Kulturë
Kana, parada e yjeve të tokës
E diele, 18.05.2008, 04:01 PM
Filmat, aktorët, veshjet, thashethemet e evenimentit që prezanton sukseset kinematografikë të verës
Historia 61-vjeçare e një festivali nën hijen e palmave
Nga data 14, deri më 25 maj, kinemaja "do të flasë" frëngjisht. Festivali Ndërkombëtar i Kinemasë është gati të na dhurojë dymbëdhjetë ditë emocione, shkëlqim, luks, festë dhe magji. Në port janë ankoruar thuajse 150 jahte luksoze. 15 mijë shishe shampanjë janë hapur në nder të tij në hotelin prestigjioz "Carlton". Në garë për "Palmën e Artë" kandidojnë plot 22 filma.
Mbi tapetin e kuq të Kanës janë shfaqur yjet e kinemasë, të veshur nga stilistë të mëdhenj. Ceremoninë e hapjes në Festivalin e Kanës e bëri aktori francez Edoard Ber.
Edicioni i 61 i Festivalit të Kanës u hap me filmin e regjisorit brazilian Fernando Meirelles, "Blindness", me protagoniste Xhulian Mur, një nga divat e shumta që kanë sfiluar mbi tapetin e kuq të Kanës, duke nxjerrë në pah veshjet dhe bizhuteritë e shtrenjta. Edicioni i këtij viti është cilësuar si më impenjativi përkrah sfilatës së yjeve hollivudiane. Gjithashtu, mes emrave të mëdhenj të skenës që nuk kanë munguar në natën e hapjes, kanë qenë Denis Hoper, Kejt Blanshet, Xhillian Anderson, Dani Glover dhe Gael Garsia Bernal. Një surprizë në minutat e fundit u kishte rezervuar ylli i rok-folk të viteve ‘60, Riçi Hevens, i cili performoi në mënyrë të shkëlqyer me një sukses të kohës së Woodstock: "Freedom".
22 filma që do të garojnë për çmimin prestigjioz të "Palmës së Artë" prekin tema nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato familjare e deri tek ato politike. Filmi që ngre siparin është "Blindness", i cili tregon për një epidemi verbërie që prek gjithë njerëzimin. Në këtë film Mur luan rolin e bashkëshortes së një mjeku, që kërkon të ndalojë epideminë e verbërisë që po shkatërron njerëzimin. "E konsiderojmë veten të fortë dhe të sofistikuar", u shpreh regjisori brazilian për shtypin dhe më pas shton: "Por, në një film, kur diçka nuk shkon mirë, gjithçka prishet. Po patinojmë mbi akull delikat dhe gjithçka mund të ndodhë".
Franca do të konkurrojë me tre filma. Në garë për "Ariun e Artë" është edhe filmi argjentinas "Leonora", i regjisorit Pablo Trapero... Sërish nga ky vend vjen filmi "La mujer sin cabeza" e regjisores Lukrecia Martel. Ndërsa filmi "Tow lovers" i regjisorit Xhejms Grej vjen nga Shtetet e Bashkuara. Në të shpaloset historia e një beqari të pavendosur, i cili ndodhet mes dy femrave bukuroshe, të tilla si: Guinet Paltrou dhe Vinesa Sahau. Gjithashtu, nga Amerika vjen edhe filmi "Che", i regjisorit Stivën Soderberg, i cili flet për jetën e Çe Gevarës. I suksesshëm pritet të jetë debutimi i "Changeling", një film i Klint Istvud, ku interpreton Anzhelin Zholi. Filmi bazohet mbi ngjarje të vërteta. Ngjarjet zhvillohen në Los Anxhelos në vitet ‘20, ku bukuroshja Zholi portretizon një nënë në kërkim të fëmijës së zhdukur. Ndërkohë, juria që do të vlerësojë filmat kryesohet nga aktori Shon Pen, i cili është edhe kryetari i jurisë dhe përbëhet nga Serxhio Kastelito (Itali), Natali Portman (SHBA), Alfons Kuaron (Meksikë), Aleksandra Maria Lara (Gjermani) etj.
Gjithashtu, në edicionin e 61 të Festivalit të Kanës do të prezantohet edhe një film belg, i cili ka si protagoniste një personazh shqiptar. Filmi titullohet "Heshtjet e Lornës" dhe tregon historinë e një shqiptareje me emrin Lorna, e cila kërkon me çdo kusht të sigurojë dokumentet për të qëndruar në Belgjikë. Ajo pranon kështu të martohet me një djalë të ri të droguar Kaludi, për të cilin shpreson një vdekje të shpejtë. Por, dëshira e shqiptares, që në film portretizohet si një njeri cinik dhe me ambicie të egër, nuk realizohet, pasi Kaludi vendos të heqë dorë nga varësia ndaj drogës.
Metiu Amalrik, Katerin Deneuv, Bono dhe Majk Tajson parakaluan në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Kanë. Aktorët u shfaqën për të promovuar filmin dramatik "A Christmas Tale". Filmi mban vulën e regjisorit Arnaud Despleshin dhe rrëfen historinë e një familjeje, e cila po jeton një periudhë trazirash. Kasta e aktorëve u përshëndet edhe nga presidenti i jurisë, aktori Shon Pen dhe ylli i muzikës Bono Voks. Në mbrëmje, në tapet të kuq u shfaq edhe ish-kampioni i botës në boks, Majk Tajson, i cili ndodhet në Kanë për të promovuar filmin e tij dokumentar "Tyson" me regji të Xhejms Tobak.
Të tjerë emra të njohur që do të prezantohen në Festivalin e Kanës do të jenë ylli i popit, Madona, Diego Armando Maradona dhe shumë të tjerë.
Bollivudi në Kanë
Festivali i Filmit në Kanë është padyshim një nga evenimentet më të rëndësishme të kinematografisë botërore. Industria indiane e filmit prezantohet gjithashtu në këtë eveniment, me qëllimin që filmat Bollivudianë të gjejnë gjithmonë e më shumë vend në Hollivud dhe për këtë arsye janë shpenzuar miliarda dollarë. Kompania e kinematografisë indiane ka realizuar 69 filma, në 9 gjuhë të botës, në mënyrë që këto prodhime të depërtojnë gjithnjë e më shumë në vendet perëndimore, e kryesisht në SHBA. Kjo industri ka prezantuar gjithashtu edhe emra të famshëm aktorësh si: Shah Rukh Khan, Vinod Shopra, Shilpa Sheti etj.
Në këtë edicion të 61 të Filmit në Kanë, ka qenë e pranishme edhe një ndër aktoret më të njohura indiane, "zemra" e Bollivudit, Aiswaria Rai, e cila është gjithashtu imazhi i firmës "Loreal".
Festivali i luksit, mes xhevahireve dhe veshjeve të shtrenjta
Ashtu siç ndodh çdo vit, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Kanë nuk është vetëm i tillë. Shumë e kanë cilësuar edhe si festivali i luksit, apo i bukurisë, ku yjet e kinemasë botërore përpiqen të shkelin në tapetin e kuq me veshje dhe aksesorë që i kalojnë mijëra dollarët. Ashtu si në vite paraardhëse, e gjithë vëmendja e fotografëve nga e gjithë bota ishte përqendruar tek ajo që aktorët kishin zgjedhur me shumë kujdes për evenimentin më të rëndësishëm të filmit. Sigurisht që pjesa më e madhe kishte vendosur të prezantohej me veshjet "Made in Italy", pasi dihet që stilistët më të mëdhenj të modës sot në botë janë ata italianë. I pari në listë, për sa u përkiste preferencave, ishte Xhorxho Armani. Në ceremoninë e hapjes,"Xhorxho Armani kishte veshur Shon Pen, Kejt Blanshet, Rakida Brakini apo Ornela Muti. Bukuroshja Kejt dukej rrezatuese me fustanin e saj prej mëndafshi, ngjyrë rozë dhe model të veçantë. Rachida Brakni, për kalimin në tapetin e kuq zgjodhi një fustan të zi "Giorgio Armani Prive", ku i gjithë busti ishte i mbuluar me kristale Swarovski. Edhe Ornela Muti kishte veshur një fustan të gjatë deri në fund të këmbëve në ngjyrë gri të hapur, i zbukuruar me perla. Fustani ishte i hapur deri në mes nga pas dhe i mbyllur deri në fyt nga para. E njëjtë me kolegët ka qenë edhe zgjedhja e Shon Pen. Aktori, regjisori dhe njëkohësisht edhe presidenti i jurisë, ka zgjedhur të tërheqë vëmendjen me një kostum të zi të po këtij stilisti, njëlloj si bashkëshorti i aktores indiane, bukuroshes Aishuarja Rei. Pas Armanit, më i pëlqyeri ishte Roberto Kavali. Afef Tronketi Provera, Aishuarja Rei, Moran Atias, Misha Burton dhe Marjane Satrapi. Alberta Ferreti, një tjetër stiliste italiane, shumë e pëlqyer nga yjet e kinemasë dhe e spektaklit, kishte veshur me kujdes top modelen Bar Rafaeli, Devon Aoki, Andrea Osvart dhe Xhillian Anderson. Veshja më e bukur e stiluar prej saj në atë mbrëmje ishe padyshim fustani i top modeles izraelite, Bar Rafaeli. E fejuara e Leonardo Di Kaprios, përveç dritave dhe bukurisë natyrale, dukej sikur shkëlqente e tëra dhe nga 209 diamantet që Ferreti kishte qëndisur bukur në fustanin e veshur prej saj.
61 vitet e një festivali
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Kanë është një festival kinematografik mjaft prestigjioz, që zhvillohet çdo vit në muajin maj në Kanë, një qytet në jug të Francës.
Ndër të tjera, festivali garanton një mbulim perfekt nga ana e medias. Aty marrin pjesë shumë yje të kinemasë, të cilët ecin mbi pasarelën Montée de Marche. Shumë producentë zgjedhin këtë eveniment për të prezantuar realizimet e tyre të fundit dhe për t‘u shitur të drejtat distributorëve që vijnë nga e gjithë bota.
Në fund të viteve ‘30, i indinjuar për ndërhyrjet e qeverisë fashiste dhe asaj naziste në përzgjedhjen e filmave për ekspozitën ndërkombëtare të artit kinematografik në Venecia, Zhan Zei, ministri francez i Arteve të Bukura, propozoi krijimin e një festivali kinematografik të nivelit ndërkombëtar në Kanë. Në qershor të 1939-ës, Luis Lumièr pranoi të prezantonte edicionin e parë të festivalit, që duhej të zhvillohej nga 1-30 shtator. Por, me marshimin e gjermanëve në Poloni nisi Lufta e Dytë Botërore dhe festivali u ndërpre. Ai rifilloi në vjeshtë përpara 60 vjetësh, në vitin 1946. Spikeri i radios në atë kohë e prezantoi kështu: "Festivali i Kanës është një konkurs i elegancës, një festë në bregdet me fitore dhe medalje. 19 kombe marrin pjesë me 120 filma, ndër to 50 me tirazh të gjatë dhe 70 filma të shkurtër".
Gjermania nuk ishte e ftuar, e po ashtu as Japonia. Konkurrimi zhvillohej nën moton, siç e formuloi asokohe Maurise Besi, shef i gazetës kryesore të kinematografisë: "Konkurs ka vetëm mes filmave të kombeve të njëjta. Pra, konkurrojnë gjashtë filma francezë me njëri-tjetrin, gjashtë filma amerikanë e po ashtu edhe anglezë e sovjetikë. Si të thuash një ‘Oskar‘ për çdo komb!"
Por kjo moto nuk mund të rezistonte gjatë. Festivalit të Filmit iu desh të përballet me probleme të shumta. Në vitin 1947, çatia e pallatit të sapondërtuar të festivalit fluturoi prej stuhisë dhe për mungesë fondesh festivali u ndërpre për dy vjet. Më pas në Croisette, bulevardi mondan përgjatë bregdetit të Kanës, nisën mitet dhe skandalet. Në vitin 1956 u shfaq aktorja thuajse e panjohur deri atëherë, Brixhit Bardo, e cila pozonte përpara kamerave me flokët e verdha dhe me buzët e kuqe. Njëmbëdhjetë vjet më vonë, Bardo provokoi thuajse një panik masiv teksa mbërriti në Kanë me burrin e saj, playboy-n Ganter Sak, në vitin 1967. Një vit më vonë, Festivali i Filmit sërish mori ngjyrime politike. Gjatë trazirave studentore në Paris në vitin 1968 edhe në Kanë dolën në skenë kineastë protestues, si François Trufaut apo Zhan-Luk Godard: "Festivali ka marrë fund për solidaritet me studentët dhe punëtorët!"
Mbyllet perdja në Kanë. Pesë vjet më vonë, më 1973-shin, ishte filmi i Marko Ferrerit mbi një orgji, që skandalizoi publikun e atëhershëm. Janë kryesisht damat e mëdha të kinematografisë që do ta bëjnë Kanën të njohur me emra si: Sofia Loren, Xhina Lolobrixhida, Rita Kajuorth, Katherin Deneuv etj.
Regjisorët gjermanë në Kanë nuk janë dalluar shpesh. Volker Shlondorf në fund të viteve ‘70 u nderua me Palmën e Artë për filmin "Trumpeta prej teneqeje". Ndërsa i fundit në vitin 1984 ka qenë Uim Uenders me filmin "Paris-Teksas".
Pjesëmarrja
22 filma që do të garojnë për çmimin prestigjioz të "Palmës së Artë" prekin tema nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato familjare e deri tek ato politike. Filmi që ngre siparin është "Blindness", i cili tregon për një epidemi verbërie që prek gjithë njerëzimin. Në këtë film Mur luan rolin e bashkëshortes së një mjeku, që kërkon të ndalojë epideminë e verbërisë që po shkatërron njerëzimin.