Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: Vargje në mote që deshifrojnë hieroglifet e heshtjes së akullt
E merkure, 31.10.2012, 08:34 PM
Vargje në mote që deshifrojnë hieroglifet e heshtjes së akullt
Nga parathënia e librit "Vargje në mote"
Mes dallgësh lundra ime/ Ndeshet, lufton/ Mes dallgësh drejt bregdetit/
Përpara shkon…
Marrë nga poezia “Kjo lundra ime” Elbasan, 1945
Janë vargje që janë shkëputur nga poezia “Lundra ime”
vargje që ngrehin dallgë detesh dhe behen urë për të ecur përpara. Autori me peshën e viteve mbi supe lëmon
mallin, prek dhimbjen e largët që s’mund të shërohet kurrë.
Plagët i bëri vargje me palcë frymëzimi që do të
përkunden si foshnjë e porsalindur, si foshnjë që i lidh fati me të parët
tanë. Këto plagë duhet të kurohen prej
dashurive tona të rifituara, nga korja e fortë e heshtjes!...
Ndërsa në poezinë “Natë”, në kuptimin metaforik jep
gjendjen sociale, ngjyrën e errët të saj si nata dhe ja si shprehet: Natë/ kurrë nuk sheh një fijëz drite/ Valle
sa do zgjasë kjo natë?... Elbasan 1957 ,
Pena e autorit Bungo duket sikur mban pranë një shami
përlotjesh, dhimbjesh.
Nëpërmjet antitezave që të mbajnë të tensionuar gjatë
leximit ai shkruan për jetën dhe vdekjen si në fragmentin nga një “Poemë e
djegur”:
Une e dua
jetën/ Por jeta më tmerron/ unë s’e dua vdekjen/ por vdekja më ngushëllon!...
Burgosja dhe internimi, autorin, blerimin e jetës ia
kthyen në zi sa vetëm vdekja e ngushëllon edhe pse nuk e pranon atë, ngase jeta
për të është treguar e pamëshirshme...
Duke vazhduar leximin e librit duket sikur shkon nëpër
mote, mote të trazuara në vargje dhe të njomura nga vesa e lotit të një burri
plot dhimbje, por dhe lot i bukur si plisi i bardhë i Isa Boletinit.
Pena e autorit ka skalitur si një skulptor i vërtetë
shekullin dhe e mbron atë nga murrana e vdekjes.
Metaforat e bukura pëshpërisin në veshët e lexuesve
paqësisht me sqep pëllumbi, Ai nuk tutet nga plagët, as nga mbyllja në llumin e
kënetës ku e internuan për një kohë të gjatë, pasi dhe aty u mundua të gjejë një
fijëz shprese, çka më kujton një thënie të Çurçillit se: “Pesimisti shikon për vështirësi në çdo oportunitet, ndërsa optimisti gjen
oportunitet në çdo vështirësi”.
Edhe pse shkrimtari është në një moshe madhore ai nuk është
si një mërgimtar i zakonshëm, por brenda vetes ka gjetur një udhëz dielli, për
t’i bashkuar të dy vendet aq të dashura të poetit, vendlindjen e tij Elbasanin
dhe atdheun e dyte Amerikën.
Ai ndjen dhimbje ndërsa kujton shtëpinë e tij të rënuar
në Elbasan nëpërmjet poezisë
“Shtëpinë time do shkoj ta shoh” : Gjysmë prishur e
vetmuar/ hyjnë laraskat kakarisin/ shtëpi njerëzish të mërguar/...përcillet
mesazhi zemërplasur i poetit të ikur në dhera të largëta.
Ai me nostalgji prej një shpirti mësuesi kujton kolegët
dhe shkollën duke vargëzuar:
“Do të
shkoj në shkollën fillore/ ku mësova ABC-n/ të kujtoj mësuesit e mi/ dhe pse
sot kam marrë dhenë”/
Janë kujtime që mbyten në lotët e shpresës, plot
krenari në kopshtin e Normales së Elbasanit, ku autori bën homazh për ata mësues
që u pushkatuan nga diktatura për kundërshti ideologjish. Ai vargjet i vë në gojën e kumrisë duke iu
lutur:
“Moj
kumri, moj kumri/ Që të pashë unë këtu sot/ Këto vargje Elbasanit/ Çoja ti, unë
s’ja çoj dot!”...
Janë amanete që nuk thinjen në mote, ngase poeti si një
pëllumb i bardhë fluturon i lirë në moshën madhore, i dalë prej kafazit të
betonuar, aty ku e mbyllën dhe e dënuan poetin...
Lexuesi duket sikur zgjohet prej valëve të oqeanit ku
dhimbshëm dhe bukur dëgjohen era e Krastës së vendlindjes së tij, që autori është
përkëdhelur shpesh nga flladi i saj.
Këto vargje të kujtojnë librin e Petro Markos,
“Intervistë me vetveten”
(Retë dhe gurët) i cili shkruan: “Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë
në Shënmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të
shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që
kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… Vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi
spitharët më poshtë, afër bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiut”…
Poeti Bungo
është zhuritur, përcëlluar e djegur nga furtunat e moteve si një pemë, por
thellë shpirtit, rrënjët nuk ja dogjën dot, ato qëndruan të forta dhe u zgjatën
deri në Amerikën e largët, tokën e premtuar, atje ku poeti po kalon moshën e
vjeshtës aristokrate. Libri “Vargje në
mote” përcjellë kumte dashurie, kujtime të hidhura dhe të embla, është një
bisedë poetike dhe me bashkatdhetaret e tij në Shqipërinë që ka kohë që e ka lënë
fizikisht.
Poezitë
me metaforën e shqetësuar, janë si
furtuna përmbi male që herë puthen me retë e bardha e herë i ndëshkojnë duke i
larguar tutje...ndoshta për t’i rrëmbyer Krasta që s’ka të pushuar në sezone të
veçanta.
Shumë
prej poezive të librit janë si flakëza qiriri të Naimit, që mundohen të ndriçojnë
terrin që kanë lënë shekujt.
Ato janë
pikturë e gjallë e kulturës sonë, ngacmuar nga syri i mprehtë i një ish të
burgosuri, që kaloi dekada të tëra në vuajtje, në plagë të pashërueshme, në
shekullin e kaluar, ndërsa në këtë shekull sjellë përjetimet e tij, për mos t’u
harruar kurrë nga kafshimet e “pseudohistorianëve”. Poezitë e tij janë si fishekzjarre, që hidhen
në një qiell gjysmë të shurdhët, sepse gjysma e zogjve janë trembur nga
suferinat e çmendura “çuditërisht” me emra njerëzish si Katrinë, Irenë etj...
Mjaft
mbresëlenëse janë poezitë kushtuar Kosovës me përkushtimin: “atyre që diktatura
i dënoi se folën për Kosovën” dhe një prej tyre ishte vetë poeti i cili
shkruan:
“Nga larg Kosovës/ kur rininë ia fallen/
korbat i dergjën në burgje/ i mbytën në internime”/!...
E korbat
kanë ngjyrën e zezë, vetëm klithin, ndjellin zi, ndaj dhe krahasimi për ata që
mbollën tmerr në tokën shqiptare është mëse i gjetur. Shumë patriotëve shpirtndezur për Mëmëdheun
deshën t’u verbonin dritën e syve, atë dritë që përhapte si rrufe në pragje besën
shqiptare dhe ngrohte pragjet që kishin trungje ngricash nga kohët e acarta...
Nuk e di,
por duke e lexuar Bungon, autor me moshë të vjeter, se ç’me krijohet një
ndjesi, që edhe pse nuk e kam takuar kurrë,
më bëhet se shoh një Shën poet në qiellin e universit, një ndër banorët
që fjala i peshon rëndë si floriri. Dhe
ne si lexues kemi shumë nevojë për kryefjalën e oxhakut, për këta dëshmitarë
okularë të historisë sonë të kafshuar gjer në fyt. Megjithatë edhe pse jeta u tregua e ashpër
karshi tij, mençurisht ai gjen manushaqen gjithë aromë të shpirtit, dhe si një
urtak jep këshillën për dashurinë e dy buzëve të ndezura, bërë kuq si qershi, që
vajza mos të ndruhet për t’ja dhënë puthjen e parë djalit që i lutet: “Falja
o vajzë/ falja puthjen e parë/ se rinia ikën shpejt/ dhe s’kthehet me kurrë,
falja”!...
Apo në
poezinë: “Pranverë” autori shprehet: Një
mëngjes herët/ një dallandyshe trokiti lehtas në dritaren time/ u ngrita dhe e
pyeta/: Pse ke ardhur kaq shpejt/? Ajo më lëshoi në dorë një manushaqe/ dhe
hapi krahët e fluturoi/.
Shkrimtarit
Bungo i jep një frymezim të ëmbël dhe mbeska e tij e vogël, Niki, e cila është
lindur në Amerikë dhe ja si i shkruan asaj në poezinë: “ Bisedë me mbesën time”
“Erdha të marr për shetitje/ por
ti flike o e bukura jonë, Si një ëngjëll nëpër përralla/ që tregojnë në vendin tone”!
Gjithashtu
Babagjyshi poet e mëkon ëngjëllin e tij me dashurinë për vendin e të parëve dhe
ja se si: “Kur të rritesh, shko ta shohësh,
Eshtë Atdheu i gjakut tënd/ Oh, sa shume ti do krenohesh/ S’ka më të bukur se
ai vend”!
Gjuha e
rrëfimit të autorit Bengo rrjedh si
gurgullima e çezmës në portën e Kalasë së qytetit të tij të lindjes, një
gjuhë e pastër si bora e bjeshkëve, me baza nga Normalja e Elbasanit, shkollë e
famshme shqiptare...
Përdorimi
i një figuracioni artistik të bukur e bën më të ndjeshëm konceptimin dhe mënyrën
e rrëfimit në të gjitha poezitë e librit: “Vargje në mote” . Eshtë një libër që më ka këndellur në gjithë
qënien time.
Pasi ke përfunduar
librin ke ndjesinë se ke bërë një udhëtim të gjatë, që me magjinë e fjalës së
tij duket sikur ka shpirtëzuar dhe sendet, të cilat kanë marrë butësinë e
kadifenjtë të syve njerëzorë, të atyre syve që poeti i ndjeu me pakicë gjatë
jetës së tij aq të vështirë. Gjithësesi
jepet tipizimi i realitetit shqiptar, duam apo s’duam ne, pasi në fund të
fundit është në shërbim vetëm të së vërtetës, e cila vjen një ditë dhe mposht
llumin e gënjeshtrës. Shkrimtarit Bungo
i dhemb shpirti për çdo copë tokë shqiptare, ndaj ai nuk mund të rri indiferent karshi vendit të
tij Shqipërisë, të cilës ia bën trupin copë e çikë, siç ndodhi me Çamërinë dhe
ja se ç’shkruane në poezinë: “Kënga çame”.
“Kënga çame/ flakë baroti/ Skuqur gjakut për liri/ Nëpër shekuj vetëtimash/ Të
këndon ty Çamëri”!...
Autori
duke ardhur në një moshë të thyer në emigrim e ka merak ikjen e qetë nga kjo
botë, ai do me çdo kusht që të prehet i qetë në Mëmëdhe ndaj në poezinë: “
Amaneti i mërgimtarit” shkruan: “Kur një ditë do mplakem fare/ Dhe të luaj
s’do kem fuqi/ Mos më lini këtu të shuhem/ N’vend të huaj jabanxhi”!...
Libri
mbyllet me poezinë “Epitaf”, që nuk është si në Greqinë e lashtë me një
mbishkrim të gjatë, ose të shkurtër si me Spartanët, por autori në fjalë nuk do
që t’i shkruhet asgjë, “Vetëm në një gur
të thjeshtë t’i vendoset emri, sa t’thonë, paska ikur i ndjeri”!
Është
epitaf amanet qysh në gjallje, duke treguar thjeshtësinë gjer në palcë të
autorit dhe njëkohësisht pena e tij jep shpirtin patriot që është një
zjarrishte shqiptari.
Autori është një pelegrin, veshur me metaforën e
dhimbjes dhe vargun si pike loti.
Pena e tij me mjeshtëri duket sikur ka zbërthyer në
mote hieroglifet e heshtjes së akullt, dhe ne shohim një dritëz në fund të
tunelit, ndërkohë në qiell, kumbon kambana e artë e shpresës.
Ai na dhuron të gjithëv një buqete me sythe shpirti për t’i mbjelle në zemra shqiptarësh të porsalindur, të cilët duhet të njohin mirë historine tonë të gjymtuar në mote.