E hene, 29.04.2024, 09:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Ndotje?!!!

E diele, 03.03.2013, 11:29 AM


Ndotje?!!!

Tregim nga Përparim Hysi

Më ra zilja e celularit.  Qe imnip, juristi Agim  Sulçe, që më kumtoi:

-Jemi tek zyrat e Muharremit, po të presim. Jemi me Xhevon. A vjen dot?

-Për Xhevon vij dhe në mes të natës,- i thashë. Më prisni se erdha.

Lashë çdo punë dhe u nisa. Më kish marrë malli për Xhevon.  Kur them për Xhevon, e kam fjalën për Poetin e bukur, Xhevahir Spahiu. Takimin e kish kërkuar Xhevoja. Shkaku  qeshë unë.

*    *    *

Xhevon e dua dyfish: si poet, por dhe si skraparli. Epo  gjaku nuk bëhet ujë. Në këtë mes, nuk ka asnjë sekret: nuk ka njeri që mos e dijë. Sado që kam lindur dhe jetuar në Myzeqe, për  Skraparin dhe skraparlinjtë më dridhet zëmra. Kam thënë diku, në një nga poezitë e mia:- Kujdes! Jam nip  në Skrapar! U nisa  dhe nxitova hapat, se mezi prisja që ta takoja Xhevon. Mallin e kisha  të madh dhe për një arsye tjetër madhore: Xhevoja kaloi një sëmundje të rëndë që, për fat të mirë, e mposhti. Por pse më kish kërkuar Xhevoja, kur deri çastin që do përballeshim, nuk qemë takuar asnjë herë ?

*    *   *

Kot nuk thonë që rasti është mbreti i botës. Kështu kish ndodhur dhe me Xhevon. Ai kish ngjitur shkallët e katit të tretë për tek zyrat e një mikut të vet.

Edhe ky nga  Skrapari. Miku i  Xhevos është jurist. Po jo jurist do si do, por është dikushi në fushën e drejtësisë. Pse është i tillë dhe ka një emër. Ka gjykuar gjyqe të tilla, që jo kushdo mund t'i gjykonte, por një profesionist si ai, nuk ka as mite dhe as "hije" që mund të të rrinë mbi kokë, për të  ta bërë pis  atë petkun të nderuar të një juristi që  vetëm një mit ka: ligjin. Kushtetutën. Kurrë nuk iu bë pis balli, edhe kur gjykoi Nexhmie Hoxhën apo Ramiz Alinë. Edhe sot kam të rrënjosur në kujtesë një batutë të këtij juristi gjakftohtë, kur iu drejtua Ramiz Alisë:- Hiqe dorën nga xhepi! Vetëm kaq?

Jo. Jo. Nuk kam vetëm kaq. Balli i këtij juristi ( mik i Xhevos) është edhe  më i bardhë se sa kaq: ndryshe, fare ndryshe, nga  shtetarë e zyrtarë qoftë dhe në fushën e"minuar" të drejtësis, ai, miku i Xhevos, juristi Muharrem Kushe, në analet e drejtësisë dhe në kujtesën e njerëzve, mbahet mend edhe si një njeri me dinjitet dhe me një qytetari par exelencë:  dha dorëheqjen nga një detyrë madhore: si kryetar i  Gjykatës së Apelit. Aq sa njoh unë historinë e këytre "dorëheqjeve",  në fushën  e drejtësisë, ka ndodhur me  Manol Konomin, dikur në kohën e diktaturës, kur, ky, Konomi qe ministër drejtësie. Ka ndodhur me të dhe, pastaj, fshi  buzën. Kur shkruaj kështu, nuk e  kam me apriori dhe aq. Jo. Kam parë të tillë që janë dashur policë për ta marrë zvarrë një titullar drejtësie, se nuk pranonte të linte karriken. Siç duket, ia kish parë "vlerat". Kurse Muharrem Kushe e dha dorëheqjen pa ia kërkuar kush.  Është fat, - them unë,- të kesh mik Muharrem Kushen. Në se qëndron sentenca ( kur mendoj se unë e kam thënë i pari ?!!!) që vëllan ma bën nëna, kurse mikun e zgjedh vet, unë mendoj se Xhevoja, siç është vet njeri me zëmër të madhe, ka ditur të zgjedh një mik me zëmër të madhe, siç është juristi Muharrem Kushe. Për këtë, Muharremin, sado  që mund të shkruash faqe e faqe të tëra, unë po mjaftohem me kaq. Ndoshta një herë tjetër do t'i kthehem. Por në shkrova pak gjatë për të, se aty, në zyrat e tij private, lindi kërkesa e Xhevos për t'u takuar me mua.

Xhevoja kish shfletuar librin tim me poezi "Njerëz që dua" dhe në faqen 51 të këtij libri kish hasur në poezinë time: "Lutje Zotit". Këtë poezi unë e shkrova kur qeshë në Amerikë, në vitin 2009. E shkrova atëherë kur Xhevoja i bukur, u prek nga një sëmundje e rëndë. I alarmuar dhe i shqetësuar për shëndetin e tij, i lutesha Zotit që "t'ia sillte kujtesën Poetit dhe t'ua merrte parlamentarëve që"tregojnë përralla me mbret". Në vija të trasha, këtë thosha në poezi. Dhe u gëzova shumë, kur Xhevoja pas një lëngimi të gjatë, më së fundi, e hodhi. Duket  që dhe ajo "basubeja (lutja) ime, për fat të mirë, u mor parasysh.  Xhevoja kish qarë kur Muharremi apo imnip ia kishin lexuar poezinë.

-Dua ta takoj këtë njeri,- kish  thënë.

*     *    *

Unë ngarenda. Kisha frikë, se mos më ikte. Se, për fat të keq, sëmundja ka lënë gjurmë tronditëse mbi kujtesën e tij. Shpejtova dhe, kur u takuam, u përqafuam ngrohtësisht, si dy miq të vjetër që kanë kohë pa u parë. U ulëm në atë mjedis komod të zyrave të juristit Muharrem Kushe dhe aty, tek gjerbnim kafetë, unë  nxorra  atë që kumarxhinjtë e quajnë "asi nën mëngë". Kam dhe diçka,- i thashë Xhevos. Ai u përëndrua dhe po ndiqte veprimet e mia. Nxora nga pakua ime  e librave ( të pesë librat dhuratë për Xhevon ), librin tim të parë me poezi: "Rektimat e dashurisë". Aty, në atë libër me 250 poezi, është dhe një poezi për Xhevon.  Po ta lexoj,- i thashë,- por një libër kam dhe këtë nuk ta jap dot.

-Pa ta dëgjojmë,-tha. -Lexoje ti,- i tha Muharremit. -Jo.Jo. Do ta lexoj unë,-thashë. Dhe e lexova. E lexova, por u pendova. Xhevoja u mbyt në lot. Bobo!- mendova i tmerruar. Ky nuk duhet të emcionohet dhe aq më shumë të përlotet. E përqëndrova shikimin tek ai dhe, për ta zhvendosur paksa nga ai mjedis emocional, i thashë:

-E shkrova në 1997, atëherë kur ta vunë kokën në satër. Kur të ndiqnin "kapuçonjtë e zi".

Ai, pak i emocionuar dhe i "padalë plotësisht nga zona e minuar e harresës", zuri sa duke më falnderuar, aq duke risjellë copra nga ajo"llahtarë" që,saj mbështetjes zëmërmadhe të Vlorës (qytetarëve vlonjatë), arriti të shpëtonte kokën. Por ajo që bëri Xhevon që të rrëmbushej,se në një varg të asaj poezie, unë kisha përmëndur "kapuçonj të zi".

Ou,- tha Xhevoja,- ma  tha dhe i  ndjeri Ali Podrimja, tani, në Francë kur qemë bashkë. Ja, kështu. Çudi! Eh, pikë e zezë!,-foli si me vete. Dhe shtoi:

-E gjetën të mjerin, lakuriq !!!! O  Zot! Çudi! Pikë e zezë! Tjetër përlotje.

-Pa hajde, dalim që këtu,- fola unë. Të ndërrojmë mjedisiin. Falnderuam mikun tonë të përbashkët, Muharrem Kushen, dhe, tek zbrisnim shkallët, Xhevahiri më tha:

-Këtej, se andej nuk del dot kurrë. Siç duket unë shkoja drejt bodrumit.

Zbritëm së  bashku dhe, mbasi e përcolla deri në një farëvëndi, u ndamë për t'u takuar të nesërmen.

*     *    *

Mbrrita nja një çerek ore para tij dhe po prisja. Porosi nuk bëra, po qëndrova në pritje. Koha qe gati për shi dhe, ndërsa me sy kontrolloja se mos vinte Xhevoja, ngjitur me tavolinën time, një "boss" me zverkun si dem i tredhur, duke ngritur zërin dy oktavë më lart nga zërat e tjerë, i thoshte të"zgjedhurës" së tij: - Unë kur të hipi ty ( gjuha e tij qe më lapardhare dhe më vulgare, e zhveshur fare), ia kam hipur  tanë "krahinës" tande, hej!

Ajo, pak e thyer në moshë, duket kushedi pse ish bërë "preh" e këtij lapardhari, mundohej sadopak ta "zbuste" këtë bishë që kish dalë nga kafazi. Por bisha kish marrë prrallën. E kisha ngjitur. Skiç, po t'i turrej një demi me kokë, e hidhte kollotumba. Ndërsa ajo mundohej ta këndellte, siç bëjnë nënat,tek këndellin me fjalë nga më ledhataret për atë atë fëmijën çamarrok që shkul tavanin kur qan, ai, përkundrazi, e trashi dhe ca më shumë zërin dhe ma ndoti të gjithë atë takim të bukur me Xhevon. Ca se Xhevoja (duket koha e privoj të dilte)  nuk po vinte dhe ca nga ky"boss" që po më bënte helaq, u  nxeha aq, sa pa marrë parasysh etikë apo mirësjellje, fare harbutërisht i them:

-Mos ma shaj krahinën!

Ai ca më shumë se harbutshe:

-Nuk je në tavolinë time dhe mshoi bythës !!! E "zgjedhura" u skuq. Unë u  zverdha. Duket po trokisja tek portë e ferrit. Ky "bossi i ri, qe xhebraili.

U ngrita se më ndoti  dhe takimin dhe thashë:-Shyqyr që nuk ishe,Xhevo ! U largova si një qen i rrahur. Qen i rrahur kafshuar nga një laro. Dhe tek po ikja, sikur kisha bërë turp, m'u ravijëzua  Otellua dhe finalja e fjalëve të tij:

-... shënoni dhe këtë:

Në Alep njëherë, pashë një turk që shante republikën. E kapa prej veshësh dhe ia ngula thikën kështu!". Po në ato çaste qeshë një Otello, por që të"haja munë", kur shprehet diku Chri-Chri. Ai, Nonda Bulka, me aq humor. Tek u largova, i bërë pis, nga një pis (për fat të keq, janë shtuar si shumë), nuk di pse  risolla në mëndje atë që thotë populli shpesh: - Nuk ka faj ai që vret, por ai  që vritet. Të ketë të drejtë populli,vallë?

 *    *   *

S'kam se si e mbyll këtë tregim pa një ngjarje pak makabre. Fill mbas këtij "sherrit" tim kaq banal, po për shkaqe të njëjta kishin vrarë një djalë të ri në autobuz. Vetëm pse kish kërkuar ë të pushonin fajlët e pista në publik.

E sa për Xhevon e takova të nesërmen, por "sherrin" nuk ia zura në gojë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora