Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Dy breshkat e Kryeministrit
E merkure, 10.07.2013, 09:05 PM
DY BRESHKAT E KRYEMINISTRIT
KOKË MË KOKË NË KABINET
NGA KALOSH ÇELIKU
Populli shqiptar, vërtetë kësaj radhe ka bërë
ndryshime të mëdha politike. Edhe atë, më në fund një “Rilindje Shqiptare”.
Lakmi t’ia ketë edhe bota. Qëllimin patriotik të cilin nuk e arritën Rilindasit
tanë me vite, e arritën Rilindasit socialist brenda një nate me kutitë e
votimit. Votën e lirë demokratike ia dhanë Partisë Socialiste (Edi Ramës) dhe
Lëvizjes Sociliste për Integrim (Ilis Metës). E dënuan politikën madhore të
Sali Berishës: ndërtimin e rrugëve dhe hapjen e tuneleve. Njëqindvjetorin e
Pavarësisë të Shtetit Shqiptar. Edhe Bashkimin Kombëtar të Kreshnik Spahiut me
aktivitete parazgjedhore me flamurin kuqezi në mes të detit në kufi me Greqinë,
Qafë Morinë e Maqedoni. Bamir Topit, nuk i mjaftoi posti i presidentit,
patjetër edhe ai duhej të dalë në skenën politike me ushtrinë e tij
“strategjike”. Veprime politike këto të politikanëve shqiptar, që pasi i humbin
postet partiake, themelojnë parti politike për t’u kthyer përsëri në pushtet
deri në vdekje. Punemadhe, që në skenën politike shqiptare vite me radhë
rrotullohen të njëjtit partizanë fushe, të njëjtit aktivistë partiak të
fundosur nëpër kabinete.
Politika, shumë burra kanë thënë se: është kurvë.
Politikanët, “art” i së mundshmes në fushëbetejat politike. Edhe ajo Xhadia, përçudi
i do vetëm kurvarët e jo burrat besnik të grave. Zgjedhjet e fundit (2013) na
bindën se, politika shqiptare e zgjodhi për burrë Edi Ramën. Burrin, që shumë
mjete të informacionit në Shqipëri i bënë fushatë parazgjedhore duke e nxjerrë
lakuriq në plazhë si burrë i disa grave. Piktorin, që Fatos Nano e solli nga
rrugët e Parisit me “thonj të paprerë” në politikën shqiptare. Vërtet, në
Politikani i “ ri ”, Edi Rama do ta ndryshojë
Tiranën duke i rrënuar ndërtimet pa leje dhe ngjyrosur fasadat e
ndërtesave të vjetra të Kryeqytetit
shqiptar. Ndërtoi vendstrehimin e tij strategjik në politikë, për t’ia grabitur
nga duart Fatos Nanos edhe Nënën Parti. Rasti ma kujtoi librin e shkrimtarit
Stefan Cvajg: Zhozef Fushe. Prifti, që përpiqej me çdo kusht t’ia marrë
pushtetin Napolon Bonapartës.
Kalorësi i arratisur, vite me radhë do t’i përdorë
të gjitha “mjetet demokratike” për t’ia vjedhur pushtetin edhe Sali Berishës.
Lufta do të zhvillohet në Kuvend e rrugë para kamerave televizive me të gjitha
armatimet e rënda tokësore e qiellore. Herë – herë, edhe përmes mjeteve
informative elektronike në dylyftime. Ciu Ciu në betejat e përgjakshme
historike “vdekje, ose pushtet” do ta sulmojë keq ballë për ballë Doktorin, i
cili mendoi se lufta politike është një komedi artistike e Çajupit: Katërmbëdhjetë
vjeç dhëndër, që luhet në Teatrin Kombëtar Shqiptar. Ose, gomarit në
politikë duhet t’i hipësh si Nastradin Hoxha për së prapthi kur shkon në pazar
përmes Fushë Krujës me grurë deri në brez. Nastradinica t’i pri gomarit
rrugicës pas Çuke me dajre e këngë dasme duke e hequr për kërpeshi. Pavetëdije,
se ajo në vend që t’i pri për në pazar, do ta shpie në gojën e ujkut në mes të
malit me shkurre. Politikën shqiptare, një ditë ta nxjerrë në rrugë nga bataku.
Pushtetin ta rrëmbejë edhe me dhunë në mes të Ditës Madhe. Fitorja dihet: disa
të plagosur dhe të vrarë para Qeverisë Shqiptare.
Humori i zi politik u vu në skenë në Teatrin e
Parlamentit Shqiptar. Rolet u ndanë sipas Regjisorit. Edhe, u hapën perdet
artistike para syve të popullit dhe botës, filloi shfaqja teatrore me dy role
kryesore: Sali Berisha dhe Edi Rama. Rolet tjerë ua lanë aktorëve të vegjël që
hynin e dilnin të pavërejtur nga publiku në skenë. Tema e dramës antologjike
ishte “politika madhore” shqiptare. Duartrokitjet frenetike jehuan në sallë
posa u ndezën dritat. Aktorët e përqafuan njëri – tjetrin para kamerave
televizive dhe e përgëzuan për “fitore historike”.
Natën e premierës prapa skene, drama edhe fitoi
çmimin e festivalit teatror. Edi Rama u shpallë aktori më i mirë i vitit me
gjithë autobus. Nga të katër anët e Mëmëdheut i arritën edhe përurimet e para
përmes gazetave të “pavarura”. E përgëzuan Hashim Thaçi e Ali Ahmeti. Daçiqi e
Gruevski. Analistët servil e Patrioti i vonuar.
Burri i botës nga gëzimi i “fitores historike”, në
Kabinetin e tij për këshilltare i mori edhe dy breshka. Kohë qorre kjo, kur
shumë artistë janë të pa punë, vdesin edhe për bukën e gojës. Nuk funksionon
siç duhet edhe një Lidhje e Shkrimtarëve Shqiptar në Tiranë, që “demokracia” ia
mori edhe shtëpinë. Kulminacioni i ironisë: njërën e pagëzoi me emër e mbiemër
Sali Berisha dhe tjetrën Fatos Nano. Populli shqiptar, kur i pa para kamerave
televizive Dy breshkat këshilltare të Kryeministrit Ri në vend të ndonjë
“artisti të papunë”, nuk e përmbajti veten nga “gëzimi”, po u ra durve
shuplakë: Ja, më në fund erdhi koha ta kemi Kryeministrin evropian të veshur me
tirqi e xhamadan, mu si Mic Sokoli që dikur e kapi topin për fyti, burrin që i
duhet Shtetit Shqiptar. Kryeministrin, që përmes Facebookut u bënë thirrje
shqiptarëve, “kuadrit të aftë politik e shkencor” t’i luten para këmbëve për
vende pune krah për krahu me dy breshkat artistike si shefe kabineti. Vendin e
shqipeve mbi shpinën e Dy breshkave ta shpjerë në Evropë, nxjerrë nga kriza
politike e ekonomike Shtetin e “Rilindjes së vonuar Shqiptare”.
Publiku gjatë ngjarjes së premierës, vetëm i hapi sytë e përgjumur duke u dalldisur pas mizanskenave artistike për të pritur çthurejn e dramës në Kuvendin Shqiptar. Cili do ta marrë Çmimin e karrierës “artistike”. Shkaku se, në konkurrencë momentet e fundit hyri edhe një aktor i Holivudit: Ilir Meta. Momente historike këto për popullin shqiptar, kur nuk u dihet fundi ndarjeve të çmimeve “artistike” në nivel shtetëror. Artisti me famë botërore, në momentet kritike ndodhë t’ia rrëmbejë nga duart Çmimin e krrierës Edi Ramës, kryeartistit të skenës shqiptare. Autorit të ekspozitës historike. Kryeveprës artistike botërore me Dy breshka kokë më kokë në Kabinet…