E diele, 10.11.2024, 05:54 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Mollasi i Elbasanit ku e sotmja flet me gjuhën e historisë

E diele, 13.10.2013, 01:28 PM


MOLLASI I ELBASANIT KU E SOTMJA FLET ME GJUHËN E HISTORISË

Kur viziton Mollasin e Elbasanit, e kupton që në fillim se është një ndër vendbanimet më të lashta, plot tradita e zakone, që së bashku me historinë e re, krijojnë imazhin simbolik.

NGA PËLLUMB GORICA

Toka dëshmon lashtësi

Rrënjët e jetës i gjen në Mollas që nga lashtësia. “Dëshmohet si vend i banuar “me gjurmët e para të njeriut, të paktën që nga koha e re e gurit, Neolitit”,- shkruan kështu historiani elbasanas, Dr Shyqyri Demiri në “Histori e shkurtër e trevës së Elbasanit”, faqe 8.  Dhe dëshmia e parë është një çekiç-sëpatë prej guri që nga epoka e gurit. Ky zbulim i cili u bë rastësisht gjatë hapjes së themeleve për ndërtimin e një shtëpie është me një rëndësi të madhe historike. Guri ishte ngjyrë gri e errët. Nga njëra anë ka çekiçin, ndërsa nga ana tjetër formën e sëpatës. Në qendër të kësaj vegle prej guri ishte një vrimë e rrumbullakët që shërbente për vendosjen e bishtit prej druri. Është një objekt me përmasat e vrimës 2 cm. Po ky nuk ishte i vetmi këtu. Janë zbuluar edhe objekte të tjera arkeologjike gjatë punimeve bujqësore: hapjes së tokave të reja, ndërtimit të shtëpive, puseve, etj.

Në majën e një prej kodrave më të bukura të Mollasit, gjenden gërmadhat e një kalaje Ilire. Për fat të keq sot nuk mund të jenë gjë tjetër përveçse gërmadha, të shpërfytyruara nga ndëshkimi i kohës, por nga këto pak gjurmë mësojmë se këtu ka qenë një kala me aq shumë histori. Ajo që të trishton është se kjo kala po “dremit" e lenë në harresë, dhe vetëm dora shkatrruese e arkërkuesëve po i zbulon thesaret. Banorët e Mollasit e kanë pagëzuar me emrin ‘Kula e Kamunaut’’. Nisur nga pozicioni, mënyra e ndërtimit, studiuesit janë të mendimit se kanë të bëjnë me një kullë të fortifikuar, e cila kontrollonte një degë jugore të rrugës Egnatia, që vinte nga Ultësira Perëndimore. Arkeologu Neritan Ceka në “Gjurmime arkeologjike në krahinën e Elbasanit”, faqe 110 shkruan se: “Kulla e Kamunaut qendër e fortifikuar e ngritur mbi një kodër zotëruese të luginës së Devollit në shekullin e IV (para erës sonë).”

Sipas studimeve,emërtimi Mollas ( Mollosia - Mollasia ) tregon pak a shume një të dhenë të njohur të antikitetit. Ekziston një version sikur etimiologjia e emrit Mollas vjen nga lashtësia e një fisi Ilir i quajtur Mollosët. Kështu nga Mollosët evolucioni gjuhësor solli fjalën e sotme Mollas.Por ka edhe një version tjetër që e lidh emrin e Mollasit me drurin frutor të mollës që kultivohet aty. Dhe sigurisht të çojnë në mendimin për një vendbanim prehistorik. Këtë e tregojnë edhe historitë gojore e legjendat, prania e gërmadhave, mikrotoponimet e vjetra si: Mertelena, Dardalush, Gjimolla, Kalaj, Brekale, Fongu, Gëxhel, Mëzotaj, Perishti, Shtodri, Skunaj, Marozi, Dardalilaj, Qerone, Gomrri, Kollovozi Çorovan, Bregu i Bardhë, Meçita, etj. Dëshmitë gjuhësore dhe historike dëshmojnë se në antikitet me vendosjen e marrëdhënieve skllavopronare, hapsira gjeografike e Mollasit është banuar nga fisi ilir i Dasaretëve, një fis ilir punëtor, i njohur për prodhimin e drithërave dhe mbarshtrimin e kafshëve. Desaretia ishte krahinë kryesore në Ilirinë Jugore e cila shtrihej midis luginave të lumenjve Osum dhe Devoll, nga mali i Gramozit, deri në kufijtë me Dumrenë dhe Myzeqenë. Për nder të Dasaretëve të lashtësisë, 20 vjet më parë është emërtuar ndarja e një pjese të disa lagjeve të Mollasit në një vendbanim tjetër kuptimplotë Dasar, si një vendimarrje e pëlqyeshme, prej autoriteteve administrative të kohës, nën nismën e studiuesve, historianëve të lashtësisë, duke marrë edhe miratimin e banorëve.

Nisur nga faktet, duhet besuar hershmëria e jetës njerëzore në këtë vendbanim dhe pavarsisht nga rrethanat në të cilat ka kaluar në shekuj, është populluar vazhdimisht. Në regjistrin turk të vitit 1583, përkthyer nga Vexhi Buharaja, Mollasi ishte një mëhallë me fshatin Guras të Dumresë ! Me 59 banorë pothuajse të krishterë. Edhe pse në mungesë të statistikave të mëvonshme, duke u bazuar në histori gojore, mësojmë se Mollasi deri në fillim të shekullit XIX ishte një vendbanim i vogël e me pak banorë. Ai u bë i përmendur ndër të tjerët vendbanime të  krahinës së Sulovës e më gjërë edhe për faktin, që në fillim të shekullit XX u bë qëndër administrative (komunë). U caktua Mollasi sepse i kishte të gjitha të dhënat për të qënë qëndër e krahinës së Sulovës për vet pozicionin gjeografik të tij. Komunë u shpall me 1913 me rastin e ndarjes administrative të shtetit të ri Shqiptar. Krahinor i saj i parë ishte Refat Dyrmishi nga Vërça. Në vitin 1923 Mollasi kishte 474 banorë (Teki Selenica ‘‘ Shqipëria në vitin 1923”) Mollasi që nga fillimi i shekullit të kaluar ishte emër i përgjithshëm edhe i territorit të banimit  të një pjese të krahinës së Sulovës deri në fund të viteve ‘90, duke u etiketuar Zona e Mollasit. Sipas ndarjeve administrative të vitit 1992 është komunë dhe ka në vartësi: Selitën, Linasin, Kamunaun, Dragotin, Topojanin, Dasarin. Si rezultat i punës shumëvjeçare, Mollasi është transformuar, duke pasur fatin të jetë më i madh vendbanim i krahinës së Sulovës e ndër vendbanimet fshatare më të mëdha në qarkun e Elbasanit. Që nga viti 1950 popullsia është shtuar mbi 30 herë, gjë që ka ardhur jo vetëm nga shtesa natyrore, por edhe nga imigrimet e popullsisë. Sot Mollasi është një vendbanim i bukur për gjithkënd, në trajtën e një qyteze, me gjelbërim të hijshëm e ndërtesat sociale-ekonomike, arsimore: komunë, qëndër shëndetsore, gjimnaz, xhami, kishë, mision fetar, biznese etj. Shtëpitë e banimit janë të rrethuara me mure, kangjella, lule, pemë frutore të cilët banorët i kultivojnë me merak të madh. Në ndërtimin urban e përgjithshmja është se janë pranë njëra tjetrës. Prirja e zhvillimit urbanistik, si kudo në Shqipëri, edhe këtu po shkon gjatë rrugëve. Në këtë mënyrë kemi shtrirje të stërzgjatur të vendbanimit. Një ndikim të madh ushtron dëshira e banorëve të cilët parapëlqejnë që shtëpitë të jenë të vendosura me fytyrë nga rruga që i përshkon apo edhe afër pronave.

Dikur vendbanimi i Mollasit shtrihej në kodra, në një territor e fizionomi të shpëndarë, të ngulitur në vende të mbrojtura. Bazuar në shumë histori gojore, vendosja e Mollasit, ka qenë e ndërvarur nga kushtet ekonomike dhe numri i banorëve, por ardhja e shumë familjeve nga krahinat e Vërçës, Shpatit, Nahijes së Beratit, por më shumë nga Sulova e Sipërme ia ndryshuan fytyrën vendbanimit të Mollasit, duke u shtrirë më poshtë në kodrina të vogla. Zbritje e trojeve të banimit, për të qënë më pranë tokave të bukës është një dukuri që vihet re edhe në shumë vendbanime të tjera. Ajo u bë me etapa, në kohë dhe në hapësirë. Ndërkohë edhe dendësia e banimit u rrit. Por një pjesë e popullsisë u shpërngul për kushte më të mira gradualisht në krahina të tjera e qytete, aq sa ai u kthye në një vendbanim të vogël. Koha kur ka nisur shpërngulja, megjithëse nuk kemi të dhëna të sakta, mendohet në shekullin XVIII. Nëse do ti besojmë historive gojore të cilat tregojnë se çfarë i detyroi të shpërngulen shumë familje, të imigrojnë e atëherë është më e pranueshme se këto zhvendosje kanë ndodhur edhe nga faktorë të ndryshëm siç ishin epidemia e mortajës, së 1819 e cila shkretoi disa vendbanime, në mes të shekullit të XIX, kolerës në fillim të shekullit, apo gripit spanjoll me 1918.

Syri bukurohet mbi luginën e gjelbëruar

Natyra Mollasit i ka dhuruar një peizazh piktoresk. Është befasues sfondi i kodrave shkëmbore. Ato ngrihen në lindje të Mollasit në një lartësi që nuk i kalojnë 811 m. Nga lartësia e tyre sheh konturet e maleve:Tomorrit, Shpiragut, Valamares, Bukanikut, Krrabës, krahinat e Dumresë, Vërçës, Shpatit, qytetet e Elbasanit, Cërrikut. Kodrat shkëmbore janë të thata dhe të ashpra, të pjerrta në disa vende, ku nuk mund të ngjitet as këmba e njeriut, dhe ruajnë gjurmët e epokave të largëta gjeologjike të krijuara nga strukturat e rrudhosura të tokës.Përbëhet nga shkëmbinj sedimentarë të moshës së oligocenit, të formuar rreth 40 milion vjet më parë. Ujërat, si rezultat i veprimtarisë gërryerse kanë vepruar në mijëravjeçarë mbi shtresat e shkëmbinjve, duke krijuar kështu forma të ndryshme, aq sa në ndonjë rast, të krijojnë përshtypje se janë vepër e dorës së njeriut. Në kreshtat e shpateve janë krijuar rrëke, të cilat formojnë përrenjtë. Në pamjen e parë,  janë pa shumë prurje, por në ditë shirash përbëjnë rrezik për tokat, shtëpitë dhe banorët. Pamjen e kodrave shkëmbore e zbut panorama e kodrinave të mëposhtme, që zbresin vazhdimisht nga lindja në perëndim, herë të larta, herë të vogla, që shmangen nga njëra -tjetra nga përrenjë, qafa, lugina, faqe, brigje. Ato nuk i kalojnë 300 m. Toka dhe klima e Mollasit është e përshtatshme jo vetëm për drithëra, perime por edhe drurë frutore. Ngado që të hedhësh sytë spikat dora punëtore e mendja  pjellore e banorëve. Kjo bëhet e kuptueshme kur tradita e vjetër është ruajtur e përcjellë brezave për t’i shtuar me lloje e varetete të ndryshme me orientimin në shtimin e blloqeve frutore, të cilat kanë ndikuar jo vetëm në gjelbërimin, por janë edhe një tregues i zhvillimit ekonomik të banorëve.

Më në thellësi të luginës gjarpëron lumi Devoll, herë i vrullshëm e herë i qetë në shtratin e tij të stërlashtë. Historitë gojore ruajnë kujtimin e përmbytjeve kur binte shi i rrëmbyer e lumi dilte nga shtrati, duke marrë përpara lëmishtra, degë, trungje, drurë të shkulur, dhera. Udhëtarë të ndryshëm kanë përshkruar në shënimet e tyre lumin e Devollit. “Kur bie shi dhe borë në male, lumi Devoll kthehet në një lumë të furishëm, kurse në verë kalohet lehtë” (Pukvil, “Në oborrin e vezirit të Janinës”, faqe 187).

Syri bukurohet mbi luginën e gjelbëruar në çdo stinë të vitit dhe shtëpitë që ndërtohen çdo vit në përshtatje me arkitekturën e kohës të krijojnë një këqësi estetike. Duke iu ngjitur luginës ndeshesh me një pllajë ku gjendet sot pjesa më e madhe e banueshme e Mollasit. Lugina ndodhet në lartësinë 70-150 m mbi nivelin e detit dhe është me origjinë sedimentare e kuaternarit. Është e rrafshët dhe me lartësi mesatare 20-25 m mbi nivelin e detit. Në përgjithësi  është e sistemuar në mënyrë të rregullt me rrugë, kanale vaditës e kulluese. Uji i lumit Devoll e ka shëndrruar atë në një hambar jetik për banorët, kjo edhe ndërmjet një kanali, të ndërtuar para 60 vjetësh. Kjo luginë historikisht ka qënë rrugë kalimi nga Shqipëria e Mesme për në Jug, pjesë e një itinerari të vjetër të rrugës së karvaneve Elbasan-Berat. Rruga e karvanëve ishte një rrugë e ngushtë dhe me shtrat të qëndrueshëm e shtruar me gurë të vegjël dhe e riparuar në periudha të ndryshme. “Nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në fillim të shekullit XX,- sipas të dhënave, kësaj rrugë gjithnjë e më rrallë shiheshin të vinin karvanë të shumtë dy herë në javë dhe nga qiraxhinjtë që kishin 4-6 kuaj. Ndalesa pas udhëtimit të ditës së parë, bëhej në hanin e Mollasit i cili mbante nga Elbasani 7-8 orë dhe të nesërmen udhëtimi vazhdonte për 8 orë të tjera ose më shumë, deri në Berat” (Abedin Çaushi “Transporti në Elbasan gjatë shekujve”, në “Etnografia Shqiptare” Nr II, viti1963, faqe 161).

Legjendë e dijes, e punës, e bujarisë

Si rrjedhojë e ngjarjeve dhe territorit në të cilën ndodhet Mollasi, ka përjetuar rrënimet, sakrificat, qëndresat, gëzimet. Vitaliteti i qëndrueshëm i banorëve, ndaj rrebesheve të ç’do lloj qofshin janë të pandara nga ç’do situate kritike që kalonte krahina e fatet e kombit. Këtu janë zhvilluar ngjarje patriotike, beteja etj. Edhe pse koha ikën, ende ruhen kujtime, emra, vende. Le të kujtojmë disa momente të kohëshekullit të kaluar. Dhjetra patriotë të inkuadruar në një batalion u nisën në ndihmë të Shkodrës së rrethuar në pragdimrin e 1912. Patrioti Beqir Gjini në 1914, mblodhi burrat e Mollasi për të ndaluar përparimin e mëtejshëm të shovinistëve grekë në Berat. Këtë fakt e bën të ditur Lef Nosi në “Dokumente historike 1912-1918”. Patrioti Yzeir Baku mori pjesë në mbrojtje të kongresit të Lushnjës dhe ndihmoi me armatime Luftën e Vlorës. Në Luftën e Dytë Botërore nga Mollasi morën pjesë mbi 30 partizanë. Dy prej të cilëve Osman Gjini dhe Aqif Asllani dhanë jetën në këto ngjarje.

Krahas tjerave, historia e Mollasit lidhet edhe me traditat arsimore. Sipas historive gojore dhe dokumenteve të tërthorta, në vitin 1892 me ndihmën e patriotëve elbasanas, në Mollas mësohet dhe shkruhet fshehtas gjuha shqipe. Nga mësuesi i parë i Sulovës, Riza Cërriku, kemi mundur të mësojmë diçka mbi veprimtarinë e patriotëve: “Patriotët i sillnin në Mollas librat, duke i fshehur nën samarët e kuajve pas kthimit nga pazari i Elbasanit. Mësimi bëhej në xhami. Patrioti Qazim Bej Zavalani ishte i njohur në rrethet patriotike të Elbasanit, mik i Aqif Pashë Elbasanit, Hysen Sulovarit, Isuf Qoses. Qazim Zavalani e kërcënoi hoxhën e Mollasit “O mësoju fëmijëve gjuhën shqipe, ose të pret plumbi” dhe hoxha nën këtë presion mësoi të shkruante dhe të lexonte shqip dhe nisi t’ua mësonte edhe nxënësve të mejtepit”. Përpjekjet për gjuhë shqipe vazhduan pas shpalljes së Pavarsisë. Shkolla e parë shqipe është hapur në vitin 1916. Një e dhënë tjetër interesante, është se në Mollas prej 40 vjetësh është hapur shkolla e mesme.

Mollasi është legjendë e dijes, e djersës së derdhur, e bujarisë, mençurisë së banorëve. Ata janë të thjeshtë si vetë thjeshtësia dhe shumë të lidhur me vendlindjen. I kanë njohur anët e jetës: mirëqenien, hidhërimin, varfërinë që dikur në kohëra shkonte deri në dhimbje dhe vështirësitë nuk i kanë përballuar kurrë vetëm. Me gjithë zhvillimet kanë ruajtur traditat si në fejesa, dasmat dhe vdekjet, dollinë, këngët, rrëfenjat, fjalën e urtë. Në përgjithësi ata janë të qetë dhe të afrueshëm, natyrëbutë. Të interesuar edhe për fatet e njëri tjetrit. Nuk stepen përpara vështirësive, zemërgjerë dhe të duruar. Përkushtimi ndaj punës i ka karakterizuar dhe sipas kushteve, mundësive, traditës familjare përpiqen për ecur drejt së mirës. Përmes mençurisë kanë ushqyer brezat me mikpritje e bujari. Kanë ruajtur edhe cilësi të vyera si nderimi, dashuria për pjesëtarët e familjes, veçanërisht për të moshuarit, sidomos kur ata janë të pamundur. Mbështeten tek vetja, por dimë të shfaqin edhe mirënjohjen, për ata që i ndihmojnë. Vështirësitë e jetës nuk i kanë përkulur kurrë. E pranishme ndjenja e solidaritetit, veçanërisht midis fqinjëve me të cilët marrin e japin për gjithçka të mundshme, sipas rasteve, duke u gjendur për të mira e për të këqija, si të afërmëve dhe të largtëve. Duke qenë kështu të pranishëm në të gjitha rastet e gëzimeve dhe hidhërimeve të tyre.

I tillë është dhe mbetet Mollasi. I lashtë dhe i veçantë. I punës, i traditave, por edhe i krenarisë shqiptare.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora