| E diele, 03.03.2013, 11:29 AM |
Ndotje?!!!
Tregim nga Përparim Hysi
Më ra
zilja e celularit. Qe imnip, juristi
Agim Sulçe, që më kumtoi:
-Jemi tek
zyrat e Muharremit, po të presim. Jemi me Xhevon. A vjen dot?
-Për
Xhevon vij dhe në mes të natës,- i thashë. Më prisni se erdha.
Lashë çdo
punë dhe u nisa. Më
* *
*
Xhevon e dua
dyfish: si poet, por dhe si skraparli. Epo
gjaku nuk bëhet ujë. Në këtë mes, nuk ka asnjë sekret: nuk ka njeri që
mos e dijë. Sado që kam lindur dhe jetuar në Myzeqe, për Skraparin dhe skraparlinjtë më dridhet zëmra.
Kam thënë diku, në një nga poezitë e mia:- Kujdes! Jam nip në Skrapar! U nisa dhe nxitova hapat, se mezi prisja që ta
takoja Xhevon. Mallin e kisha të madh
dhe për një arsye tjetër madhore: Xhevoja kaloi një sëmundje të rëndë që, për
fat të mirë, e mposhti. Por pse më kish kërkuar Xhevoja, kur deri çastin që do
përballeshim, nuk qemë takuar asnjë herë ?
* * *
Kot nuk
thonë që rasti është mbreti i botës. Kështu kish ndodhur dhe me Xhevon. Ai kish
ngjitur shkallët e katit të tretë për tek zyrat e një mikut të vet.
Edhe ky
nga Skrapari. Miku i Xhevos është jurist. Po jo jurist do si do,
por është dikushi në fushën e drejtësisë. Pse është i tillë dhe ka një emër. Ka
gjykuar gjyqe të tilla, që jo kushdo mund t'i gjykonte, por një profesionist si
ai, nuk ka as mite dhe as "hije" që mund të të rrinë mbi kokë, për
të ta bërë pis atë petkun të nderuar të një juristi që vetëm një mit ka: ligjin. Kushtetutën. Kurrë
nuk iu bë pis balli, edhe kur gjykoi Nexhmie Hoxhën apo Ramiz Alinë. Edhe sot
kam të rrënjosur në kujtesë një batutë të këtij juristi gjakftohtë, kur iu
drejtua Ramiz Alisë:- Hiqe dorën nga xhepi! Vetëm kaq?
Jo. Jo.
Nuk kam vetëm kaq. Balli i këtij juristi ( mik i Xhevos) është edhe më i bardhë se sa kaq: ndryshe, fare ndryshe,
nga shtetarë e zyrtarë qoftë dhe në
fushën e"minuar" të drejtësis, ai, miku i Xhevos, juristi Muharrem
Kushe, në analet e drejtësisë dhe në kujtesën e njerëzve, mbahet mend edhe si
një njeri me dinjitet dhe me një qytetari par exelencë: dha dorëheqjen nga një detyrë madhore: si
kryetar i Gjykatës së Apelit. Aq sa njoh
unë historinë e këytre "dorëheqjeve",
në fushën e drejtësisë, ka
ndodhur me Manol Konomin, dikur në kohën
e diktaturës, kur, ky, Konomi qe ministër drejtësie. Ka ndodhur me të dhe, pastaj,
fshi buzën. Kur shkruaj kështu, nuk
e kam me apriori dhe aq. Jo. Kam parë të
tillë që janë dashur policë për ta marrë zvarrë një titullar drejtësie, se nuk
pranonte të linte karriken. Siç duket, ia kish parë "vlerat". Kurse
Muharrem Kushe e dha dorëheqjen pa ia kërkuar kush. Është fat, - them unë,- të kesh mik Muharrem
Kushen. Në se qëndron sentenca ( kur mendoj se unë e kam thënë i pari ?!!!) që
vëllan ma bën nëna, kurse mikun e zgjedh vet, unë mendoj se Xhevoja, siç është
vet njeri me zëmër të madhe, ka ditur të zgjedh një mik me zëmër të madhe, siç
është juristi Muharrem Kushe. Për këtë, Muharremin, sado që mund të shkruash faqe e faqe të tëra, unë
po mjaftohem me kaq. Ndoshta një herë tjetër do t'i kthehem. Por në shkrova pak
gjatë për të, se aty, në zyrat e tij private, lindi kërkesa e Xhevos për t'u
takuar me mua.
Xhevoja
-Dua ta
takoj këtë njeri,- kish thënë.
* *
*
Unë
ngarenda. Kisha frikë, se mos më ikte. Se, për fat të keq, sëmundja ka lënë
gjurmë tronditëse mbi kujtesën e tij. Shpejtova dhe, kur u takuam, u përqafuam
ngrohtësisht, si dy miq të vjetër që kanë kohë pa u parë. U ulëm në atë mjedis
komod të zyrave të juristit Muharrem Kushe dhe aty, tek gjerbnim kafetë,
unë nxorra atë që kumarxhinjtë e quajnë "asi nën
mëngë". Kam dhe diçka,- i thashë Xhevos. Ai u përëndrua dhe po ndiqte
veprimet e mia. Nxora nga pakua ime e
librave ( të pesë librat dhuratë për Xhevon ), librin tim të parë me poezi:
"Rektimat e dashurisë". Aty, në atë libër me 250 poezi, është dhe një
poezi për Xhevon. Po ta lexoj,- i
thashë,- por një libër kam dhe këtë nuk ta jap dot.
-Pa ta
dëgjojmë,-tha. -Lexoje ti,- i tha Muharremit. -Jo.Jo. Do ta lexoj unë,-thashë.
Dhe e lexova. E lexova, por u pendova. Xhevoja u mbyt në lot. Bobo!- mendova i
tmerruar. Ky nuk duhet të emcionohet dhe aq më shumë të përlotet. E përqëndrova
shikimin tek ai dhe, për ta zhvendosur paksa nga ai mjedis emocional, i thashë:
-E
shkrova në 1997, atëherë kur ta vunë kokën në satër. Kur të ndiqnin
"kapuçonjtë e zi".
Ai, pak i
emocionuar dhe i "padalë plotësisht nga zona e minuar e harresës",
zuri sa duke më falnderuar, aq duke risjellë copra nga ajo"llahtarë"
që,saj mbështetjes zëmërmadhe të Vlorës (qytetarëve vlonjatë), arriti të
shpëtonte kokën. Por ajo që bëri Xhevon që të rrëmbushej,se në një varg të asaj
poezie, unë kisha përmëndur "kapuçonj të zi".
Ou,- tha
Xhevoja,- ma tha dhe i ndjeri Ali Podrimja, tani, në Francë kur qemë
bashkë. Ja, kështu. Çudi! Eh, pikë e zezë!,-foli si me vete. Dhe shtoi:
-E gjetën
të mjerin, lakuriq !!!! O Zot! Çudi!
Pikë e zezë! Tjetër përlotje.
-Pa hajde,
dalim që këtu,- fola unë. Të ndërrojmë mjedisiin. Falnderuam mikun tonë të
përbashkët, Muharrem Kushen, dhe, tek zbrisnim shkallët, Xhevahiri më tha:
-Këtej,
se andej nuk del dot kurrë. Siç duket unë shkoja drejt bodrumit.
Zbritëm
së bashku dhe, mbasi e përcolla deri në
një farëvëndi, u ndamë për t'u takuar të nesërmen.
* *
*
Mbrrita
nja një çerek ore para tij dhe po prisja. Porosi nuk bëra, po qëndrova në
pritje. Koha qe gati për shi dhe, ndërsa me sy kontrolloja se mos vinte
Xhevoja, ngjitur me tavolinën time, një "boss" me zverkun si dem i
tredhur, duke ngritur zërin dy oktavë më lart nga zërat e tjerë, i thoshte
të"zgjedhurës" së tij: - Unë kur të hipi ty ( gjuha e tij qe më lapardhare
dhe më vulgare, e zhveshur fare), ia kam hipur
tanë "krahinës" tande, hej!
Ajo, pak
e thyer në moshë, duket kushedi pse ish bërë "preh" e këtij
lapardhari, mundohej sadopak ta "zbuste" këtë bishë që kish dalë nga
kafazi. Por bisha kish marrë prrallën. E kisha ngjitur. Skiç, po t'i turrej një
demi me kokë, e hidhte kollotumba. Ndërsa ajo mundohej ta këndellte, siç bëjnë
nënat,tek këndellin me fjalë nga më ledhataret për atë atë fëmijën çamarrok që
shkul tavanin kur qan, ai, përkundrazi, e trashi dhe ca më shumë zërin dhe ma
ndoti të gjithë atë takim të bukur me Xhevon. Ca se Xhevoja (duket koha e
privoj të dilte) nuk po vinte dhe ca nga
ky"boss" që po më bënte helaq, u
nxeha aq, sa pa marrë parasysh etikë apo mirësjellje, fare harbutërisht
i them:
-Mos ma
shaj krahinën!
Ai ca më
shumë se harbutshe:
-Nuk je
në tavolinë time dhe mshoi bythës !!! E "zgjedhura" u skuq. Unë
u zverdha. Duket po trokisja tek portë e
ferrit. Ky "bossi i ri, qe xhebraili.
U ngrita
se më ndoti dhe takimin dhe
thashë:-Shyqyr që nuk ishe,Xhevo ! U largova si një qen i rrahur. Qen i rrahur
kafshuar nga një laro. Dhe tek po ikja, sikur kisha bërë turp, m'u
ravijëzua Otellua dhe finalja e fjalëve
të tij:
-...
shënoni dhe këtë:
Në Alep
njëherë, pashë një turk që shante republikën. E kapa prej veshësh dhe ia ngula
thikën kështu!". Po në ato çaste qeshë një Otello, por që të"haja
munë", kur shprehet diku Chri-Chri. Ai, Nonda Bulka, me aq humor. Tek u
largova, i bërë pis, nga një pis (për fat të keq, janë shtuar si shumë), nuk di
pse risolla në mëndje atë që thotë
populli shpesh: - Nuk ka faj ai që vret, por ai
që vritet. Të ketë të drejtë populli,vallë?
*
* *
S'kam se
si e mbyll këtë tregim pa një ngjarje pak makabre. Fill mbas këtij
"sherrit" tim kaq banal, po për shkaqe të njëjta kishin vrarë një
djalë të ri në autobuz. Vetëm pse kish kërkuar ë të pushonin fajlët e pista në
publik.
E sa për Xhevon e takova të nesërmen, por "sherrin" nuk ia zura në gojë.