E enjte, 28.03.2024, 02:24 PM (GMT)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Vajza nga Parma

E enjte, 21.11.2013, 07:33 PM


VAJZA NGA PARMA

Tregim nga Hyqmet Hasko

Kisha disa ditë që kisha shkuar tek djali im në Itali,për pushime me time shoqe dhe vajzën e dytë. Qe një mot i lagësht dhe dukej sikur lagështira të futej në shpirt. Po përkundesha në hamendje të befta mes mërzisë, kureshtjes e limontisë, teksa dy të tjerat ende përjetonin sensacionin e një vizite të parë në një vend të huaj, ku për hir të vërtetës, nuk na mungonte asgjë, përveç fytyrave të njerëzve të dashur nga kishim ardhur…

Po qëndronim tek motra ime, e cila na priti me dashuri e mall. Djali ka një shtëpi të marrë me qera, por motra ime e madhe bashkë me djalin e saj të vogël nuk na lanë që të shkonim tek shtëpia e djalit për të bujtur.

Të them të drejtën, nuk isha mësuar te rrija i mbyllur duke bërë muhabet me gratë dhe shpesh dilja për të pirë ndonjë kafe aty në lagjen ku banonte ime motër.

Kisha disa ditë që shkoja tek një kafe kinezësh, por nuk më pelqente kafeja e tyre dhe lokali që ishte i pa pastër. Aty rrinin shumë emigrantë të pa punë që luanin me letra dhe domino, bërtisnin, shanin dhe fyenin njeri-tjetrin. Ky ambient më kujtonte kafenetë e tymta e të zhurmshme të vendit tim, por mua tani për tani më pëlqente diçka tjetër. Diçka e qetë dhe komode…

Vendosa të shkoja të pija kafe tek një lokal italian, pak më larg vendbanmit të motrës.

Ishte dita e dytë që shkoja dhe zija një cep, merrja kafenë  dhe e pija ngadalë, për të shtyrë disi kohën, të cilën e kisha me tepri.

Ditën e parë, e zonja e lokalit erdhi e ma mori filxhanin, duke menduar se unë e kisha mbaruar kafenë, por s’i bëra fjalë se më vinte turp, pagova dhe u largova.

Në ditën e katërt, unë përsëri zura cepin tim dhe po lexoja gazetën, kur një vajzë rreth 25 vjeçe m’u afrua e më përshëndeti në italisht.

Të them të drejtën, italishten e di shumë pak dhe u skuqa se mendoja se ajo do të vazhdonte me pyetjet e saj e unë do të dilja zbuluar. Për t’i dalë parapritë kësaj situate, unë komunikova me një italishte të çalë dhe i shpjegova se isha nga Albania.

Për një çast nuk e kuptova  pse asaj i shkëlqyen sytë, u ngrit me hov e më perqafoi.

-Unë di shqip, - më tha, ndoshta jo mirë, si ti në italisht, por diçka di. Aq sa të mirëkuptohem në bisedë për gjëra të rëndësishme.

Sytë e saj të thellë e me bisht ishin zhbirues, por të ëmbël dhe të butë si kadifeja e kostumit të saj ngjyrë portokalli. Seç kishte diçka ngjitëse e të përkorë kjo vajzë, që të imponohej ta dëgjoje me vëmendje, edhe pse gjuha e saj ishte jo krejt e njohur për mua…

Pashë se nga sytë e saj, të turbulluar befas, rrodhën lotë, si një curril i vogël burimi.

I fshiu me fasoletë dhe u ngrit disi hovshëm, se në lokal u fut një klient dhe porositi një kafe. Pas pak, u ngrita shkova tek banaku për të paguar.

-Të bëftë mirë!- foli në shqip,-sot të kam qerasur unë…

Nxorri lekët nga portofili i saj dhe i futi në kasë. Unë desha të kundershtoja, por ajo më falenderoi me shumë mirësjellje që unë pranova të paguante ajo.

-Eja pasnesër, - foli ajo, -kam diçka të rëndësishme për të biseduar me ju. A mundesh?- më pyeti. Pas pak shtoi: -Edhe po nuk munde, të lutem, mos ik pa më takuar, se vërtet do të them një gjë shumë të rëndësishme.

Më habiti pastërtia e të folurit në shqip. Fytyra e saj e ëmbël, si e korrnizuar nga një soj brenge e dritëhije e fshehtë, më zgjoi ndjesinë e sensacionit të brendshëm…

E përshendeta duke i premtuar se nuk do të ikja pa e takuar.

Motra kishte dalë për të më kërkuar, qe bërë merak, se mos kisha humbur rrugën, gjë që dhe mund të ndodhte në rrokupujën e atyre rrugëve që i ngjanin një labirinthi gjigand. Ajo qe bërë pak alarmante dhe pati njoftuar dhe djalin tim, djali i kishte thënë me shaka se nuk humbet babi, por do të jetë frymëzuar dhe është duke bërë ndonjë poezi.

Kur i rashë ziles, derën e hapi me vrull vajza e nipit.

-Mami, erdhi daja! Dhe m’u hodhe në qafë. –Daje, ku ishe ti!? Gjyshja dhe ne u bëmë merak, se ti u vonove shumë…

Nusja e nipit mori në telfon motrën time dhe e sqaroi se u ktheva.

-Hë ore ti, ku ishe se u bëmë merak! Ime shoqe qeshte duke i thënë motrës sime:

-Oj kunatë, nuk humbet vëllai yt, e ke të zgjuar, i gjen rrugët kollaj…

Por ndërsa ata flisnin unë e kisha mendjen tek vajza e lokalit. Çfarë gjëje të rëndësishme do të më thoshte ajo? Ç’lidhje kishte ajo gjë me mua? Thënë ndryshe, pse me mua?

Ishim duke ngrënë darkë dhe unë herë pas here përhumbesha, se më kishin mbetur në kujtesë fjalet dhe lotët e saj…

-Gëzuar, vëlla! Do të pishë ti sonte apo jo! Hajde, shëndeti i gruas tënde! Pije me fund se një grua ke…

-Po, - tha ime shoqe,- ka një grua dhe disa të dashura.

-Eh, ia bëri motra, s'ka moshë për të tjera më ai.

-Po moj, po, thua ti kështu, por a e lexove poezinë që shkroi mbrëmë? I kishte vënë dhe një titull të bukur. DASHUROJ DASHURINË. Dhe dashuria s’jam unë më, do të jetë ndonjë tjetër.

Të gjithë po qeshnim dhe pse tek sytë e sime shoqeje konsatova një farë xhelozie.

Ne këto çaste u fut djali dhe iu drejtua motrës sime:

-E halle, të thashë se nuk humbet babi…

Pastaj, duke m’u drjtuar mua, im bir më foli:

-Babi, kur po kthesha nga puna, më thirri ajo banakierja e lokalit ku ke pirë kafe ti këto ditë. Ajo më tha se donte të të takonte, se do të japë një adresë për ta gjetur në Tiranë.

-Po, - i thashë, - më tha dhe mua, do ta takoj se i dhashë fjalën.

-E shef moj kunat, e gjeti shpejt shoqen këtu yt vëlla, -foli gruaja ime, të cilës i erdhi rasti në shteg.

Të gjithë ia futëm të qeshurit, por mua më rrinte mendja tek lotët e vajzës. Çfarë mund ta lëndonte atë femër kaq të bukur e delikate?...

Ishte ora tetë e mëngjesit kur unë dola për kafe dhe siç i pata premtuar, shkova tek kafeja e lagjes…

Te banaku ndesha sytë lutës e pritës të banakieres. Mbas  përshëndetjes, u ula te vendi im tashmë i preferuar, pasi ai vend kishte një pozicion që shumë pak të shihnin dhe ti mund të vështroje gjithçka përreth. Pra,  ishte larg syve të njerëzve që hynin e dilnin dhe kafenë e pinin me një të gëlltitur.Të bënte përshtypje, se në krahasim me njerëzit e vendit tim, që rreken duke pirë kafe e qëndrojnë para filxhanit rreth një orë ose dy, këtu njerëzit sikur i shtynte me ngut një shpirt i fshehtë, cytës e rebel. Dilnin ende pa u ulur mirë dhe pa e rrufitur gjer në fund lëngun e zi të kafesë…

Në kohën që unë prisja të më vinte kafeja, më afrohet një djalë rreth tre katër vjeç.

Ai më përshëndeti italisht dhe unë ia ktheva duke murmuritur nëpër dhëmbë…

-Mami! Mami!- thirri djali i vogël… Ky xhaxhi qënka albanez!... Ai  po i shpjegonte të ëmës se unë isha shqiptar…

M’u afrua përsëri dhe më vështronte me shumë kureshtje, sikur donte të zbulonte tek unë një mister. Unë e përkëdhela te koka dhe e pyeta për emrin.

-Sajmir, -m’u përgjigj,

“Sajmir”, përsërita unë me një ndjenjë që më dha një emocion të bukur e padashur më shpëtoi një lot…

Kafeja më erdhi dhe unë po e pija ngadalë, në shoqërinë e djalit të vogël.

-Babai im është nga Tirana, - më shpjegoi vogëlushi,por unë nuk e kam parë asnjëherë nga afër, vetëm në fotografi.

Unë përsëri po e shikoja me shumë kureshtje, seç kishte një paraqitje paksa shqiptare ai fëmijë, jo vetëm për faktin që ai ishte biri i një shqiptari, por mua më përafronte me fëmijë të tjerë të njohur, sikur të qe i njohur e i dëgjuar për mua.

Një miku im me një moshë shumë herë më i ri se unë më solli disa poezi që ia dedikonte një italianeje, shkarazi më pati thënë se e pati dashuruar shumë dhe se e vuante si një ankim të pafund mungesën e saj. Për fatin e tij të keq, ai qe dëbuar nga policia Italiane për disa probleme që ia kishin sajur për ta përzenë. Me vonë, ai djalë u aksidentua në Qafë-Kërrabë, në  kilometrin  e njëzetë e nënte, me makinën e tij dhe vdiq mbas disa ditësh në spital. Lokali ku po pija kafen u boshatis dhe banakjeria erdhi e u ul në tavolinë me mua.

-Besoj se e kuptove, - më tha… -Çfarë kuptova?- pyeta unë…

-Djali të foli shqip.

-Po, po, vërtet u habita…

-Ju keni qenë martuar me shqiptar.

-Jo martuar, por bashkëjetuam për një farë kohe… Atë e përzunë nga Italia, unë pata mbetur shtatzënë dhe linda djalin që të foli shqip. Sajmir e quanin dhe unë djalit, në kujtim të tij,  Sajmir ia vura emrin. Ai banon në Tiranë,  kam disa vite që nuk di asgjë për të, më ka marrë malli… Një çurg lotësh i rrodhën nga faqet si rekujem… Ato lotë u kthyen në sytë e saj në një përrua  malli. -Herën e fundti kur folëm, vazhdoi ajo, - ai më premtoi se do të bënte çmos që të vinte përsëri në Itali, por pas kësaj bisede,unë nuk fola me të asnjëherë. Nuk e di çfarë u bë me të, nuk di ku ndodhet, ndoshta është martuar dhe kërkon të bëjë jetën familjare të qetë, pa trazimet e mia. Por une nuk ia prish familjen, dua vetëm që të flasë me të, dua që djali ynë të flasë dhe të ndiejë zërin e tij. Djali gjithmonë më pyet se kur do të vijë babi. Ai shpesh merr foton e tij dhe e puth, ka raste që dhe  qanë.

Ajo u ngrit se i erdhi një klient, por përsëri erdhi në tavolinë.

-Do të lutesha, foli ajo, - që kur të shkosh në Tiranë, mundohu ta gjesh dhe i thuaj se djali e pret. Unë pranoj, - vazhdoi bisedën ajo, -të shkojë të banojë dhe atje, nëse ai nuk do të jetë i martuar.

Unë nuk di çfarë njerzish ka ai, kurrë nuk më tregonte për njerëzit e tij, nuk di pse më fshihej për to, por unë e kuptoja se ai fliste me një grua që e merrte disa herë në ditë.

Një ditë, kur ai u fut të bënte dush, ia mora atë numër që ai fliste dhe, kur ai iku në punë, e mora dhe mu përgjigj një zë femre, që me sa kuptova duhej të ishte nëna e tij. Ajo foli me një zë shumë të lodhur, më tha diçka që unë nuk e kuptova dhe që nga ajo ditë unë nuk e mora më.

Pasi heshti një cpë herë, mu drejtua:

-S’të kam pyeter për emrin… Si të quajnë?

-Hyqmet, - iu përgjigja.

-Mua më quajnë FIORENTINA, shkurt më thërrasin Tina.

-Kur do ikësh? -më pyeti përsëri… -Mbas disa ditësh.

-A mund të jap një pako që të ia çosh? Sigurisht, nëse mundesh...

-Por nuk e di nëse do ta gjejë- shpjegova unë.

-Jam e sigurtë që do ta gjeshë,  unë kam adresën e saktë të tij.

-Dakort, - i thashë, - pakon bëje gati dhe një ditë përpara sille që ta marrë.

-Une e njoh djalin tënd, -vazhdoi ajo bisedën. Ardi e thërrasin, punon në Salmaxhore, në një pieceri.  Atje unë shkoj çdo të diel me një miken time, hamë ndonjë picë. Është djalë i shkëlyqer, shumë i sjellshëm, kot thonë për ju shqiptarët që jeni harbutë, unë njoh shumë shqiptarë dhe përsa i kam njohur janë shumë herë më të sjellshëm e më të gjendshëm se ne italianët.

Kisha disa ditë që isha kthyer në Tiranë. Jo se kisha harruar por puna nuk më linte që të mbaroja porosinë që më dha vajza nga Parma.

Vendosa që të shkoja të nesërmen.

Ne oren 11, unë isha ne adresën që më pati dhënë ajo, vajza nga Parma… Trokita disa herë, por nuk mu përgjigj njeri.

Nje grua rreth moshës 35 vjeçe më tha se e zonja e shtëpise ka dalë të bëj pazerin. E pyeta si e ka emrin, për tu garantuar nëse ishte kjo adresa që kërkoja.

-E quajnë Sabire, jeton e vetme. I shoqi ka kohë që i ka vdekur, por dhe një djalë të vetëm që pati, u aksidentua dhe i vdiq.

-E di, -i thashë, - është ai djali që u vra në Kërrabë.

-Po, ai është…Ja, po vjen zonja që kërkon.

Para meje, rreth njëzetë metra po afrohej një grua që dukej shumë e lodhur dhe mezi po merrte frymë. Komshija e saj i doli përpara dhe ia mori çantat me zarzavate.

-Ky zotëria të kërkon, -i  tha komshia.

-Urdhëro brenda, - më tha.

U futa brenda dhe pashë se  shtëpia ishte e thjeshtë, por e mbajtur shumë mirë. Në çdo cep kishte rregullsi dhe pastërti, në tavolinë qëndronte një foto e madhe, e futur në korrnizë…  Ishte fotoja e djalit të saj… Ishte ai miku im që më pati dhënë poezitë për ti parë… Ishte ai që në Parma kishte një grua që e dashuronte marrëzisht dhe një  djalë, që kërkonte me ngulm babanë e tij...

-Zonjë, -i thashë për të thyer heshtjen që kishte pllakosur, -unë para disa ditësh isha në Itali, tek djali im, në qytetin e Parmës dhe rastësisht takova një vajzë italiane. Ajo më dha këtë pako për ju.

Këtu në zarf keni një sasi të hollash, por ke dhe dy foto, hape të lutem.

Ajo e hapi ngadalë dhe pa se në njërën foto ishte djali i saj me  vajzën nga Parma.

-Ky është nipi yt, - i thashë duke i treguar foton e fëmijës, emrin e ka Sajmir, mban emrin e djalit tuaj. Flet shqip.

Sabireja e mori foton në dorë, e puthi dhe e shtrëngoi fort gji. Dukej e përhumbur dhe e tramaksur. Për një çast, asaj i ra të fikët. Unë me vrap thirra komshien që për fat ishte mjeke, e cila i bëri një qetësues dhe ajo  erdhi në vete.

-Të falenderoj, mor bir, nuk di si të ta shpërblejë.

-Këtu ke dhe numrin e saj. Prit ta marr unë.

E mora dhe prita një çast që të hapej. Nga matanë u dëgjua zëri i vajzes nga Parma. Ishte një zë që të jepte ndjesinë e një falenderimi të madh shpirteror.

Telefonin ia kalova Sabires dhe ato folën gjatë. Sytë e asaj nëne të vetmuar nuk pushonin së lotuari.

Poezitë e mikut tim i pashë me kujdes dhe i çova për botim në shypshkronjën VLLAMASI.

Vellimi me poezi doli shumë shpejt nga botimi, e mora dhe vendosa të ia çoja Sabires.

Trokita në derën e saj, por askush nuk përgjigjej.

Trokita dhe në shtëpin e mjekes, por dhe aty nuk përgjigjej askush.

-Nuk ka njeri aty, - më tha një djalë i ri…

-Po kjo gruaja? - i thashë për Sabiren.

-Ajo ka shkuar në Itali të banojë me nusen e Sajmirit dhe me nipin e saj.

Pak i mërzitur që nuk arrita ta gëzojë Sabiren dhe me librin e të birit  u ktheva me mendimin që do të ia çoja shumë shpejt në Itali, kur të shkoja tek djali im…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora