Kulturë
Alfred Uçi: A ka “shkollë letrare migjeniane?”
E hene, 25.11.2013, 07:44 PM
A ka “shkollë letrare migjeniane?”
Ndjekësit e “poetikës migjeniane” nuk janë të paktë në kohën e sotme, midis më të talentuarve, që çmojnë lirisht individualitetin, origjinalitetin krijues, të cilët nuk kopjojnë, por mësojnë nga përvoja e tij
Nga Prof. Alfred Uçi
Këto rreshta kam qenë duke i shkruar, kur më ra në dorë një gazetë, në të cilën një letrar i mençur e diturak i poezisë së vërtetë, Robert Anastasi, (më vjen keq që s’e kam njohur më parë), ky letrar kujtonte në 60-vjetorin e lindjes një poet, që dukej se i ish harruar emri, Jamarbër Markon, me këto fjalë: “S’është gabim të thuash se midis mijëra rrugësh, që në Tiranë mbijnë si kërpudha pas shiut, ndonjëra të mbante emrin e Jamarbërit. Si është e mundur të krijohet, - shumë dekada pas Migjenit, - një poezi ekzistencialiste, ku në epiqendër të ishte jeta e njeriut pa kurrfarë rrugëdalje?”. Ky ishte një lajm i gëzueshëm, sepse pashë një poet të talentuar, ndjekës të mirëfilltë të “Poetikës së shkollës Migjeniane”, por pashë edhe një kritik që i beson kësaj “shkolle”, duke e quajtur ekzistencialiste. Këtë epitet ka kohë që e përdorin kritikë të rinj, por pa e lidhur me prirjet e dukuritë specifike të estetikës së Migjenit dhe pa zbërthyer kuptimin e këtij termi, kurse ne, pasi kemi ngulmuar në monografinë tonë ekzistencën e një platforme specifike, e estetikës migjeniane, e pranojmë ekzistencën e saj si shkollë a praktikë letrare dhe si platformë teorike. Brenda interesimeve të sotme të poetëve të rinj ,mund të duket në vështrim të cekët, sikur mungojnë “shkolla letrare” kombëtare, por kjo gjë varet sidomos nga theksimi i origjinalitetit, që ka krijimtaria e sotme individuale e çliruar nga dogmatizmi i “socrealizmit” dhe, për më tepër, në këtë mes ndikojnë edhe keqkuptimet e përhapura për kuptimin e nocionit “shkollë letrare”. Termin “shkollë letrare” ne e përdorim si një koncept të mirënjohur sidomos që nga koha e klasicizmit në teorinë dhe në stilistikën tradicionale letrare. Ka shumë nuanca të ndryshme të kuptimit të saj, por ne duam të kujtojmë dy vija themelore të termit “shkollë letrare”: si karakterizim i krijimtarisë origjinale të një krijuesi të veçantë, mjaft të talentuar, ose të një bashkësie krijuesish që kanë prirje origjinale të afërta. Koncepti i “shkollës letrare” shpreh patjetër prirje të karakterit arkeologjik, domethënë përmbledh informacion, të dhëna mbi burimin e formimit, mbi origjinën, karakterin, specifikën e burimeve letrare, e afrisë, e vokasionit ose dallimeve estetikisht, për mirë apo për keq, të raportit midis “mësuesit”(burimi) – Homeri, Virgjili,Dante Aligeri, Bajroni,
Balzaku,
Verleni, Fishta, L.Poradeci etj. me “nxënësit “ (vazhduesit ose zhvilluesit të një
tradite ose drejtimi - klasik antik letrar, mesjetar, romantik, simbolizmi,
modernizmi etj.). Shpesh, “shkolla letrare” barazohet me një varg mjetesh
specifike formale të shprehjes artistike e gjuhësore origjinale ose të përbashkëta,
por tipike të “mësuesit” (Lasgush Poradecit) dhe të “nxënësve” të shkollës” së tij
(Nexhat Hakiu, Jorgo Bllaci, Pano Taçi. Kuptimi tjetër i dytë themelor i “shkollës
letrare” ka të bëjë me karakterin epistemologjik, gnoseologjik, domethënë me përvetësimin
estetik në art të botës, jetës, realitetit, që paraqitet e interpretohet në mënyra
të afërta nga individë ose grupe artistësh, për shembull, bota e shkrimtarëve të
Renesansës (Bokaçio, Servantes, Shekspir) ose të iluminizmit (Volter, Didro),
bota romantike (Shiler, Gete), shkolla e klasicizmit francez, bota e realizmit
balzakian, e simbolizmit, e ekspresionizmit, bota moderne, postmoderne,
ekzistencialiste, bota e Jakov Xoxes, bota e Mitrush Kutelit etj. etj. Edhe
studimi në të dy këto plane i historisë së letërsisë shqipe tregon praninë e
disa “shkollave letrare”, si për shembull “shkolla” e Pjetër Bogdanit ose “shkolla”
e Fishtës, “shkolla” e Naim Frashërit dhe e Lasgush Poradecit, e Kutelit dhe e
pak të tjerëve. Po t’i drejtohemi së ardhmes të kësaj letërsie besoj se
krijimtaria e disa talenteve, madje që kanë vepruar edhe brenda periudhës të mbizotërimit
të “socrealizmit” dhe që kanë krijuar e krijojnë edhe tani, meritojnë të quhen
bartës “shkollash letrare” letrare të veçanta: D.Agolli, I.Kadarea, F.Arapi,
Kasem Trebeshina etj., sepse jo çdo gjë që u krijua në këto kohë, ka qenë e
ndotur me “partishmëri proletare”. Ne mendojmë se brenda interesimeve të sotme të cekta
mbi poetë të rinj mund të duket sikur mungon estetika migjeniane, si “shkollë letrare”.
Një letrar me përvojë, duke dashur të afirmojë origjinalitetin dhe madhështinë e
krijimtarisë letrare të Migjenit, pohon se edhe “në 100 vjetorin e lindjes së Migjenit
nuk mund të flitet për shkollë letrare migjeniane” sepse “s’ka ndonjë tjetër
poet t’i afrohet majës së gjenisë së Migjenit”. Një tjetër shton: ”Në lerat
shqipe Migjeni nuk ka pasardhës”. Ka edhe një paragjykim tjetër që rrjedh kur
thuhet se s’ka ndonjë poet të gjallë që të ketë pohuar, qoftë për modesti, se “i
përket shkollës migjeniane”. Ne mendojmë, jo vetëm nga shembulli, që e përmendëm
në fillim dhe që na ngacmoi të trajtojmë këtë problem, por na duket një keqkuptim,
gjithsesi, mohimi i ndjekjes e i përqasjeve të “shkollës migjeniane” në letërsinë
e sotme ose edhe më shumë drejt së ardhmes. Dhe në qoftë se edhe tani, pas një shekulli,
nuk ka njeri të mos e quajë veten - ndjekës e adhurues të “shkollës” të Migjenit,
ose të mos e pranojë “shkollën poetike migjeniane”,ashtu siç përfillet me të drejtë
“shkolla lasgushiane”, mohimi shkaktohet jo vetëm nga miopia ose verbëria e
shijes artistike, por edhe nga zilia Saleriane. Për të mos e quajtur veten
ithtar “lavdërimesh nacionaliste”, po kujtoj disa shkrimtarë të huaj që kanë folur
për “shkollën migjeniane” të letërsisë shqipe. Si pikënisje në kërkimet e tyre
drejt risish moderne të letërsisë bashkëkohore europiane e botërore, Migjenin e
kanë njohur e pëlqyer të përkthyer mbi 20 shkrimtarë të shquar të vendeve të huaja,
në kohën kur, pas vdekjes së Stalinit, i kishin rënë pendët “socrealizmit” zhdanovian.
Përkthyesi e poeti rus D.Samoillov, i njohur si disident dhe poeti rus S.Lvov
kanë shkruar: “Duke lexuar vargjet e Migjenit zbulon një poet të tillë të mrekullueshëm,
në të cilin buçet me guxim zemërimi kundër hipokrizisë dhe heqjes dorë nga
lumturia tokësore”. Në Leningrad, kur ishin prishur marrëdhëniet e Shqipërisë me
Bashkimin Sovjetik, Gertruda Entrej shkrojti monografinë e parë shkencore mbi “Veprën
dhe jetën e Migjenit” (1973), duke e zgjeruar tematikën poetike, duke i kundërshtuar
interprtimet e sociologjizmit vulgar dhe duke treguar se Migjeni nuk
Të frymëzuar nga krijimtaria
Çdo “shkollë” letrare bëhet realitet, së pari, kur ka krijues të paktën një artist të madh, një talent ose gjeni të vërtetë e origjinal; së dyti, kur ka edhe pasardhës, po aq të talentuar, ose më shumë se aq, madje kur edhe intuitivisht, pa e kuptuar, kanë përfituar prej përvojës krijuese origjinale të “mësuesit”. Lidhja midis tyre nuk kryhet tek Migjeni, duke e imituar, por duke mësuar nga estetika e tij, nga shprehjet ekspresive, nga vargu i lirë,nga gjuha etj.. Por ne vëmë re se ndjekës të “poetikës migjeniane” nuk janë të paktë sidomos në kohën e sotme, midis më të talentuarve, që çmojnë lirisht individualitetin, origjinalitetin krijues, të cilët nuk kopjojnë, por mësojnë nga përvoja e Migjenit, që e pranojnë si ndriçim të pashueshëm sa të jetë gjallë letërsia shqipe, duke e çmuar si më të madhin poet shqiptar modern të shek. XX. Ndikimi i estetikës migjeniane mbi shkrimtarë e artistë bashkëkohorë ka qenë e vazhdon të jetë i madh dhe meriton të studiohet si një problem i rëndësishëm e aktual i teorisë dhe i historisë shkencore të letërsisë shqipe. Ne po guxojmë të pohojmë se krijuesit më të mirë, që iu bënin bisht “direktivave partiake” kanë qenë të shumtë, që e kanë çmuar dhe vlerësuar lart Migjenin dhe veprën e tij, madje kanë qenë frymëzuar dhe kanë mësuar nga krijimtaria e tij si Din Mehmeti, Drago Siliqi e Vehbi Skënderi, Dritëro Agolli, Faslli Haliti, Ismail Kadare dhe Fatos Arapi, Xhevair Spahiu e Teodor Keko, Sadik Bejko, Voreo Ujko, Kate Xukaro, Ferik Ferra, Lulieta Leshanaku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Eqrem Basha, Visar Zhiti etj.; edhe të rinj si Jamarbër Marko, Teodor Keko e të tjerë. Studimi i imtë dhe i thellë i krijimtarisë të zgjedhur të këtij vargu e krijuesish të tjerë është një temë interesante studimore krahasuese e kritikës dhe e historisë së letërsisë shqipe, për të njohur raportet konkrete të ndikimeve krijuese të “shkollës” së Migjenit mbi vepra të caktuara të bukura të tyre. Në interesimet e sotme e të pritme të krijuesve të rinj nuk mund të mungojë ndikimi i atij realizmi të ri modern migjenian si praktikë e përsosur artistike dhe si mishërim i një platforme teorike e estetikës migjeniane, brenda së cilës do të gjenin një realizëm të hapur, kritik, sintetik dhe integral. në kërkimet e tyre drejt risish moderne të letërsisë bashkëkohore europiane e botërore. Këtë funksion të shkollës migjeniane prej kohësh e ka përmendur kritiku kosovar Sefedin Fetiu, kur pat shkruar: “Mbi Migjenin, ndikuan format e ndryshme romantike, klasiciziante, realiste, sentimentaliste, postromantike, simboliste, ekspresioniste etj. Por Vepra e Migjenit ka karakterin e një realizmi pa brigje, një realizmi universal, i cili ka qenë i hapur për komunikim me rryma e drejtime të ndryshme, prandaj mund të emërtohet me termin realizëm sintetik. Migjeni nuk shkroi sipas recetave e sipas formulave të gatshme, të programuara, por me një intuitë krijuese, prandaj vepra e tij edhe sot gëzon një receptim të gjerë e aktual. Realizmi i tij është një realizëm asimilues, i cili integroi në vete veçoritë e poetikave të ndryshme”.