Kulturë
Granit Zela: Pazari i letrave shqipe
E enjte, 22.05.2008, 07:52 PM
Per bestsellerin e radhes ne Shqiperi
Granit Zela
PAZARI I LETRAVE SHQIPE
Nga Granit ZELA
Komercializmi e ka kapur për mesi letërsinë shqipe, dhe pas çdo zbulimi të "gjeniut" të ditës, bujës dhe tërbimit për vlera dhe vepra imagjinare, libri vetëmse pëson knock out-in e radhës, të dhënë me një grusht që e hedh përtokë, nga sistemi kryekëput jashtëletrar e vulgar i reklamës për letërsinë mesatare. Në botë "bestsellerizmi", letërsia që shitet me mijëra kopje, letërsia triditëshe, ose në rastin më të mirë stinore, është fenomen i përhapur masivisht, shembull i saj janë librat e prodhuara nga Daniel Steel, kaq shumë të kërkuara e të pëlqyera nga lexuesi shqiptar...
Në Shqipëri, letërsia mesatare si fenomen a la Steel ka kulmuar me romanin "Preja e një martese të lodhur" i cili demonstroi se sa i lodhur e i dërrmuar është lexuesi ynë, e sa lehtë e mirë mund të kërcesh nga maja e gazetarisë, në majën e shkrimtarisë, me një libër të vetëm, mesatar, asgjëfare krahasuar me "Shtatë pasqyrat e Narcizit" apo "E madhe është gjëma e mëkatit" vepra të cilat kurrë nuk qenë e as kanë për të qenë bestseller në Shqipëri.
Fenomeni i "librave të lodhur" që bëhen popullorë kohët e fundit shënoi edhe një kulm tjetër me romanin "Të jetosh në ishull", i cili sikurse në telenovelën e "martesës së lodhur" pati edhe serialin e tij rraskapitës, seri pas serie, derisa më në fund, të gjithë aktorët, si në teatër, pasi luajtën rolet e tyre, tani sodisin katrahurën që kanë shkaktuar në shijen e lexuesit tonë, e cila atyre u duket si një "kryevepër".
Le ta themi qysh në krye të herës, "zbulimi" nisi nga kritiku i shquar i letërsisë shqipe Arian Çani, i cili pasi e kishte lexuar romanin, në emisionin e tij të një mijë e një përrallave, shpalli kumtin e madh të "habitjes" pasi e kishte lexuar romanin. "Unë jam habitur", tha kritiku i letrave Arian Çani, jam habitur fort…Por Ariani është nga ata tipa kritikësh letrarë që nuk para habitet, ai habit të tjerët, e vetë pothuajse nuk habitet kurrë, ndaj dhe ky fakt i habiti spektatorët e "Zonë e lirë" të cilët e morën seriozisht habinë e "Star-it" të tyre.
Të kishte ndodhur që admiruesit e "kritikut" të ishin shndëruar menjëherë në blerës të "kryeveprës" nuk është se do të trashej shumë puna, por ajo nisi të bymehet kur në media u shfaq një shkrim i përfaqësuesit të një komuniteti fetar që e denonconte librin, si kundër kësaj e pro asaj, më the e të thashë, një shkrim i gjatë, me gjuhë si ajo e romanit, gjë që habiti të gjithë ata që e lexuan, e që çoi ujë në mullirin e autorit dhe botuesit të cilët e kishin shpallur qysh në kopertinën e mbrapme të librit se prisnin që ai të ngjallte debate të shumta se trajtonte një çështje shumë delikate, atë të fesë dhe konvertimit në një fe tjetër…Bah çfarë thrilleri për lexonjësin tonë që ka dëgjuar për Selman Rruzhdinë! Bah sa intriguese kjo puna e debateve për fenë…
Kështu në emisionin e kritikut të letërsisë shqipe A. Ç, u panë një sërë personazhesh të tjerë ndër të cilët njerëz të Perëndisë që flisnin për….fenë e romanit, habinë që kishte ngjallur më së pari te kritiku Çani dhe debatet që kishte ngjallur, sikurse edhe ishte parashikuar qysh më krye të herës prej autorit dhe botonjësit.
Dhe lajmet në media për debatet që priteshin më në fund u përhapën me shpejtësinë e internetit e televizioneve. Ato pak a shumë nisnin me kësofare "Sikurse edhe pritej, debatet për romanin brilant "Të jetosh në ishull" u ngjallën. U ndez debati për fenë po ec e shuaje pastaj! Feja kështu e feja ashtu, hulumtime të njëpasnjëshme e inkursione në historinë e shqiptarëve u bënë gjithë po me zellin e dëshirën për t'i iluminuar shqipkëndonjësit pasi edhe literatura në lidhje me këtë çështje është pak si e ngatërrueshme. E u fol për fenë, thuajse në mënyrë shterruese, bindëse, të hapur, siç u ka hije ligjëronjësve publikë gjë që ndërgjegjësoi masën e madhe të lexonjësve, atë masë që mbush sheshin "Skënderbej" në mitingje me urra, hosanara e brohorima për baballarët tonë të kombit.
Kështu telenovela "Të flasim për fenë e shqiptarëve ndër shekuj" me shkas romain "Të jetosh në ishull" pati episodet e veta me shumë persona, ashtu sikurse edhe audiencën që vetëm rritej e rritej, aq sa në qarqet kulturore të Tiranës u nis të thuhej jo pa zili se kishte rënë ndjeshëm audienca e telenovelës "Njëqind vitrinat" megjithëse kjo nuk pranohej kategorikisht prej adhuronjësve të saj.
Kjo ishte historia e "të jetosh në ishull"…. krejtëssht si thriller-i i "martesës së këputur" por, duhet të pranojmë se ka edhe ndryshime. Ndryshimi këso radhe, është se autorit i nisën edhe një letër ku e kërcënonin me vdekje për romanin, gjë që u pasqyrua sërish në media. Letra jepej qartë, me shkrim të lexueshëm, vetëmse në fund nga letërshkruesi nuk i kërkohej haptas kritikut Arian Çani që ta ftonte në emisionin e tij të njëmijë e një përrallave.
E çuditshme është që asnjë nga kolegët politikanë të autorit nuk reagoi publikisht për këtë kërcënim, por siduket nuk e kishin marrë serioziosht, se kur kjo ka ndodhë më parë me persona publikë, ka patur reagim të menjëhershëm në mbrojtje të të kërcënuarit, dhe është kërkuar mbrojtja e jetës së tij, por në këtë rast, vazhdojnë debatet për fenë, por për jetën e autorit që hodhi gurin në lumin ku u mbyt elita e kryeqytetit tonë, nuk para mendohet shumë.
Më së fundi, sa për ta ndërmendur pak lexuesin se e gjithë kjo telenovela e stisur sipas modelit të xhungizmit në letërsinë shqipe (ndjesë për përmendjen e mbiemrit të autores por ky është fenomeni) po i sjell ca radhë nga fillimi i librit sa për ta habitur edhe më me mrekullinë e shkrimit të zbuluar në pazarin e letrave shqipe:
"Ishte një ditë e nxehtë dhe njerëzve nuk u hahej mish. Pazari ishte zgjuar i pari dhe pas tij ishte zgjuar qyteti. Zakonisht, qyteti lodhej në pazar dhe çlodhej në kishë. Po ishte e diel dhe jo të gjithë punonin. Ishte një ditë pazari dhe jo të gjithë shkonin në kishë. Fshtarët kishin ditën e tyre të punës. Gratë dilnin nga mesha e mëngjesit, shkonin në pazar, ku i frynin trastat si gjinj, dhe pastaj ktheheshin në shtëpi. Kur ato vonoheshin pas gjërave të panevojshme, fëmijët i prisnin me gojë të hapur. Burrat pinin duhan në hije dhe shikonin gratë. Kafshët rrinin në diell dhe, duke pritur të shiteshin, shikonin burrat. Ata që kishin vapë freskoheshin në liqen. Po qyteti ishte në mes të maleve dhe jo të gjithë dinin not. Deri kur u mbyll pazari ai nuk i shiti dot dy delet e tij."
Qysh në fillim të romanit mund të shohim mënyrën 'mrekulluese' të ndërtimit të tekstit. Siç nuk e ka vënë në dukje "kritiku" A. Ç, këtu nuk ka askurrfarë mrekullie gjuhë e stili pos përsëritjeve të mërzitshme e fjalive të ngatërruara keq. Vetëm fjala 'pazar' e përsëritur në një paragraf të rrëfen për stil të pashkrifëruar me togje përshkrimesh 'Pazari ishte zgjuar i pari', 'qyteti lodhej në pazar', 'Ishte një ditë pazari', 'shkonin në pazar', 'Deri kur u mbyll pazari' etj, etj.
Brenda të njëtit paragraf, që duhet thënë se e hap këtë libër për ta shqyer më pas fjalitë me 'ishte seç na ishte' nuk kanë të sosur. '"Ishte një dite e nxehtë' "Po ishte e diel dhe jo të gjithë punonin", "Po qyteti ishte në mes të maleve dhe jo të gjithë dinin not.' e këso mrekullie gjuhë dhe stili. Këto vetëm në fillim, sa për të dekurajuar, e me ta heq dëshirën e leximit. Sipas meje, ky libër është i palexueshëm. E vetmja mënyrë leximi është të izolohesh në ndonjë ishull, e të ta kenë vënë si ndëshkim leximin e tij, se ka shumë probleme me gjuhën dhe stilin e e letërsisë dokumentare.
Letërsia është një maratonë e gjatë ku nisen me mijëra, rrugës bien me qindra e pak, shumë pak janë ata që mbërrijnë, por lejen për të shkruar e ka gjithsecili që ndien se ka eshk për t'i hedhur fjalët në letër. Në këtë këndvështrim, kjo leje hynë te të drejtat e njeriut dhe e gëzon gjithkush që mundet me kapë penën me dorë, ndër ta edhe Rudina dhe Beni. Vramendja e krijimit ka diçka fisnike, për të cilën duhet respektuar kushdo që rreket të materializoj në vepër letrare uzdajën e mrekullimit prej fjalëve. Groteske në këtë rast është mënyra e receptimit që i bëhet letërisë në Kokëqytetin tonë kulturor i cili si duket, konceptin e "fshatit global" e ngatërron me atë të "fshatit banal".
Vizitoni: www.freewebs.com/granitzela