E premte, 26.04.2024, 04:41 PM (GMT+1)

Kulturë

"Yjet" e reja të kinemasë shqiptare

E enjte, 29.05.2008, 08:51 PM


Nga Blerina Goce
 
Pa frikë mund të quhen "yjet" e reja të kinemasë. Jetojnë jashtë Shqipërisë, por origjina e tyre është shqiptare, madje disa edhe kanë lindur në këtë vend. Janë aktoret e reja: Xhilda Lapardhaja, Laureta Meçi, Masiela Lusha apo më të konfirmuarat Eliza Dushku dhe Sandra Bullock, "shqiptaret" që përmenden dhe zënë një pjesë të rëndësishme në studimin e Abaz Hoxhës "Shqiptarët në kinematografinë botërore"...

Xhilda Lapardhaja,aktorja - balerinë e ekranit italian

"Nuk e kam fshehur asnjëherë që jam shqiptare. Në të gjitha prezantimet e mia tek regjisorët italianë kam përdorur të dhënat e mia personale. Nuk kam dashur të ndryshoj as mbiemrin, ashtu siç bëjnë shumë prej aktorëve të tjerë të huaj...".

Është tepër e njohur në botën e reklamës, skenës, filmit dhe televizionit italian. Xhilda Lapardhaja, vajza nga Berati, që ëndërronte të bëhej balerinë, është një prej aktoreve të reja që po përçon më së miri imazhin pozitiv të Shqipërisë në botë. Vajza që ka pozuar për "Valentino", "Omnitel", etj., e që është bërë e njohur edhe në Shqipëri përmes roleve si aktore në "Un medico in famiglia", "Non lasciamoci piu", "Giornalisti", "Un posta al sole", "La squadra 1", "Madre come te", etj., ëndërron në fakt të shkelë me një projekt artistik edhe në tokën shqiptare. E para "ftesë" i erdhi nga fotografi Roland Tasho për reklamën e birrës “Tirana”, ku Lapardhaja shfaqet përkrah balerinit Ilir Shaqiri. Porse ajo synon më shumë...

Baleti "i braktisur"

Është lindur në Berat në vitin 1982, në lagjen karakteristike të Mangalemit. E vogël, Xhilda Lapardhaja regjistrohet në shkollën e baletit në Tiranë. Përparimi i shpejtë në shkollën e baletit bëri që në vitin 1992, në moshën 10-vjeçare, të fitojë një bursë studimi për në Operën e Parisit. Por atje qëndroi vetëm disa muaj dhe zhvendoset në Itali për t'u bashkuar me familjen e saj, që tashmë kishte ardhur në Romë. La Parisin dhe u regjistrua në Akademinë Kombëtare të Baletit në Romë. Gjatë studimeve në Akademi punoi me pasion, iu përkushtua këtij profesioni me të cilin kishte lidhur të ardhmen. Por një aksident dhe një ndërhyrje kirurgjikale në gju, në moshën 17-vjeçare, i la në mes këto ëndrra. Mjekët e rekomanduan se nuk mund ta ushtronte më tej këtë profesion. Për gati një vit u ndje keq jashtë skenës së baletit. Por pamja dhe talenti i Lapardhasë tërhoqën vëmendjen e manjatëve të botës së reklamës dhe u angazhua menjëherë duke pozuar nën sharmin e veshjeve "Valentino". Imazhi i Xhildës u përzgjodh edhe si përfaqësues i mesazheve publicitare të "Poste Prioritare", të prodhimeve "Buitoni" në Francë, të spoteve kundër drogës, apo posterave gjigante publicitare të "Omnitel", kompanisë gjigante të telefonisë celulare në Itali.

Televizioni, filmi, teatri

Megjithatë, Xhilda synonte me çdo kusht të bëhej aktore. Një dritare për këtë i ishte hapur që në moshën 15-vjeçare. Regjisores italiane Franceska Arkibuxhi, i nevojitej një personazh i ri për njërin prej filmave të saj dhe po vizitonte shumë shkolla të mesme për këtë qëllim. Mes shumë konkurrenteve u përzgjodh edhe Xhilda Lapardhaja, edhe pse në "provën" finale regjisorja vendosi t'ia besonte rolin një tjetër vajze. Megjithatë, nuk do të kalonte pa u vënë re. Vetë regjisorja do t'i kërkonte numrin e telefonit dhe adresën me premtimin se do të rikthehej. Pak javë më pas, Xhilda do të debutonte në telefilmin "Un medico in famiglia", në rolin e Dolores. Njëri pas tjetrit de të vinin role të tjera në botën e telenovelave. Tani 26 vjeç, rolet ku ka interpretuar Lapardhaja janë të shumta. Që nga telenovelat e ndjekura edhe në stacionet shqiptare, si "Un Medico in Famiglia", "Non lasciamoci piu", "Giornalisti", "Un posta al sole", "La squadra 1", "Madre come te", në serialin televiziv "Orgaglio", në kinema me filmat "Prima del tramonto", "Il ritorno", apo "Casa Eden", e deri në teatër përkrah aktorit të madh Paolo Vilaxho.

Eliza Dushku

Të gjithë e kanë parasysh aktoren e njohur Eliza Dushku, jo vetëm për interpretimet e saj, por edhe për faktin se ajo ka vizituar së fundmi tokën shqiptare. Aktorja amerikane me origjinë shqiptare, është lindur në Watertoën, Boston, Massachusetts-SHBA më 30 dhjetor 1980. Me prejardhje shqiptare nga babai dhe nëna me origjinë daneze, prirjet e Dushkut për aktrim janë dalluar që kur ishte 10 vjeç. Studioi për piano, bateri dhe për stile të ndryshme të kërcimit: jazz, tap dhe balet. Eksperienca e mëparshme në interpretim përfshinte një numër prezantimesh në Teatrin e Fëmijëve në Watertoën, ku ajo ishte pjesë e ansamblit që në klasën e parë. Por edhe ka kënduar për fëmijët e shurdhër, gjë që e bën edhe tani herë pas here. Nxënëse e dalluar e një shkolle baleti, fiton çmim si një talent që kishte të dhëna për të qenë "yll" në skenë dhe ekran. Filmi ku u shfaq për herë të pare ishte "Ajo natë" (That Night, Alice Bloom, 1992), ku luante me partnere Juliette Lewis dhe C. Thomas Howell. Natën e marrjes së çmimit, vajza dymbëdhjetëvjeçare, nga gëzimi vallëzonte trotuareve të Bostonit dhe në sheshet para lokaleve të bregut të detit. Pas shfaqjes së këtij filmi, një gazetë e mirënjohur amerikane shkruante: "...Bukuroshe, intriguese, një artiste që mund të quhet e tillë me plot kuptimin e fjalës. Përveç se është një adoleshente premtuese e Hollivudit,kjo artiste me origjinë shqiptaro-daneze është edhe një balerinë e aftë, kryesisht në kërcimet tip-tap dhe jazz klasik, por edhe një këngëtare e muzikante, i bie edhe pianos dhe baterisë... Më 1993, mori një rol përkrah aktorëve të njohur Robert De Niro dhe Leonardo Di Caprio. Ishte ky rol që i hapi shumë dyer. Një vit më vonë interpretoi në "Fishing with George" dhe në moshën 14-vjeçare i ofrojnë një tjetër rol. Shfaqet përkrah Arnold Schwarzenegger në "True lies", bashkë me emra të tjerë të njohur të filmit, si: Jamie Lee Curtis, Tom Arnold, Bill Paxton, etj., dhe regjisorin e njohur Xhejms Kamerun fitues i 11 çmimeve “Oskar” për filmin "Titanic". Pas kësaj interpretoi rolin e Emmas në "Bye Bye, Love", një komedi dramatike me Matthew Modine, Randy Quaid. Rolet ndjekin njëri-tjetrin. 16 vjeç interpreton përsëri krah aktorëve të njohur të Hollivudit, si: Halle Berry, aktorit shqiptar James Belushi. Pas përfundimit të shkollës së mesme i kthehet aktrimit me rolin Faith, në "Buffy the Vampire Slayer", serial që u bë shumë popullor dhe pati sukses të madh. Në vitin 2000 interpreton me Kirsten Danst në "Bring It On", e pas kësaj në filmat "Jay" dhe "Silent Bob Strike Back" ku interpreton bashkë me Shannon Elizabeth, Ali Larter, Ben Affleck, etj. Më 2002 rikthehet krah të madhit De Niro në trillerin "Fajtor në vrasje" si dhe në filmin "City by Sea". "The Neë Guy", "The Kiss", "Tru Calling", etj., janë disa nga interpretimet e tjera të Dushkut.

Laureta Meçi

"Të kapësh" Hollivudin

Nga ikona e produkteve kozmetike në të gjithë Amerikën, Laureta Meçi hyn në cast-in e aktoreve më të vlerësuara të filmave dhe serialet e aksionit "Shadow Kill", "Stargate", "Battle Star Galactica" apo "Andromeda". Aktore, këngëtare e njohur dhe modele, lindi në Kuçovë, më 30 gusht 1977. Vajza me origjinë nga Zagoria kaloi fëmijërinë dhe kreu arsimin në degën e muzikës deri në vitin 1995. Emigroi familjarisht në Athinë, ku qëndroi gati tre vjet dhe pasi mori një vizë studentore në ambasadën amerikane, u nis për në Nju-Jork në vitin 1998. Aty u regjistrua në shkollën prestigjioze “Stella Adler School” për aktrim dhe për dy vjet ndoqi një përgatitje për artet e spektaklit dhe vazhdoi karrierën e saj në interpretim dhe si modele. Paraqitja e saj tërhoqi vëmendjen e fotoreporterëve dhe të industrisë së reklamës, prandaj gradualisht u bë "një ikonë" e një serie produktesh të flokëve në të gjithë Amerikën. Filmi i parë ku interpretoi ishte "Shadow kill", që i nderua me çmim të parë në një festival filmi. Më pas vijnë serialë të tjerë të njohur, të cilët janë vetëm fillimi për një vajzë që synon "majat". Ndërkohë, një angazhim të vazhdueshëm për të përbën edhe muzika.

Sandra Bullock, shqiptare?!

Një tjetër aktore e përmendur në faqet "Shqiptarët në kinematografinë botërore" është Sandra Bullock. Me babanë shqiptar, Xhon, i cili ka mbërritur në SHBA pas Luftës së Dytë Botërore, Bullock është lindur më 26 korrik 1964 në Uashington D.C. Nëna e saj gjermane, Helga ishte këngëtare e operës. Ajo u bë me motër, Gesine, kur ishte tre vjeç dhe i kaloi 4 vitet e para të fëmijërisë së saj duke jetuar herë në Salzburg, Austri, dhe herë në Arlington, Virginia, për shkak të punës të së ëmës. Bashkë me motrën jetuan shumë kohë në Nyrenberg(Gjermani) ku kalonin orë të tëra duke dëgjuar të ëmën teksa përgatiste pjesët që do të këndonte në opera. Suksesi i parë i vërtetë i Sandra Bullock ishte "A Time To Kill", ku ajo ishte bashkëaktore me personazhin e Matthew Mc Caunahey. Bullock nuk ndaloi aty, por vazhdoi të jepte performanca të një ylli, të cilat e treguan thellësinë e personalitetit të saj karizmatik në filma si "Forces of Nature", ku luan së bashku me të famshmin Ben Affleck, si dhe në një film komik "Practical Majic", ku luan së bashku me Nicole Kidman. Rolet e saj janë të panumërta: "The Lake House", "Crash", "Miss Congeniality", "Famous", "In Love and War", etj.

Koha e... Masielës

Është ende e re, por fati duket se e ka çuar në rrugën e një ylli të Hollivudit. Masiela Lusha, vajza shqiptare që prej vitesh jeton në SHBA, në fakt nuk është tashmë pak e njohur edhe për shqiptarët. Verën e kaluar ajo mundi të jetë në Tiranë për xhirimet e filmit të Fatmir Koçit, "Koha e kometës". Një "rikthim" interesant ky i vajzës që la vendlindjen në moshën 5-vjeçare. E njohur fillimisht nga seriali amerikan "The George Lopez Show" me George Lopez, historia e Lushës fillon në Tiranë, kur Shqipëria ndodhej ende nën regjimin komunist. Por megjithatë, Daniela Lusha e kishte bindje se vajza e vet, Masiela, do të rritej jashtë këtij vendi dhe do të bëhej një "yll" në Hollivud. Kështu, me gjithë vështirësitë, bashkë me vajzën një ditë hyn në ambasadën hungareze dhe kërkon strehim politik. Me një emër të rremë largohet drejt Budapestit.

Pas shtatë muajsh atje, për Masielën dhe Danielën "synimi" u bë Amerika. Shkuan fillimisht në Vjenë, ku qëndruan dy vjet e pas kësaj u vendosën në "tokën e premtuar".

"Doja që vajzës sime të mos i mungonte asgjë,e po të mundesha t'i blija asaj kukullën më të shtrenjtë", shprehet në një intervistë nëna e artistes shqiptare, Daniela.

"Dukej e pabesueshme. Ndodheshim në Amerikë, në vendin e mundësive, ndonëse me pak para në xhep dhe pa ditur asnjë fjalë anglisht. Por një pjesë e ëndrrave të mia tashmë ishte realizuar". Aktore, balerinë, këngëtare, modele dhe në të njëjtën kohë edhe poete, Lusha është diplomuar në Universitetin "UCLA" për Anglisht dhe Biznes. Duke ditur mirë anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, e ka pasur disi më të lehtë të përfshihet në disa filma kinematografikë dhe televizivë, si: "The Big Red Dog", filmat e VValt Dizneyit "Lizzie McGuire", etj. Prezantuesja e një programi edukativ për të rinjtë "Jeta e vërtetë e adoleshenteve", regjisori amerikan George Lopez, i besoi rolin e Karmenit. Me aktrimin, nisi të merrej kur jetonte në Michigan bashkë me të ëmën. Në një konkurs për aktore dhe modele të reja, Lusha u vlerësua e treta mes 600 të rinjve e të rejave që morën pjesë. Kështu i erdhën ofertat e para si modele, në Los Angelos. Ishte vetëm 16 vjeç kur iu besua roli i parë në një serial televiziv. Papritur, karriera e saj kinematografike u përmbush me role të tjera dytësore që do t’i jepnin eksperiencën e nevojshme në filma të tillë, si: "Summonig", "Living VVith Mushuggana Shiksa" dhe "Spirit Rising". Por ajo nuk ngurroi të provonte edhe teatrin, ku ka luajtur rolin e Princeshës së Umpalumpas në premierën e dramës "Charlie and the Chocolate Factory". Në verën e vitit 2000, Masiela shkroi një skenar me titull "The Group", i cili u prit me sukses në studiot më të mëdha të Hollivudit. Vazhdimisht ajo merr leksione aktrimi dhe është pjesëmarrëse në audicionet më të suksesshme në Hollivud.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora