha për ty
Geg-hysenit të djelmnisë
Ku mas pari pashë me sy.
Geg-hysenit do t’i shkruaj
Gjithmonë libra me poezi
Çdo kujtim n’zemër e ruaj
Geg-hysen vëndi i fëminisë.
Herët zgjohem me ty n’mënd
S’mund ta lë unë kurrë at vend
Pa u kthye sa t’shoh fmininë
Ku aty mua më dhëmb.