E marte, 10.12.2019, 04:29 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Poezi nga Kozeta Zylo

E marte, 13.08.2013, 07:00 PM


Kozeta Zylo

 

Psherëtimat

 

Psherëtimat tona të largëta,

U hodhën si fishekzjarre në qiell,

Për të ngrohur natën e acartë,

Dhe botën, që ka kohë pa diell!

 

Në një cep të buzës

 

Sa herë vdes e ngjallesh prapë,

Ti e ëmbla dashuri,

Çuditërisht ti helm kurrë s’ke,

Veç me afsh më ndjell në gji!

 

Herë me ndroje, herë pa ndroje,

Rrëshqet mëndafshit në kaltërsi,

Dhe pastaj në lëndinë Prilli,

Pimë nektar ne të dy!

 

Herë butë-butë, e herë trazuar,

Në puthjet tona, çmenduri,

Një cep të buzës ke kafshuar,

Marrosem unë, marrosesh ti!

 

Pa frymë

 

Ç’ka që digjet zemra ime?

Miturakja dashurore,

Buzët si qershia skuqen,

Në agshole pranverore!

 

Vështrimit tënd rri hutuar,

Nga një re që psherëtin,

Herë e zbrazët, herë ngarkuar,

Më mek të tërën, më lë pa frymë!

 

Në lëndinat e prillit

 

Në lëndinat e prillit,

Të verdhat aguliçe,

M’i morën mend.

Ëndrrat e mia të ylberta,

Fërgëlloheshin,

Në zjarrminë e trupit tënd!

 

Thembër  e Akilit

 

I shtrenjti im, zemër burri,

S’e kuptoj pse hesht tani,

Gjithë zogjtë çukitën diellin,

Veç Akili në mëri!

 

Mik i ëmbël, mos ik larg,

Se dhe tendën do ta gjej,

Më bëre skllave pakuptuar,

Por, Briseida s’mund te jem…!

 

I shtrenjti im me aromë shpirti,

Ke ca kode, s’ti kap dot,

Shaloja hënës vetëm sonte,

Buzë shtratit, do të puth fort!

 

Lutja ime flatërtare,

Është e brishtë, gjithë ëmbëlsi,

Por kur buzët nuk e prekin,

Thëllëzë bore, ngel për ty!

 

Shpirti im, bilbil i Prillit,

Liberty, thembër e Akilit…

 

(Nga libri "Një fjongo Dielli nga New Yorku")

 

Monumenti i Lotit

 

Sa lot është derdhur,

Për ty nënëlokja ime Shqipëri!

Nëse do kishim mundësi për t'i mbledhur

Me siguri do të krijohej një oqean i tërë,

Ndoshta oqeani më i madh kohor,

Në gjithë rruzullin tokësor.

 

Është lot i brezave që pushtuesit panë me sy,

Është lot i vashave për dashuri,

Që u arratisën nga aty…

Është lot i pleqve,

Për fëmijët që i lanë në vetmi,

Është lot i bijes,

Që s'u ndodh pranë

Në vdekjen e nënës,

Lot i fëmijës është moj bijë,

Që rritet pa parë babanë me sy.

 

Janë varret e prindërve,

Që u mbuluan pa një grusht dhe të burrit,

Është loti im që çan palcën e gurit.

E si kalë i hazdisur vrapon nëpër shekuj,

Për të qëmtuar brengat e qëndisura në shpirt,

Që pena ime bashkë me skulptorin,

Të ngrenë madhërishëm monumentin e lotit.

 

(Washington, Shkurt 2001)

 

LOTI PIKTURË

 

Në trokun e kalit,

Gjej gjurmën e zverdhur,

Të qytetit tim,

Zbrazur përjetësisht,

Nga kalorësit e ikur!

E kam lënë pikën e lotit,

Pranë gurit të sofatit,

Në portën e shtëpisë sime,

Ndërtuar në lashtësi!

Hej udhëtar!

Në të rëntë rruga andej,

Fotografoje lotin tim,

Në pikturë do jetë kthyer,

Ndoshta nga më të çmueshmet,

Deri më sot,

Në muzeumet e botës!

 

(Manhattan, 2005)



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT