E shtune, 27.04.2024, 05:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Zisi: Kordinatat mistike të një poeti...

E marte, 27.05.2008, 08:28 PM


Kordinatat mistike të një poeti...

Nga Suzana Zisi

Yjet do trazoj”, është libri i parë me poezi i autorit Dhimitraq Papando. Autori i këtij vëllimi, dëshmon: kulturë letrare të thellë, edukatë të lartë leximi e vrojtimi, njohje të poezisë popullore e teknikave të larmishme të saj, afeksion me poezinë më cilësore shqiptare, sidomos atë të traditës, si dhe një frymëzim poetik, të qartë e të pastër. Në libër lexuesi do të gjejë mesazhe dhe ide bashkëkohore, të përcjella me sinqeritet dhe dashuri prej poetit, vargje të ngrohta të lindura nga një shpirt i trazuar, figuracion të pasur, të menduar dhe të modeluar bukur, në harmoni me tematikën dhe problemet që shqetësojnë autorin. Si pjesë organike e librit, veç poezive të shkurtëra, janë edhe tri poema: “Ndjej një ëndje shumë lashtë”, “Udhëtim” dhe “Muzgu”, në të cilat autori manifeston aftësi të mëdha për të kërkuar në brendësi të shpirit njerëzor, perla ndjenjash dhe emocionesh.

Teksa lexon poezitë e Dh. Papandos, ndjen menjëherë fijet e dashurisë e të mallit, tingujt e butë shpirtërorë që e lidhin atë me vendlindjen, me Korçën e bukurive natyrore, serenatave dhe jetën paksa të lirshme dhe epikuriane. Më tutje, përmes vargjeve të ndërtuara me fjalë të zgjedhura, me strofa të rregullta, me tingëllimë e muzikalitet të veçantë, verifikohen idhujt e tij në poezi: Lasgushi e deri diku edhe Kuteli. Itenerari i tij poetik, zë fill në gjërat më tokësore e jetësore si buka, malli, dashuria, brenga, vendlindja, natyra, thellësitë e shpirtit, ëndërrat e mbetura vetëm ëndërra, realitete të pamundura etj, por, perceptimi dhe imazhi poetik i Papandos, sipas modelit të Lasgushit të madh, fluturon drejt yjeve, deri në qiellin e Zotit e të ëngjëjve , tek kordinata më e largët dhe më mistike për shqisat e njeriut, por gjihësesi më e dashura dhe më e kërkuara për të. Në këto kordinata qiellore, ku vetëm shpirti i poetit mund të shkojë, Papando zbulon e kupton vetveten, qëndis pëlhurën e tij poetike duke përzgjedhur e përkëdhelur fjalët njëlloj si lulet. Ndër fjalët më të përdorura në dekorin e tij stilistik,, të cilat, në poezi, shndërrohen në simbole kontekstuale individuale janë: yll, qiell, diell, nazetare, vashëza, frymë, prush, gaz, hire, mëkatar, vegim, lot, dritëhije, flake, zjarr etj. Megjithëse vargjet e këtij autori synojne në shumicën e rasteve, të ndërtojnë një botë mistike e qiellore, nëpërmjet një teknike të sofistikuar poetike, ligjërata apo kënga e tij është e kuptueshme, e thjeshtë, e qartë dhe tepër komunikative.

Në këtë vëllim poetik, hasen motive të ndryshme, të qëmtuara e të punuara me kujdes profesionisti e dashuri humane, motive nga jeta e përditshme, meditacione nga sferat metafizike, filozofike e universale të cilat e bëjnë tepër të këndshëm, leximin dhe përjetimin e lëndës poetike. Një tufë vjershash të bukura janë ato që janë frymëzuar nga dashuria për vashën dhe miken. Në vjersha të tilla si: “Mikja nëpër dimër”, “Një e huaj me gërshetë”, “Nuk kam faj i ngrati”, “Ç’panë sytë e mi”, “A jam i verbër” etj, përmes një lirizmi dhe erotizmi të ekuilibruar, konform skriptit kanonik popullor (shqiptar) dhe gjithmonë i përvuajtur si një dashnor platonik, Papando, ia arrin me sukses, të krijojë një botë me dashuri të thellë e të vyrtytshme, të pastër e të kthjellët si vetë Natyra dhe Zoti. Dashuria për poetin është gjithmonë si një zjarr përtëritës që nuk i zhurit sendet e kësaj bote dhe shpirtin e njeriut, por, përkundrazi, iu jep atyre një shkëlqim e bukuri të veçantë, verbuese e tunduese. Këtë mesazh synojnë të japin vargje të tilla si:

“Po ç’kam një zjarr që rreh të ndrisë?

A jam i verbër, ti drita ime,

Apo verbohem prej bukurisë

Tepër interesante dhe të realizuara në pikëpamje figurative-stilistikore, paraqiten vargjet peizazhiste që këndojnë natyrën e bukur shqiptare, sidomos atë të vendlindjes së poetit. Në pikëpamje tipologjike ato iu përngjajnë akuareleve poetike, janë të mbushura me shpresë, dritë, mall, adhurim dhe qëndrojnë në harmoni me reagimet emocionale, jo vetëm të poetit, por edhe të lexuesit. Këtë ndjesi përcjellin poezi si “Një mëngjes të ngrohtë…”, “Era”, “Hëna blu”, “Qytetit tim” apo poema “Muzgu”, e cila, vjen si një këngë e gjatë, në të cilën autori njëjtësohet me natyrën dhe pasuritë e saj.

Ndërsa në poemën “Ndjej një ëndje shumë të lashtë”, poeti e zhvendos optikën poetike në thellësitë e qenies personale, duke zbuluar para lexuesit, dramën e njeriut modern gjithmonë në kërkim të identitetit apo Itakës së humbur. Në këtë poemë shfaqen më së miri karaktaristikat themelore të natyrës si krijues dhe tiparet e poezisë së tij

Në aspektin figurativ dhe stilistikor, Dh. Papando prezantohet si një poet që respekton me rigorozitet rregullat e prozodisë klasike. Por, edhe pse ai ndërton vargje të matura, strofa të rregullta, me rima (ndonjëherë ato janë të dyzuara) dhe kadencë konstante, shpirti i poetit endet i lirë, rregullat e metrikës nuk e pengojnë që të këndojë këngën e tij për botën dhe jetën që për të janë sa tokësore aq edhe qiellore, sa reale aq dhe irreale. E rëndësishme për poetin është fakti që në të dyja duhet besuar.

Duke u nisur nga vlerësimi për gjithë bllokun e tij poetik, mund të pohojmë se, Dh. Papando është poet i përjetimeve të holla emocionale, thellësisht lirik, refleksiv dhe meditativ. Ai është këngëtar i ndjenjave të holla dhe të kristalta njerëzore, frymëzimi i tij buron nga flukset më të bukura jetësore, ndërsa kredon e tij poetike, ai ua prezanton lexuesve pjesë-pjesë e pak nga pak në çdo vjershë të librit, por në mënyrë të përmbledhur e gjejmë atë në vargjet:

Rroj një jetë… si çdo jetë,

Porsi si zogu nëpër fletë,

Cicëroj me zë të mirë,

Jepem, falem me dëshirë,

Pas një ëndërre që më prêt

Me rënkime sa një det

 

Botuar ne 14 01 2008 ne revisten letrare: "UNIVERSI SHQIPTAR I LIBRIT; AUTORI, LIBRI, KRITIKA"



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora