E premte, 26.04.2024, 08:02 AM (GMT+1)

Mendime

Jetlir Duraj: Gjeopolitika e Shekullit të Ri

E diele, 27.10.2013, 12:04 PM


Atdheu ka nevojë per mendimin bashk-kohorë

Gjeopolitika e Shekullit të Ri

Nga Jetlir Duraj

Ky artikull është rrjedhojë e analizës së përmbajtur në librat “The next hundred years”, “The next decade” të George Friedman dhe “Strategic Vision” të Zbignew Brzezinski-t. I pari, profesor për disa dekada i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe këshilltar i Pentagonit për gjeostrategji prej shumë vitesh është themeluesi dhe drejtuesi kryesor i STRATFOR, një firme private inteligjence, pendanti privat informacionmbledhës i CIA-s shtetërore në ShBA. Kurse i dyti, po me një background akademik, është tashmë prej dekadash këshilltar (minimalisht informal) i cdo presidenti të rradhës të ShBA-ve nga L.B. Johnson e tutje. Artikulli nuk ka asnjë qëllim personal, meqë autori nuk ka interesa në Shqipëri. Qëllimi i artikullit është të shpjegojmë për një publik sa më të gjerë shqiptar mekanizmat bazë realë të arkitekturës së pushtetit ndërkombëtar ashtu si janë paraqitur në literaturën e mësipërme. Kjo gjë është parakusht për të kuptuar ato gjëra që dëgjojmë shpesh nëpër lajme dhe që thjesht na mbeten më pas si anektoda kafenesh nëpër mendje. Për më tepër, në rastin e shqiptarëve, një populli kaq të vuajtur ndër shekuj nga arsye gjeopolitike, pra nga arsye totalisht jashtë kontrollit të tyre, është e rëndësishme të transmetohet sa më shumë dije në publik për gjeopolitikën botërore në përgjithësi dhe për implikimet e saj për Shqipërinë. E shkuara, e tashmja dhe aq më shumë e ardhmja e një vendi të vogël si Shqipëria janë të përcaktuara nga as më shumë dhe as më pak sesa ligjësitë që do shpalosim në këtë artikull. Gjithashtu do të shpalosim edhe disa ide të autorëve të mësipërm rreth të ardhmes së Gjermanisë. Në pjesën e fundit janë të përfshira dhe mendime të artikullshkruesit.

Dy autorët divergojnë goxha në disa nga parashikimet e analizës së tyre. Kjo sepse ata përdorin dy teori të ndryshme të hegjemonisë globale. Njëra nga këto teori, e autorit anglez klasik John MacKinder, pretendon se hegjemonia globale është e barazvlefshme me kontrollin e kontinentit Euroaziatik, i cili shtrihet nga Franca në stepat më lindore të Rusisë e rrethuar nga tre oqeane, ai Atlantik, ai Indian dhe ai Arktik. Kjo pasi, kjo masë kontinentale është vendbanimi i pjesës më të madhe të popullsisë botërore dhe në të ndodhen shumica dërrmuese e resurseve natyrore të botës. Teoria tjetër, e autorit amerikan klasik Alfred Thayer Mahan, thotë se hegjemonia globale është e barazvlefshme me kontrollin e oqeaneve, pra linjave tregtare detare. E formuluar për kohën ku jetojmë, gati një shekull larg Mahan, formulimi i saktë do të ishte që në kuadër të teorisë së dytë hegjemonia botërore është e barazvlefshme me kontrollin e oqeaneve, të hapësirës ajrore dhe asaj satelitore. Brzezinski, një produkt dhe madje protagonist i prapaskenave të Luftës së Ftohtë, ndjek teorinë e parë, meqë ajo teori si e tillë shpjegonte në atë kohë rëndësinë që kishte marrë përplasja e ShBA-ve me Bashkimin Sovjetik. Teoria e parë, megjithëse logjikisht korrekte, është ndoshta e papërdorshme në kohën që jetojmë. Ndërkohë gjykojmë se teoria e dytë është më e saktë dhe më e përdorshme për analiza realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo sepse së pari, historikisht, fuqitë detare kanë qënë më të suksesshme sesa fuqitë tokësore. Kujtojmë nga historia e lashtë greke që Athina ishte gjithmonë më fuqishme dhe më me influencë se Sparta, po ashtu si Anglia në periudhën pas mesjetës deri në fillim të shek. XX ishte më e fuqishme sesa Franca, Rusia apo Austro-Hungaria. Një cikë më afër në kohë, është tashmë e qartë që megjithëse Bashkimi Sovjetik kishte nën influencën e tij për shumë kohë pjesën më të madhe të masës euroaziatike, kjo në fund nuk shërbeu asgjë kundër supremacisë amerikane në kontrollin e oqeaneve. Një vështrim i hartës euroaziatike të con shpejt në konkluzionin se si pasojë e larmishmërisë politike, etnike dhe gjeografike të Euroazisë rasti i supremacisë sovjetike ishte më shumë një përjashtim nga rregulli historik sesa një normë historike. Nuk mund të ketë praktikisht një hegjemon të vetëm tokësor të Euroazisë. George Friedman ndjek teorinë e dytë dhe për më tepër bën një analizë më të thellë të faktorit gjeografik në marrëdhëniet ndërkombëtare, prandaj do fokusohemi më shumë në konkluzionet e analizës së tij për pjesën e mbetur të artikullit.

Loja e hegjemonisë ose si lindin dhe mbijetojnë superfuqitë

Skema sesi një shtet apo entitet shtetëror arrin dhe bëhet hegjemon në rajonin në të cilin ndërvepron është e njëjtë dhe konstante gjatë gjithë historisë njerëzore. E shpjeguar fillimisht në një kontekst abstrakt, pa lidhje me emra të përvecëm dhe epoka kohore: në një moment të caktuar në kohë, një shtet i pasur, jo domosdoshmërisht me popullsinë më të madhe të rajonit, arrin të zotërojë njëkohësisht dy tipare që e dallojnë nga të tjerët: së pari, zotëron një ambjent gjeografik rrethues i cili e bën jashtëzakonisht të vështirë ose të pamundur që dikush tjetër të tentojë ta pushtojë ushtarakisht ose edhe të ushtrojë influencë ose diktat politik mbi të; së dyti, ky shtet arrin për një arsye apo tjetër një shkëputje në supremaci ushtarake nga shtetet e tjera dhe ka mundësinë të arrijë të dërgojë në misione ndëshkuese në mënyrë të shpejtë forca ushtarake nëpër rajonin ku do vendosë hegjemoninë. Pjesa e dytë është e rëndësishme për fazën e menaxhimit të hegjemonisë. Me këtë nuk kuptojmë diktat direkt ndaj “vasalëve” në rajon (kjo është në shumicën e rasteve e pamundur), por mbajtjen e ekuilibrave rajonalë në favor të hegjemonit. Kjo nënkupton pikë së pari shmangien e krijimit të aleancave rajonale anti-hegjemon duke ndëshkuar shtete sfiduese, krijimin e situatave të tensionit ndërmjet shteteve që përndryshe do tentonin të afroheshin e të krijonin aleanca dhe mbajtjen medoemos të avantazhit ushtarak ndaj të tjerëve.

Për të kaluar në shembuj historikë, Roma e Lashtë arriti hegjemoninë në Mesdhe vetëm pasi siguroi së pari zotërim absolut mbi gadishullin apenin (kujtoni Luftrat Punike me Kartagjenën dhe rënien e Sirakuzës) në mënyrë të tillë që asnjë fuqi tjetër mesdhetare të mos arrinte të ishte kërcënim direkt për Romën; së dyti, pasi ndërtoi sistemin ushtarak më të avancuar të kohës si nga ana teknologjike, ashtu dhe nga ana taktike (kujtoni legjionet romake, një zhvillim i mëtejshëm i ideve të Aleksandrit të Madh) dhe së fundmi, pasi arriti të ndërtojë një sistem rrugësh (pjesë e së cilës ishte dhe rruga Egnatia) që niseshin nga Roma dhe kapilarizoheshin nëpër të gjithë perandorinë. Këto rrugë kishin përvec dobisë tregtare, pikësëpari synim ushtarak: dërgimin me shpejtësi të legjioneve romake për të ndëshkuar devijuesit nga politika e ekuilibrit e diktuar nga qendra e perandorisë.

Perandoria Angleze e shekullit të XIX funksiononte po prapë mbi të njëjtat parime. Kanali ndarës i Britanisë së Madhe me Europën kontinentale e kthente Anglinë në një fortesë natyrale ndaj sulmeve të ndonjë prej fuqive kontinentale europiane. Ndërkohë që kësaj rradhe sistemin e rrugëve të Romës së lashtë e zëvendësonin rrugët detare dhe flota ushtarake angleze që kontrollonte sidomos në shek. XIX oqeanin Atlantik dhe Indian. Po ashtu si Roma e Lashtë, perandoria angleze e kohës viktoriane synonte ruajtjen e ekuilibrave midis fuqive kontinentale në mënyrë të tillë që asnjëra të mos arrinte të mbizotëronte Europën Kontinentale dhe njëkohësisht ruajtjen e supremacisë detare që siguronte mbizotërimin e kolonive në Azi dhe Amerikë. Kësaj here ishin rrugët detare që zëvendësuan sistemin kapilar të rrugëve romake.

Ngritja drejt hegjemonisë botërore e Shteteve e Bashkuara të Amerikës

Ngjitja e ShBA-ve drejt hegjemonisë botërore ka ndodhur për një periudhë relativisht të gjatë kohore, që përfshin të paktën dy shekuj. Rruga ka qënë e njëjta si në shembujt e përmendur më lart.       Në shek. XIX me përplasjet e suksesshme me Spanjën dhe Meksikën dhe blerjen e disa rajoneve që më pas u bënë shtete të federatës të ShBA-ve ose baza ushtarake në oqeanin Paqësor, ShBA-të konsoliduan pozicionin gjeopolitik në Amerikën Veriore. Ky konsolidim është avantazhi më i madh gjeopolitik i ShBA-së. E rrethuar nga një fqinj relativisht i pafuqishëm si Meksika dhe një tjetër me popullsi dhe ekonomi shumë herë më të vogël si Kanadaja dhe e pakërcënuar nga një hegjemon i Amerikës latine (i cili është i pamundur të lindë si pasojë e fragmentarizimit të madh kombëtar dhe gjeografik), me dalje të konsiderueshme në Oqeanin Paqësor dhe Atlantik, ShBA-të kanë situatën e duhur gjeopolitike për tu projektuar njëkohësisht në të dyja anët e Euroazisë. Me pamundësinë e luftrave në kontinentin amerikano-verior, ShBA-të arrijnë të përfitojnë kryesisht vetëm anët pozitive të luftrave të zhvilluara gjetkë. Lexuesit të cuditur mund ti kujtohet se luftrat zakonisht kanë përfitime të mëdha për shoqërinë në terma afatgjatë si pasojë e zhvillimit teknologjik që nxisin. Në periudha lufte, shteti është i detyruar të investojë shumë në shkencë dhe teknikë dhe nga ky investim, në terma afatgjatë krijohen industri të tëra që sjellin dhe zhvillim ekonomik në kohë paqe. Shembull paradë është interneti dhe paraardhësit e tij, të cilët filluan të zhvillohen pikë së pari si projekte ushtarake gjatë Luftës së Ftohtë. Ky argument nuk vlen nqs lufta zhvillohet në vendin tënd.

Projektimi global i ShBA-ve filloi në fillim të shek. XX dhe një nga aktet e para të tij ishte edhe garantimi i Pavarësisë së Shqipërisë në konferencën e ambasadorëve në Londër. Akoma më e rëndësishme qe ndërhyrja në Luftën e I-rë Botërore si kundërpeshë ndaj dominimit iminent të kontinentit europian nga Gjermania pas kolapsit të Rusisë cariste dhe ndërhyrja në Luftën e II-të botërore për të shmangur dominimin e Europës nga Bashkimi Sovjetik pasi u bë e qartë që Gjermania do të humbiste luftën. Me shkatërrimin e flotës japoneze dhe dhurimin e kontrollit të oqeanit Atlantik nga Britania (në shkëmbim të ndihmës ushtarake ndaj Gjermanisë naziste) në fund të Luftës së II-të botërore ShBA-të u bënë zotëruesi absolut i oqeaneve dhe bashkë me të, si pasojë e teknologjisë së aeroplanmbajtëseve, edhe i hapësirës ajrore mbi oqeane. Duke shfrytëzuar madhësinë gjigande të tregut amerikan si mjet presioni dhe joshjeje ndaj vendeve me tregti eksportuese dhe duke aplikuar një strategji rrethimi dhe “mbytjeje” të avashtë ndaj Bashkimit Sovjetik, e cila do të nxirrte me kalimin e kohës në pah dobësitë inherente gjeografike dhe politiko- ekonomike të Bashkimit Sovjetik deri në shembje totale, ShBA-të arritën të mbeteshin në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar e vetmja superfuqi globale. Pas këtij momenti, fillon faza e menaxhimit të ekuilibrave rajonalë për të cilët u fol më lart. ShBA-të thjesht duhet të shmangin lindjen e një ose disa hegjemonëve rajonalë të fuqishëm në Euroazi, të cilët do ishin në gjendje të kontrollonin Euroazinë. Për këtë nuk është e nevojshme të fitohen luftërat e nisura, por të krijohet tensioni i nevojshëm dhe sistemi i kundërpeshave rajonale në mënyrë të tillë që askush të mos arrijë pozicionin e hegjemonit rajonal. I vetmi kërcënim real për pozicionin e hegjemonit global mund të vijë tashmë vetëm nqs një vend tjetër do të merrte nën kontroll të paktën një nga oqeanet ose hapësirën ajrore. Kjo është aktualisht e pamundur si pasojë e shkëputjes së madhe që ka në harxhimet për kontrollin e tyre ShBA-ja dhe kohës së gjatë që kërkon ndërtimi i një flote detare ose ajrore në përmasat e nevojshme për të qënë në gjendje të sfidojë atë amerikane. Cdo përpjekje për të arritur dicka të ngjashme do të haste në kundërshtim të ashpër të menjëhershëm.

Ruajtja e hegjemonisë botërore në shek. XXI

Në rrjedhën kronologjike kohore të shekullit ku ndodhemi, Friedman parashikon disa përplasje gjeopolitike midis ShBA-ve dhe fuqive të ndryshme rajonale gjatë shek. XXI . Përpara se të kalojmë te vendet “sfiduese” sqarojmë se cili vend, ndoshta për cudi të lexuesit, nuk përbën rrezik gjeopolitik afatgjatë për hegjemoninë e ShBA-së.

Kina është e rrethuar nga India, Japonia, Rusia dhe ka një brez shtetesh fqinje jo mikëpritëse ndaj saj në jug dhe veriperëndim. Eshtë e thjeshtë pra të ndërtosh për Kinën të njëjtën strategji mbytëse si për Bashkimin Sovjetik. Për më tepër, ka një tension natyral të brendshëm midis Kinës bregdetare dhe pjesës së brendshme të Kinës. Kina bregdetare përfiton shumë nga hapja me botën ndërkohë që pjesa e brendshme mbetet në varfëri dhe ushtron trysni politike për rishpërndarje masive të të ardhurave. Ky konflikt i brendshëm ka rezultuar disa herë gjatë historisë në fragmentarizim të shtetit kinez dhe është përdorur me sukses nga fuqitë koloniale evropiane në të kaluarën. Duhet kujtuar se periudhat e perandorive të fuqishme kineze të së kaluarës kanë qenë periudha kur Kina nuk ka pasur të bëjë shumë me botën e jashtëme. Për më tepër kompakti i tanishëm social kinez është bazuar mbi rritjen marramendëse ekonomike e cila nuk mund të vazhdojë pafund. Në një moment rritja do të ngadalësohet dhe do fillojnë të dalin në pah dobësitë e brendshme të ekonomisë kineze si psh. mungesa e një tregu të brendshëm të fuqishëm, sistemi primitiv financiar dhe varësia nga tregjet e huaja. Akoma më shumë, zhvillimi demografik i popullsisë kineze do të shkaktojë që Kina të bëhet më përpara e vjetër sesa e pasur. Prandaj, të paktën në këtë linjë argumentimi, vështirë sesi Kina mund të ketë shansin e saj për kontroll të masës euroaziatike.

Përplasja më e afërt e ShBA-së është përsëri me Rusinë. Nën trysninë e rënies së shpejtë demografike dhe me paaftësinë/pamundësinë për tu modernizuar si shtet, Rusia gjendet në udhëkryq në terma afatgjatë. Me një sistem të pasigurt kufijsh në të gjithë pjesën jugore të populluar me myslimanë dhe në pjesën perëndimore përballë vendeve me dinamizëm të lartë si Polonia, Cekia apo vendet balltike, Rusia është në trysni të madhe kohore për të lëvizur shpejt, pasi kriza demografike do e bëjë akoma më të pamundur një reagim ndaj sfidave në kufi në të ardhmen. Agresiviteti i treguar vitet e fundit në politikën e jashtëme është simptomë e këtij pozicioni të dobët

afatgjatë. Përplasja me ShBA-në do të vijë sidomos në frontin perëndimor ku ndodhen vende anëtare të NATO-s dhe ku ShBA-ja do të investohet për të penguar ekspansionin rus duke forcuar shtetet e Evropës Qendrore si Polonia, Cekia, Sllovakia, Hungaria dhe vendet Baltike. Në fund, Rusia nuk do të jetë në gjendje të përballojë afrontin nga këto vende dhe ShBA-ve. Si pasojë e dobësive inherente të pozicionit rus të përmendura më lart, Rusia prapë do të shkojë drejt gjunjëzimit.

Rënia e dytë e Rusisë do të ketë tre pasoja të mëdha gjeopolitike: ekspansionin e Turqisë drejt Kaukazit, të vendeve të Evropës Qendrore drejt lindjes dhe të Japonisë drejt pjesës lindore të Euroazisë. Në Europë dinamizmi do të kalojë drejt vendeve të reja të BE-së si Polonia, Cekia etj dhe vendet e vjetra tradicionale si Gjermania dhe Franca do të humbasin rëndësi gjeopolitike. Turqia ka një pozicion unik gjeografik në botë. Eshtë i vetmi vend që mund të projektohet në tre kontinente njëkohësisht: në Evropë nëpërmjet Ballkanit, në Azi nëpërmjet Kaukazit dhe Lindjes së Mesme dhe madje edhe në Afrikë po prapë nëpërmjet Lindjes së Mesme dhe detit Mesdhe. Për më tepër Turqia zotëron një dinamikë të favorshme demografike dhe ekonomike. Duke qënë aktualisht dhe në dy-tre dekadat që vijnë kundërpeshë natyrale ndaj Iranit dhe Rusisë, ShBA-të kanë vetëm një opsion në lidhje me Turqinë në terma afatshkurtër: ti japin asaj vendin që meriton, të paktën për aq kohë sa nuk bëhet pjesë e ndonjë koalicioni antiamerikan vendesh euroaziatike. Vendi tjetër i rëndësishëm është Japonia. Po ashtu si Rusia me një krizë demografike të theksuar, me një ksenofobizëm të ngulitur në kulturë që nuk lejon hapjen ndaj emigrimit dhe kështu lehtësimin e krizës demografike dhe me mungesë të theksuar resursesh natyrore, Japonia ka vetëm një zgjedhje për të bërë në shek. XXI: të fillojë të projektohet përsëri në perëndim (si në shek. XIX- XX) dhe të shndërrohet përsëri në një fuqi detare për të kompensuar dobësitë e brendshme. Kjo gjë do të kërcënojë nga mesi i shek. XXI pozicionin detar të ShBA-ve në oqeanin Paqësor. Duke pasur parasysh rënien e Rusisë Japonia do arrijë të projektohet me sukses edhe në Euroazi. Në mes të shek. XXI me shumë mundësi Turqia dhe Japonia mund të kenë arritur përmasat e nevojshme të influencës gjeopolitike për të bërë një aleancë të tyren me qëllim mbizotërimin e një pjese të madhe të Euroazisë një sipërmarrje të volitshme. Ky moment, duke u bazuar edhe në strategjinë e ruajtjes së ekuilibrave rajonalë të ShBA-ve hegjemonit botëror të kohës, do të ftojë përplasjen e dyanshme midis kësaj aleance dhe ShBA-ve. Eshtë e vështirë të parashikosh detajet e kësaj përplasjeje dhe megjithëse Friedman bën edhe projektime të detajuara të strategjive të mundshme, vetëm një gjë ia vlen të pohohet me siguri: avantazhi i ShBA-ve te fakti se, për arsye të përmendura më lart, nuk mund të ketë luftë në kontinentin e Amerikës Veriore është njëkohësisht edhe disavantazhi më i madh i një koalicioni të ardhshëm Turqi-Japoni. I vetmi rezultat që mund të pritet në këto kushte nga një përplasje me ShBA-në është remi. Duke pasur parasysh edhe sistemin e komplikuar që ShBA-të kanë në funksion që tani për të ruajtur ekuilibrat botërorë dhe vështirësinë praktike për të sfiduar fuqinë detare amerikane, është e vështirë të përfytyrohet ndonjë konstelacion ndodhish në të cilat një remi do të ishte rezultati përfundimtar. Si përfundim, mund të theksojmë se megjithë problemet afatshkurtëra të ShBA-së, duke pasur parasysh faktorë themelorë të gjeografisë, zhvillimit relativisht pozitiv demografik dhe ekonomisë amerikane, me të gjitha gjasat viti 1991, kur me rënien e Bashkimit Sovjetik, ShBA-të mbetën hegjemoni i vetëm botëror, është jo fillimi i një dominimi afatshkurtër por viti i parë i një shekulli amerikan në politikën botërore. Analizat e fundit, të cilat konfirmojnë një bonanza të industrisë energjetike në ShBA, që pritet ta shndërrojë atë në harkun kohor të dy dekadave në një eksportues të fuqishëm botëror të energjisë, shtojnë arsyet për të besuar në dicka të tillë.

Implikime për Gjermaninë dhe Shqipërinë

Gjermania ka dhe ajo një dinamikë negative demografike dhe është e detyruar të hapet në të ardhmen për të kompensuar mungesat në popullsi. Kjo do të shtojë fragmentarizimin në shoqërinë gjermane dhe do të sjellë ose një ndryshim rrënjësor të kulturës gjermane ndaj të huajve (pra afrim me konceptin amerikan të emigracionit) ose konflikte të lehta sociale. Për më tepër zgjedhja e vetme që ka Gjermania për të mbijetuar disi gjeopolitikisht në rang global në të ardhmen, duke

pasur parasysh faktorët e tjerë gjeopolitikë, është krijimi i një supershteti europian. Për këtë ka tre pengesa të mëdha. Së pari, kjo do të implikonte që gjermanët të dhuronin frytet e shfrytëzimit të strukturës ekonomike të ndërtuar tashmë prej tyre në BE. Duhet rikujtuar se mënyra sesi është ndërtuar në këtë moment BE-ja është në favor të interesave të ekonomisë gjermane, megjithëse shumica dërrmuese e gjermanëve notojnë në një padituri naive vetëpëlqimi rreth këtij fakti. Tu shpjegosh votuesve gjermanë në detaje sesi duhet të sakrifikojnë interesat afatshkurtër për një të ardhme më të sigurt gjeopolitike duket aktualisht fatkeqësisht jashtë mundësive të kapacitetit të politikës gjermane. Së dyti, ShBA-të, megjithë retorikën, duke u bazuar në lojën e hegjemonisë të shpalosur më lart, nuk janë të interesuara që ky supershtet të krijohet. Pozicioni amerikan me të gjitha gjasat do të mbetet për një konfederatë të pakonsoliduar europiane, e cila do të jetë e fuqishme mjaftueshëm për të qënë aleate por jo aq sa për tu shndërruar në sfiduese. Ditët kur fuqitë evropiane diktonin gjeopolitikën botërore kanë marrë fund me përfundimin e Luftës së II-të botërore. Së treti, Britania e Madhe, vetë e parëndësishme në rang global, por me dy opsione të hapura, një atlantik me ShBA-në dhe një europian me BE-në do të jetë gjithmonë në mënyrë natyrale në pozicion minues ndaj idesë së një supershteti europian. Kjo sepse opsioni amerikan është më pak kërcënues sesa opsioni europian që do të kërkonte një farë kapitullimi ndaj ekonomisë gjermane, ashtu sic ka ndodhur me vende të tjera të BE-së që kanë pranuar konstruktin gjerman të BE-së. Një supershtet europian pa Britaninë e integruar është një projekt i pasigurtë gjeopolitik.

Për të ardhur në fund te shqiptarët. Rëndësia gjeostrategjike e shqiptarëve është e përmbledhur te gjiri i ngushtë i Otrantos, i cili kontrollon hyrjen në detin Adriatik. Gjiri i Otrantos është celës për të arritur portet e Italisë verilindore, Sllovenisë dhe Kroacisë dhe portin e Barit, të tëra këto porta drejt tregjeve të Evropës Qendrore. Për këtë gjë, vendet që duan ti kontrollojnë ato porte e kanë Shqipërinë në radarin e tyre gjeostrategjik. Kjo implikon gjithashtu një farë mallkimi për shqiptarët në kuptimin që askush nuk është i interesuar që shqiptarët të kenë një shtet shumë të fortë dhe kështu të kenë në dorën e tyre këtë celës. Kjo është një arsye më shumë se pse është logjike që askujt nuk i leverdis një Shqipëri e Madhe, por që njëkohësisht shumë vendeve u leverdis një Shqipëri që është gjithsesi aq e fortë sa mjafton, që dikush tjetër, qoftë një fuqi e largët e huaj ose një e vogël rajonale, të mos arrijë të kontrollojë këtë ngushticë. Aktualisht, si pasojë e harmonizimit të interesave globale të ShBA-së dhe Turqisë, pritet dhe është tashmë i dukshëm ekspansioni ekonomik i Turqisë në trojet shqiptare, po ashtu si dhe një farë stabiliteti politik në Ballkan si pasojë e angazhimit amerikan. Kjo për momentin u shërben të gjithëve. Problemet do rishfaqen nëqoftëse në një moment të dytë, më të largët në kohë, Turqia dhe ShBA-ja vijnë në përplasje si pasojë e fuqizimit natyral të Turqisë në Euroazi. Ballkani do të vuante domosdoshmërisht. Në atë rast, shqiptarët do ishin një nga zonat e përplasjes (por natyrisht jo e vetmja) për kontrollin e Otrantos dhe porteve të detit Adriatik. Nëqoftëse në një moment të tillë ShBA-të do të ishin tërhequr nga Shqipëria dhe vakuumi do mbushej (medoemos) nga Turqia, shqiptarët mund ta gjejnë veten përsëri (po ashtu si në shek. XIX) në anën e humbësve në fund, pa patur asnjë faj për rreshtimin e tyre. Megjithatë sesa rezistent ndaj kohës do të jetë angazhimi amerikan ndaj shqiptarëve është e vështirë të parashikohet tashti meqë detajet e lojës gjeopolitike në një përplasje të mëvonshme Turqi-ShBA në arenën ballkanike do të varen nga situata të së ardhmes. Gjithsesi është racionale të presësh që angazhimi turk të jetë më i madh meqë është jo vetëm gjeopolitik por edhe i pastër ekonomik, ndërkohë që angazhimi amerikan ka vetëm komponente gjeopolitike. Paradoksalisht mund të ndodhë që po ashtu si në kohën e Lidhjes së Prizrenit në fund të shek. XIX ku Porta e Lartë pranoi fillimisht kërkesën për bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, në të ardhmen të jetë në interesin e Turqisë të mbështesë përsëri krijimin e një farë Shqipërie të Madhe. Dhe si atëherë në kohën e Abdyl Frashërit kur kjo gjë dështoi nga ndërhyrja e fuqive më të mëdha, e njëjta gjë të ndodhë përsëri.

Si përfundim mund të themi se vetë Friedman-i e pranon se do ishte i kënaqur sikur projektimet e tij për të ardhmen të ishin më shumë se gjysma të sakta. Ai pret që kjo të ndodhë por pa garanci. Prandaj këto që janë shkruar më lart, sidomos pjesa e parashikimeve nuk është e thënë të realizohen. Megjithatë, sido që të shpaloset e ardhmja, si gjithmonë realiteti do ketë karakteristikën e të qenurit konsistent dhe logjik në rrjedhën e ngjarjeve. Parashikimet e mësipërme e kalojnë këtë test.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora