E marte, 10.12.2024, 11:56 PM (GMT)

Kulturë

Revolta e Çim Xhepës: Xhelozitë e kolegëve për punën time

E premte, 16.05.2008, 08:29 PM


NDRIÇIM XHEPA NË ROLIN E TIJ TE FUNDIT TE FILMI “SEKRETET”
Ndriçim Xhepa, aktori i mirënjohur i skenës shqiptare, u ndodh dje në Tiranë vetëm 24 orë.

Nga Anila Mema

Orët e para të ditës së sotme e gjejnë në shesh xhirim. U kthye nga Përmeti, ku mbylli disa episode dhe sot është në Pogradec, ku të tjera e presin për filmin e Gjergj Xhuvanit "Lindje, perëndim, lindje". Në këtë 24 orësh takoi familjen, djalin Martin, të cilin e gjeti dhe e la me temperaturë, normale në këto kohë me ndryshime të befta moti. As filmin "Sekretet" të Spartak Pecanit, premiera e të cilit u dha pak ditë më parë në kinema, nuk mundi ta shohë. Luan në të rolin e doktorit. As premierën e djeshme të Altin Bashës, "Allegretto Albania" vënë në teatër, koha s'i premtoi. Mes këtij 24-orëshi në Tiranë, pak çaste ia rrëmbyem ne për këtë intervistë. Ndriçim Xhepa, aktori që ka bërë pakt me drejtësinë, korrektësinë dhe përkushtimin, në këto kohë kërkon më shumë sinqeritet se sa hile elegante. Dhe kjo i ndodhi në rastin e Fernando Krafit, po aq edhe Dorjan Greit, më tej me A1 të Natali Sarrot, e së fundmi me Astrovin e Çehov. I ndodhi në festivalin "Apollon 2008", ku vepra "Daja Vanja" e vënë në skenë nga Slobodan Unkovski, ishte menduar të çelte garën, e së fundmi pakuptim u mënjanua prej saj. Arsyet nuk i janë bërë të qarta, por që artisti di t'i shpjegojë. Janë forma të padrejta, të pështira për të, për të vënë stërkëmbësh, për të dëmtuar një punë, të realizuar me energji, pasion e përkushtim. Janë hile elegante, që Xhepa nuk i preferon më shumë sa sinqeritetin, ndaj dhe sot i sinqertë vendos të flasë hapur, të sqarojë, të shpjegojë korrektësinë ndaj punës, ndaj vetes dhe kolegëve me të cilët ka bashkëpunuar.

Pak ditë më parë munguat në premierën e filmit "Sekrete". Nuk ishit mes kastës tjetër të aktorëve. Pse?

Në mënyrë krejt të pazakontë nuk u ndodha në premierën e datës tetë të filmit, për arsye se në datën katër deri në këtë moment që flasim, (dje kam ardhur) ishin tetë ditë tepër intensive xhirimi në qytetin e Përmetit, në pikën kufitare të "Tre Urave", xhirime ditën dhe natën me filmin "Lindje, perëndim, lindje". Personazhi i trajnerit, siç më thërrasin italianët (alenatore), ishte gjatë gjithë ditëve dhe netëve. Kështu që regjisori Gjergj Xhuvani dhe producenti Arben Tasellari e kishin krejtësisht të pamundur të bllokonin xhirimet që unë të isha prezent në ditën e premierës, për këtë arsye edhe filmin nuk e kam parë. Nuk kam mundësi ta shoh as sot (dje) pasdite, pasi do të nisem në Pogradec, ku grupi po vazhdon xhirimet. Këtu jam vetëm për 24 orë. Për këtë arsye e kam të vështirë të shprehem konkretisht për vlerat apo për vërejtjet që mund të ketë për filmin.

Mendoni se mund të ketë vërejtje për filmin?

Për sa i përket mënyrës së të punuarit të regjisorit Spartak Pecani, tashmë pas 15 vitesh në shesh xhirimi, unë në pozicionin e kolegut dhe mikut nuk ndjeva hutim tek ai, shpërqendrim, pasiguri apo kontraksion emocional. Përkundrazi, me përjashtim të pak ditëve të para, që normalisht rrezatojnë një lloj emocioni në fillim pune, më pas ndjeva Spartakun e 15 viteve të para. Dua të theksoj se me të është filmi i gjashtë që xhiroj dhe e njohim mjaft mirë mënyrën e të punuarit dhe perceptuarit profesionalisht me njëri-tjetrin. Kam pak dyshim në brumin dramaturgjik të filmit, pasi skenarit, për hir të asaj që është kryesorja për të përmirësuar veprën, Pecani shpenzoi kohë dhe mjete të bollshme financiare, si me një regjisor francez, po aq dhe me një regjisor austriak. Ndaj nuk kam të qartë motivimin ekzakt të arsyeve që i shoqërojnë personazhet qendrorë, si personazhin tim të doktorit apo personazhin tjetër Landin, apo doktoresha Era, e personazhe të tjerë. Pra uroj që filmin mos ta përshkruajnë dy a tri linja, që herë pas here kjo lloj sëmundje dramaturgjike i shoqëron filmat tanë. Kolegun tim Pecani, filmin tjetër i uroj një skenar më të mirë, dhe kur ta shoh filmin kam dëshirë që gjithçka të procedojë në situatë normale dhe organike.

Thatë sapo jeni kthyer nga Përmeti. Në ç'fazë ndodhen sot xhirimet e filmit "Lindje, perëndim, lindje" të Gjergj Xhuvanit?

Filmi është në fazën që ka kaluar rreth 60 për qind të xhirimeve. Kemi mbaruar në Tiranë, Durrës dhe sapo mbaruam Përmetin. Kemi bërë fiks një muaj punë. Kemi përpara dhe Pogradecin, ku dje kanë nisur xhirimet dhe do vazhdohet me Maqedoninë në Ohër, Strugë dhe dhjetëditëshin e fundit do të jemi në Trieste të Italisë.

Në fillim të xhirimeve të tij jeni shprehur se roli i trajnerit ju pëlqen, për faktin që nuk bën pjesë në rolet që ju keni interpretuar deri më sot. Si ju duket tani që pothuajse pjesën më të madhe e keni realizuar?

Kam përshtypjen që bëj pjesë tek ata aktorë, që nuk e parashikoj dot atë çka do të jetë nesër. Kjo si për rolin konkret dhe veprën në tërësi (pasi vepra filmike është vepër shumë komplekse me të papritura dhe surpriza, ku brenda saj hyjnë lloje të ndryshme linjash arti, siç është dramaturgjia, kamera, regjisura, aktrimi, piktura, muzika, teknologjia). Absolutisht gabohem nëse do të shprehesha që në këto momente, qoftë për veten time, se roli po më ecën mirë apo filmi do të jetë ashtu apo kështu. Madje, më kanë habitur gjithmonë individë të veçantë, që pa filluar puna qoftë teatrore apo filmike, apo gjatë procesit të punës të shprehen: do të jetë një spektakël i shkëlqyer apo film i shkëlqyer. Aq më tepër tek i tillë tip filmi që është i gjithi në lëvizje, sepse vetë tema, vetë ngjarja, vetë trajneri bashkë me gjashtë çiklistët e tij, janë gjithmonë në aksion. Ngjarja ecën, avancon ashtu siç avancojnë sheshet e xhirimit. Unë uroj sinqerisht që filmi të ketë këtë ritmikë, këtë temporitëm të bukur, siç është ecja e rrotës së biçikletës, apo e triçiklit tim që përdor në film. Nuk e di se si do të jetë në total filmi, por në pozicionin e trajnerit duke ecur me triçiklin, të cilit si kam dhënë kurrë në jetën time, (e përvetësuar për katër a pesë ditë stërvitje), tek kthej kokën dhe shoh ekipin e çiklizmit, mund ta them me siguri se djelmoshat me fanella të ndryshme të ekipeve të Tiranës, Partizanit, Vllaznisë, Apollonisë, sikurse kanë qenë ekipet e çiklistëve në atë kohë, me përbërjen e çunave që janë: Fino, Zeqja, Hazizi, Bejleri dhe Pustina, e them me siguri që nëpërmjet stërvitjes që kanë bërë për disa muaj duket realisht një ekip çiklizmi i vërtetë. Uroj që edhe rolet nga ana dramaturgjike dhe interpretative të jenë po kaq të vërtetë dhe të besueshëm sa vizualisht dukemi në shesh xhirimi.

Nesër do të jeni në Pogradec, çfarë skenash ju presin për xhirim?

Episodi që më pret që në mëngjes, shumë herët, është kur trajneri Ilo Zoto shkon dhe merr talentin e ri, një çiklist që e zbulon nga fshati. Trajneri do të ketë përballje me marrjen e këtij çiklisti dhe atmosferën shumë të veçantë që zhvillohet në këtë fshat, pasi një e ri i fshatit të tyre do të dalë jashtë shtetit dhe do të jetë pjesëtar i ekipit kombëtar. Kjo është e veçanta, pastaj ditën tjetër hidhemi në Tushemisht, në pikën kufitare e më pas janë një seri ditësh të Maqedonisë, që janë pararendëse të kësaj dite të Tushemishtit për t'u hedhur në dhjetëditëshin e fundit të Italisë, që janë pothuajse mesi i filmit, kur trajneri me ekipin e çiklistëve kalon siklete për vajtje në Itali. I gjithë ky bllok është fundi i filmit. Çorganizimi i organizuar që ndodh në film. Eshtë një grup me 50 a 60 vetë, që kur instalohemi për xhirim është i pafundmë vargu i kamionëve dhe makinave.

Këto ditë në Fier zhvillohet festivali "Apollon 2008". Kohë më parë u përfol që do të ishte pjesëmarrëse edhe shfaqja juaj "Daja Vanja", vënë në skenë nga Unkovski, ndërkohë që në program nuk bën pjesë. Ka ndonjë arsye që mungoni?

Duke qenë se festivali i Fierit është festivali i aktrimit dhe "Daja Vanja" e vënë në skenë nga Slobodan Unkovski, ku dominon aktori, aktrimi, absolutisht nuk mund të them i takonte, por festivali i Fierit duhet ta kishte shumë për nder që ajo shfaqje të ishte. Nga kolegët e mi dhe miqtë festivalbërës Adonisi dhe Klajdi, kohë përpara u informuam që festivali do të ishte në 11 maj deri më 17 maj. Një vështirësi ishte se unë isha me xhirime, por padyshim kisha një pauzë dy ditë që nuk kisha xhirime në Pogradec, qëllojnë ditët e festivalit. Nga ana tjetër doli një problem me aktorin e Shkupit, Bajrush Mjaku, i cili me një produksion të hershëm të tijin do të ishte prezent në 16 a 17 maj në Sofje. E për këtë arsye, dy-tri ditë më parë duhet të ishte për prova me trupën e tij, atje. Për këtë arsye ramë dakord në mënyrë të përbashkët, meqë festivali do të niste në 11, ne të hapnim festivalin me këtë shfaqje. Një a dy ditë më vonë Bajrushi ka marrë njoftimin që festivali nuk mund të bëhet në datën 11, por një ditë më vonë, 12, për arsye që edhe në këto momente jam i paqartë. Nuk e kuptoj se si mund të nisë festivali ditë të hënë, sikur të jetë një hapje fabrike. Mund të niste shumë mirë ditën e diel dhe përfundonte fundin e javës tjetër. Megjithatë pa dashur t'i bëj programin e festivalit kolegëve të mi, duke parë dhe duke m'u transmetuar po nga ata vetë, përbërja e trupave dhe e shfaqjeve kam bindjen profesionale se atij festivali i bënte jo mirë, por shumë mirë prezenca e Çehovit të Unkovskit. Sepse meqë është festival aktrimi, do t'i jepte mundësinë që ndonjë shfaqje me interpretime të punuara dhe interpretuara cilësore të ballafaqoheshin me Astrov, Sonjë, Vojnicki, Serbekoc, Elen, të cilët lanë përshtypje të jashtëzakonshme me tre shfaqje të vetme në Tiranë. Siç u shpreha më parë në pyetjet e tjera, që nuk shprehem për gjëra që nuk i kam parë ose të papërfunduara, për gjëra që i kam parë mund të shprehem brenda shijeve, gustove dhe modelit tim artistik, me bindje të plotë. Astrovi, Sonja apo ndonjë interpretim tjetër, do t'i rrinte përballë me cilësi sipërore çdo interpretimi të kujtdo trupe pjesëmarrëse në festival dhe aktrimi të veçantë.

Duke parë programin e festivalit, kujt shfaqje mendoni se do i viheshit ballë dhe mund t'i hynit në hak?

Nuk e di ndoshta ndonjë koleg, ndoshta ndonjë interpret i ndonjë trupe tjetër mbushin poturet, ose ndoshta festivalbërësit ndien se do të viheshin në siklet për arsyen e thjeshtë, sepse Astrovi, i punuar nga unë me Unkovskin dy muajt e parë të këtij viti, është një krijim, i cili bëri të nxjerrin nga goja dhe gjoksi i tyre fjalë të nivelit sipëror, jo dashamirësit që po e po, por edhe inatçorët dhe xhelozët. Kjo për arsyen e thjeshtë, se ai rol u krijua në punim të plotë me regjisorin, duke pasur parasysh cilësitë shpirtërore të personazhit, profesionin, pasionin e tij për pyllin, për natyrën, depresën, dehjet dhe ngjyrimet nga më të ndryshmet, gjë që jo çdokush ka mundësi ta bëjë në aktrimin e atij oborri që quhet Teatri Kombëtar. Ashtu siç mund të ketë nëpër premiera ngatërresa që bëhen nëpërmjet doktorit me infermierin, ose drejtorin me punëtorin, apo dokerit me intelektualin. Konkurrenca e vërtetë do të ishte mes interpretësh që ballafaqohen me dramaturgji të barazvlefshme autorësh të mëdhenj dhe aktorësh me përvoja vjeçare të barabarta. Po i shpreh këto rreshta shpjeguese, meqë më pyetët dhe njëkohësisht jo për t'i dhënë ndonjë rëndësi të jashtëzakonshme festivalit të Fierit, por sepse të vënit stërkëmbësh, të dëmtuarit e punës, djersës dhe energjive të tjetrit në punë, po ndodhin si shpesh.

Keni raste konkrete?

Në formë të tillë, të pështirë, jam dëmtuar para katër vitesh me një personazh shumë të lodhshëm, siç ishte Dorjan Grei te "Portreti i Dorjan Greit", duke i ndërprerë shfaqjet, aq më tepër duke mos i xhiruar në shirit televiziv. Po e njëjta gjë ndodhi edhe "Për një fjalë goje" të Natali Sarrot, duke i ndërprerë shfaqjet dhe aq më tepër duke mos i xhiruar. Dhe po të njëjtat forma kështu të pakuptimta turbulluese, tërheqëse, ndodhin edhe në këtë rast me "pamundësinë" e të rakorduarit për të luajtur "Daja Vanjën" në festivalin Fierit. E përsëris, "Daja Vanja" e Unkovskit do t'i bënte një nder festivalit të Fierit, jo Fieri "Daja Vanjës".

Të gjitha rolet e sipërpërmendura janë rolet më të spikatura në krijimtarinë tuaj dhe më të vlerësuarat gjithashtu. Mendoni se ka diçka të qëllimtë në të tilla raste?

Di të them këtë, që deri më sot kur po bëj gati 30 vjet në teatër me pjesët teatrore dhe filmike, nuk di në asnjë moment që një premierë e një x regjisori, ku luajnë x apo y aktorë apo aktore të jem bërë unë shkak, që ajo premierë të mos luhet deri sa ka qenë e nevojshme. Apo ajo premierë të mos shkojë në turne të çfarëdolloj rrethi a festivali kombëtar a ndërkombëtar, që ajo premierë aq më tepër kur i vjen mbyllja e ciklit të mos xhirohet në televizion. Për shpjegueshmëri, unë saktësoj korrektesën time ndaj punës, vetes sime dhe kolegëve me të cilët kam bashkëpunuar. Gjë të cilën në dy-tre raste si ato që përmenda, kam marrë tjetër reagim bllokues, dëmtues dhe shpërblim aktorial, miqësor, profesional. Dua të jem i qartë dhe transparent, kjo gjë nuk më ka shqetësuar aspak, përveçse më ka krijuar mundësinë e rikonstatimit të këtyre lloj detajesh, mosreagimi të sinqertë e të barazvlefshëm midis punësh, kolegësh dhe marrëdhëniesh. Ndoshta mund të jetë dhe ky sebepi, që në këto festivale të bëra në Shqipëri, si Elbasani, Fieri a Butrinti, që me ndonjë x a y shfaqje të mos kem më dëshirë të jem prezent. Nëse do të ketë ndonjë mundësi ku Shqipëria të përfaqësohet në festivale ndërkombëtare, atëherë po.

Është kjo një lloj xhelozie apo cinizmi ndaj karrierës e punës suaj?

Unë kam përshtypjen që duhet të jetë përqindja e xhelozisë në mes, sepse çmimet tek unë kanë filluar që në vitin 1982. Sidomos në harkun e viteve të fundit, kanë qenë më të shpeshta këto stimulime, si në festivale teatrore apo çmimet "Kult". Ndoshta nuk është faji im që juritë e këtyre lloj aktivitetesh kanë qenë të përbëra shpeshherë edhe nga kolegë të mi, më të pjekur, aktorë. Kanë qenë ata që kanë firmosur në pozicione anëtarësh apo kryetarësh jurish për çmimet e mia. Dhe konstatoj që këto lloj dëmesh të punës, të roleve të mia, vijnë nga kolegë. E përsëris. Unë në invers nuk i kam kryer këto dëme te kolegët e mi. Kështu ndoshta kam edhe të drejtë, që kolegët kur nuk e ndjejnë veten në pozita 100 për qind të shëndetshme profesionale, gjejnë forma të tilla mohuese të mos fiksimit të këtij projekti, të këtij roli apo të kësaj pune në shirit televiziv dhe njëkohësisht si padashje ia dëmtojnë punën tjetrit. Rëndësi ka që unë deri më sot askujt nuk ia kam bërë këtë.

Ju deri sot ku do e rendisnit veten profesionalisht. E keni arritur majën?

As bëhet fjalë. Majën nuk e kërkoj me aq çudi, insistim apo me atë egoizmin e sëmurë që herë pas here e vë re në këto ambientet tona. Atë majën që ju sapo më pyetët, sepse tek e fundit nuk ka ndonjë rëndësi shumë të madhe në këtë vend, pavarësisht se prezencat, punët konkrete, bisedat, kategorizimet profesionale, gjykimet e njerëzve mundet edhe të çojnë atje. Në këtë lloj pozicioni të çon puna, të çon Ferndando Krafi, Dorian Grej, Xhorxh Shnajder, të Çon Astrovi apo Al e Natali Sarrot, nuk të çojnë as votimet, as stërkëmbthet e vogla dhe të shëmtuara. Këtë majën pastaj le ta gjejë tjetërkush.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora