Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Në shijim të atdheut
E hene, 16.09.2013, 07:59 PM
Në shijim të atdheut
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë
Me puhinë
e freskët dhe gjerlbërimin e luginës përgjatë lumit Nerodima autobusi
gjarpëronte rrugës së vjetër e të ngushtë. Rrjedha e lumit shtratit të tij
shekullor ishte mbresëlënëse me shkumëzimet gurzbritjeve, të cilat krijonin
pamje mahnitëse, përcjellë me melodinë gurgulluese. Orkestër natyre me njëmijë
tinguj që nuk i gjen as në filahrmonitë e njohura të botës.
Ne që
udhëtonim për të parën herë, çdo skutë na dukej tërheqëse. Arat me grurë e
misër, në të dy anët e lumit, flisnin mbi kujdesin e njeriut tonë punëtor në
shekuj. Shtëpitë e “Luftës” ishin gjurmë e një kohe dhe gati secila shoqërohej
me shtëpinë e re aty pranë.
Përkundjet
e “Ditës” përfunduan para shkollës së re, në pjesën e sipërme të rrjedhës së
lumit mbi fshat. Kodra e Përmendores nga perëndimi fillonte thikë përpjetë
shtigjeve të dhive e shoqëruar me përroin e shpejtë me ujë të pastër kristal.
Ai që ishte trim i ngjitjes do shpërblehej me shkëlqimet e përmendores së
dëshmorëve dhe hapësirën e gjerë soditëse.
Sot jo.
Është dita e parë, ku shkolla e re, donacion i fuqishëm nga miqtë japonez, na
priste portëhapur. Në radhë ishte vendosja. Pllakati ku shkruante “Ta njohim
atdheun” nga Ministria e Diasporës do
lidh për pesë ditë dy katet e shkollës. Fotografia me veshjet e bardha, me
mbishkrimin mirëseardhës, do ishte një
kujtim i mirë për fëmijët e ardhur nga disa shtete të kontinentit.
Shpejt
hapësirave të fjetura të shkollës iu kthye gjallëria. Kushtet e vendosjes ishin
sfiduese e modeste në krahasim të atyre në botën e ftohtë e të huaj. Këtu çdo
gjë ishte e ngrohtë. Edhe muret, korridoret, klasat. Skulptura e kryetrimit
tanë të ngrohte me pamjen e tij qortuese e plotë forcë në vigjilencë ndaj
armikut që synon truallin, lirinë tonë.
Vallet
shqiptare shekullore kudo e mahnitin syrin e shikuesit. Këtë e dëshmuan qifti
nga Zvicra me punën e tyre, një jetë me valle në mërgim. Fëmijët me kureshtje
filluan mësimin e valleve shqiptare shumë nga ata për herë të parë.
- Do
vallëzojmë, kemi vullnet e kondicion”,- u dëgjua një zë.
-
Gjimnastika e mëngjesit në ajrin e pastër e udhëhequr nga mësuesi A...”,- sikur
na ka fuqizuar u dëgjua tjetri.
- Edhe
shëtitjet drejt burimit të lumit lart në bjeshkë”,- foli me zë të lartë
“zvicerani”, duke përkëdhelur “Ujkun” që e kishte sjell me vete.
- “Shota”
i bëri pendël të gjithë në ndjenjën e të përbashkëtës, kombëtares. Sonte s’do
flemë fare, do vallëzojmë.
Orari i
vënë nga mësuesit/et ishte detyrim, secili e respektonte, e pranonte të vetin.
“Dita” nuk ndali rrotat asnjë ditë. Në kazermën e ushtrisë më të re në
kontinent sikur ndërroj toni e ritmi. Zërat e fëmijëve mbushën hapësirat e
pastra që flisnin me rregullin e tyre. Pjesëtarët e saj i kishim në përkujdesje
në çdo hap. Ditën e natë. Edhe një ferrë gomari po preku dike mjeku ishte aty
me të gjitha mjetet, me zemër e dashuri atërore për filizat e së nesërmes
sonë. E paharruar do jetë pritja në
radhë në kuzhinë dhe dreka e përbashkët.
-“Sa e
shijshme”- tha njëri nga fëmijët, duke e fërkuar barkun.
-“Drekë
ushtrie, unë do të bëhem ushtar”- ia priti tjetri.
Ora e
mësimit me komandantin nuk do të harrohet kurrë. Fotografia e përbashkët do
jetë një kujtim vitesh e brezash në dashurinë
për vendlindjen, ushtrinë e tij të shkëlqyeshme.
Shijimit
të vendlindjes vazhdon në fshatin Binqë, dhe për çudinë e fatit aty në Kishën
Shqiptare me mure shekullore me vepra arti nga rrugëtimi për jetë a vdekje i
vëllezërve para kuçedrës aziatike, takuam edhe Don Lush Gjergjin. Shpirti i
madh fiton, edhe në botën tjetër. Aty edhe Nëna e Botës “Dashuria do ta shpëtoj
botën” e tha me fjalë e vepër. Filizat e rinj nga gjithë kontinenti mësuan
përse kisha e xhamia janë njëjtë të shenjta, njëjtë shqiptare. I pari i zërit
L.. na foli me afshin e vëllait, me dashurinë e prindit për ruajtjen e vlerave
kombëtare që e mahnitin botën kudo që flitet për tolerancë e respekt bindjeje e
ideje. Faleminderit Binqë do vijmë me draprin e parë të verës së re edhe me një
pranverë më shumë në ne.
Y...
gjithmonë duke qeshur me fytyrën e mrrolur ngutej, me të edhe “Dita” në kapjen
e hapave tjerë. Shpella e Gadimes, një mrekulli shkuar mrekullive. Vetëm vendet
me shumë fat kanë diçka të tillë. E ftohtë në gurëmermeri, por e nxehtë në
shkëlqimin e kristaltë të stalagmiteve e stalaktiteve ku printe dashuria e
zjarrtë e “Romeos dhe Xhulietës” drejt bashkimit diku në amshim. Korridori i Mixhës Ahmet ishte i ngushtë për
ëndërrimet e dëshirat e shumta të vizitorëve mërgimtarë. Ndërprerjet e rrymës,
mungesa e rrjedhave e puseve me ujë të kthjelltë ishte shqetësim në paaftësinë
e menaxhimit e ruajtjes së kësaj pasurie të paçmuar kombëtare.
Në gjithë
botën Bifurkacioni i Nerodimes kishte një vëlla në Orinako të Brazilit. Një
fenomen i veçantë, ku njëra gjysmë e lumit merr drejtimin verior, drejt Detit
të Zi, dhe gjysma tjetër drejtimin jugor, drejt Detit Egje. Pikat Motra
përshëndeteshin, lotonin ujë kristal në fundin e takimit, shtrëngonin duart të mos ndaheshin.
Donin të ndaleshin në freskimin e fytyrës së fëmijëve, të qeshnin e luanin
bashkë sikur deri me tani. Disa i luteshin diellit që t’i merr lart në qiellin
e Kosovës e të mos largoheshin nga ky vend kaq i bukur.
-“Do
kthehemi prapë kudo që jemi me retë e para të shiut pranveror”- folën dy Pikat
Motra në rreshtin e miliarda motrave. Fëmijët mërgimtarë do i ruajnë me xhelozi
fotografitë me Pikat Motra dhe kudo që do i takojnë do ju përkujtojnë Kosovën,
Nerodimen shpatë bjeshke.
Dashuria
ndaj mërgimtarit u prek në çdo hap, edhe në parlamentin komunal. Ulëset do
presin ambasadorët më të ri në vendet ku jetojnë. Ata atje kanë vetëm një emër,
shqiptarë. Imazhin e vendlindjes secili e bartë në veprën dhe sukseset e tij.
Edhe Xherdani, Granit, Ardita, Shkëlzeni e shumë të tjerë, janë yje, edhe për
kombin e vendlindjen. Nënkryetari dhe zyrtarët tjerë komunal i pritën me
ngrohtësinë e prindit mysafirët e vegjël gjithandej kontinentit. Faleminderit!
Për fund
“Dita” rrugëton zemrës së Dardanisë.
-“
Kurorë.
Heshtje.
Nderim.
Pesëdhjetë
e gjashtë yje ndriçonin mes gjelbërimit në shpatin lindor të lagjes historike
të Jasharëve. Ciceroni, një burrë fjale e historie, ishte bindës në shpjegimet
e tij. Karvani i fëmijëve me këmishët e bardha
“Ta njohim atdheun” filloi marshimin shkallëve të pafund të përjetimit
të asaj çka duhej për lirinë e sotme, për shporrjen e kuçedrës shumëkokëshe nga
vatra shekullore. Përrallat e mësuara mbi kuçedrën zemërzezë fillonin gjithmonë
“na ishte njëherë”..., dhe kurrë më. Liria është djepi i ëndrrave për sot e
nesër, për dashurinë e pakufishme për jetën, për respektin ndaj dëshmorëve anë
e kënd mëmëdheut.
Daullet e
agimeve të reja gjëmonin kodrave të Prekazit legjendar. Kullat e Jasharëve,
Kullat e Mehajve, Kullat e Ahmet Delisë, do jenë përjetë frymëzim në hapat tonë
shqiptar.
Kënga e rritjes së bijave e bijve të vegjël mërgimtarë, do përtërihet me aromën e vendlindjes në çdo skaj të kontinentit.
Fëmijët mërgimtarë me Don Lush Gjergjin në Binqë, një orë mësimore nga jeta shqiptare në shekuj
Një foto e dashur, me Ushtrinë e Republikës jemi gjithmonë
“Shpella e Mermertë” në Gadime, një bukuri e rrallë, dhe një përjetim i pa harruar
Nxënësit mërgimtarë në Kompleksin Adem Jashari, Prekaz