Kulturë
Petrit Basha: Pavarësia e Shqipërisë në këngë
E merkure, 27.11.2013, 08:25 PM
PAVARËSIA
E SHQIPËRISË E PËRJETUAR NË KËNGËT POPULLORE
NGA PETRIT BASHA
Njëra nga datat më të shndritshme në kalendarin historik të popullit tonë është padyshim 28 Nëntori 1912, dita kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë, pas afro pesë shekujsh robërie nga pushtuesit turq.
Që të arrihej deri këtu, u desh luftë dhe përpjekje kolosale e këtij populli të pamposhtur me patriotët rilindas në ballë, për mbrojtjen e interesave të larta të Atdheut. Në luftën kundër pushtuesve të huaj veçanërisht gjatë e pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u shkrinë në një të vetme lufta e armatosur, lufta patriotike dhe lufta për kulturë kombëtare. Në kuadrin e përgjithshëm të kësaj lufte, veçanërisht në fushën e kulturës, një vend të rëndësishëm zë lufta për hapjen e shkollave e mësimin e gjuhës shqipe, hartimin e botimin e librave për përhapjen nëpërmjet tyre të arsimit e diturisë në popull, për zgjerimin e ndërgjegjes së tij kombëtare, forcimin e atdhedashurisë e ngritjen e tij në luftën për liri e pavarësi. Këtyre luftërave për liri e pavarësi, populli u thuri këngë për t’ua lënë trashëgim brezave për të mos i harruar kurrë. Prandaj me të drejtë kënga e popullit konsiderohet si sintezë e vetë jetës. Pasuri të tilla, me vlera të jashtëzakonshme ruhen edhe në popullin e zonës tonë, të ruajtura brez pas brezi dhe që kanë arritur deri në ditët tona, si dëshmi e këtyre luftërave për liri e pavarësi, që para Lidhjes së Prizërenit.
Sipas Traktatit të Shën Stefanit (mars 1878, është traktati i paqes që Rusia Cariste i imponoi Turqisë pas disfatës, që kjo pësoi në luftën ruso-turke më 1877), shumë troje shqiptare i aneksoheshin Malit të Zi, Serbisë, etj. Në këto kushte, më 10 qershor 1878, u mbajt Lidhja e Prizrenit për bashkimin mbarëkombëtar të popullit shqiptar, në luftë për të mbrojten e atdheut nga gjymtimi territorial e formimin e shtetit kombëtar shqiptar.
Në këtë luftë edhe populli i Gramshit ka dhënë ndihmesën e vet, në luftën për bashkimin kombëtar dhe mbrojtjen e atdheut. Idenë e këtij bashkimi mbarëkombëtar me udhëheqës mendjendritur e popullorë e gjejmë në këngën popullore “O ju shokë, na dëgjoni”:
......................
Po unë do këndoj kësaj herë
Për Abdylë e për Saminë.
Edhe për shokët e tjerë,
Që kërkuan pavarësinë.
Janë trima shqipëtarë.
Që ëndërruan për lirinë.
Në Prizren e lidhën besën:
Do ta mbajmë Shqipërinë.
Rrethanat e veçanta që u krijuan pas këtyre ngjarjeve, Kongresit të Berlinit (13.06.1878), vendimet e të cilit iu ngarkua T’i vinte në jetë “ i sëmuri i Bosforit”, prekën thellë ndërgjegjen kombëtare të popullit, i cili u ngrit në këmbë “si dragua” për T’i ndalur rrugën pushtuesit gjakatar. Ja ç’thuhet në këngën “Kapanin mbi vetull”:
…………………….
Djem, ju t’na merrni vrapnë!
Si dragonjtë kur marrin malë.
-Ne armikut do T’i vemi.
T’i themi të vijë tëhu.
Se vete gjaku në gju.
Dashuria e pakufishme për atdheun dhe urrejtja e thellë kundër lakmive të shovinistëve fqinj, ndihen të fuqishme në këngët për mbrojtjen e kufijve tanë nga grekët e serbët. Kjo ide del në këngën “Hidh një sy mbi Shqipëri”:
………..
Shqipëtari trim me fletë.
Si ka qënë ashtu do jetë.
-O ju fqinjët e pabesë!
Ju mo bini n’atë shpresë.
Juve e zeza do t’u presë
Ja vdekje, ja liri!
Rrofsh, moj Shqipëri!
Ndërsa në këngën “Mu te Ura e Elbasanit, më të dalë” theksohet:
...................
Mu te Ura e Elbasanit, më të dalë.
O burra, o shokë, të mbajmë Elbasanë.
Se na mbeti Shkodra matanë.
Ç’deshi sërbi dhe bullgari.
Duke qënë shqipëtari.
Shqipëria një pëllëmbë.
Gjithë Evropën ngriti në këmbë.
Nënvizohet kështu një e vërtetë e madhe historike, për revoltën mbarëpopullore, si kudo në Shqipëri edhe këtu në trevën e Gramshit (krahinat Sulovë, Vërçë, Tomorricë. Shumë patriotë gramshiotë u burgosën e u torturuan në burgjet e kohës, por kurrë nuk u ligështuan dhe nuk e ndërprenë luftën në dobi të atdheut. Edhe pse në burg, vazhdonin të mbanin lidhje me luftëtarët, që luftonin në zonën e Gramshit. Në një dokument thuhet:“ ... Elbasan 9 korrik 1912.
Të dashur miq!
Kemi marrë vesh se kini dalë përjashta.Shumë jemi gëzu dhe ne men tuj jemi sh’T’i bajmë zindanllëkut që kemi.Të bani nga të bani dhe ne mos na harroni se udhë në shpresën me ju e kemi. Jemi njëqint vetë që kemi ba besa-besë, që sa po t’na qitni t’vimë prapa jush. Ai që t’ua dali pa besë e kemi për borxh ta vrasim vetë.” Beqir Jolldashi e Ali Snosmi në burgut t’Elbasanit. E ndihma e shokëve nuk vonon. Nisen më trimat burra të Gramshit në Elbasan për të liruar shokët e tyre, që vuanin në këtë burg të zi, duke bashkërenduar punën me ata që ishin brenda. Kjo ngjarje përjetësohet në këngën “Katër trima seç u mblodhën”:
Zyferr Hoxha tha një fjalë:
-Shokët T’i nxjerrim të gjallë!
Osmanllia mos T’i marrë.
Monia me Salon thanë:
-Dhe Banushnë e kemi pranë.
O T’i lëshojmë, o të mos mbesim të gjallë.
Osmanllia këtu s’ka punë.
Se ne jemi shqipëtarë.
Luftojmë e mbrojmë vatanë.
Solidariteti dhe gadishmëria për të sakrifikuar për shokët dhe atdheun, po dhe urrejtja kundër pushtuesit turk, është ideja që spikat në këtë këngë. Shkallëzimi i veprimtarive të Rilindjes Kombëtare Shqiptare gjeti shprehjen e vet në kryengritjet e popullit shqiptar në vitet 1908-1912. Lufta popullore dhe situata politike që u krijua në vjeshtën e dytë të vitit 1912, detyroi përfaqësuesit e Rilindjes Kombëtare të evolonin në kërkesat e tyre, duke kaluar nga kërkesat për autonomi në kërkesat për Pavarësinë e Shqiptare, gjë që u realizua nga njëri prej ideologëve më të shquar të kësaj lëvizje, nga Ismail Qemali. Ai së bashku me Isa Buletinin, Luigj Gurakuqin, etj., kërkuan me forcë nëpër kancelaritë e Evropës mbrojtjen e trojeve tona nga rreziku i copëtimit mga fqinjët e më gjërë. Këto ngjarje u kurorëzuan me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Në proçesverbalin e mbledhjes së dytë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, më 30 Nëntor 1912, thuhet: Mbledhja u hap në orën 3 ½ pas dreke. Nga delegatët mungojnë Ferid Bej Vokopola, Murad Bej Toptani. Si delegatë të rinj erdhën z. Mehmed Pashë Dëralla, Isa Buletini, Ajdin Bej Draga .... e me telegram u emrua Ismail Beu nga Gramshi dhe Tomorrica” Kjo ndodhi pasi dy patriotët tanë të shquar, Xhile Liçi dhe Asllan Shahini nuk arritën dot në Vlorë dhe nga Berati autorizuan mendjendriturin Ismail Qemalin për të përfaqësuar Gramshin dhe Tomorricën. Është kjo arsyeja, që nga goja e popullit të Gramshit, dalin vlerësime të larta, nderim dhe respekt të veçantë për këtë burrë shteti në gjithë trevën e Gramshit, ku me pak vargje evidentohen cilësitë e larta të këtij patrioti të madh.
Në këngën “O shokë na mori malli”, thuhet:
..............................................
Shkoi në Paris, brenda te krali.
Hyn e del si zok pe mali
Drejtpërdrejt te Italia
Krali u ngrit në këmbë.
-Nga je, ti, more burrë?
-Një deli nga Shqipërija.
Prapa më vjen historija.
U lutem desha vulat.
Të vërtetoj Shqipërinë.
Në gojën e popullit, vihen në dukje kërkesat kombëtare për çështjen shqiptare, që Ismail Qemali ua kërkonte krajlëve të shteteve evropiane. Në këngën e mësipërme theksohet:
...................
Erdhi në Vlorë, ngriti këshillë.
Do ta mbajmë Shqipërinë.
Që në Kosovë dhe Çamërinë
Do T’i vëmë kufinë. 9
Po Ismail Qemali nuk ishte vetëm, por me burra trima e të mençur nga jugu e veriu dhe Kosova, ku bashkimi mbarëkombëtar i shqiptarëve kërkonte shkëputjen nga Turqia. Në këngën “Mblidhuni, o burra, të shkojmë në Vlorë”, thuhet:
Flamurin e kombit, nxirrni nga sepetet.
Vjen plaku i lirisë, duke çarë këto dete.
Vjen që nga Londra, vjen nga Berlini.
Seç i rri në krah Isa Buletini.
Seç i rri në krah e i qesh lirija.
Trima nga Kosova, gjithë Shqipërija. 10
Shteti shqiptar, që lindi në Nëntorin e vitit 1912 ishte një krijesë e dobët, e gjymtuar keq nga Vendimet e Fuqive të Mëdha, me fqinj që kishin pushtuar pjesë të mëdha të territorit të tij e që synonin të shuanin nga harta emrin e Shqipërisë, me një armik të betuar në vatër, Esat Pashë Toptanin, që përpiqej të hidhte në erë themelet e tij, në kontrollin e Fuqive të Mëdha të kohës mbi kokë, që ruanin rastin ta shtinin në kthetrat e tyre vendin, ku u derdh aq shumë gjak, për të fituar lirinë. Por tragjedia e këtij shteti të vogël nuk mbaroi me kaq, pasi më pas ato hartuan plane të thera për copëtimin e tij. Rrebeshet e historisë u përplasën njëri pas tjetrit mbi Shqipërinë. Serbë, malazezë, grekë, italianë, austriakë dhe francezë e shkelën gjatë Luftës së Parë Botërore vendin tonë, duke i sjellë atij fatkeqësi të reja, por populli kurrë nuk e lëshoi pushkën nga dora.