E premte, 26.04.2024, 06:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Vrasjet me shpirtmadhësi

E premte, 04.04.2014, 07:05 PM


Kristaq Turtulli

Fragment nga romani: "TULIPANI I KORESE"?

Vrasjet me shpirtmadhësi në fushën e luftës janë fakte të rëndomta te jetës.

Më thoni ju lutem sa lloj vrasjesh bëhen me shpirtligësi në kohë paqe?

May Lee vështroi të dy njerëzit e dashur, motrën e vogël tetë vjeçe Kim Lee Hun, e cila puliste qerpikët e bukur. Ajo jepte gjithçka për ta bërë të lumtur vogëlushen e dashur dhe gjyshen plakë, nënën e babait Lee Young Su. Shëndeti dhe lënia e dritës së syve të plakës filloi të binte që kur mori lajmin e mynxyrshëm të vrasjes së nipit Park Lee Nem në luftën e përgjakshme midis veriut dhe jugut. Në atë luftë të çmendur humbën jetën dy milionë njerëz të pafajshëm. Gjyshja Lee e kishte rritur nipin Park dhe ishte lidhur shumë me të. Ai qe djalë i pashëm, energjik, i zgjuar, ndër studentët më të mirë të universitetit. Befas një mëngjes vjeshte të dytë e veshën me rrobën e murme të ushtarit, i ngjeshën në sup një automatik dhe e dërguan në linjën e kufirit të një shteti të ndarë dhunshëm në dy pjesë. Mish për top në kasaphanën vëllavrasëse.

Binte shi i pjerrët. Rrebeshi u fshikullonte fytyrat dhe i qullte ushtarët e rinj të porsa grumbulluar. Ata nuk dinin ku të mbroheshin,  qëndronin të strukur në llogore dhe prisnin të tensionuar, dhëmbështrënguar urdhrin e sulmit. Në linjën tjetër fshatarët punonin të qetë, në orizore. Ata nuk e dinin se disa qindra metra larg, qëndronin të fshehur ushtare të një gjaku dhe gjuhe për ti vrarë. Në prag të mëngjesit u dha urdhri për sulm. Ushtarët ishin të mpirë dhe të qullur deri në palcë, por të mbushur me urrejtje për vëllezërit kundërshtarë. Lanë pas llogoret e përbaltura dhe u turrën të ndërkryer drejt bashkatdhetarëve të jugut të cilët po përkundeshin në krahët e gjumit të pafajshëm. Shpërthyen bombat, granatat, topat, batare armësh, klithma të trembura, dhe më pas gjaku i freskët spërkati tokën nga të dy anët.

Përgjakja vazhdoi, muaj mbas muaji dhe viti mbas viti, në vend të letrave vinin poçe të vogla të mbyllura me hi. Djalëria, bukuria, freskia,mençuria tjetërsohej në një grusht dhe. Nënat nga të dy anët  e kufirit gërmuqeshin dhe qanin në heshtje.

Poçja me dhe e Park Lee Nem erdhi në muajin e katërt të luftës civile dhe gjyshes Lee Young Su-së i ra të fikët ne prag të derës, komshinjtë e ngritën dhe e futën brenda në shtëpi. Ajo donte shpjegime të mëtejshme mbi rënien e djalit në luftë. A vuajti përgjatë goditjes së plumbit dhe rrjedhjes së gjakut? Pushtetarët e pritën me buzëqeshje standardë, e vështruan nga koka deri në këmbë, u ngritën me përtesë, u drejtuan nga raftet në mur, shfletuan dosjet e mëdha të luftëtarëve të rënë në luftë dhe më në fund gjetën atë që kërkohej dhe i thanë:

-Shoqe, luftëtarin Park Lee Nem nuk e mori plumbi por e preu predha e topit mes për mes. Hollësitë e tjera nuk kanë vlerë. Kur të vijë koha do shkruhen kujtimet për luftën, do bëhen kronika, vepra, novela romane, për të lartësuar luftën e drejtë dhe veçoritë e shquara të njeriut të ri.

Disa vite më vonë plaka mësoi rastësisht, nga momentet e fundit të jetës së Park Lee Nem. Këtë i a tregoi miku i saj i vjetër Cha Jang Hyok:

-Park Lee Nem ishte ushtar i mrekullueshëm, shumë i ri, por brilant. Fusha e betejës ishte e gjitha tym dhe flakë. Nga të dy anët e lumit Imjin zbrazeshin batare të pandërprera. Ne po bëheshim gati të kalonim lumin, i afronim varkat dhe i ngarkonim me ushtarë të porsaardhur. Ata nuk dinin çfarë ishte lufta, ju ziente gjaku dhe nuk u kushtonin rëndësi predhave dhe plumbave që binin si breshër nga të gjitha anët. Gjendeshim vazhdimisht nën zjarrin e dendur, befas u dha urdhri të tërhiqeshim. Në mëngjesin e ditës tjetër shkuam përsëri në breg të lumit për të marrë varkat dhe kapur bregun. Më kujtohet shumë mirë ishte ora shtatë e mëngjesit, kur ne u gjendëm përsëri nën një llavë zjarri të tmerrshëm. Oficeri ynë erdhi pranë nesh dhe dha urdhër të mbërthejmë bajonetat. Pamë njeri tjetrin në sy, ne nuk ishim në luftën e parë botërore, as në luftën e dytë. Ne ishim në luftën civile të vitit 1950.

-Shoku komandant,-i thashë:-Kë të qëllojmë me bajonetë kur armiku është matanë lumit?

Oficeri erdhi pranë meje dhe më bërtiti përpara fytyrës:

-Ushtar! Në ushtri urdhri zbatohet, nuk diskutohet, ndryshe do hash ndonjë plumb pas kokës, Kuptove?!

-Kuptova!

-Hajt gremisu, shko në radhë.

Binte shi dhe ne ishim qullur deri në palcë. Unë kisha një automatik sovjetik, kallashnikov, të gjithë ushtarët mbërthyen bajonetat. Ne asnjëherë nuk i kishim përdorur bajonetat për luftë, me to hapnim vetëm kutitë e mëdha me fasule. U dha shenja për sulm. Plumbat dhe granatat po turreshin drejt nesh pa ndërprerje. Shoku në krah binte përdhe i mbytur në gjak, shumë prej tyre u çahej barku, u priteshin krahët, këmbët, ulërimat dridhnin ajrin, ndërsa ne vraponim përpara me bajoneta fiksuar, të verbuar prej instinktit.

Park Lee Num ishte pranë meje, shtrëngonte armën fort dhe vraponte përpara. Ai djalë u shpëtoi jetën disa shokëve, i mbarte në krahë dhe i nxirrte jashtë rrezes së predhës. Djali i mirë Park Lee Num më bërtiti mua të rruhesha kur befas disa copëra predhash radhazi u turrën drejt tij dhe i prenë duart dhe këmbët. Ai ra përdhe si një copë trung i shkulur prej tokës dhe flakur tutje. Sytë e tij kërkonin ndihmë, oficeri ynë, nuk mund t’ju them emrin. Ju lutem shumë mos ma kërkoni. Oficeri vrapoi duke bërtitur, i përlyer në gjak dhe sy çakërritur. Ai u afrua pranë  trupit trung Park Lee Num, i afroi koburen 9mm në tëmth, shkeli këmbëzën dhe e qëlloi dy herë. Ai e vrau djalin për të mos e lënë të vuante, pas disa orësh do të vdiste, nuk kishte asnjë shpresë shpëtimi. Spitali fushor ishte larg dhe të plagosurit nga fusha e betejës vinin me shumicë. Vrasjet me shpirtmadhësi në fushën e luftës janë fakte të rëndomta të jetës. Më thoni ju lutem sa lloj vrasjesh me shpirtligësi bëhen në kohë paqe?

Shuplakën tjetër të fortë gjyshja Lee e mori prej vajzës së vogël Tung Park Sung. Ajo ishte vajza më e bukur e lagjes, regjisori i filmit që po xhirohej në qytet: ‘Orizoret e gjera’ e pëlqeu vajzën dhe i afroi të luante rolin e motrës së ushtarit të plagosur në luftën midis veriut dhe jugut, e cila e fryrë prej urrejtjes rrëmbeu automatikun dhe vrau qindra armiq. Vajza Tung ishte e lumtur, do bëhej aktore e famshme. Aty njohu operatorin e filmit, djaloshin elegant me sy të lëvizshëm dhe plot fantazi Toshiba, i cili vinte nga një familje me origjinë japoneze. Ata u dashuruan dhe bënë martesë gjatë xhirimit të filmit.

Filmi u dha dhe pati sukses në të gjithë vendin, në festivalin e filmit u përzgjodh nga juria për të marrë flamurin e festivalit.  Vajza Tung ishte propozuar për kupën e festivalit për rol të dytë, megjithëse ishte amatore ajo bëri një prezantim të shkëlqyer. Të gjithë ishin të përgatitur për ta festuan fitoren e merituar. Ata prisnin të ngazëlluar, por për habinë e të gjithëve emri i filmit ishte hequr prej listës së çmimeve. Ata nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte, ç’ishte ky injorim dhe përbuzje? Përfaqësuesi i pushtetit thirri regjisorin dhe drejtorin e filmit, i priti ftohtë dhe me ton të akullt u tha:

-Ju shokë, i kontrolloni biografitë e punonjësve përpara se ti merrni në punë?

Ata ngritën supet të habitur, nuk po kuptonin gjë. Përfaqësuesi i pushtetit vazhdoi me ton të egër:

-Keni marrë në punë njerëz që janë të pa dëshiruar si p sh japonezi operatori i filmit Toshiba. E dini ju se na ndajnë shumë gjëra me ta; si fjala vjen besimi, mendësia, tradita. Ata janë armiqtë tanë. Sigurisht ju nuk e dini.

-Shoku Toshiba është me prejardhje japoneze. Nëna e tij është koreane dhe ai është lindur dhe rritur në këtë tokë,- i foli regjisori me zë të ulët.

-Mjaft,- e ndërpreu me zë të ngjirur pushtetari:-Filmi nuk do shfaqet dhe operatori të pushohet nga puna. Nuk ngelëm ne të na bëjnë japonezët filmat për luftën tonë heroike. Ju nuk e dini kohët e fundit ka dalë një urdhëresë për familjet që kanë prejardhje japoneze, nuk mund të lëvizin, të kryejnë veprime të tjera pa marrë lejë nga autoritetet vendore? Ndërsa ju të tjerët keni vërejtje të rëndë për mos vigjilencë.

Për aktoren Tung dhe operatorin e pushuar nga puna me origjinë japoneze Toshiba filloi persekutimi i tmerrshëm. Shtëpinë jua morën, ata u detyruan të jetonin në shtëpinë e plakës Lee. Në vitin e dytë të martesës vajza e tyre e vetme u sëmur me pneumoni të rëndë dhe  vdiq. Tung dhe japonezi Toshiba u ndanë prej njeri tjetrit edhe pse duheshin fort, përgjoheshin në çdo çap. Japonezi iku larg ku kish më pak përgjime dhe spiunime. Tungun ndarja prej burrit dhe vdekja e vajzës i rrëzoi  shëndetin, mbas dy vjetësh u shtrua në spital për depresion.

May Lee ndjente dhembje për hallën e bukur Tung. Së bashku me gjyshen Lee shkuan disa herë dhe vizituan hallën në spitalin e të sëmurëve mendorë. Halla Tung ishte e tjetërsuar, bërë kufomë. Zbehtësia e saj ishte e lemerishme, bukuria, fytyra engjëllushe, sytë e ëmbël goja e vogël, buzët e plota të kuqe, të gjitha ishin shkulur prej saj dhe flakur përdhe bërë fekale në kanalin e ujërave të zeza që kalonte anës murit të spitalit dhe derdhej në përrua.

E mjera Tung çdo ditë lante dhe përkujdesej për një copë dru të kalbur të gjetur në qoshe të spitalit, kujtonte se ishte vogëlushja e saj. Kur infermierët hynin në dhomë për ti bërë mjekimet e nevojshme, i merrnin drurin e kalbur nga duart. E çmendura Tung kundërshtonte, klithte, godiste me duar dhe me këmbë, qante. Infermierët zbardhnin dhembët, argaliseshin. Ata e dinin mirë kundërshtimin e së çmendurës, por kjo gjë për ta ishte një farë argëtimi. Më në fund e lidhnin me litar dhe e flaknin në cep të dhomës si qen të dërmuar.

Shëndeti i gjyshes Lee rrokullisej poshtë dhe më poshtë. Dikur kish qenë grua e fortë, sepse ishte ajo që i mbushi mendjen të dyve të ndaheshin prej njëri tjetrit. Japonezi Toshiba e kuptoi, plaka kish të drejtë, ndarja qe e domosdoshme për të dy, fëmija kishte vdekur, pra shumë gjera nuk ishin si më parë. Iku pa kthyer kokën drejt jugut, drejt arratisë...

Gjyshja Lee dhe motra e vogël Kim qëndronin të ngurosura pranë saj. Ato ishin të zbehta, të frikësuara, prisnin që May Lee të fliste. Tu thoshte diçka, ti qetësonte dhe të kryente një veprim të shpejtë për të zgjidhur ankthin e ndehur në erë.

Plaka e kishte të mjegullt shikimin. Ajo shpesh herë shihte hije të rënda që kryqëzoheshin rrugëve dhe përplaseshin mureve. Por zërat dhe zhurmat i dallonte shkoqur, dëgjonte zhurmën e krimbit kur gërryente dërrasat e shtëpisë. Ngrinte kokën me nervozizëm dhe qëllonte me shkop muret, dyshemenë dhe tavanin, për të trembur krimbat dhe ndaluar gërryerjen e paduruar. Plaka qëndronte e ngrehur, mbante vesh rezultatin e goditjeve. Për dreq krimbat nuk ishin budallenj, ndërprisnin gërryerjen, qëndronin në pritje derisa të humbiste oshtima e goditjeve të shkopit. Kur e kuptonin se rreziku kishte kaluar, fillonin përsëri më me ngulm.

Sa të pështirë që janë krimbat. Ata janë të madhësive të ndryshme, pa kocka, zvarranikë të neveritshëm. Qeveritë dhe pleqëria janë njëlloj si krimbat që gërryejnë njeriun derisa e bëjnë pluhur.

Gjyshja Lee mbante kokën të mbështetur mbas murit dhe po grindej me krimbat, kur dëgjoi hapa dyshuese matanë rrugës. Në fillim i u dukën hapa të njohura, të njëjtën ritmikë dhe shkëputje e thembrave nga toka. Seç kishin ato hapa, sikur rrëshqisnin dhe jo ecnin, nuk ishin të besueshëm, mbasi ecnin, ndalonin, çapiteshin, qëndronin përsëri. Plaka shkau me kujdes prej dhomës dhe doli në korridor. Ajo e morri me shumë zell të bëhej roje e dashurisë së mbesës së bukur e që i ngjiste aq shumë vajzës së saj Tung. Mbesa e vogël Kim qëndronte mbledhur kruspull, flinte, mbuluar me një rrobe të vjetër në cep të korridorit.

Majat e këpucëve goditën lehtë derën e jashtme, trupi i mbuluar me fustan të pambuktë u fërkua mbas kanatës së derës. Përgjimi dhe vëzhgimi ishte ndehur si perde e zezë mbi shtëpinë e vjetër të plakës Lee. Vogëlushja Kim hapi sytë e trembur dhe bëri të fliste. Plaka menjëherë vuri gishtin e tregues dhe të shtrembër përpara buzëve të zhubravitura dhe i shkoi pranë, i vuri  mbi flokët e butë dorën e vet të rreshkur si lëkurë pishe të vjetër. Fëmija u mblodh e trembur, u ngjesh mbas gjyshes, përpëliti qepallat dhe nuk bëri zë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora