| E premte, 29.11.2013, 07:59 PM |
Imazhe
idilike dhe dramacitet
(Refleksione mbi lirikat “Me sytë e endjes” të Lindita Ramushit )
Nga Vladimir Muça
Sapo mbaron së lexuari produktet poetike “Me sytë e endjes “ të poetes gjilanase Lindita Ramushi, patjetër , që si një kolovajzë endesh në një botë të një lirizmi multi-valent, me ngarkesa të thekura idilike, të cilat vishen me një tharm filozofik.
Me këtë vëllim autorja na sjell një natyralizim e një filozofi interpretuese të lirikës shqiptare disi tjetër lloj.Ekzistencializmi dhe impresionizmi na vinë veshur me atë xhamadanin vija- vija e plisin e bardhë të mpleksur nën hijen e “çarrit”, tirqet e xhubleta si tallagan.
Në këto lirika vërej një Montale, ku bota shpirtërore e autores dhe e “ idhujtarëve” të saj , si një “Drusila Tanzi” e paisur me shqisën e shtatë të shpirtit , depërton lehtazi në shpirtrat e njerëzve , pse jo dhe vetë lexuesit, herë e egër , herë e ëmbël, butake, me kantilena.
Vargu i Linditës , ushqyer me një mishelë të tillë si një stekë, godet bilat e shpirtit kosovar , duke shpërvjelë provincionalizmin e folklorizmin e dikurshëm duke thyer korracën e një reçesioni të amullt, e duke nxjerrë thelpinjtë e vërtetë aq shumë të dëshiruar. Janë këto thelpinj lirikë që do të mëkojnë me vajin epistolik shpirtin lirik të poetes dhe atë shqiptar në tërësi.
Nga vitet që përmbledhin dhe hapësirat përfaqësuese , këto lirika më ngjajnë me palimpsestet jetësorë që nga adoleshenca e poetes, ku ndjenjat , perceptimet lirike janë mbivendosur me nënshtresat e viteve të autores.Nga përvojat, peshat e këtyre viteve, ashtu sikundër karbonatet përfitojnë cilësi diamantike dhe këto na vinë duke përftuar fortësinë e vezullimin e karatëve më të lartë.
Përfaqësuese tipike e një elokuence poetike ngjeshur me ngarkesa ndjenjësore të idilit dashuror janë poezitë: “ Ka disa ditë”, “Ta ndez kujtesën në buzët e mija” , “ Drithërimë e hijeve të natës” , ku autorja thirrmon:
“Ku t’i lë mbrëmjet e mërguara që janë bërë perla
pritjesh.
…….Ka disa ditë ëndërrat kam shtegtuar të gjejnë
Mbase je strukur nën hijen ku po pushon.”
ku dashuria shfaqet në transfergjencë, vjen e fuqishme, ndjellëse, me rrënjë eksigjente.
Ajo , poetja, tashmë e ka kontaminuar qënien shpirtërore dhe shfaqet si një Dodonë mbisunduese por dhe si një Circe , mikluese, ka më shumë shpirtëzim.Tashmë siç shprehet poetja:
“Linjës së pashtërrur
Malet me nurin tim të flaktë”
Ajo rrezaton me shumë ngrohtësi në hapësirat e shkopsitura të shpirtit sepse tashmë ajo gjithçka e ka marrë e jep gjithçka pa kundrasali.Filozifikimi i lirizmit me konceptet e reja që po zenë vend çdo ditë e më shumë në ligjërimet poetike , nuk është më mëkat letrar, siç bisedohet rëndom akoma si në biseda dhe në reflektimet, në shtypin e shkruar.
Filozofimi poetik i lirikës erotike, në veçanti të përdorur me aq shumë efikasitet nga Lindita Ramushi, e ka në fakt zanafillën që në lashtësi . Ka lindur bashkë me ninullën, këngët, poezitë. Që në lashtësi , Platoni e Safo janë konsideruar më të mëdhejtë poetë –filozofë të dashurisë me fillesa e lashtë në “Këngët e Gilgameshit”.
Në kohën
e sotme Borgezi dhe Montale shtruan shinat e e filozofisë së re në artin e të bërit
poezi.Eugenio Montale e ngriti në piedestal
duke krijuar “Drusila Tanzin” tek “Sepiet” duke na dhënë modelin e një dashurie
multivalente sa shpirtërore , hyjnore aq dhe tokësore si sepiet .
Në këto
gjurmë ka ecur siç duket në vëllimin “Me sytë e endjes” dhe poetja nga Gjilani,
Lindita Ramushi. Ajo tenton një lloj të re
lirike të mbarsur me mendim filozofiko-letrar
, hapësira të gjëra mendimi . Autorja duke lidhur kontekste të ndryshme , me
metafora e simbolizma me areolat e një sharmi
filozofik ku jo çdo gjë
Poezitë: “Merre”, “ Kur përshpërisin fletët”, “ Një gotë verë në kupë argjile”, “Mëndafshi i bardhë”,”Poleni i rrugës” etj, janë tipike që reflektojnë nocione të reja duke natyralizuar hermetizmin poetik, duke çare korracën hermetike që aq shumë po e torturon poezinë kosovare në këtë reçesion, duke hapur shtigje të reja që të çojnë në bërthamën poetike duke marrë trajta të reja shpirtëzimi.
Siç duket , Lindita ka gjetur vetveten poetike dhe si bahçevane e Gjilanit të dashur, kultivon me shumë dashuri e pasion filozofi-poezinë dhe në idilikën e saj të përjetuar . Këto vargje të lira nga çdo ndrymje ,në tërësinë e tyre hedhin vallen aq bukur, aq natyrshëm nën hijen e “çarrit” ,” ku përshpërisin fletët” mes “erës së thatë , tek stacioni i fletëve të vjeshtës” atje “ larg qytetit të kristaltë”, saqë përpara na shfaqen shtojzavallet buzë buranave, arave, lëndinave, mezhdave, gjer në agimet shigjetare të Karadakut, apo perëndimet ngjyrë alle të Gjilanit.
Vëllimi “Me sytë e endjes” përbëhet në strukturën emocionale e filozofisë idilike nga copëza meteorite të planetit zemër të poetes, të cilat nga fluturimet kozmike në shtresat natyrore të shpirtit digjen duke shtrirë bishtin e një komete në të gjithë hapësirat e erosit tokësor dhe hyjnor.
Përfshirë nga ky zjarr , dhëmbja dhe brishtësia janë pjesë e asaj në formatura unike në libër.Emocioni që vjen që nga brendësia është dhe përcaktueshmëria e këtij unilitirizmi. Lindita kësisoj sjell substancën e jetës së vet në një mjedis poetik duke hapur shtigje dhe hapësira gjithëpërfshirëse. Imazhinizmi poetik dhe kinematika filmike të dala nga projektori i mendjes dhe i zemrës përditon me fuzhnjeta jo vetëm të vluarin e zemrës së autores , për të gjithë njerëzit që e përqarkojnë , duke u dhënë frymë nga fryma e saj, dlirësi nga dlirësia e saj, dashuri nga dashuria e saj.
“Fjalët thuren për për të ndërtuar shtretër
Shtretër ku fle trupi i çlodhur nga ëndërrat
Miliona nga to plotësojnë trupin me figura mozaiku
Kur në ty mbështes kokën.”
Në konceptin personalizues, Ramushi flet në vetën e parë duke sjellë gjithçka që i vlon në shpirt. Por intesiteti lirik , valencat që ai mbart , protonizmi gjenerues , me aftësinë mikluese përfshin e bëhet jetësor për çdo qënie polifere apo antopromorfe, nëpërmjet një aforizmatike të fuqishme , por të nënkuptuar mirë nga cilido që e përjeton e që ndikimi i së cilës është shumë mbresëlënës tek lexuesi.
Lindita në përgjithësi në poezitë e botuara vjen si një poete e lindur lirike.Në këto poezi dallohet qartazi koncepti i saj për lirikën si nocion poetik që përshkon tek lexuesi emocione të transplantuara në mënyrë krejt natyrale ,rrjedhshëm, me zërin e shpirtit. Autorja kënaqet në këtë natyralitet pa kaluar më tutje në lirizëm i cili përfaqëson në vetevete një farë ekzaltimi , apo lartësimi të ndjenjës mbi atë që e përqarkon autoren dhe lexuesin .Sinoptika e poetikës natyrore dhe vullkanizimi në të i ndjesive shpirtërore si një polifoni e një estetike të re në natyralizimin e modernitetit poetik.
Digresioni pamor dhe intuita shpirtërore vinë si një pajtueshmëri në këtë sinoptikë , drejt unifikimit të një uni pa digresione shpirtërore. Digresioni pamor i tejzbutur ,harmonik intercepton ndjenjësitë shpirtërore, duke ardhur në vargje si një fllad i freskët idilik.
Poetja këndon me zërin e plotë të zemrës , të mendjes, të shpirtit, butësisht ,flurore, por dhe me ashpërsinë e jetës në pentagramet e melodies.
Kështu që lirika erotike, patriotike, atdhetare vjen si një bashkësi shpirtërore , si një aliazh mbi themelet e të cilëve qëndron dashuria me universialitetin e saj.
Në këtë kontekst, poezia e Lindita Ramushit shpalos përvojat jetësore me një imazhinizëm , ndërthurur me intensiven e botës që e përqafon. Uni poetik dhe uni trascendentes erotike është shkrirë natyrshëm në ndjesinë e madhërishme që përcjell akti prevalent i Evës biblike, nga ku ka zanafillën mëkati i lakmueshëm.
Në alkiminë poetike, Linditës i pëlqen të përdorë gjërësisht simbolin dhe metaforën, duke synuar në një alkimi të re të këtyre instrumentave artistik me një metaforë- simbol. Përmes tyre poezia merr fuqi e rrit valencat e shprehjes të mendimit e të qëllimit.Vargje të tëra shtjellojnë tek lexuesi imazhe surrealiste e impresioniste që irracionalitet të përjetuar të cilët zbulohen e deshifrohen permes abstragimit si përshembull:
Ta njoh nga larg vezullimin e diamante
Buzët që i ngjajnë qershisë
Të njoma t’i njoha ty
Në sy kishe shkëlqimin e lumturisë.
Poetja përmes zanafillës ndjenjësore të fjalës dalë nga lukthi i zemrës, na krijon simbolikën e shumëpritur ,të amëshueme të një femre ,e cila vjen si një sinonim i një kënaqësie intime në staturë të lartë gjithëpërfaqësuese , më të madhe e mbi personalen. Gjithçka vjen si një çelës i artë për të çelur e ndriçuar situata e gjëndje shpirtërore të caktuar me situata të jashtëzakonshme.
Ndjenja e së bukurës grishëse nën okielon e geishave japoneze është një kolumbiane në udhëtimet ndërgjegjësore të poetes.E ngarkuar me protone të tilla në potenciale super të ngarkuar, poetja nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj çdo objekti apo formature njerëzore. Atë e miklon çdo gjë e bukur. E bukura për poeten Lindita Ramushi si koncept dhe si nocion është një katalizator , një përndezje, për ta futur në subkoshiencat poetike. Kjo bukuri, sa shpirtërore, tokësore, hyjnore, qiellore është e kudo ndodhur në poezitë e saj.
Gjithçka shfaqet para lexuesit si një shtojzavalle apo një Circe, që vjen ujeshëm nga shpirti dhe e truri i poetes si një mendim i ngulshëm , si një obsesion femëror.
Autorja me një intimitet transparent, ndër trille poetike me mikrokozmosin e kozmosin idilik, të bërë njësh në një masë antropomorfe ,me nuancë të zanafillës Safo, duke shpalos përvoja të fuqishme, në një integrale emocionale tepër personalizuese, unike në shpalimin idilik ku:
Sonte paska dalë hëna e tretur mes yjeve
Trëndafili në një fletë i ra hija e mallit për dritë.
Si zjarr ngjyrë kësaj natë
E pashë mbi degë tek lëngon pa fjalë.
Një lirizëm animalitik aq shumë ardhë nga një burimore sa tokësore aq dhe kozmike. Animalacioni shpirtëror i poetes bën që dhe një fletë peme me pëshpërime, të mbështjellë kokën e frutit , siç mbledh nëna në gjirin e saj fëminë.
Ndjesitë shpirtërore të autores si femër ,si bijë, si grua,e ardhme, merr ndjesira e force dhe nga një pemë për frutin e saj.Bota amorfe dhe ajo antropomorfe kanë një ndërlidhje të pashkëputur biblike.
Lindita Ramushi në konceptin estet i krijon tabllotë lirike të konverguara me një timbër e ngjyrim emocional të prekshëm larg çdo kozmogonie, me një ekzistencializëm sa modern aq dhe autentik.Ajo me penelin e Salvador Dalisë, e pse jo dhe të Jetullah Halitit nga Gjilani reflekton, me aureolat e ngjyrimet poetike vetëveten e botën që e perqarkon, sepse siç shprehet në lirikën “ Mëndafsh i bardhë”
“Në vijat e fytyrës të pashë
Germëzuar copëza të fjalës mallë
Dora ime i preku butë
Rëshkiti në to si me mëndafsh të bardhë.”
Libri me lirika “ Me sytë e endjes” vjen me lirikën mbarëkombëtare si një prurje e re, duke interceptuar me shqisat e lirizmit një shqisë të shtatë poetiko-filozofike, shqisën e të gjitha qënieve që përtejçmon poetja.
Ajo na servir një lirizëm objektiv e subjektiv , i cili kthehet në një prototip real artistik në kuadrin librar që na ofron. Me këtë libër , Lindita Ramushi tenton e synon të jetë një zë lirik autentik, i personalizuar me filozofimet me bëmat e bilançeve idilike shtresuar në palimpsestet e viteve.
Dyrrah, 4.3. 2013
VLADIMIR MUÇA
Nënkryetar i KSHA Durrës
Poet-studjues
E- mail: vladimir_muca@yahoo.com