E merkure, 11.12.2024, 08:11 PM (GMT)

Kulturë

Merxhan Avdyli: Konteksti i vlerës së studimit

E enjte, 15.05.2008, 08:11 PM


Merxhan Avdyli
Konteksti i vlerës së studimit

Shkruan: Merxhan Avdyli

Myrvete Dreshaj-Baliu “Konteksti i shkrimit“, Era, Prishtinë, 2004

Libri “Konteksti i shkrimit“ i autores Myrvete Dreshaj-Baliu është një simbiozë shkrimesh me përmbajtje të ndryshme nga fusha e letërsisë, në të cilën vend qendror zënë tri tipa të shkrimit: studimi mbi letërsinë, eseja letrare dhe recensioni. Po sipas këtyre tipave të shkrimit, që shqyrtojnë veprat e autorëve të ndryshëm dhe dukuri të ndryshme letrare është bërë edhe ndarja e librit në tri pjesë kryesore, që përbëjnë një baraspeshë të përmbajtjes së librit me titullin e saj që analizon tekstin letrar apo dukurinë letrare të fokusuar në nxjerrjen e shkrimit nga konteksti. Kësaj vije studimore autorja iu ka përmbajtur pothuajse në të gjitha tekstet e saja të veçanta të përfshira në libër.
Myrvete Dreshaj-Baliu, si studiuese e vëmendshme e letërsisë dhe njohëse e mirë dhe afishuese e vlerave të mirëfillta letrare, në librin e saj nuk është e fokusuar, përkatësisht e orientuar vetëm në një drejtim apo në një periudhë letrare. Vetë qasja e saj ndaj letërsisë në aspekte të ndryshme studimore dhe analitike dëshmon për trajtimin e saj të temave letrare, të veprave letrare, të dukurive letrare, por edhe autorëve të cilët ajo i trajton në punimet e saj nga dimensione të ndryshme interpretative. Në këtë prizëm duhet përfshirë patjetër edhe mënyrën e shkrimit, përkatësisht gjuhën dhe stilin e saj, që autores i siguron një afri me receptuesin e përgjithshëm, qoftë ai edhe vetë studiues i letërsisë, apo lexues i rëndomtë i studimeve letrare.
Përkushtimi i Myrevete Dreshaj-Baliut ndaj letërsisë, përkatësisht ndaj studimit të letërsisë, hetohet jo vetëm në përzgjedhjen e autorëve dhe veprave të cilat ajo i trajton në librin e saj, përkatësisht në studimet, esetë apo recensionet e veçanta, por edhe në mënyrën e trajtimit, në interpretimin, në qasjen ndaj dukurisë të cilin e shqyrton, si dhe në gjykimin e saj kritik-letrar, duke përfshirë këtu edhe mendimin e saj për akëcilën vepër apo akëcilin autor.

Veprimtaria studimore e Jup Kastratit

Meqë autorja vazhdon të merret aktivisht me studimin e letërsisë, jo rastësisht librin e saj e hapë me një segment të veçantë të veprimtarisë letrare nga aspekti i studimeve historiko-letrare të profesor Jup Kastratit. Është interesant se me një studim relativisht të shkurtër, duke pasur parasysh veprimtarinë e gjatë kohore të profesor Jup Kastratit, si dhe studimet e tij gjithëpërfshirëse nga gjuhësia jonë, e në këtë rast nga letërsia, qoftë nga ajo e traditës apo nga ajo bashkëkohore, autorja ka arritur që me një sintetizim të theksuar të pasqyrojë gjerësinë dhe thellësinë studimore të profesor Kastratit, në periudha të ndryshme, me një përqendrim në studimet e tij historiko-letrare të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Edhe pse një studim relativisht i shkurtër për veprimtarinë aq të madhe shkencore të profesor Kastratit, megjithatë autorja ka arritur të përmbledhë dhe të pasqyrojë veprimtarinë e tij stud! imore, duke sublimuar aspektet e veçanta, përkatësisht orientimet themelore të shqyrtimeve të tij historiko-letrare. Pasi e përshkruan udhën studimore dhe shkencore të profesor Kastratit, që përfshin studime të ndryshme nga albanologjia, deri te hartimi i monografive të ndryshme, për periudha të ndryshme dhe për autorë të ndryshëm, autorja paraqet edhe kontributin e Kastratit në periodizimin, përkatësisht hartimin e historisë së letërsisë shqipe, duke e ndarë dhe klasifikuar atë si: letërsia e vjetër, letërsia e rilindjes, letërsia arbëreshe, letërsia e pavarësisë dhe letërsia e realizmit, natyrisht me të gjithë autorët përkatës që përfaqësonin ndarjet e tilla klasifikuese. Po kështu në këtë studim autorja ka theksuar edhe një aspekt mjaft të rëndësishëm studimor dhe hulumtues të Kastratit, që po kështu ishte në funksion të hartimit të historisë së letërsisë dhe të studimit historiko-letrar përgjithësisht: ha! rtimi i bibliografive përkatëse për secilin studim të tij,! duke mo s mbetur thjesht vetëm si një bibliografi telegrafike apo kronologjike, por duke u shndërruar në bibliografi shteruese, pasi si të tilla ato janë të përcjella edhe me komente. Mjafton me këtë rast të përmenden bibliografitë e Kastratit për De Radën, Konicën, Spassen dhe Shuteriqin.
Të së njëjtës natyrë studimore janë edhe studimet pasuese si “Poeti kombëtar”, në të cilin trajtohet në mënyrë të shkoqur koncepti i Çabejt për poetin kombëtar; “Letërsia e romantizmit dhe vetëdija kombëtare” ku nga segmente të veçanta studimore janë trajtuar veprat letrare të Migjenit, të Naimit dhe të Fishtës; “Proza e shkurtër e Migjenit”, me një analizë të strukturës së prozës së Migjenit dhe përpjekjen për të riafishuar specifikat letrare dhe estetike të prozës së tij.

Vendlindja e Gërvallës

Ndërkaq një studim më i gjatë që përfshin një pjesë të madhe të librit është studimi “Poetika e poezisë së Jusuf Gërvallës”. Studimi në fjalë është gjithëpërfshirës, është një analizë e thellë për poezinë e Jusuf Gërvallës nga aspekte të ndryshme studimore, historiko-letrare, teorike, analitike dhe kritike. Pasi e nxjerr nga konteksti historik-letrar veprën poetike të Gërvallës, përkatësisht duke e parë atë në kontekstin e poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar; pasi e vendos poetin në radhën e poetëve të brezit të tretë të krijuesve të poezisë shqipe, përkatësisht të atyre që kanë krijuar në vitet ’70 të shekullit të kaluar; pasi i bën një vështrim krahasues, me gjithë përafrinë dhe dallimin e poezisë së tij nga poezia e poetëve të brezit të tij, autorja më tej ndalet te qëmtimi i ideve poetike, përkatësisht te analiza e poezisë së tij.
Duke u fokusuar në veprën poetike të Gërvallës, përkatësisht në poezinë e tij e cila, e cila përmblidhet në tri libra poetikë, autorja shquan karakteristikat themelore të poezisë së tij, duke mos e larguar atë nga rrjedhat e poezisë së brezit të tij të krijuara gjatë viteve “70 të shekullit të kaluar, megjithatë një shquesi e kësaj poezie, sipas autores është poezie cila nuk bashkëjeton me retorikën e patetikën emocionale, duke i konsideruar të tejkaluara skemat e gatshme të dogmave të përsëritura. Më tej, gjithnjë në këtë dritë Dreshaj-Baliu thekson shquesin e poezisë së tij, nga segmenti i mosprekjes nga hermetizmi që ishte bërë modë për poezinë shqipe në Kosovë në atë kohë, duke u shprehur se poezia e Gërvallës është e kuptueshme jo vetëm për kritikën letrare por edhe për lexuesin, që njeh shenjat e artit poetik, duke e lidhur në këtë mënyrë poezinë e tij me receptuesin.
Duke e zgjeruar më tej studimin e saj për poezinë e Gërvallës, autorja nxjerr kodin e veçantë të poezisë së tij, që në njëfarë mënyrë është edhe shenja kryesore e individualitetit krijues të Jusuf Gërvallës – vendlindja, e cila sipas Dreshjat është muzë e këngës poetike, është burim i gjithë asaj butësie ndjenjash, gjithë atij frymëzimi të sinqertë, gjithë asaj orkestrine zërash.
Pjesa e dytë e librit “Konteksti i shkrimit” është i përbërë nga katër ese, dy prej të cilave kanë të bëjnë me letërsinë, si esetë “Letërsinë shqipe e përbënë tërësia e saj” dhe “Letërsia dhe gjinia” dhe dy të tjerat me dy segmente të tjera jetësore nga kultura shqiptare, njëra me fatin dhe pozitën e gruas shqiptare në histori dhe në shoqëri, ndërkaq tjetra me efektet e lëvizjes së pajtimit të gjaqeve në luftën e fundit në Kosovë.
Në pjesën e tretë të librit të Myrvete Dreshajt-Balilut janë përfshirë recensionet, të cilat autorja i ka shkruar në kohë të ndryshme dhe për vepra të ndryshme, madje edhe për gjini dhe forma të ndryshme shkrimore. Edhe këtu fokusimi i autores është më i madh tek libri studimor, me këtë rast ajo ka shqyrtuar veprat e autorëve si Eqrem Çabej, Jup Kastrati, Namik Resuli, Mehmet Gëzhilli, Zymer Neziri e Faik Shkodra. Ndërkaq, në fokusin recensional të autores janë edhe dy përmbledhje me poezie të autorëve Bajram Kosumi dhe Resmije Uka, si dhe i një libri studimor nga historia të autorit Ethem Çeku dhe i një libri me fotografi nga lufta të Nysret Pllanës.
Pavarësisht që është libri i parë i autores Dreshaj-Baliu, “Konteksti i shkrimit” paraqet një vepër tejet serioze të studimit dhe të kritikës letrare. Në këtë kontekst libri është edhe një plotësi e mungesë së librave të kësaj natyre, në kohët kur kemi një vërshim të madh të teksteve të teksteve letrare artistike, më shumë sesa me vlera të qëndrueshme me gjysmë vlera ose edhe me vlera tejet të dyshimta. Libri i ka vlera të mirëfillta, jo vetëm pse shquan dhe sipërfaqëson vlera të mirëfillta, por pse është edhe vetë konteksti shkrimor i vlerës studimit të letrar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora