E shtune, 27.04.2024, 06:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Olta Boka: Më dukej vetja si Shqiponja në flamurin shqiptar

E merkure, 28.05.2008, 07:33 PM


Olta Boka
Olta Boka: Unë më e reja, ndërsa më e vjetra këngëtarja nga Kroacia

Më dukej vetja si Shqiponja në flamurin shqiptar

Nga Albert Zholi

Këngëtarja më e re e Festivalit në Eurovizion 2008, ishte Olta Boka, shqiptarja 16 -vjeçare. Askush nuk mund ta mendonte se zëri i saj do të dilte mbi moshën, për të përçuar muzikën shqiptare në mënyrën më dinjitoze në një Festival prestigjioz. Kushdo mund të mendoj se vendi që ajo zuri ishte shumë, shumë modest. Por për mendimin tim, duke pasur parasysh pjesmarrësit, investimet që kishin bërë vende të ndryshme për këtë eveniment të muzikës evropiane, mund të them se ajo e prezantoi në mënyrën më dinjitoze muzikën shqiptare.

Olta mund të na thoni diçka nga emocionet tuaja kur zbritët në aeroportin e Beogradit?

Kisha shumë emocione, pasi ishte eksperienca e parë. Por ndjeva një ogur të bardhë. Kjo ishte pritja. Ishte një mikpritje e jashtëzakonshme, jashtë parashikimeve të mia. Më pritën dy vajza me buqeta me lule dhe personeli  Ambasadës Shqiptare në Beograd. Vajzat u treguan shumë me kulturë, na përqafuan sikur të njiheshim prej kohësh. Dy shoqërueset na shoqëronin kudo Nuk na lanë asnjë rast që të mendonim keq apo të krijonim dyshime. Sjellja, kultura, shoqërimi ishte prefekt. Kjo ishte shenja e ogurit të mirë. Nuk e prisja këtë mikpritje. Isha përgatitur për ndryshe…

Na përshkruaj momentin kur dole në skenë në gjysmëfinale

Ishte një dëshirë e madhe për të dalë në skenë, një dëshirë e madhe për t’u thënë shqiptarëve që unë jam këtu për ju, për atdheun tim, për të lartësuar figurën dhe imazhin e Shqipërisë. Kisha emocion pozitiv në sensin për të bërë të pamundurën për të respektuar popullin tim dhe për të dhënë maksimumin për Shqipërinë. Doja t’i nderoja të gjithë. Të isha pjesë e tyre në ëndrrën për të pasqyruar vlerat më të mira të muzikës shqiptare. Këto ndjenja më dhanë forcë, kurajo, më rritën përgjegjësinë.

Ju dhe publiku në atë moment. Si reagoi publiku dhe si vazhdoi kënga tek Olta?

Ishte një moment që nuk përshkruhet. Dola në skenë e sigurt. As vetë nuk e di se nga më erdhi ajo siguri. Ishte një zë i brendshëm që më thërriste që të sfidoja gjithçka. Të justifikoja besimin. Salla ishte madhështore. Një sallë me 25 000 spektatorë me një skenë të vogël. Kur u thërrit emri im, thuajse nga gjithë salla mora duartrokitje frenetike. Vetëm një numër i papërfillshëm në një skaj, reagoi ndryshe. Spektatori serb ishte shumë i kulturuar. Tregoi qytetari që unë e veçoj dhe e vlerësoj. Ky reagim ndoshta kishte shumë arsye, ndoshta dhe mosha, ndoshta dhe veshja karakteristike.  Por pak a shumë kënga jonë njihej. Pasi ishte bërë një promovim paraprak në televizionet serbe. Por njihej jo vetëm  kënga ime. Në skenë ju përkushtova këngës dhe harrova dhe publikun. Gjithë vëmendja ishte tek kënga. Tek çdo fjalë e saj. U ndjeva mirë gjatë gjithë kohës së interpretimit. Dhashë maksimumin. Dukej sikur bisedoja me qiellin. Doja të hapja çatinë e sallës. Besova plotësisht për finale sepse dhashë gjithë ç’kisha, atë që kisha brenda meje e dhashë me plot ndjenjë, me plot dëshirë, zjarr, krenari, përkushtim në atë skenë.

Nuk e ndjenit veten paksa të ndrojtur përpara gjithë atyre këngëtarëve me eksperiencë ?

Jo. Isha e përgatitur të mos e mendoja këtë. Isha përgatitur psikologjikisht.  Këtë ma kishin iniciuar prindërit, kompozitori, autori i tekstit, Drejtori i RTSH-së. Pra, ata ma hoqën këtë ndjenjë. Pra unë e largova nga vetja ndrojën. Unë aty isha Shqipëria. Gjithkush aty përfaqësonte vendin e vet. Po të kisha këtë ndjenjë do të isha stepur, do të isha, tërhequr, do të isha pa atë fuqinë e duhur për të dhënë maksimumin. Isha përgatitur tërësisht për këtë sfidë, për të konkuruar si e barabartë mes të barabartëve pavarësisht vendit, moshës. Kjo ishte gjithçka për mua.  Unë të gjithë i pashë si konkurrentë, si profesionistë si këngëtarë, në një garë me shumë përgjegjësi. Në skenë unë isha Shqipëria dhe jo Olta. Nuk ndjeja shenja inferioriteti.

Mos mendoni se mosha ndikoi dhe në rezultat?

Atë nuk mund ta them unë. Unë di që dhashë gjithçka duhej. Por duhet pasur parasysh se në këtë festival vijnë vende, të cilat kanë një traditë në muzikë dhe investojnë shuma të mëdha. Në këtë festival konkurronin 43 vende.

Ju mendoni se ky rezultat ishte i kënaqshëm, maksimali?

Nuk dua të gjykoj jurinë. Ajo është profesioniste. Por duke pasur parasysh se kush merrte pjesë në këtë festival, personalisht jam shumë e kënqaur dhe krenare. Sipas shumë debateve që janë bërë në ambientet e sallës së Festivalit, Rusia kishte derdhur për këtë festival 1 milion euro. Promovimi i këngës ruse ishte bërë në gjithë televizionet europiane përpara konkurrimit në disa gjuhë. Pra, ne kaluam në finale duke lënë mbrapa shumë vende që kishin bërë shumë publicitet. Bjellorusia që kishte bërë një punë përgatitore të fuqishme (si dhe Rusia) që kishte shpërndarë me mijëra CD dhe DVD nuk hyri në finale. Prandaj unë jam shumë e kënaqur me vendin e 17 (e ndarë 16 dhe 17 me Spanjën). 

Ju kishit dhe një veshje interesante ndryshe nga të tjerët…

 (Më ndërpret)..Ishte një zgjedhje prefekte sipas meje. E zezë dhe e bardhë që ishte në funksion të këngës, tekstit të saj. Ishte një kombinim i modernes me tradicionalen. Ishte një gërshetim unik në funksion të së tërës. Unë mendoj se veshja ishte e gjetur artistikisht, pavarësisht se shijet e njerëzve janë të ndryshme. Ishte në harmoni me këngën. U ndjeva mirë me atë veshje.

Ju cila këngë ju pëlqeu më shumë

Më pëlqeu kënga e Izraelit. Kishte një forcë që të emociononte.

A e meritonte Rusia sipas jush vendin e parë?

Nuk mund të jap vlerësim të saktë. Por do të doja që Izraeli të zinte një vend më të mirë.

Kënga juaj kur fituat vend të parë në Festivalin në RTSH pati shumë debate. Diskutimi bëhej pasi ishte një baladë

(Me ngut). Po. Po.Po. E mbaj mend mirë. Tani mund të pyes unë. Ç’do të thonë mediat apo kritikët shqiptarë tani që një baladë (ajo ruse) zuri vend të parë?

Si e kujtoni natën finale?

Si eksperiencën më të bukur të jetës. Si momentin që ndoshta nuk do të përsëdytet. Momenti kur spikeri shqiptoi emrin tim për në finale, isha gati të fluturoja nga gëzimi. Më dukej vetja si Shqiponja në flamurin shqiptar. Që edhe unë kisha bërë diçka modeste për emrin e vendit tim. S’ka më krenari më të madhe që të përfaqësosh vendin tënd kur sytë e miliona shikuesve janë mbërthyer në ekran dhe të përmendet emri i  Shqipërisë.

Kush ishin të veçantat e këtij Festivali sipas jush?

Nga shumë komente të shtypit vendas mësova se ishin dy rekorde. Unë isha këngëtarja më e vogël e të gjitha festivaleve, ndërsa më e moshuara ishte këngëtarja 70- vjeçare nga Kroacia.

Kthimi juaj…

(Më ndërpret). Ishte akoma më emocionues. Ishin njerëz të thjeshtë, miqtë e mi, shokët, shoqet, të afërmit. Më mbushën me buqeta me lule. Në aeroport u prishën rregullat policore. Flamuj dhe lule dhe shumë bluza me portretin tim. Për shumë momente nuk e dija ku isha. Të gjithë këndonin këngën time. Unë bashkë me ta. Momente të papërsëritshme. U trajtova dhe u prita si princeshë e vërtetë.  Me këtë rast dua të përshëndes kompozitorin e këngës Adi Hila kompozitorin Pandi Laço dhe Drejtorin e RTSH-së. Ata ishin pjesa kryesore e suksesit tim.

Si e ndjeve veten kur mësove këtë

Me fat. Të privilegjuar. Në këtë moment na merr në telefon dhe Kryeministri Shqipërisë me bashkëshorten e tij, të cilët na uruan për fitoren. Më vonë më thanë se në Tiranë u prit me fishekzjarre ky moment.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora