Kulturë
Hamit Taka: Shoqet
E hene, 04.03.2013, 08:04 PM
Shoqet
-tregim-
(Pjesë nga romani “Bukuroshja provincial”)
Nga Hamit Taka
Sido që
Bukuroshja provinciale kishte marrë një vendim fatal: të flijohej përjetësisht,
duke qëndruar beqare, të mos bënte jetë familjare, të mos bënte fëmijë, t’i
përkushtohej tërësiht profesionit dhe punës, nuk e fitonte dot qetësinë dhe
kthjelltësinë e nevojshme, për të mbajtur zotimin. Idenë për t’ua kushtuar të
gjitha energjitë studimeve, e heshtur si një murgeshë, të bëhej mjeke e mirë
dhe t’u shërbente njerëzve të thjeshtë, shpesh ia eklipsonte ideja për të
guxuar të luante me gjithçka, për gjithçka, për çfarë të dilte. Duke kalëruar
nga një alternativë te tjetra, i rritej edhe me tepër trysnia shpirtërore, sa
nervat nuk e mbanin dot. Dhe gjithmonë në sipërfaqe dilte melankolia,
ngashërimi atrofizues i të gjitha emocioneve.
Shoqet e
dhomës ishin shqetësuar për gjëndjen e saj, por nuk kuptonin asgjë. Një trazim
i tillë dhe mbyllja në vetvete tregonte për një dert të madh. Por, si
rrallëkush, ajo nuk hapej me shoqet. Më parë, kur e shikonin aq të lumtur,
thoshnin se kishte rënë brënda. Jo pak herë bëheshin xheloze, ziliqare dhe
ishin gati të paguanin për ta mësuar se cili ishte ai princ, që kishte rrëmbyer
aq furishëm zemrën e Bukuroshes dhe e bënte atë të fluturonte mbi re të ngrohta
e të parfumuara. Por edhe sikur tani të kishte rënë jashtë, nuk prisnin një
gjëndje të tillë dëshpëruese. Ato kishin aq përvojë sa ta dinin se prishja e
një lidhjeje kalimtare, kaq e shkurtër me një tip, nuk ishte fundi i botës.
Gjatë rrugës do të takonin shumë djem të tjerë dhe do të kishin edhe lidhje të
tjera të pasuksesëshme, deri sa të vinte ajo që ishte përcaktuar nga fati.
Disa
herë, nëpër gjumë, ia kishin dëgjuar
dënesat. I kishin folur, por ajo u thoshte se ashtu u dukej atyre. Gjumi e
zinte shumë vonë dhe i dilte herët. Shumë herët në krahasim me studentet gjumashe.
Dhimbja për të dashurin e saj të adhuruar ia kishte arratisur gjumin, si për
t’i lënë kohë që të bridhte sa në parajsën e kujtimeve të ëmbëla, sa në ferrin
e disfatës së tij. Një mendim tjetër, që
e godiste në tru si hekur i nxehtë, ishte zhdukja misterioze e Ermalit. Ai
djalosh enigmatik, që u shfaq në fillim si një vegim i beftë, u prezantua si
binjaku i të dashurit të saj të adhuruar dhe pastaj iku papritur, si një
fantazmë, duke lënë një mendim përgjysmë, ishte një mister i vërtetë për të.
Shpesh herë dyshonte se mos ai ishte vetë i dashuri i saj, që aktronte, për t’u
ndarë përfundimisht prej saj, për shkak të ndonjë lidhjeje tjetër. Por nuk
donte ta pranonte kurrësesi një opsion të tillë. Aq më tepër që ajo e njihte
deri në qelizë të adhuruarin e vet. Atë mëngjes, që nuk do të shlyhej lehtë nga
kujtesa e saj, para zgjimit të shoqeve , Bukuroshja provinciale qante me dënesa
të forta. Ponja, shoqja e saj më e
vjetër në fakultet, u zgjua, vërejti te
krevati i saj dhe, kur ia ndjeu ngashërimet, u çua rrëmbimthi . Ligështimin e
thellë të shoqes e kuptoi edhe nga jastëku i
mbytur në lotë, pesha e të cilit ishte dyfishuar, sa mezi e lëvizi për
ta vendosur diku që të thahej. Ishte një ngashërim, që Ponjës i theri në zemër.
E mori në krahët e saj, e puthi fort, i lëmoi flokët dhe bëri përpjekje ta qetësonte me ledhatime e fjalë të ngrohta. Por
ndjeshmëria e shoqes ia shtoi edhe më shumë dënesat e lotët Bukuroshes
provinciale. Ponja e mori me zor për krahu, e çoi në dush dhe pothuajse e lau
vetë me ujë të ngrohtë nga koka te këmbët. Bukuroshja u qetësua pak, por nuk
deshi të ktheheshin prapë në dhomë. Me shapka bënin xhiro koridoreve, në maja
të gishtërinjve dhe bisedonin me zë të ulët, për të mos i shqetësuar shoqet. Në
këto çaste afrie dhe sentimenti, bukuroshen provinciale e lëshuan aq shumë
ndjenjat, sa ia besoi të parit njeri në botë dashurinë e saj për një djalë në
Institutin e Arteve. Në çaste dobësie njerëzit, sidomos femrat, e lëshojnë
lehtë veten në rrjetën e thurrur nga fati. Pastaj me ngurim e me ndrojë i
tregoi ç’i kishte ndodhur atij djali. Ponja shtangu në vend e befasuar, iu
errën sytë dhe kreshpëroi vetullat, sikur kishte përballë një fantazmë të
frikshme.
-Dhe për
këtë je katandisur në këtë gjëndje, moj e bukura ime?! –i tha ajo me një zë, që
tingëllonte shumë i ftohtë dhe i ashpër, i cili më vonë Bukuroshes provinciale
iu duk edhe pak tinzar .
-Nuk e
kupton çfarë ndiej dhe sa vuaj për të. Asnjë nuk mund të më kuptojë. As ti,
Ponja, që je shoqja ime më e vjetër.
-Por, po
është ashtu siç ma pohon sinqerisht ti vetë, ai nuk ia vlen as ta kujtosh, jo
më të dëshpërohesh e të vuash kaq shumë për të.
Bukuroshes
provinciale i iku gjaku nga fytyra. Tashmë dukej si një bust mermeri. Fjalët e
shoqes ia pëshkuan trurin e lodhur si një rrymë elektrike e fortë. Si mund t’ia
thoshte këto fjalë mikja e saj, së cilës i besoi sekretin më të madh të jetës
së saj?! Pastaj u ndërmend dhe vështroi shoqen me sy të shuar, sa Ponja uli
kokën nga hutimi. Ishte vështrimi i asaj bukuroshes, që djemve u shkaktonte
drithërima dhe pagjumësi. Tashmë dukej si një zjarr i shuar. Bashkë me të edhe
epërsia e përhershme ndaj saj.
-Nuk i
kuptova hiç fare fjalët e tua, Ponja,- tha shumë e tensionuar.
Ponja, që
nuk guxonte ta shikonte më në sy, diçka mërmëriti. Pastaj, me kurajo dhe një
farë neverie për atë tipin e panjohur, iu përgjigj:
- Mua më
duket se isha shumë e qartë. Ai tip tani nuk mund të quhet ndryshe veçse,
armik. Si je katandisur kështu për një njeri të tillë! Me sa duket ai të ka
verbuar sytë dhe mëndjen. Më parë me bukurinë e tij, pastaj me aktrimet e
lajkat e tij dhe më vonë me synimin e tij. A s’e kupton se me këto vuajtje dhe
me këtë qëndrim dëmton veten tënde. Jo vetëm shëndetin, por edhe perspektivën
profesionale.
Bukuroshja,
gati e paralizuar nga mendimet dhe emocionet, ngriti kokën, e vështroi drejt në
sy, si një shpend i zënë në çark, i egër, i hutuar. Iu duk sikur kishte para
një njeri krejt të panjohur. Një njeri prej akulli. Tejet e zhgënjyer nga
shoqja e saj, por jo pak e frikësuar, nuk dinte si të sillej me të. Pastaj u
kujtua se ajo ishte sekretare e rinisë së kursit dhe anëtare e komitetit të
rinisë së fakultetit. Mallkoi veten që iu hap aq shumë. Në çast e lëshuan
nervat dhe muskujt, sa u tremb se mos i binte të fikët. Aty për aty qortoi
veten për dyshimin e pabazuar te shoqja. Pastaj iu lut e iu përgjërua të mos e
hapte gojën për këtë të fshehtë që i besoi. A ma jep një premtim?-i tha në një
dilemë të pazakontë për të.
Në trurin
e Ponjës kryqëzoheshin dhe mbikalonin mendimet si zvarranikë të lemerishëm. Si
mund të fliste kështu kjo vajzë? Si mund të simpatizonte ende atë tipin, që duhet
ta urrente me tërë qënien e saj?
-Në se më
detyron ti, pra, në se ti vazhdon të sillesh kështu me veten tënde, të sakrifikohesh
për një armik të popullit, edhe mund ta hap gojën. Mos harro se ti i përket një
familje shumë të besuar dhe në se nuk heq dorë nga kjo lidhje, duke e mohuar
përfundimisht, duke mos e shkuar as në mënd e jo t’i zësh emrin në gojë, nuk do
ta hap gojën. Përndryshe edhe në se nuk e hap unë gojën, do ta hapin të tjerët
dhe ti humbet gjithçka. Biografia e
familjes njolloset keqas. Ti e di se biografia në jetë është vlera më e madhe.
Më e fuqishme se diploma, më e rëndësishme se një njeri , sado i dashur të jetë
ai. Kjo është përgjigjja ime. Tani unë pres përgjigjen tënde.
Bukuroshja,
ashtu siç qe e tronditur, në vend që të qetësohej e të tërhiqej sado pak, u
ndie edhe më shumë e fyer dhe e revoltuar. Fjala “Armik i popullit”, i
drithëroi mishin.
-
Ponjës i
theri ironia e shoqes, por u përmbajt dhe iu përgjigj si një kavalier i qetë:
-Më
duket, shoqe, se i ke hyrë punës seriozisht. Këmbëngulja jote ma përforcon
gjithnjë e më shumë mendimin se je lidhur me shumë fije me atë tip. Por të
shpjegoj se familja jote dhe biografia e
saj nuk kishte lidhje deri sa u njohe, u shoqërove dhe u dashurove ti me atë
tip…
-Për
çfarë fije më flet, moj sekretare?-s’u përmbajt dot Bukuroshja provinciale, kur
ai etiketimi “tip” në gojën e Ponjës, e godiste si çekan në tru.
-Bëj
durim e mos ma ndërpre përgjigjen. Në se ti vazhdon lidhjet me të, do të ketë
lidhje të pakëputshme edhe familja jote, domethënë biografia e saj me atë tip.
Merre si të duash, zemërohu sa të duash. Ky është një realitet,-ia ktheu Ponja
me autoritetin e një këshilltarje kompetente dhe një drejtuese rinie. Bukuroshes provinciale iu duk se Ponja
i mëshonte qëllimisht asaj fjalës “tip”.
-Një
realitet i çmendur, i rremë, mashtrues, antinjerëzor, -iu kundërpërgjigj e
nervozuar Bukuroshja provinciale dhe nuk vazhdoi dot më tej. Ponja u hutua fare
nga këto fjalë. Ndihej gati e çarmatosur dhe e pambrojtur para shoqes së saj
kokëngjeshur. Nuk dinte si t’i përgjigjej. Në këto raste brutaliteti i vjen në
ndihmë padijes.
- Mos bëj
shaka me zjarrin, se do të digjesh, -deshi ta mbyllte bisedën Ponja. Por
Bukuroshes provinciale iu err shikimi nga përgjigjja inatçore e shoqes, që asaj
iu duk vendosmëri në reagimet e sekretares së rinisë.
-Domethënë
ti je e bindur në këtë që thua. Mbase e quan se më dhe një përgjigje
asgjësuese. Sipas juve biografia është gjithçka, Cerberi, që ruan portat e
ferrit. Do të mohoj unë dashurinë time për një tabu,- iu zbraz shoqes dhe i
hodhi një vështrim sa dyshues, aq edhe përbuzës. -Ç’është kjo gjuhë që më
përdor sot, moj shoqe? Sa naïve bëhesh! Pse më drejtohej me “ju”? Cilët ne?
Kush jemi ne? A nuk ishim deri sot shoqe, motra, unë dhe ti? A nuk ishim të një
shtrese e të një klase? Që kur u bëmë të ndryshme? A e kupton se ç’je duke
folur? Me cilët je ti? Me atë llumin e shoqërisë, që llapin kundër Udhëheqësit?
Me armiqtë tanë të përbashkët? Jo, shoqe, këtu ndahen rrugët tona,- iu përgjigj
Ponja dhe e nervozuar, siç nuk e kishte parë ndonjë herë Bukuroshja
provinciale, u largua. Ai togëfjalëshi: “moj shoqe”, Bukuroshes provinciale iu
duk tamam i stilit dhe etikës zyrtare. Ddomethënë sikur të ishte rrafshuar gjithçka nga intimiteti i
fëminisë dhe të ishin ngritur muret klasore. Bukuroshja mbeti vetëm, e shushatur,
në mes të koridorit. Për herë të parë gjatë atyre ditëve, e ndjeu veten të
boshatisur dhe të vetmuar. E kuptoi se përgjigjja e Ponjës ishte përgjigjja e
gjithë komitetit të rinisë, ishte përgjigjja e organizatës së rinisë, e
shumicës së shokëve e shoqeve të Fakultetit të Mjekësisë. Aq shumë e humbi sa
nuk dinte çfarë të bënte. Mbeti e ngrirë në mes të koridorit, derisa shoqet, të shkujdesura dhe me peshqir në supe
filluan të lëviznin drejt tualeteve të katit. Disa zbrisnin në katet më poshtë,
se në katin e tyre herë s’kishte ujë me bollëk, herë nuk vinte fare. Me qënë se
ajo i kishte bërë ato shërbime, vendosi të rikthehej në dhomë. Fatmirësisht nuk
gjeti asnjë shoqe brenda. Kujtoi se atë mëngjes shërbimet ia kishte bërë Ponja.
Sikur ajo të ishte e sëmurë. E kishte trajtuar si një mama. Ose si një motër e
madhe. Kjo e bëri të ndihej edhe më bajate në brendësi të saj. Kishte filluar
një rrënim, një përmbysje që do të mbulonte gërmadhat e fëminisë dhe fantazitë
e dashurisë. Shpërthimi i lotëve ishte një lehtësim si ai i reve të zeza, që
shkarkojnë shiun e rrëmbyeshëm. Donte të villej, ta nxirrte vrerin jashtë, si
ai vullkani që shkarkon llavën e tepërt.Duke ofshajtur, filloi të përpunonte
dialogun e brendshëm më të ashpër që kishte patur ndonjë herë në jetën e saj.
Ishte një analizë e vetvetes, por kurrësesi vetëgjyqësi. Alternativat, që i
vinin në tru, i ngjanin si ato rrugët që kryqëzoheshin në qytetet e mëdha
perëndimore, të cilat i shikonte në televizion, në ndonjë kanal të huaj, kur
nuk ishte babai ose nëna në shtëpi. Iu kujtua sa herë, bashkë me Ponjën, e
hapnin televizorin në kanale të huaja dhe shikonin këngëtarë, aktorë, reklama e
vende përrallore, që ua begatonin shpirtin, por që edhe nuk i besonin, siç u
thonin në shkollë, se ishin veç reklama dhe demagogji mashtruese, për të
helmatisur mëndjet e rinisë shqiptare. Gjyshja, që herë-herë i kapte “me preshë
në duar”, u thoshte: mos e hapni gojën për ato që shihni, se jua presin gjuhën.
Ajo e
dinte se Ponja mbahej si një nga vajzat me biografi më të mirë mes gjithë
shokëve të kursit. Ishte mbesë dëshmori. Babai i punonte në komitet. Bashkë
ishin njohur që në klasën e gjashtë, kur ishin në kampin e pionierëve në
Pogradec. Mamaja e Shqiponjës, që me përkëdheli vajzës i fliste Ponja, ishte
mjeke e kampit. Vajzat u miqësuan aq shumë, sa miqësia e tyre kaloi në miqësi
familjare. Dhe që nga ajo verë pothuajse i kalonin pushimet bashkë, herë në
kampe, herë në fshat, te gjyshet e herë në ndonjë qytet tjetër, tek të afërmit
e tyre. Shpesh familja e Ponjës bënte plazhin në shtëpinë e Bukuroshes
provinciale. Iu kujtua një përgjegjës kampi, që i kishte shkaktuar drithërimat
e para. Por në çast e largoi nga mëndja atë kujtim, sikur të kishte një llambë
që bënte masë. Në sallën e madhe të leksioneve të anatomisë opinioni, shprehitë
apo egoja ndaj njëra-tjetrës i ulën në të njëjtën katedër, si gjithmonë. Ponja,
shumë e zbetë në fytyrë, nga që nuk i priste ato fjalë të rriturish dhe me ton
aq të ashpër nga Bukuroshja provinciale, u përpoq të ruante qetësinë. Gjëndjen
mjerane të shoqes e shihte përmes një rrjete inati dhe dyshimi. Ishte befasuar
nga fjalët dhe toni i tyre. Iu duk një shndërrim total i karakterit të saj.
S’kuptonte nga i nxirrte fjalë të tilla ajo bukuroshe aq e dlirë, gati naive.
Duket se është e dashuruar, por dashuria nuk është pa limite, mendonte me vete.
Por edhe i pëlqente të mendonte se Bukuroshja provinciale, më së shumti, i
kishte thënë instinktivisht ato fjalë. Nuk i thoshte me vetëdije. Mbase i
dilnin që nga subkoshienca, zona më e thellë dhe më e prushtë e unit tonë. Sa
gjëra kishin thënë ato së bashku, që, po t’i kishte thënë dikush tjetër, ato do
të kishin dyshuar dhe do ta kishin siktirisur.
Në mes të
leksionit, Bukuroshja provinciale, i zgjati një pusullë. Ponja hezitoi ta
prekte me dorë. Sikur tështe urë zjarri. Kishte humbur respektin për shoqen.
Nuk ia lejonte morali shoqëror të pranonte praninë e atij tipi në biseda e
mendimet e saj. Ajo copë letër iu duk e ndotur, e infektuar, sa mund të
infektonte tërë auditorin. Por, në një pauzë të pedagogut, ajo zgjati dorën
ngadalë dhe e tërhoqi prej vetes. Pa u kuptuar, i futi të dyja duart nën
katedër dhe e lexoi. Fiilimisht u skuq, pastaj iu zbardh fytyra si meit.
Mallkoi veten që u ul me të, por nuk donte të binte në sy të studentëve. Pastaj
mallkoi duart,që e morën, që e hapën, por edhe duart e saj kishin vepruar gati
instinktivisht. “Nuk do të heq dorë nga i dashuri im i adhuruar edhe sikur ta
paguaj me jetë”, -kishte shkruar Bukuroshja, më e bindur se kurrë në ndjenjat e
saj. Këto fjalë e pezmatuan Ponjën, sa mezi përmbante veten të mos largohej nga
tavolina. Dikur ishte qejfmbetur me
Bukuroshen provinciale, që nuk ia kishte besuar asaj, mikeshës më të mirë,
sekretin e vet, tani po e dënonte, që ia tregoi sekretin. Grisi me inat një fletë nga fletorja e
leksioneve, sa tërhoqi vëmendjen e shoqeve dhe filloi të shkruante: “Gabon, shoqe, gabon rëndë. E para e punës
veprën armiqësore të mikut tënd e quajte një “gabim”. Sikur ka këputur një lule
në lulishten e qytetit. Nuk është gabim, por është faj i rëndë dhe krim ndaj
popullit. E dyta, mos harro se nuk është fjala vetëm për jetën tënde, por edhe
të familjes tënde, për të cilën kam respekt dhe detyrime. Nga pasioni dhe
dhëmbja ke humbur arsyen, por unë të siguroj se një ditë do të pendohesh thellë.
Qëllimi im ishte që kjo të mos ndodhte vonë, por ti nuk do t’i kuptosh mendimet
e mia. Me sa duket, ti nuk di të vësh mend. Unë tani mendoj më shumë për
familjen tënde. Prandaj thirri mëndjes,
hiq dorë sa më shpejt nga ai tip i rrezikshëm! Kjo është këshilla ime e fundit,
të cilën ta themë me vendosmërinë më të madhe.
Sot vendimet i merr ti, por më pas mund t’i marrë edhe dikush tjetër”.
Fjalët e
shkruara bukuroshes i shkaktuan
drithërima, një mpirje buzësh, që nuk i kishte provuar herë tjetër në jetën e
saj. Edhe më i papritur iu duk toni zyrtar i bisedës, sikur Ponja të mos ishte
moshatare dhe shoqe me të, por një zyrtare e lartë. Kjo i ngjalli neveri. Me
gjithë atë kamxhiku i shoqes është më i rëndë e më i frikshëm se i të tjerëve.
I kumbonin në kokë fjalët e saj sikur vinin nga podiumi, nga pozicioni i
dukshëm i strukturave drejtuese të rinisë, të partisë. Me gjithë atë fjalët e
shoqes e goditën ndërgjegjen e saj dhe lanë atje paralizën e rrufesë.
Vetëtimthi i kaluan nëpër mend portretet e gjyshit, gjyshes, babait, nënës, vëllait, xhaxhallarëve, dajove
e gjithë të afërmëve, largësia e të cilëve vinte duke u zvogëluar, si ato pemët
në vijë të horizontit. Tani ajo ishte e sigurtë se Ponja nuk do ta ruante gjatë
të fshehtën e saj nga komiteti i rinisë, nga pedagogu kujdestar dhe puna mund
të shkonte deri te sekretari i partisë. Por edhe më keq do të ishte, kur të
shikonte ndonjë dedektiv ta ndiqte prapa. Iu kujtua një thënie, që e kishte
lexuar diku: sa e ke fjalën në mend është robi yt, po e nxorre nga goja, je rob
i saj. Dhe me bindjen se tani e tutje në atë histori mund t’i zinte besë vetëm
Ermalit, e zbetë në fytyrë si një yllë i shuar dhe me indiferentizmin më
solemn, i ktheu shpinën shoqes së vet.
Pas asaj
ore akademike, Bukuroshja provinciale nuk shkoi fare në leksione dhe seminare.
Shkoi në godinën e fjetjes, u shtri në shtrat dhe qante më shumë nga inati se
nga dhimbja. Frymëmarrja e saj me konvulsione bënte të dridhej tërë shtratin.
Tiranizonte veten. Ç’iu desh që iu hap Ponjës, kur ajo kishte marrë një vendim
të prerë, vetiak, që nuk do t’ia tregonte asnjërit. As të dashurit të saj të
adhuruar. E akuzoi veten për pasiguri në vendimet që merrte. Filloi të dyshonte
në karakterin e saj të dobët. Mbase njeriu ka nevojë në momente të caktuara ta
ndaj hallin, dhimbjen me dikë. Por mund të gjente dikë tjetër, jo Ponjën,
sekretaren e rinisë, përshembull gjyshen, nënën…Dhe mëndja i shkoi përsëri tek
Ermali. Ku ishte ai djalosh misterioz, i prezantuar si binjaku i të dashurit të
saj të adhuruar, me të cilin mund të ndante sadopak dhimbjen, marazin, vuajtjen
zhuletiane?
Pas atyre
dialogeve të ashpra dhe reagimit aventurier të Bukuroshes edhe Ponja ra në
mendime të thella. Ajo vuri në peshore gjëndjen e shoqes dhe fjalët e saj. Një
farë zilie dhe cinizmi për bukurinë e shoqes, që i bënte hije në shoqërinë
studentore dhe nëpër rrugët e lokalet e kryeqytetit, pothuajse iu shua fare.
Një objekt shqetësues nuk na shqetëson më,
kur nuk ekziston. Tashmë shoqja e saj i dukej inekzistente. Por ende i
ngjante se mbante në dorë një thikë me dy presa. Nuk dinte nga ta kapte e nga
ta drejtonte. Nuk dinte cila presë ishte më e hidhur dhe më vdekjeprurëse. Ajo
armë e ftohtë drejtohej herë nga vetja, herë nga shoqja. Kishte një zgjidhje
shpëtimtare për të dyja, largimin e Bukuroshes nga ai njeri i mallkuar, por ajo
s’e pranonte kurrësesi atë zgjidhje. Herë-herë
binte vetë në dyshime. Ky ndryshim i papritur, mendonte ajo, këto
mendime të papritura e kaq kurajoze, mos tregojnë se Bukuroshja ka rënë nën
ndikimin e tij? Apo mos edhe ajo vetë i është futur rrugës qorre të
agjitacionit dhe propagandës kundër udhëheqjes? Mos unë nuk duhet të rri
duarlidhur? Dhe në këto çaste i kalonin mornica në trup, e mbërthyer nga
ndjenja të dyfishta. S’dinte çfarë të bënte. Ajo e dinte se reagimet nervoze të
bukuroshes provinciale nuk i paraprinte arsyeja, gjykimi. Ato i vinin nga
pasioni i madh për të dashurin e saj të adhuruar dhe nga emocionet e çastit,
për të kundërshtuar mendimet kondraverse të ndjenjave të saj. A mund të besonte se një ditë bukuroshja do
të kthjellohej dhe do të pështirosej prej asaj dashurie për njeriun e gabuar?
Po në se merret vesh, ajo do të ishte barazfajtore me të, sepse nuk e kishte
denoncuar. Dhe gjithçka vithisej. Po porositë e babait, të nënës, për t’i bërë
sytë katër? Nga anonte peshorja?...
Bukuroshja ishte shtrirë në shtratin e saj dhe me sytë mbyllur nuk dallohej në se rrinte qetë, kishte rënë në mendime apo flinte. Shoqet hynë në dhomë të zhurmshme, si gjithnjë, duke shkëmbyer opinione pë leksionet, seminaret, pedagogët, shoqet e shokët. E fundit hyri Ponja. “Ha, moj sekretare, a kishit mbledhje ju, udhëheqja e rinisë?”, e pyeti Xheni prej Shkodre. “Jo, pse?”, iu përgjigj Ponja e befasuar dhe vuri re nga krevati i Bukuroshes provinciale. “Po hiç, moj, kot. Pse u prishe në fytyrë. A përbën ndonjë sekret, a? Të pash që dole nga zyra e komitetit. Bani mbledhje apo bani dashni atje?”, u tall Xheni. Ponja u skuq aq shumë sa i dogji fytyra. Dhe prapë vuri re nga krevati i bukuroshes. Kur vërejti se nuk pati asnjë lëvizje në krevatin e shoqes, iku të freskohej. Atëherë Bukuroshja provinciale u rrotullua në krevat. “E bëri detyrën”, tha me vete.