E diele, 16.06.2019, 05:55 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Tadiç në Shkodër, Erdogani në Kukës dhe grekët pas varrezave në jug!

E shtune, 11.05.2013, 12:00 PM


Tadiç në Shkodër, Erdogani në Kukës dhe grekët pas varrezave në jug!

Nga Elvi Sidheri

S’jam unë i pari të nderuar miq lexues, ai që po shkruan lidhur me vizitën famëmadhe të ish-presidentit serb në qytetin më të njohur, kulturuar e të lashtë të veriut tonë.

Kjo gjë dihet!

Por gjithësesi jam akoma i habitur sesi dhe përse nuk u gjend ndonjë shkodran që turispecit serb në fjalë, nuk ia plasi me ndonjë vezë ose domate të prishur në fytyrë atij vetë dhe për më tepër atyre që këtë njeri e kishin ftuar si “kumbarin” e martesës së tyre të rradhës politike.

Se me çfarë merren mes vedit dhe çfarë po ashtu bëjnë brenda suazave të marrëveshjeve të tyre politike Meta me Ramën, kjo është diçka që nuk hyn kurrësesi në thesin tim krenarisht “mosvotues” të partive të tyre përkatëse si dhe të majtës në përgjithësi sidoqoftë!

Pra nuk është problemi im që ata të kalojnë përmbi kufoma post-revolucion janari etj, politika nuk ka ndërgjegje e aq më pak skrupuj dhe herët a vonë edhe Shqipëria jonë këtë gjë do të duhej t’a kuptonte e tashmë besoj se jo vetëm për këtë shkak primar, shqiptarët nga gjumi i idealizmit duhet të jenë zgjuar përfundimisht.

Nuk e kam këtu punën unë jo!

As listat partiake në KQZ, as deputetët e hedhur sa nga njëri krah tek tjetri...nuk më “hyjnë në qese” fare dhe lojërave të ndryshme sido që të jetë normale politike me kollotumba dhe pirueta të momentit të fundit para afateve të regjistrimit parazgjedhor, nuk “ua var teneqen” ndërkohë.

Unë nuk hyj në shtresën e ngushtë, por tejet të rëndësishme të të pavendosurve të cilët duhen bindur lidhur me drejtimin vendimtar që do të marri vota e tyre ende pa krah të përcaktuar...në ditën e zgjedhjeve, prandaj edhe këto manovra si dhe gjithëçfarë metodash politike në kërkim balancash votimi e votuesish, s’kanë lidhje me mua.

Por z.Tadiç që vjen të “bekojë” një çfarëdo lidhje politike shqiptare, m’i ngre nervat në një mënyrë të atillë... sa po e patët parasysh ndonjë karton animat nga ato me Tom & Jerry-n për shembull, edhe mua në këtë rast ashtu më bëhet, pra më kërcen kapaku i kokës lart nga avujt e acarimit dhe irritimit!

S’ka rëndësi në parim se cila parti atë e ka ftuar, por vetë fakti që ky njeri vjen qetësisht, pa ia bërë syri tërrt...në rolin e babait të mirë që po i pajton dy politikanë shqiptarë në mëri të thella midis tyre.

Dhe mbi të gjitha ku e gjejnë t’a sjellin personazhin në fjalë???

Në Shkodër e ku tjetër!!?

Ku më mirë se aty do të bëhej kuptimplotë një vepër bastarde e këtij niveli të denjë për gjirizet më të ndotura të kanaleve të ujërave të zeza nëpër të cilët rrjedh limfa jetësore e së ashtëquajturës politikë bashkëkohore shqiptare apo siç kanë dëshirë t’a quajnë tani politikëbërësit tanë duke e livandosur pak me europianzëm nëpërmjet fjalës italiane (pra perëndimore)...pra “kontemporane”!

Partisë së 1941-shit nuk i del inati dhe shumë më tepër se aq me Shkodrën, për fat të keq po aq sa edhe serbëve të cilët atë parti e patën krijuar 72 vjet më parë (të mos harrojmë dhe të gjejmë sërish rastin tashmë për të “falenderuar” marshallin Tito për këtë nder të madh që na ka bërë falë emisarëve të tij largpamës Dushan Mugosha, Miladin Popoviç dhe Svetozar Vukmanovoç Tempo)...nuk i del nepsi dhe uria e pashuar po ashtu gjithmonë po për Shkodrën tonë.

