E shtune, 27.04.2024, 09:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Timo Flloko: Për “Pamje nga ura”, më emocionoi telefonata e Pirro Manit nga Nju Jorku

E hene, 26.05.2008, 09:43 PM


Timo Flloko
Teatrit “Bylis” ka qenë i tejmbushur gjatë ditëve të festivalit teatror “Apollon 2008”. Kulmi sikundër pritej do të shënohej në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve, ku u shpall si aktori më i mirë protagonist i skenës së festivalit, aktori Timo Flloko. Suksesi i shfaqjes "Pamje nga ura" nga regjisori Albert Minga ishte i padiskutueshëm edhe në Fier. Personazhi Edi Karbone interpretuar nga aktori i mirënjohur mori duartrokitjet dhe vlerësim dhe në skenën teatrore të festivalit. I cilësuar si ikona e kinematografisë shqiptare, aktori i mbi 35 roleve në filmadhe me një prezantim të suksesshëm në teatër në një intervistë dhënë për gazetën “SOT” Timo Flloko rrëfen për personazhin që i dha sukses në skenën teatrore, por nuk harron të tregojë dhe për filmin shqiptar.

-Personazhi interpretuar nga ju Edi Karbone u vlerësua në festivalin “Apollon 2008” ku ju u shpallët aktori më i mirë protagonist i këtij festivali. Si u ndjetë nga ky vlerësim?

Personazhi erdhi si një rezultat i një pune pas propozimit që më bëri regjisori Albert Minga. Do të doja të theksoja faktin se mençuria dhe talenti në këtë rast krahas përvojës që ka ai si regjisor zgjedhja e këtij kasti aktorësh shumë të mirë të Teatrit Kombëtar që nga Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Fatos Sela, dy të rinj të talentuar që u kompozua një grup interesant, dhe krahas Millerit, i cili pa dyshim është një autor gjenial, përzgjedhja e këtij grupi dha një rezultat frytdhënës. Për mua suksesi i saj kryesor dhe kjo gjë nuk duhet kontestuar është dramaturgjia. Një dramaturgji e fortë gjithmonë jep shanse për një shfaqje të mirë dhe regjisorët tanë medoemos duhet ti kthejnë sytë nga dramaturgjia e vërtetë. Nuk mund të bëhet arkaik kurrë një autor si Milleri, Shileri etj. Sa herë që kemi të bëjmë me autorë të mëdhenj gjithmonë ka mundësi për të notuar thellë dhe për të nxjerr vlera. Këtë e ka treguar përvoja teatrale nëpër vite. I madhi Pirro Mani kur e vuri “Pamje nga ura” nuk e vuri kot në vitet e dikurshme, edhe pse kjo është një dramë jo vetëm e emigracionit, por edhe e pasionit atëherë nuk ishte problem korent. Sot në ditët aktuale emigracioni ka përfshirë gjithë lindjen dhe jo vetëm Italinë e dikurshme sepse vepra bën fjalë për vitet ‘50. Sot drama e emigrantëve është aktuale dhe është më se aktuale për vetë shqiptarët. Unë kam jetuar vetë në Amerikë dhe nuk mund të them se kam qenë një emigrant, por në një farë mënyre kam qenë i ikur dhe i kam përjetuar të gjitha fazat e një odiseu të të ikurit apo të një emigranti. Ndonjëherë pati ndonjë paragjykim lidhur me veprën nga zëra të veçantë që u shprehën se është një vepër e tejkaluar dhe nuk sjell asgjë, por është e kundërta dhe spektatori e tregoi këtë gjë. Ne kemi dhënë 41 shfaqje me “Pamje nga ura” dhe spektatori mbushte sallat.

-Përpara shfaqjes jeni shprehur se roli i Edi Krabones ishte një sfidë për ju?

Çdo rol është sfidë për aktorin. Kurrë nuk mund ta projektosh suksesin dhe gabon nëse e bën këtë gjë sepse suksesi është i paprojektushëm dhe çdo fillim pune nis me dyshimet krijuese. Aktorit i takojnë që këto dyshime ti kthejë në favor përmes një pune sepse unë kam punuar me një vullnet të tejskajshëm, pa pyetur lodhje dhe them që kjo ka qenë arsyeja që më afroi tek Edi Karbone. Nuk mendoja se unë jam Edi Karbone sepse unë jam një variant i tij. Ajo që më takonte mua si aktor është se suksesi i këtij roli u përcaktua pikërisht nga fakti se unë jam profesionist dhe punoj siç i takon një profesionisti. Punoj me një rol të vështirë. Edi Karbone është me një natyrë komplekse ka labirinte psikologjike që ndodhin tek ai që nga humbja e ekuilibrit në raport me veten e tij deri në demonstrimet e një logjike absurde sepse ai pa kuptuar bie pre e dëshirave të tij të fshehura që edhe ai vetë nuk i kupton dhe nuk është koshient për to. Unë jam përpjekur që ti prek ato, të prek inkoshiencën e tij më shumë se sa të kap një vështrim të jashtëm të karakterit të një hamalli, sepse Edi Karbone nuk është një hamall klasik, është një emigrant që ka shkuar në SHBA dhe ka gjetur mundësinë që përmes asaj pune të fitojë para. Vepra është thellësisht realiste dhe regjisori i ka qëndruar besnik këtij lloj trajtimi jo vetëm tek figura e Edi Karbones, por në përgjithësi midis personazheve dhe thelbit të veprës.

- Regjisori Pirro Mani që dikur ka vendosur këtë pjesë në skenën teatrore ka telefonuar dhe ka uruar për veprën, por ka shprehur dhe vlerësime ndaj aktorëve. Sa ju gëzuan urimet e regjisorit?

Pirro Mani është një regjisori i madh dhe unë nuk kam pasur fatin që ta shikoj kur ka luajtur këtë rol. Ai është një personalitet i madh i teatrit krahas disa regjisorëve të mëdhenj që ne kemi pasur si: Spahi Vogli, Mihal Luarasi, etj. Unë jam shumë i lumtur se para dy ditësh marr një telefonatë nga Nju Jorku. Ishte Pirro Mani që më uroi për personazhin dhe për marrjen e çmimit. Unë u emocionova dhe e prisja këtë finale që më mori Pirro Mani. I thashë hajde Pirro se të presim të gjithë dhe prezenca jote këtu i jep artit shqiptar një inkurajim të madh. Ai më tha se do të vinte në muaji shtator dhe madje më tregoi se ka shkruar disa vepra edhe dëshiron që të bëj diçka me to.

- Çmendoni për veprat që janë vendosur në skenën teatrore?

Teatri me doemos duhet të kthehet tek veprat serioze. Mendoj se këtë e ka bërë drejtoria e teatrit me “Pamje nga ura”, “Franku V” “Trojanet” etj. Në këtë hapësirë kohore teatri i është kthyer një repertori dhe ka bërë një kthesë serioze në këtë pikë. Natyrisht që nuk përjashtohen edhe shfaqjet me pak personazhe që edhe ato kanë një farë vlere dhe rëndësie kur bëhen të suksesshme. Ndërkohë më duket e drejtë që politika e TK dhe e MTKRS priret drejt realizmit të projekteve për të rinjtë sepse sot është nevojshme që të rinjtë të kenë mundësi që të shfaqen. Kam parë disa shfaqje kur u bë festivali teatror i të rinjve dhe më kanë pëlqyer disa prej tyre si ajo e regjisores Andia Xhunga apo e Zhakut, pra janë eksperimentime të mira dhe të rinjtë kanë nevojë që të dalin në fushë sepse ndryshe nuk kanë se si të afirmohen. Mendoj se Tirana ka nevojë për dy apo tre teatro dhe TK është vetëm një. Ai duhet që ti bëjë përzgjedhjet me një rreze më të madhe gjeografike. Nuk është e thënë që të marri vetëm aktorët e tij, ai mund të marri aktorë dhe nga rrethe të tjera sepse është përfaqësues i kombit, por mund të marri aktorë dhe nga Kosova.

-Publiku ju njeh shumë si aktor në filma, por ndërkohë që ju interpretoni dhe në teatër. Si e shikoni tetarin dhe filmin?

Aktori është aktor, teatri dhe filmi janë lloj arti dhe janë shumë pranë njëri-tjetrit. Në thelb asgjë nuk ndryshon, pasi një aktor i mirë është i tillë si në teatër ashtu dhe në film. Unë jam ndjerë më mirë në film sepse kam luajtur në shumë filma, por unë e kam nisur me teatrin. Pasioni im është teatri sepse ai ka komunikimin e gjallë me publikun, ankthin dhe duartrokitjet e publikut që të ndjek dhe nuk ta jep filmi. Filmi në këtë sens është një art i konservuar sepse mund të shkosh ta shikosh filmin me spektatorët e tjerë dhe ta ndjesh atë lloj kënaqësie.

-Roli juaj më i veçantë në filma?

Të gjitha rolet nuk janë suksese për aktorin, pasi sukseset janë momente shumë të veçantë. Ato nuk i ka në dorë aktori, por edhe arti ndonjëherë është si puna e verës që kërkon atë stazhonimin e kohës dhe me kalimin e kohës rivlerësohet. Mbaj mend kur luaja “Shtigje Lufte” duhet të bëja një personazh ku të mos ndjehej aktori. Për këtë rol unë kisha takuar vëllezërit dhe nipin e Kajo Karafilit sepse do të interpretoja Kananin. Kur mbarova xhirimet dëgjova disa regjisorë që ma shanë rolin. U ndjeva keq, pasi ata u shprehën se është i egër, “antiprofesional”. Koha kaloi dhe Kanani fitoi një popullaritet të madh dhe sot ky rol është evident në krijimtarinë time. Sigurisht që tani është koha që rivlerëson veprat, një rol si tek “Lulëkuqet mbi mure” pati atë impaktin e menjëhershëm, apo Meçja tek “Kur zbardhi një ditë” që ishte debuti im i parë serioz në kinema, po kështu do të shprehesha dhe për shumë role të tjera. Aktori duhet të jetë vigjilent sepse kur bën role të mëdhenj duhet dhe të gjejë role që të thyejë veten në kuptimin profesional. Për mua aktor i mirë është ai që i ka rolet e ndryshëm. Deri tani në filma kam interpretuar mbi 35 role dhe mund të kisha bërë më shumë, por ne aktorët shqiptarë jemi ruajtur duke i përzgjedhur rolet.

-Si e shikoni zhvillimin e kinematografisë shqiptare?

Shqipëria xhironte 10 filma para viteve ‘90 dhe kjo është një gjë e mirë. Mendoj se është ana pozitive pavarësisht se filmat kishin një funksion më tepër ideologjik dhe ishte një konsum masiv. Por e vërteta është e vërtetë që nuk mund të kontestohet ajo lloj tradite ku u rritëm dhe ne si brez aktorësh. Sot në Shqipëri filmi mbijeton, pasi bëhen 1-2 projekte sepse ne jemi një vend i vogël dhe as nuk mund të pretendojmë që të kemi të zhvilluar industrinë e kinemasë siç e ka Amerika. Ne e hedhim hapin sipas valles.

-Sa e vështirë ka qenë për ju që të arrini këtë karrierë të suksesshme artistike?

Ka qenë e vështirë sepse ka pasur kompeticion, por ka qenë e mundshme sepse ka pasur oferta. Sot të rinjtë nuk kanë oferta që të luajnë nëpër filma. Ne në këtë kuptim kemi qenë më me fat, por që të dalësh në majë dhe të bësh role, të quhesh një profesionist i mirë sigurisht që ka qenë e vështirë. Duhet patjetër që të japësh kualitet dhe ai nuk ka të bëjë me hapësirat gjeografike.

-Do të kemi ndonjë rol të ri nga ju në film?

Unë kam një propozim për të interpretuar në film, por dua që të bëj ndonjë rol të rëndësishëm. Unë kam nevojë që të luaj në një film me një rol, regjisor dhe skenar të mirë. Më kanë ofruar role, por është shpejt për të folur.

-Pas rolit të Edi Karbones kur do ju shohim sërish në skenën teatrore?

Në teatër jam më i rezervuar në projekte sepse kam mundësi që të zgjedh, por po ti futem një projekti ta justifikoj veten që puna të jetë e motivuar dhe unë të jem i plotësuar. Jo se nuk dua që të luaj në teatër apo në film, por si aktor profesionist kam kërkesa.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora