Kulturë
Suzana Zisi: Kordinatat mistike të një poeti...
E marte, 27.05.2008, 08:28 PM
Kordinatat mistike të një poeti...
Nga Suzana Zisi
Yjet do
trazoj”, është libri i parë me poezi i autorit Dhimitraq Papando. Autori i këtij
vëllimi, dëshmon: kulturë letrare të thellë, edukatë të lartë leximi e
vrojtimi, njohje të poezisë popullore e teknikave të larmishme të saj, afeksion
me poezinë më cilësore shqiptare, sidomos atë të traditës, si dhe një frymëzim
poetik, të qartë e të pastër. Në libër lexuesi do të gjejë mesazhe dhe ide
bashkëkohore, të përcjella me sinqeritet dhe dashuri prej poetit, vargje të ngrohta
të lindura nga një shpirt i trazuar, figuracion të pasur, të menduar dhe të modeluar
bukur, në harmoni me tematikën dhe problemet që shqetësojnë autorin. Si pjesë organike
e librit, veç poezive të shkurtëra, janë edhe tri poema: “Ndjej një ëndje shumë
lashtë”, “Udhëtim” dhe “Muzgu”, në të cilat autori manifeston aftësi të mëdha për
të kërkuar në brendësi të shpirit njerëzor, perla ndjenjash dhe emocionesh.
Teksa
lexon poezitë e Dh. Papandos, ndjen menjëherë fijet e dashurisë e të mallit,
tingujt e butë shpirtërorë që e lidhin atë me vendlindjen, me Korçën e bukurive
natyrore, serenatave dhe jetën paksa të lirshme dhe epikuriane. Më tutje, përmes
vargjeve të ndërtuara me fjalë të zgjedhura, me strofa të rregullta, me tingëllimë
e muzikalitet të veçantë, verifikohen idhujt e tij në poezi: Lasgushi e deri
diku edhe Kuteli. Itenerari i tij poetik, zë fill në gjërat më tokësore e jetësore
si buka, malli, dashuria, brenga, vendlindja, natyra, thellësitë e shpirtit, ëndërrat
e mbetura vetëm ëndërra, realitete të pamundura etj, por, perceptimi dhe imazhi
poetik i Papandos, sipas modelit të Lasgushit të madh, fluturon drejt yjeve,
deri në qiellin e Zotit e të ëngjëjve , tek kordinata më e largët dhe më mistike
për shqisat e njeriut, por gjihësesi më e dashura dhe më e kërkuara për të. Në këto
kordinata qiellore, ku vetëm shpirti i poetit mund të shkojë, Papando zbulon e
kupton vetveten, qëndis pëlhurën e tij poetike duke përzgjedhur e përkëdhelur
fjalët njëlloj si lulet. Ndër fjalët më të përdorura në dekorin e tij
stilistik,, të cilat, në poezi, shndërrohen në simbole kontekstuale individuale
janë: yll, qiell, diell, nazetare, vashëza, frymë, prush, gaz, hire, mëkatar,
vegim, lot, dritëhije, flake, zjarr etj. Megjithëse vargjet e këtij autori
synojne në shumicën e rasteve, të ndërtojnë një botë mistike e qiellore, nëpërmjet
një teknike të sofistikuar poetike, ligjërata apo kënga e tij është e
kuptueshme, e thjeshtë, e qartë dhe tepër komunikative.
Në këtë vëllim
poetik, hasen motive të ndryshme, të qëmtuara e të punuara me kujdes
profesionisti e dashuri humane, motive nga jeta e përditshme, meditacione nga
sferat metafizike, filozofike e universale të cilat e bëjnë tepër të këndshëm,
leximin dhe përjetimin e lëndës poetike. Një tufë vjershash të bukura janë ato
që janë frymëzuar nga dashuria për vashën dhe miken. Në vjersha të tilla si: “Mikja
nëpër dimër”, “Një e huaj me gërshetë”, “Nuk kam faj i ngrati”, “Ç’panë sytë e
mi”, “A jam i verbër” etj, përmes një lirizmi dhe erotizmi të ekuilibruar,
konform skriptit kanonik popullor (shqiptar) dhe gjithmonë i përvuajtur si një dashnor
platonik, Papando, ia arrin me sukses, të krijojë një botë me dashuri të thellë
e të vyrtytshme, të pastër e të kthjellët si vetë Natyra dhe Zoti. Dashuria për
poetin është gjithmonë si një zjarr përtëritës që nuk i zhurit sendet e kësaj
bote dhe shpirtin e njeriut, por, përkundrazi, iu jep atyre një shkëlqim e
bukuri të veçantë, verbuese e tunduese. Këtë mesazh synojnë të japin vargje të tilla
si:
“Po ç’kam
një zjarr që rreh të ndrisë?
A jam i
verbër, ti drita ime,
Apo
verbohem prej bukurisë
Tepër
interesante dhe të realizuara në pikëpamje figurative-stilistikore, paraqiten
vargjet peizazhiste që këndojnë natyrën e bukur shqiptare, sidomos atë të vendlindjes
së poetit. Në pikëpamje tipologjike ato iu përngjajnë akuareleve poetike, janë të
mbushura me shpresë, dritë, mall, adhurim dhe qëndrojnë në harmoni me reagimet
emocionale, jo vetëm të poetit, por edhe të lexuesit. Këtë ndjesi përcjellin
poezi si “Një mëngjes të ngrohtë…”, “Era”, “Hëna blu”, “Qytetit tim” apo poema “Muzgu”,
e cila, vjen si një këngë e gjatë, në të cilën autori njëjtësohet me natyrën
dhe pasuritë e saj.
Ndërsa në
poemën “Ndjej një ëndje shumë të lashtë”, poeti e zhvendos optikën poetike në thellësitë
e qenies personale, duke zbuluar para lexuesit, dramën e njeriut modern
gjithmonë në kërkim të identitetit apo Itakës së humbur. Në këtë poemë shfaqen
më së miri karaktaristikat themelore të natyrës si krijues dhe tiparet e poezisë
së tij
Në aspektin
figurativ dhe stilistikor, Dh. Papando prezantohet si një poet që respekton me
rigorozitet rregullat e prozodisë klasike. Por, edhe pse ai ndërton vargje të matura,
strofa të rregullta, me rima (ndonjëherë ato janë të dyzuara) dhe kadencë konstante,
shpirti i poetit endet i lirë, rregullat e metrikës nuk e pengojnë që të këndojë
këngën e tij për botën dhe jetën që për të janë sa tokësore aq edhe qiellore,
sa reale aq dhe irreale. E rëndësishme për poetin është fakti që në të dyja
duhet besuar.
Duke u
nisur nga vlerësimi për gjithë bllokun e tij poetik, mund të pohojmë se, Dh. Papando
është poet i përjetimeve të holla emocionale, thellësisht lirik, refleksiv dhe
meditativ. Ai është këngëtar i ndjenjave të holla dhe të kristalta njerëzore,
frymëzimi i tij buron nga flukset më të bukura jetësore, ndërsa kredon e tij
poetike, ai ua prezanton lexuesve pjesë-pjesë e pak nga pak në çdo vjershë të librit,
por në mënyrë të përmbledhur e gjejmë atë në vargjet:
Rroj një jetë…
si çdo jetë,
Porsi si
zogu nëpër fletë,
Cicëroj
me zë të mirë,
Jepem,
falem me dëshirë,
Pas një ëndërre
që më prêt
Me rënkime
sa një det
Botuar ne
14 01 2008 ne revisten letrare: "UNIVERSI SHQIPTAR I LIBRIT; AUTORI,
LIBRI, KRITIKA"