Pra që shqiptarë dhe serbë të bashkohen për diçka, në një dëshirë ose mllef të përbashkët, nuk është pak sidoqoftë, lëre më pastaj kur këtë e bëjnë publikisht, ditën për diell ashtu siç edhe ndodhi pak kohë më parë në Shkodër, kur dy peshat e rënda të së majtës sonë, firmosën paqen (e armatosur) mes tyre nën shikimin hetues dhe aprovues, përveç të ca majtistëve të tjerë pa rëndësi të veçantë nga Europa...edhe të zotit Boris Tadiç, pra ish-presidentit të shtetit serb.

Do pyesja unë veten retorikisht në këtë moment, ore po si do i bëhej po të ndodhte saktësisht e njëjta gjë në një rast të ngjashëm në Serbi?

Ja të themi se do realizohej një takim publik i dy “X” dhe “Y”  partish serbe dhe atje si kumbar i rastit të qe ftuar askush tjetër përveç zotit Meta, Rama apo të themi Gjinushi nga ne!

Të themi edhe se evenimenti në fjalë do të ishte t’a zëmë pajtimi midis Daçiçit dhe ku e di unë...Nikoliçit të cilët do të qenë zënë për ndonjë shkak dhe për këtë arsye, si zgjidhje të divergjencave të pasheshueshme mes tyre, atyre nuk do t’u kishte mbetur mënyrë tjetër, veçse të thërrisnin “kaskat blu” të së majtës shqiptare, zjarrëfikësit e përleshjeve dhe kacafytjeve ndërserbe, pra politikanët tanë më të spikatur nga krahu i majtë.

Do ia behnin në ndonjë sallë pritjeje të njohur beogradase, kryetarët e së majtës tonë dhe aty do të uleshin për shtatë palë qejfe tek poltronat më të mira të llozhës si të parët e vendit dhe do të ndiqnin me vështrime “prindërore” skenën pajtuese mes kolegëve të tyre politikanë serbë, të cilët do të kishin vendosur që të ulnin sëpatën e luftës, për të bërë paqe midis tyre nën këshillimin e mençur lidhur me diçka të tillë, nga të majtët shqiptarë!

Që kjo gjë eventualisht realisht të ketë mundësi të ndodhi me të vërtetë...ka po aq shanse sa edhe që sot brenda ditës...fiks si tek filmi “Planeti i majmunëve”, shimpanzetë dhe babuinët, bashkë me gorillat, pas një evolucioni mendor 24 orësh, të zbresin nga pemët, të dalin nga xhunglat e lagështa dhe të shqyejnë varganët e robërisë nëpër kopshte zoologjike e të mësyjnë qytetet e njerëzve për të marrë pushtetin në botën e civilizuar.

Të dyja këto gjëra pra janë thjesht absolutisht të pamundura!

Sepse po qe se politikanët tanë, të majtë apo të djathtë do të ftoheshin ose do të venin me iniciativën e tyre me qëllim që të pajtonin publikisht kolegët e tyre serbë, por edhe grekë ose sllavë maqedonie, atëherë aty do të ndodhte asgjë tjetër përveç një apokalipsi të mirëfilltë.

Pra kjo do të thotë se do ngriheshin “me kuç e me maç” nga janë e nga s’janë, të tërë nacionalistët e mundshëm serbë, grekë ose sllavë maqedonie dhe do t’a digjnin sallën ku do të ishte duke ndodhur ky pajtim nën “diktatin” shqiptar...megjithë politikanët vendas dhe të huaj (edhe këta të tanët pra) brenda.

Pajtimi nuk do të bëhej kurrë dhe po të kishin qenë Daçiçi me Nikoliçin në vend të kryesocialistit dhe kryesocialistit në lëvizje të integruar shqiptar, atëherë nacionalistët e thekur të vendit të tyre, ata do t’i kishin djegur, pjekur e kaluar në hekur porsi shishqebapin mbi prush...pra të skuqur të gjallë si pasojë e një loje të tillë.

Kurse tek ne, si dhe çdo çudi tjetër, edhe kjo vajti e firoi pa bërë shumë zhurmë për pak ditë dhe aq!

E ç’bëri një Tadiç më shumë apo më pak, në Shkodër apo jo fundja?!

Sikur çfarë të ketë ndodhur vallë, pse nuk erdhi edhe Mërkiçi, që duke bërë “mërr-mërr” me fytyrë të murrëtyer i këpuste dokrrat njërën pas tjetrës edhe përgjatë konferencës për shtyp me kolegun e tij pritës shqiptar brenda në Tiranë, kur thoshte se genocidi na qenkërka fjalë e padrejtë për atë që historikisht serbët kanë bërë kundër, mbi dhe ndaj shqiptarëve, sepse ja edhe ata të ngratët genocid na paskërkan provuar mbi lëkurën e tyre!

Kur e hoqën këtë genocid mbi kurriz serbët se sadoqë të përpiqem nuk po e gjej dot?

Kur vranë, përzunë, prenë në fyt, çanë barqet e nënave për të çpuar fëmijët me bajoneta e dogjën të gjallë në pragje shtëpish, furra apo fusha shqiptarët?

Kur i plehëruan tokat shqiptare me gjakun e njerëzve tanë dhe kockat e tyre të pafajshme, apo kur i mbushën liqenet e tyre me mbeturina trupash të masakruar shqiptarësh?

Kur shfarosën brenda një dite të gjithë burrat e Srebrenicës...(se çfarë bënin dhe abuzonin në të njëjtën kohë me gratë dihet, si aty, aq edhe në Kosovë ose Kroaci)?

Kur po vrisnin një nga një edhe të plagosurit apo të sëmurët që s’kishin ikur dot akoma nga spitali i Vukovarit, apo kur se jam paksa i paqartë lidhur me këtë aspekt?!

Ah po, po qe se Mërkiçi e quan genocid mbi serbët, vrasjen në luftë të mijëra serbëve gjatë rrethimit të dështuar të Shkodrës, luftës heroike të Lumës, tërheqjes katastrofale të ushtrisë së tyre nëpër shqipëri në Luftën e Parë Botërore (prandaj varre serbësh ka edhe në katundet e Tiranës rrjedhimisht), apo gjer në luftën e Kosovës ose natën e madhe kur tanket e ushtrisë shqiptare i treguan të pasmen e ujkut specialëve serbë që kishin hyrë në territorin tonë, atëherë po, ky ministri serb ka të drejtë, në u konsideroftë ky një lloj specifik genocidi mbi pushtuesin, ai mirë e ka.

Por për skandal, Mërkiçin qeveria jonë e la të liva...dhiste dhe të kulloste i qetë nëpër lëndinat tona përgjatë një dite të plotë, gjersa tjetri ia doli që të gjente bar për gojën dhe shijen e tij e të krijonte një minoritet të ri bukëshkalësh serbomanë në fushat e Myzeqesë, të cilët në vitet 20-të shekullit të shkuar në Shqipëri patën ardhur ose si shqiptarë ose gjithësesi si të përzënë nga dhuna serbe prej Sanxhakut...e ndërkaq tani venë e kërkojnë njohje si minoritet i veçantë serb!

Mendoni po të nisej jo ministri ynë i jashtëm, por edhe ambasadori jonë në Beograd, për të kërkuar rrënjët shqiptare mes shumë serbëve të sotëm në Sanxhak, Nish e shumë më larg se aq, apo që të merrte udhën për Serbi ndonjë arkeolog shqiptar për të kqyrur dhe hulumtuar gjurmët e së kaluarës ilire të ndonjë treve tashmë nën pushtetin serb, e dini se çfarë do të ndodhte?

Po padyshim që e dini vetë dhe mundeni fare lehtë që këtë t’a imagjinoni.

Pra në Serbi do të plastë kryengritja dhe pikë së pari ambasadën tonë aty do e sulmonin përnjëherë, më pas qeverinë serbe dhe të dërguarit përkatës shqiptarë!

Vetëm neve hapim rrugë në këtë mënyrë të pakuptueshme si rracë për fat të keq, akoma e papjekur emocionalisht dhe mendërisht si popull që jemi (gjenetikisht jo, se ashtu në rregull jemi prej shumë mijëvjeçarësh)!

Që e majta shqiptare të bashkohet ose që e djathta jonë të hyjë në zgjedhje me kandidatë të përbashkët, është diçka fare dhe tejet normale pra.

Që politikanët, jo vetëm këta tanët shqiptarë, të gënjejnë, të akuzohen, shahen, sulmohen e çfarë mos më dhe paskëtaj të bëhen prapë miq për kokë sikur asgjë të mos kishte ndodhur, edhe kjo është normale fare për teorinë dhe prirjen makiaveliste të politikës moderne.

Por ndërkohë që për të pastruar gabimet e tyre, ata të thërrasin si paqebërës një serb, për më tepër presidentin e Serbisë i cili qe betuar botërisht se Kosovën nuk do t’a njihte kurrën e kurrës, pra Tadiçin dhe këtë t’a bëjnë në qytetin simbol të antisllavizmit në Shqipëri, në Shkodrën që serbëve dhe malazezëve (e rusëve caristë prapa shpatullave të tyre) nuk iu dorëzua dhe mbeti shqiptare, në qytetin e Fishtës, pishtarit të pashuar që zjarrmon përjetë kundër kërcënimit barbar sllav, ky është një provokim që ishte mëkat të lihej pa përgjigje ashtu siç si rëndom në Shqipëri ndodhi edhe kësaj rradhe.

Në ndërkohë besoj se kushdo e mban mend mirë se kur u hap tuneli i Kalimashit, arteria dhe nyja kryesore dhe më e rëndësishme e Rrugës së Kombit, aty na pati ardhur si burrë i mirë edhe bashbakan Erdogani!

Dora vetë na e pati mbajtur edhe një palo fjalim të rastit të thuash ti se tërë atë rrugë madhështore e investim kardinal miliardeurosh të shtetit dhe taksapaguesve jo aq të kamur shqiptarë, të na e kishte ndërtuar të gjithën si dhuratë shteti turk dhe personalisht bashbakani Erdogan!

Bechtel-Enka thuhet të jetë një bashkëpunim turko-amerikan, unë kujtoj ndërkohë se kohë më parë, kam pas shikuar tek një kanal sllav, një intervistë të pronarit të firmës turke në fjalë, i cili në mos gabohem ishte me origjinë nga Shkupi, pra shqiptar do ketë qenë.

Por firma turke e lartpërmendur, ashtu si dhe kolegët e tyre të nderuar amerikanë, për atë punë janë paguar “majmërisht” dhe për realizmin e asaj vepre madhore për Shqipërinë, veriun e vendit tonë dhe po aq Kosovën e lidhjet e saj me detin, ata nuk është se janë impenjuar gratis!

Qeveria turke e për më shumë zoti Erdogan bashbakani, nuk ka asnjëlloj kontributi për atë vepër.

Firma ndërtimi rrugësh e tunelesh bota dhe Europa, por pse jo dhe rajoni ynë ballkanik, kanë sa të duash, s’e bënte turku, dilte dikush tjetër në rradhë për të thithur me shumë ëndje ato një miliard e ca euro të dedikuara për ndërtimin e asaj autostrade.

Nëse dikush diponon qoftë edhe një dokument të vlefshëm i cili të demonstrojë ligjërisht se turqit apo qeveria e tyre “vëllazërore” me shqiptarët, të kenë punuar falas në ndërtimin dhe shtrimin e sikur edhe 50 centimetrave të Rrugës së Kombit, unë e heq kapelen në shenjë respekti dhe e korrigjoj mendimin tim lidhur me këtë gjë.

Pa lëre pastaj po qe se dikush të ishte në pronësi të ndonjë imazhi ose fotoje e cila të na e shfaqte Erdoganin, këtë vëlla të madh mirëdashës ndaj shqiptarëve, i cili të paraqitej me kazëm e tokmak në dorë duke punuar në asfaltimin e rrugës sonë nacionale më të rëndësishme, imagjinoni se çfarë vlere të paçmueshme do të kishte diçka e tillë!

Po “ia fus shpatit” unë tani se një gjë e tillë normalisht as në ëndërrat më të lumtura dhe të dehura të turkomanëve shqiptarë, nuk mund të ndodhë e jo më kurrësesi në një realitet të esëlluar nga pallavrat e zakonshme filo-turke.

Ah po, Erdoganët e afërm me kryeministrin turk, janë në krye të telefonisë fikse dhe celulare në Shqipëri, të njërës prej bankave tona më me peshë në treg etj, por aty lekët shqiptare ata i shtrydhin prej nesh e ndonjë bamirësi në këtë mes nuk është se ekziston ndërkohë.

Tani që mbaron edhe tuneli i Elbasanit, jam kurioz të shoh nëse nën shembullin e ndritur të Erdoganit, çfarë do bëhet, do të vijë gjë edhe kryeministri grek Samaras meqë veprën në fjalë e ka ndërtuar një firmë helene?

Firmë që lekët e kësaj ndërmarrje të madhe për lidhjet tregtaro-njerëzore midis qyteteve të Shqipërisë së Mesme, pra Elbasanit, Tiranës dhe Durrësit, i ka marrë një më një me siguri!

Mos do të themi tani se ka ndonjë meritë të veçantë sikur jo Samarasi, të paktën Papandreu, sepse ai ishte kryeministër siç mbaj mend unë, kur kjo vepër iu kontraktua firmës greke?

Thagmë e madhe dhe fyerje për inteligjencën dhe taksat e çdo shqiptari, ishte ardhja pompoze e Erdoganit kur mbaroi rruga Durrës-Kukës, po e tillë do ishte edhe diçka e ngjashme me qeveritarët grekë po të ndodhte gjatë hapjes së tunelit të Kërrabës.

Dhe për t’a mbyllur sa më denjësisht treshen e temave dhe fenomeneve që kisha vënë në titull, kemi përse jo edhe vizitat, të cilat si me magji tani para zgjedhjeve sikur janë zvogëluar (vota nacionaliste duan të gjithë), të zyrtarëve grekë megjithë shpurat e tyre, tek të ashtëquajturat varreza ushtarësh helenë të luftës italo-greke.

Mënjanë që lufta italo-greke është një çështje pikërisht midis italianëve dhe grekëve...(pra ç’punë ka vendi ynë me këtë gjë?), gjithësesi a nuk iu binte dot mendja qeveritarëve tanë të secilit krah politik të kenë qenë, që grekët e vrarë në luftë me fashistët italianë, t’i rrasnin e plasnin në një varrezë siç është bërë edhe me francezët e Luftës së Parë botërore, me gjermanët nazistë, me emisarët anglezë etj?

Përse doli nevoja që të bëjmë varreza grekësh cep më cep?

Këtu hapësirë për dyshim të krijohet natyralisht dhe kushdo është i lirë që një prapaqëllim filo-helen në këtë mes sido që të jetë t’a shquajë!

Pse përpara se të merrnin të drejtat për varreza rreth e përqark jugut tonë...(kur në Tiranë për shembull, vend për t’u prehur të qetë në varr nuk kanë as shqiptarët ndërkohë)...nuk u kërkua nga pala jonë shfuqizimi përfundimtar pa ekuivoke të mëtejshme nga ana e grekëve i ligjit të luftës me ne, i cili është në fuqi pikërisht qysh nga koha e pushtimit në fjalë italian të Greqisë që pati nisur nga toka e pushtuar shqiptare?

Pa u zgjatur shumë me këtë temë që “t’a bën muuuuu” aq e qartë dhe e shpjegueshme sa është, unë këtë punën e varrezave greke po e shpjegoj me anë të një barcalete të vjetër ilegale shkodrane të kohës së partisë (kur njeriu binte në burg për shumë vite po t’ia spiunonin atë tek autoritetet sigurimse).

Në atë kohë, dy ushtarë po rrinin bashkë në faqen e një mali kufitar.

Njëri prej tyre ishte keq nga stomaku dhe kishte diarre i gjori, ndaj dhe vajti të mbaronte punë prapa një shkurreje.

Por për habinë e ushtarit tjetër, ai bënte një copë në një pikë dhe sërish ngrihej në këmbë për t’u zbrazur diku tjetër pak më andej...dhe kështu vazhdoi gjersa pati “plehëruar” tërë faqen e malit.

Kur kolegu e pyeti se përse nuk e kishte bërë tërë nevojën e madhe në një vend, ushtari në fjalë iu përgjigj se në të vërtetë ai po shkruante “Parti-Enver” (si ato parrullat që me rrasa guri shkruheshin maleve tona atëherë)...për këtë arsye edhe po lëvizte në atë mënyrë dhe nuk po e lëshonte të gjithën në të njëjtin vend!

...Tani edhe puna e këtyre varrezave greke e tillë më ngjason mua, pra që ato si një jashtëqitje e vërtetë helenomadhe, po përhapen qëllimisht përgjatë jugut tonë, për të shkruar barkqitshëm dhe gjithë erë WC-je...pikërisht “Vorio Epir”!



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT