Kulturë
Avdi Ibrahimi?: Liria është e të gjithëve
E enjte, 27.03.2014, 08:02 PM
LIRIA ËSHTË E TË GJITHËVE
Fragment nga romani “Vrasje në tri kohë” i autorit Avdi Ibrahimi, botoi “ERA” Prishtinë 2005 viti.
Më 19 shtator, 1997
Rrezanë.
“(...). Mbrëmje, diku afër orës shtatë. Kishim dalë bashkë me shoqen në oborrin e shtëpisë. Bisedonim për gjëra të parëndësishme. Kot, sa për ta kaluar kohën. Poshtë rrugës, vinte një makinë “Golf”, më ngjyrë të kuqe. Hynë në rrugën e shtëpisë time. Ishte Burimi, me një fytyrë të gjerë dhe përherë të qeshur. Është shok dhe mik imi. Kishte ardhur nga Zvicra për pushim. Burimin e kisha përfshirë në Organizatën ilegale Komiteti Kombëtar Shqiptar për Bashkimin e Trojeve. Ai çdo detyrë që merrte, e kryente më ndershmëri dhe në fshehtësi të thellë. Më të ishte edhe “Preng Sherri”, kështu e quanim Profesorin. Ishte fjalëmbël, i sinqertë dhe mjaft i ditur. Pas pak doli nga makina Dardhani. Në shikim të parë, ai dukej i qetë, por ishte dinak dhe pak hileqar. Ishte përherë i vrenjtur dhe, paraqitej, sikur dinte çdo gjë nga jeta ilegale dhe, sikur merrte vesh gjithçka nga politika botërore?!
Pas pak, pasi u përshëndeta me shoqen, hymë në makinë. Rruga gjarpërore, por me natyrë të bukur, të shpinte në kryeqendrën e Dardanisë. Gjatë rrugës, në hyrje të qytezës së Lypianit, pashë një vashë të bukur. Kishte një qafë të gjatë, me flokët që ia kishte mbuluar vetëm pjesën e prapme, kurse kraharti i bardhë i shihej që larg. Kishte një ecje delikate, dhe më bëhej se puhia e erës luante me fustanin e saj. Kisha harruar fare se çfarë kisha qenë duke menduar pak më parë. Kjo vashë, ma kishte ndërprerë fillin e mendimeve.
Makinën e
ndaluam para derës së Bacë Preshevës. I ramë ziles. Derën e hapi Baca dhe na
përshëndeti me respekt. Na tha të urdhërojmë brenda. Përherë ndjeja kënaqësi
kur kisha rast të bisedoja më këtë atdhetar, i cili që në vitin 1954,
Duhej të shkonim në vizitë të Koli, i cili kohë më parë kishte dalë nga burgu jugosllav. Baca më gjithë dëshirë pranoi të na shoqëronte, sepse bashkë me djalin e Bacës ishin veprimtarë në Lëvizjen Çlirimtare. Në bisedë u përmenden shumë ngjarje, por veçmas protestat, që ishin paralajmëruar nga rinia studentore e Dardanisë për 1 tetor. Këto protesta do të prishin planet e pushtuesit për gjendjen as luftë, as paqe, si dhe pacifizmin tonë mjeran, kishte thënë njëherë Baca. Pas pak, bashkë me Kolin udhëtuam në Besianë. Shokët e porsadalë nga burgu nuk i takuam, ngase Baca nuk kishte qenë në shtëpi. Kur ktheheshim, në të dalë të Besianës, pasi na legjitimuan policia dhe UDB-ja serbe, tre civilë të armatosur na arrestuan, ose thënë më mirë na rrëmbyen. Ata donin të fusin frikë. Pesë orë me radhë përdorën metoda të ndryshme ndaj të gjithëve, por dhunë fizike përdorën vetëm ndaj meje. Dikur na liruan, sado që Fisnikun e mbajtën edhe për disa ditë. E drejta është në anën tonë, kurse thonë se liria është e të gjithëve, mendoja më vete gjatë rrugës.
Në
shtëpi, nuk fola për ngjarjen, edhe pse shiheshin shenjat e dhunës fizike. U
arsyetova se gjoja rrugës kishim aksident me makinë. Me kaq e mbylla bisedën.
Ashtu, i rraskapitur u shtriva në krevat. Në dhomë ishte qetësi. Nga shqetësimi
nuk më zinte gjumi. Mendja, një zot e di ku bridhte, nëpër të gjitha skutat e
botës, andej e këndej parajsës dhe ferrit, andej e këndej kufirit. Papritur më
ra ndërmend se ishte e premte. Ruana zot, thashë me vete, kjo ditë sipas
teologjisë, është ditë fatkeqe. Në librat e shenjtë shkruan se të premten
filloi e keqja njerëzore. Në këtë ditë Djalli, është flakur nga qielli dhe
është dërguar në Ferr.
Pastaj nuk e di çka ndodhi...Nuk e di, më dolën lule parasysh...Lule, që sjellin fat dhe dashuri në jetë... Lule, që sjellin edhe fatkeqësi, si lule anemona…Nuk e di, por më bëhej se ëndërroja duke këputur lule në kopshtin e Parajsës së Adamit. Ishte një lule e bardhë që nuk e mbronte askush. Nuk kishte as ferra, si trëndafili, nuk kishte as thonj shtrigash, as dhëmbë derrash, as brirë kau, që thoshin se e mbante tokën e rrumbullakët mbi ta… I mora erë trëndafilit të kuq. Kishte gjemba. Më buzëqeshi me një zgërdhije...Ah, më thumboi gjembi i tij… Nuk e di si, por pastaj këputa një lule të verdhë. Ishte ngrohtë, me një diell dhe më bëhej se më fliste një gjuhë që e kuptoja, por nuk e dija. Flas ilirisht, më tha. Trupi më digjej nga zjarrmia… Ndoshta e kam nga torturat e policisë, mendova me vete. Sa merresha me trupin tim, në dhomë kishin ardhur Afërdita, mbretëresha, me të shoqin, Ankizin, mbretin e Dardanëve, si dhe i biri i tyre, Enea. Këtë emër e kisha dëgjuar diku, apo vetëm më bëhej. Ah, po, më kujtohet, ishte heroi i luftës trojane dhe, më vonë, themelues i Romës. Dardanët e mi, këtë dhe Hektorin i kishin si zotat e tyre. Eneu, më dukej sikur mbante në dorë mbante ”Eneidën” e Virgjillit. Këtu flitet për fatin tim që nga rënia e Trojës e deri te fitorja mbi Turniun, më tha ai, sa duket ngase e kisha shikuar ngultas. Ai është vetë trimëria dhe sakrifica e plotë, që fatit ia ka përcaktuar për të kryer detyrën ndaj atdheut, më thoshte një zë, që nuk e dija nga cila anë e dhomës më vinte.
Për një çast më dukej sikur e la librin në krevatin tim...dhe, iku, shkoi. Kurse, Afërdita duke dalë pas tij më, la mërsinë, trëndafila, mollë, lulëkuqe... i kam mbledhur të gjitha nëpër ato trojet shqiptare, nga po ecni ju, trimat e mi, sikur ia dëgjoja zërin.
Nuk dija çka t’u thosha. Në të vërtetë, nuk e dija asnjë fjalë. Në dhomë nuk ishte as i shoqi, mbreti, Ankizi...Në një skaj të dhomës shikoj, shumë i çuditur, shikoi me sy të zgurdulluar, por zë nuk arrija të nxjerrja, shikoj lule nga degët e blirit...Nën ato lule, një Delfin...Më ndihmën tij mund të kalosh dete dhe oqeane, më thoshte një zë. Në një skaj tjetër të dhomës, rrihte flatrat e lehta një Dallëndyshe. Sa herë je në rrezik, më thoshte një zë, e ke për të shkuar në Shqipëri. Kurse, kjo Pëllumbeshë, më thoshte zëri, çudia e zotit, një zë që nuk ia dija gjuhën, por e kuptoja, kjo pëllumbeshë pra, të ndihmon të fluturosh drejt kaltërsive të qiellit. (...)”.
Një ankth i brendshëm gati ma zinte frymën. Duke u përpëlitur, i ka hapur sytë dhe, nuk e dija ku jam. Për një çast, e kam hetuar se më lagej fytyra. Ishin lotët e shoqes sime, e cila më rrinte mbi kokë. Pastaj ajo mori një napë të bardhë (eh, se ç’ më ngjante me ato napat e nuseve, për të cilat më fliste Afërdita, apo i biri Eneu, që ishin pak më parë këtu), e lagte me ujë të freskët dhe ma vinte mbi ballë, kurse buzët m’i ulte më një napë tjetër më të vogël. Trupi më digjej. Këtë e hetova edhe vet. I hapa sytë sërish dhe sërish shikova fytyrën e gruas dhe lotët që i rridhnin faqeve. -Tër natën ke folur jermi, -më thoshte ajo.
Pas një kohe në dhomë erdhi mjeku. Më kontrolloi dhe, duke më këshilluar, ju tha të tjerëve në familje se disa ditë duhej t’i kaloja i shtrirë, në qetësi të plotë dhe, çka ishte më kryesorja, t’i përdorja më saktësi barërat. -Të kanë sakatuar katilët, -dëgjova zërin e nënës. Nëna diçka mërmëriste për dushmanin…
M’u
kujtuan të burgosurit politikë! Zot i madh, krejt çka përjetojnë në ato burgje
të shkaut.
P.S. Fragmenti i romanit “Vrasje në tri kohë” është ngjarje e vërtetë ku emrat e persobazheve janë imagjinativ. Më 19 shtator 1997 ditë e premte është bërë arrestimi në Podujevë i Fazli Fazliut, Shemsi Veselit, Prof. Bajram Kurtit, Avdi Ibrahimit, Riza Vatës, Sali Mustafës, bexhet Gashit mergimtar nga Zvicrra.
Më 30 Shtator 1997 Fadil fazliu jep intervistë “Gazetes Shqiptare” mbi rastin e ngjarjës së 19 Shtatorit 1997 që ndodhi në Podujevë, ne askohe kishim shkuar për ta vizituar Sali Salihun pasi kishte dalur nga burgu jugosllavo-serb.