E shtune, 27.04.2024, 10:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Vargje të panjohura të Zef Pllumit

E marte, 27.05.2008, 11:42 AM


At Zef Pllumi
Nga Elsa Demo

Numri i fundit i “Hyllit të Dritës” boton vargje të panjohura të françeskanit, shkruar në vitet 1940-1956

Botohen fotot dhe materialet arkivore të Ministrisë së Brendshme për dy dënimet e At Zef Pllumit

Numri i fundit i revistës “Hylli i Dritës” i themeluar më 1913 nga At Gjergj Fishta i kushtohet një nxënësi të tij që arriti të jetojë dhe të dëshmojë nga ajo kohë rilindasish dhe nga kjo kohë materialistësh. I kushtohet, At Zef Pllumit pak muaj pasi ka ndërruar jetë. Me fjalën e urtë të korintasve “Ku asht Shpirti i Zotit aty asht liria” shoqërohet ky kushtim “In Memoriam” që është me interes t’i bëjmë një paraqitje për disa arsye. Ky numër është ndërtuar nga artikuj të njerëzve që e kanë njohur nga afër veprën e pater Zefit dhe atë vetë apo pse autorët kanë pasur lidhje në momente të caktuara me të. Ia vlen të ndalemi në ato momente pak të njohura si për shembull tek ato që ofron Gjovalin Çuni. Janë dorëshkrimet me poezi të pater Zefit të cilat autori i ka zbuluar në fondin e Bibliotekës “Marin Barleci” të Shkodrës. “Janë 19 poezi të lidhura me nji kopertinë, mbi të cilën shkruhet: Autor i panjohun. Ndërsa në mbështjellësen e kësaj përmbledhjeje lexojmë:

09. Doreshkrime. Nr. 111 Zef Pllumbi

Pllakata Poezi 1940-1956

Dr. 18 fq daktilog. Libër i lidhun”.

Simbas nesh këto poezi i janë sekuestrue Autorit me rasën e arrestimit të dytë. Këtyne vargjeve u kishte humbë gjurma, edhe vetë Zef Pllumi i kujtonte tashma të zhdukuna, kur papritë i zbuluem dhe prej tyne po i japim këtu lexuesit të Hyllit të Dritës nji përzgjedhje të shkurtë”.

Përzgjedhësi ia lë fjalën poezive. “Un të due, o toka eme” është një nga ato që thotë shumë që në vargjet e para: O tokë e shterpët, qi s’din shk’asht evarija/ tokë e pafryt e dam qi e shkon ti mundin/ punën e djersen e atyne qi ty t’deshten/ prap un ty t’due!”

Nuk është e vështirë të dallosh tek të tjerat vargjet alegorike për ndërrimin e stinëve me instalimin e diktaturës së proletariatit siç duket tek poezia “Shkojnë korrilat” e shkruar më 1954. Botimi përmban edhe faksimile dorëshkrimore.

Është hera e parë që nga pater Zefi shkrimtar dhe dokumentarist me trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue” apo publicist me vepra si “Historia kurrë e shkrueme”, na shfaqet edhe poet. Mbase në arkivën e Bibliotekës françeskane mund të ruhen vargje të tjera nga At Zefi. Për fondin e tij dorëshkrimor akoma nuk është folur akoma hapur se çfarë përmban dhe çfarë është e mundur të botohet.

Ky “Hyll i Dritës” përmban edhe fotot e arrestimit dhe të dënimit të dytë të Zef Pllumit, ngjarje të cilat ai i ka përshkruar tek “Rrno vetëm për me tregue”. Fotottregojnë vendin ku u “kap i pandehuri Zef Pëllumbi duke dashur të arratiset në Jugosllavi”, ashtu siç thotë didaskalia me makinë shkrimi e bërë nga Sigurimi i Shtetit. Është gati e pabesueshme ajo shkrepje e aparatit që ka fiksuar ushtarin e Sigurimit me njërën dorë në bel dhe tjetrën ngritur gjysmë si predikator i kishës tek i pret udhën e arratisë në një shpellë në Qytetzës të Vuklit, Zef Pllumit të cilit gati po i rrëshqasin këmbët në rrëpirën e gurëve të malit. Fotoja e fundit mban këtë didaskali: Nikoll Mazreku, armik i regjun i Pushtetit Popullor, me Zef Pllumbin, japin edhe nji herë llogari përpara gjyqit të popullit (1968).” Kastriot Dervishi autori i shkrimit “Dy dënimet e At Zef Pllumit”, ka sjellë material arkivor nga Arkivat e Ministrisë së Brendshme ku bëjnë pjesë fotot e sipërpërmendura dhe dokumente nga dy dosje kryesore në vite të ndryshme që i përkasin fondit hetimor-gjyqësor ku është përfshirë At Zef Pllumi. Dosja e parë i takon arrestimit dhe dënimit të parë në vitin 1946-’47 së bashku me Imzot Frano Gjini, Dom Nikoll Deda, Pater Mati Prenushi, Tom Dom Laca, Zef Haxhia, Dom Ndoc Sahatçia, Pater Gjon Karma, Pater Mhill Miri dhe Dom Shelqeti. Në janar 1948 pater Zefi dënohet me 3 vjet burg. Dënimi i dytë ndodhi për “tradhti të lartë ndaj atdheut”, me 25 vjet burg për pater Zefin dhe 17 vjet për Nikoll Mazrekun. Lexuesi i “Hyllit” gjen këtu fjalë për fjalë pyetjet e hetuesit Dhimitër Shkodrani dhe përgjigjet e të pandehurit Zef Pllumi.

Materiali arkivor i Dervishit plotëson kronologjikisht dhe strukturalisht atë që do të ishte më pas vepra e At Zef Pllumit të mbijetuar nga diktatura komuniste, vepër që në këtë numër është marrë në analizë jo thjesht përmbajtësore, por duke e parë dheduke i trajtuar çështjet që i takojnë mirëfilli letërsisë.

Së fundi, nuk është për t’u lënë mënjanë problemi që nisur nga ky numër i fundit i “Hyllit të Dritës”, ngre kryeredaktori i revistës Ardian Ndreca. Ai thotë se është duke pasur probleme të mëdha për shpërndarjen e revistës, probleme që mendon se vijnë nga vetë fretërit françeskanë të Shkodrës. Ndreca që ka bashkëpunuar që prej vitit 2005 me at Zef Pllumin, që vazhdonte të ishte drejtor përgjegjës i “Hyllit”, ka dhënë sinjale për të hequr dorë nga drejtimi i revistës duke parashikuar kështu mbylljen e saj, gjë që do të ishte kundër ëndrrës së françeskanit. “Kishte vetëm nji frikë kur mendonte se rrugëtimi shumëshekullor i françeskanëve në shërbim të kulturës dhe të popullit shqiptar mund të merrte drejtime të tjera prej ndikimit të modave të momentit”,- shkruan Ndreca në hyrje të numrit “In Memoriam” te “Hylli i dritës”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora