Kulturë
Olta Boka rrëfen pakënaqësitë
E marte, 27.05.2008, 07:30 PM
Nga Ermira Isufaj
Më pritën me vërshëllima. Më lanë pa shoqërim vokal. Më lanë pa koreografi. Më vodhën pikët e Anglisë
E shoh në oborrin e gjimnazit “Sami Frashëri”, ku ajo mëson prej dy vitesh. E rrethuar nga shoqëria dhe mësueset e shkollës, ajo nuk rresht së thëni “Faleminderit!” për gjithë përgëzimet që ata i japin. Një buqetë e madhe me lule në dorë dhe një thjeshtësi e jashtëzakonshme e karakterizon 16-vjeçaren Olta Boka, që ka lënë pas skenën e Beogradit për t’iu rikthyer jetës normale. E shkëpusim për pak çaste nga grupi shoqëror, për t’i marrë edhe ne një intervistë, ndonëse numëron vetëm katër orë gjumë, pas mbërritjes natën vonë në aeroportin e Tiranës. Nuk ngurron të flasë për emocionet, incidentet e vogla në skenë, koreografinë e paplotësuar dhe veshjen së cilës duhej t’i përshtatej medoemos. Këtë herë Olta nuk ka lënë zemrën peng, por e ka hapur atë për lexuesit e gazetës “Korrieri”.
-Olta, si ndihesh tani që ke lënë pas eksperiencën tënde në Beograd?
“Unë kam marrë me vete çdo copëz që kam jetuar ato ditë në Beograd. Nuk mund ta cilësoja një sfidë, por një eksperiencë shumë të bukur. Jam ndjerë si dikush që zbret nga qielli dhe gjen në tokë një mbështetje dhe një përkrahje të padiskutueshme. Kam parë fansa që më janë ulur në gjunjë për të më puthur dorën, kam dhënë autografe pafund dhe kjo më ka befasuar. Nuk e kisha imagjinuar kurrë një sukses të tillë, pasi më duhet të pranoj, që unë isha një vajzë e thjeshtë, në kuptimin që nuk isha afirmuar më parë, nuk kisha pasur të tjera eksperienca si këngëtare. Ky festival më ngriti dhe normalisht më dha bumin e parë, sepse unë nuk isha ndonjë emër i njohur që njerëzit të më njihnin aq shumë, aq shumë atje në Serbi”.
-Ju ishit këngëtarja më e vogël e “Eurovizion 2008”. A të kanë parë vërtet me syrin e të ledhatuarës së festivalit?
“Po, sigurisht. Duke qenë e vogël në moshë, gjatë konferencës për shtyp nuk kanë munguar as pyetjet ngacmuese karshi meje. Më pyetën si ka mundësi që një këngëtare kaq e re këndon balada dashurie, për stilin e këngës, por në asnjë moment nuk jam ndjerë në siklet, sepse në të gjitha përgjigjet që kam dhënë, kam qenë vetvetja”.
-Por, si çdo gjë e mirë që e ka një të keqe pas, edhe performanca juaj nuk ka kaluar pa kritika. Në disa forume në internet është shkruar se në kohën kur ju keni përfunduar këngën në skenë, ka pasur ovacione aspak të këndshme karshi teje. Je në dijeni të këtij fakti?
“Nuk mund të jap një përgjigje të sigurt për këtë pyetje. Kur duartrokitemi në skenë, ne këngëtarët kemi kufjet në vesh, pasi në ato momente duhet të dëgjojmë vetëm bazën muzikore dhe asgjë tjetër. Kur unë hoqa kufjet, për të qenë e sinqertë dëgjova shumë duartrokitje e të njëjtën gjë konstatova edhe kur pashë të regjistruar nga im atë në video paraqitjen time. Nuk mund ta mohoj që ka pasur edhe mos pëlqime, që janë shfaqur në pasthirrma aspak të pëlqyeshme, por kjo për mua nuk ka rëndësi vendimtare, pasi unë isha e ndërgjegjshme për skenën e vendin ku po këndoja...”
-Sa i takon kartolinës përshëndetëse për Shqipërinë, edhe ky moment është parë me nota skepticizmi dhe aspak vlerësuese për vendin tonë. Cili do të ishte komenti juaj në këtë rast?
“Kam përshtypjen se këto janë vlerësime me koniunktura politike. Mua nuk m’u duk shumë keq, nëse do e krahasoja me atë që kishin përgatitur shtetet e tjera të botës. Them se e kemi pasur të bukur, pasi flamuri shqiptar do të ishte një simbol i pamungueshëm në atë spot, pa diskutim. Unë nuk pashë që shtetet e tjera të kishin bërë ndonjë mrekulli në këtë aspekt”.
-Gjatë performancës tënde në skenë, u pa që vija melodike ishte zëvendësuar me instrumentistët që të shoqëronin në Beograd, ndërkohë që në festivalin e fundvitit në RTSH nuk ishte e njëjta situatë. Është ripunuar kënga apo....
“Kënga është ripunuar në Itali, duke nxjerrë një version të dytë, i bazuar mbi atë të parin. Janë hequr back vokalet dhe ka dalë më në pah kitara, bateria e basi, për të prodhuar një version më ritmik. Por, nëse do të kisha back, vokalet shoqëruese në skenën e “Eurovizionit” do të ishte një rrezik për të stonuar”.
-Dihet që limiti i grupit që mund të shoqërojë këngëtarët në skenën e “Eurovizionit” është deri në gjashtë. Vetëm kënga juaj këtë vit nuk kishte një grup shou, siç kishin gjithë shtetet e tjera të botës. Pse ka ndodhur kjo?
“Kënga është e stilit baladë dhe nuk u pa si e nevojshme që të bëhej një kërcim koreografik. Në fakt, për hir të së vërtetës, mund të pohoj që është kërkuar për të pasur një çift balerinësh në skenë dhe jam e bindur që kjo do t’i shtonte më tepër pikë performancës sime, por siç çdo gjë tjetër, edhe kjo nuk ishte në dorën time”.
-Kamerat kanë fokusuar një moment kur bateristit i është shkëputur nga dora shkopi me të cilin po interpretonte. Ishte diçka e sikletshme për ty?
“Këtë mund ta quaja si një ogur të mbarë për të hyrë në finale dhe vetëm kaq!”
-Edhe veshja juaj është komentuar jo pak në site të ndryshme në internet, madje e kanë cilësuar si një uniformë kolegji. Ju vetë si do ta cilësonit këtë gjë?
“Ishte një veshje serioze. Një xhubletë e zezë me shumë kopsa, që të jepte përshtypjen e një veshjeje ushtarake. Qëllimi ka qenë të ishte një performancë dinjitoze, në sajë të paraqitjes serioze. Nuk është se jam ndjerë keq, pasi ajo u bë pjesë e imja, pavarësisht pëlqimit ose jo. Kur e vesh një gjë tri herë në ditë, për pesë ditë rresht, do apo nuk do je e detyruar që t’i përshtatesh. Sa i takon etiketimit si uniformë kolegji, mund të them që çdo opinion është subjektiv. Pasi ajo që në fillim ishte nisur për një veshje tradicionale, e ndërthurur me modernen dhe rezultati ishte ai që patë në skenë”.
-Pavarësisht këtyre faktorëve, mendon se mund të kishim marrë më shumë pikë?
“Votimet nuk janë pjesa që më takon mua të përgjigjem. Por fakti që ai u konsiderua si një festival politik, nuk ka nevojë për koment. Normalisht prisja më shumë, por duke qenë se jemi një shtet i vogël, aleancat tona me shtetet fqinjë nuk janë aq të fuqishme sa lobingu i shteteve të tjera, kështu që edhe rezultati dihej. Nga disa shtete, si Greqia apo Turqia, prisja vlerësim më të madh. Gjatë gjithë kohës unë isha më pesimistja e grupit shqiptar që ndodhej në Beograd, sepse pavarësisht se bëra maksimumin tim, dhe kjo bëri që Shqipëria të kalonte në finale, unë e dija atë që më priste. Unë jam e bindur që shumë shqiptarë të Kosovës e Shqipërisë me banim në Angli më kanë votuar. E në fund fare unë nuk kam marrë asnjë pikë nga ky vend, gjë që lë vend për dyshime. Me këtë nuk dua të justifikohem për asgjë, por dëshira ishte e madhe që të hyja të paktën në 10 vendet e para”.
-Jeta jote artistike, si do të vijojë tash e tutje?
“Do ta vazhdoj këtë rrugë. Do të kem një këngë të re së shpejti, për të cilën nuk jam e autorizuar të flas. Besoj se do të jetë një hit i bukur, që do të më lërë mundësinë të eksperimentoj edhe në zhanrin muzikor”.