E premte, 26.04.2024, 10:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Imazhe idilike dhe dramacitet

E premte, 29.11.2013, 07:59 PM


Imazhe idilike dhe dramacitet

(Refleksione  mbi  lirikat  “Me sytë  e endjes”    Lindita  Ramushit )

Nga Vladimir Muça

Sapo mbaron së lexuari produktet poetike “Me sytë e endjes “ të poetes gjilanase Lindita Ramushi, patjetër , që si një kolovajzë endesh  në një botë të një lirizmi multi-valent, me ngarkesa të  thekura idilike, të cilat vishen me një tharm filozofik.

Me këtë vëllim autorja na sjell një natyralizim e një filozofi interpretuese të lirikës shqiptare disi tjetër lloj.Ekzistencializmi dhe impresionizmi na vinë veshur me atë xhamadanin vija- vija e plisin e bardhë të mpleksur nën hijen e “çarrit”, tirqet e xhubleta si tallagan.

Në këto lirika vërej një Montale, ku bota shpirtërore e autores dhe e “ idhujtarëve” të saj , si një “Drusila Tanzi” e paisur me shqisën e shtatë të shpirtit , depërton lehtazi në shpirtrat e njerëzve , pse jo dhe vetë lexuesit, herë e egër , herë e ëmbël,  butake, me kantilena.

Vargu i Linditës , ushqyer me një mishelë të tillë si një stekë, godet bilat e  shpirtit kosovar , duke shpërvjelë provincionalizmin e folklorizmin e dikurshëm duke thyer korracën e një reçesioni të amullt, e duke nxjerrë thelpinjtë e vërtetë aq shumë të dëshiruar. Janë këto thelpinj lirikë që do të mëkojnë me vajin epistolik shpirtin lirik të poetes dhe atë shqiptar në tërësi.

Nga vitet që përmbledhin dhe hapësirat përfaqësuese , këto lirika më ngjajnë me palimpsestet  jetësorë që nga adoleshenca e poetes, ku ndjenjat , perceptimet lirike janë mbivendosur me nënshtresat e viteve të autores.Nga përvojat, peshat e këtyre viteve, ashtu sikundër karbonatet përfitojnë cilësi  diamantike dhe këto na vinë duke përftuar fortësinë e vezullimin e karatëve më të lartë.

Përfaqësuese tipike e një elokuence poetike ngjeshur me ngarkesa ndjenjësore të idilit dashuror janë poezitë: “ Ka disa ditë”, “Ta ndez kujtesën në buzët e mija” , “ Drithërimë e hijeve të natës” , ku autorja thirrmon:

“Ku t’i lë mbrëmjet e mërguara që janë bërë  perla

pritjesh.

…….Ka disa ditë ëndërrat kam shtegtuar të gjejnë

Mbase je strukur nën hijen ku po pushon.”

ku  dashuria shfaqet në transfergjencë, vjen e fuqishme, ndjellëse, me rrënjë eksigjente.

Ajo , poetja, tashmë e ka kontaminuar qënien shpirtërore  dhe shfaqet si një Dodonë mbisunduese por dhe si një Circe , mikluese, ka më shumë shpirtëzim.Tashmë siç shprehet poetja:

“Linjës së pashtërrur

Malet me nurin tim të flaktë”

Ajo rrezaton me shumë ngrohtësi në hapësirat e shkopsitura të shpirtit sepse tashmë ajo gjithçka e ka marrë e jep gjithçka  pa kundrasali.Filozifikimi i lirizmit me konceptet e reja që po zenë vend çdo ditë e më shumë në ligjërimet  poetike , nuk është më mëkat letrar, siç bisedohet rëndom akoma  si në biseda dhe në reflektimet, në shtypin e shkruar.

Filozofimi poetik i lirikës erotike, në veçanti të përdorur me aq shumë efikasitet nga Lindita Ramushi, e ka në fakt zanafillën që në lashtësi . Ka lindur bashkë me ninullën, këngët, poezitë. Që në lashtësi , Platoni e Safo janë konsideruar më të mëdhejtë poetë –filozofë të dashurisë  me fillesa e lashtë në “Këngët e Gilgameshit”.

Në kohën e sotme Borgezi dhe Montale shtruan shinat e e filozofisë së re në artin e të bërit poezi.Eugenio Montale  e ngriti në piedestal duke krijuar “Drusila Tanzin” tek “Sepiet” duke na dhënë modelin e një dashurie multivalente sa shpirtërore , hyjnore aq dhe tokësore si sepiet .

Në këto gjurmë ka ecur siç duket në vëllimin “Me sytë e endjes” dhe poetja nga Gjilani, Lindita Ramushi. Ajo tenton  një lloj të re lirike  të mbarsur me mendim filozofiko-letrar , hapësira të gjëra mendimi . Autorja duke lidhur kontekste të ndryshme , me metafora e simbolizma  me areolat e një sharmi filozofik ku jo çdo gjë  del sheshit. Por rrezaton nga shtresat xeherore të jetës së autores.

Poezitë: “Merre”, “ Kur përshpërisin fletët”, “ Një  gotë verë në kupë argjile”, “Mëndafshi i bardhë”,”Poleni i rrugës” etj, janë tipike    që reflektojnë nocione  të reja duke natyralizuar hermetizmin poetik, duke çare korracën hermetike që aq shumë po e torturon poezinë kosovare në këtë reçesion, duke hapur shtigje të reja që të çojnë në bërthamën poetike duke marrë trajta të reja shpirtëzimi.

Siç duket , Lindita ka gjetur vetveten poetike dhe si bahçevane e Gjilanit të dashur, kultivon me shumë dashuri e pasion filozofi-poezinë  dhe në idilikën e saj të përjetuar . Këto vargje të lira nga çdo ndrymje ,në tërësinë e tyre hedhin vallen aq bukur, aq natyrshëm nën hijen e “çarrit” ,” ku përshpërisin fletët”  mes “erës së thatë , tek stacioni i fletëve të vjeshtës” atje  “ larg qytetit të kristaltë”, saqë përpara na shfaqen shtojzavallet buzë buranave, arave, lëndinave, mezhdave, gjer në agimet shigjetare  të Karadakut, apo perëndimet ngjyrë alle të Gjilanit.

Vëllimi “Me sytë e endjes” përbëhet në strukturën emocionale e filozofisë idilike  nga  copëza meteorite të planetit zemër të poetes, të cilat nga fluturimet kozmike në shtresat natyrore të shpirtit digjen duke shtrirë bishtin e një komete në të gjithë hapësirat e erosit tokësor dhe hyjnor.

Përfshirë nga ky zjarr , dhëmbja dhe brishtësia janë pjesë e asaj në formatura unike në libër.Emocioni që vjen që nga brendësia  është dhe përcaktueshmëria e këtij unilitirizmi. Lindita kësisoj sjell substancën e jetës së vet në një mjedis poetik  duke hapur shtigje dhe hapësira gjithëpërfshirëse. Imazhinizmi poetik dhe kinematika filmike të dala nga projektori i mendjes dhe i zemrës përditon me fuzhnjeta jo vetëm të vluarin e zemrës  së autores , për të gjithë njerëzit që e përqarkojnë , duke u dhënë frymë nga fryma e saj, dlirësi nga dlirësia e saj, dashuri nga dashuria e saj.

“Fjalët thuren për për të ndërtuar shtretër

Shtretër ku fle trupi i çlodhur nga ëndërrat

Miliona nga to plotësojnë trupin me figura mozaiku

Kur në ty mbështes kokën.”

Në konceptin personalizues, Ramushi flet në vetën e parë duke sjellë gjithçka që i vlon në shpirt. Por intesiteti lirik , valencat që ai mbart , protonizmi gjenerues , me aftësinë mikluese përfshin e bëhet jetësor për çdo qënie polifere  apo antopromorfe, nëpërmjet një aforizmatike të fuqishme , por të nënkuptuar mirë nga cilido që e përjeton  e që ndikimi i së cilës është shumë mbresëlënës tek lexuesi.

Lindita në përgjithësi në poezitë e botuara vjen si një poete e lindur lirike.Në këto poezi dallohet qartazi koncepti i saj për  lirikën si nocion poetik që përshkon  tek lexuesi  emocione të transplantuara në mënyrë krejt natyrale ,rrjedhshëm, me zërin e shpirtit. Autorja kënaqet  në këtë natyralitet pa kaluar më tutje në lirizëm  i cili përfaqëson në vetevete një farë ekzaltimi , apo lartësimi të ndjenjës mbi atë  që e përqarkon autoren dhe lexuesin .Sinoptika e poetikës natyrore dhe vullkanizimi në të i ndjesive shpirtërore si  një polifoni  e një estetike të re në natyralizimin e modernitetit poetik.

Digresioni  pamor dhe intuita shpirtërore  vinë si një  pajtueshmëri në këtë sinoptikë , drejt unifikimit të një uni pa digresione shpirtërore. Digresioni pamor i tejzbutur ,harmonik intercepton ndjenjësitë shpirtërore, duke ardhur në vargje  si një fllad i freskët idilik.

Poetja këndon me zërin e plotë të zemrës , të mendjes, të shpirtit, butësisht ,flurore, por dhe me ashpërsinë e jetës në pentagramet e melodies.

Kështu  që lirika erotike, patriotike, atdhetare vjen si një bashkësi shpirtërore , si një aliazh mbi themelet e të cilëve qëndron dashuria me universialitetin e saj.

Në këtë kontekst, poezia e Lindita Ramushit shpalos përvojat jetësore me një imazhinizëm , ndërthurur me intensiven e botës që e përqafon. Uni poetik dhe uni trascendentes erotike është shkrirë  natyrshëm në ndjesinë e  madhërishme që përcjell akti prevalent i Evës biblike, nga ku ka zanafillën mëkati i lakmueshëm.

Në alkiminë poetike,  Linditës i pëlqen të përdorë gjërësisht simbolin dhe metaforën, duke synuar në një alkimi të re të këtyre instrumentave artistik me një metaforë- simbol. Përmes tyre poezia merr fuqi e rrit valencat e shprehjes të mendimit e të qëllimit.Vargje të tëra shtjellojnë tek lexuesi imazhe surrealiste e impresioniste që irracionalitet të përjetuar të cilët zbulohen e deshifrohen permes abstragimit si përshembull:

Ta njoh nga larg vezullimin e diamante

Buzët që i ngjajnë qershisë

Të njoma t’i njoha ty

Në sy kishe shkëlqimin e lumturisë.

Poetja përmes  zanafillës ndjenjësore të fjalës dalë nga lukthi i zemrës,  na krijon simbolikën e shumëpritur ,të amëshueme të një femre ,e cila vjen si një sinonim i një kënaqësie  intime në staturë të lartë gjithëpërfaqësuese , më të madhe e mbi personalen. Gjithçka vjen si  një çelës  i artë për të çelur e ndriçuar situata e gjëndje shpirtërore të caktuar me situata të jashtëzakonshme.

Ndjenja e së bukurës grishëse nën okielon e geishave japoneze është një kolumbiane në udhëtimet ndërgjegjësore të poetes.E  ngarkuar me protone të tilla në potenciale super të ngarkuar, poetja nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj çdo objekti apo formature njerëzore. Atë e miklon çdo gjë e bukur. E bukura për poeten Lindita Ramushi si koncept dhe si nocion është një katalizator , një përndezje, për ta futur në subkoshiencat  poetike. Kjo bukuri, sa shpirtërore, tokësore, hyjnore, qiellore është e kudo ndodhur në poezitë e saj.

Gjithçka shfaqet para lexuesit si një shtojzavalle apo një Circe, që vjen ujeshëm  nga shpirti dhe e truri i poetes si një mendim i ngulshëm , si një obsesion femëror.

Autorja me një intimitet  transparent, ndër trille poetike me mikrokozmosin e kozmosin idilik, të bërë njësh në një masë antropomorfe ,me nuancë të zanafillës Safo, duke shpalos përvoja  të fuqishme, në një integrale emocionale tepër personalizuese, unike në shpalimin idilik ku:

Sonte paska dalë  hëna e tretur mes yjeve

Trëndafili në një fletë i ra hija e mallit për dritë.

Si zjarr ngjyrë kësaj natë

E  pashë mbi degë tek lëngon pa fjalë.

Një lirizëm animalitik aq shumë ardhë nga një burimore sa tokësore aq  dhe  kozmike. Animalacioni shpirtëror i poetes bën që dhe një fletë peme me pëshpërime, të mbështjellë kokën  e frutit , siç mbledh nëna në gjirin e saj fëminë.

Ndjesitë shpirtërore të autores si femër ,si bijë, si grua,e ardhme, merr ndjesira e force dhe nga një pemë  për frutin e saj.Bota amorfe dhe ajo antropomorfe kanë një ndërlidhje të pashkëputur biblike.

Lindita Ramushi në konceptin estet i krijon tabllotë lirike të konverguara me një timbër e ngjyrim emocional të prekshëm  larg çdo kozmogonie, me një ekzistencializëm  sa modern aq dhe autentik.Ajo me penelin e Salvador  Dalisë, e pse jo dhe të Jetullah Halitit nga Gjilani reflekton, me aureolat e ngjyrimet poetike vetëveten e botën që e perqarkon, sepse siç shprehet në lirikën “ Mëndafsh i bardhë”

“Në vijat e fytyrës të pashë

Germëzuar copëza të fjalës mallë

Dora ime i preku butë

Rëshkiti në to si me mëndafsh të bardhë.”

Libri me lirika “ Me sytë e endjes”  vjen me lirikën mbarëkombëtare si një prurje e re, duke interceptuar me shqisat e lirizmit një shqisë të shtatë poetiko-filozofike, shqisën e të gjitha qënieve që përtejçmon poetja.

Ajo na servir një lirizëm objektiv e subjektiv , i cili kthehet në një prototip real artistik në kuadrin librar që na ofron. Me këtë libër , Lindita Ramushi tenton e synon të jetë një zë lirik autentik, i personalizuar me filozofimet me bëmat e bilançeve idilike shtresuar në palimpsestet e viteve.

 

Dyrrah, 4.3. 2013

VLADIMIR   MUÇA

Nënkryetar i KSHA Durrës

Poet-studjues

E- mail: vladimir_muca@yahoo.com



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora