Kulturë
Halil Haxhosaj: Vargje të krehura me figura poetike
E enjte, 28.02.2013, 08:34 PM
VARGJE
TË KREHURA ME FIGURA POETIKE
Ali R. Berisha: “Agu e hap dritaren vetë”, poezi, botoi Shtëpia botuese “Bindi”, Prishtinë, 2012.
Nga Halil Haxhosaj
Përkushtimi i një
krijuesi për të shkruar vargje, qoftë nga historia, aktualiteti, por edhe nga
një këndvështrim tjetër, mëton më interesimet e tij prej vrojtuesi, frymëzuesi
dhe vështruesi i të gjitha anëve në vertikalen dhe horizontalen e kundrimit.
Duke bërë një përshkallëzim të këtillë, shpesh dalin disa nuanca që në një
mënyrë ose tjetër, mëtojnë të shpërfaqin vargjet poetike, duke i mbarsur me
koloritin e krehur të një vargëzimi me figura poetike. Dhe në këtë mënyrë,
dendësia, por edhe shtrirja e këtij vrojtimi përkon edhe me tematikën, formën,
figuracionin, por edhe me strukturën dhe llojllojshmërinë e poezisë së trajtuar
dhe të shpërfaqur në një përmbledhje poetike. Këtë qëllim e ka edhe penda, frymëzimi
dhe synimi i autorit, në këtë rast i poetit Ali R. Berisha, i cili tashmë e
botoi përmbledhjen e tij më të re poetike me titull paksa metaforik “Agu e
hap dritaren vetë”. Kjo sintagme poetike me aromë metaforike ka shtrirje në
gjerësinë, por edhe në thellësinë e veprës që nga poezia e parë “Për të
satën herë Kosovë”, që gjendet në faqe 5 e deri të ajo e fundit “Dashuria
je ti” që është e fundit e shënuar në faqe 150 të veprës. Në këtë hapësirë
poetike shtrirja, por edhe strukturimi i veprës ka një binom që shëmbëllen me
dy pjesë ose kapituj që më pak mund të konsiderohen qerthuj apo cikle poetike
që janë: “Jam ai imi për ty” dhe “Nuk po vijnë më lejlekët”.
Nëpër këtë strukturim shtrihet e tërë tematika, motivet, madje edhe shtresimet
e poezive dhe vargjeve të kësaj përmbledhjeje. Por, lexuesi në kornizat e të dy
binomeve poetikë që përbëhen prej nga një monomi, kompozojnë tërësinë e veprës “Agu
e hap dritaren vetë”, duke u shfaqur me gjuhën e poezisë, e cila është edhe
mjet shprehës për subjektin lirik, gjegjësisht për lirikën artistike të saj,
sepse:
Kosova është një
pjellë
Tokë e njeri bashkë
Kohë e gurshkrim
bashkë
janë vargjet me të cilat fillon poezia e parë e
kësaj vepre, por edhe poezia e parë e saj, me titull “Për të saten herë
Kosovë”, në faqe 5. Në këtë mënyrë, formë, strukturim vargjesh, rimë të
brendshme, muzikalitet e të tjera, shkruhen pothuajse të gjitha poezitë nga
pena, frymëzimi dhe këndvështrimi i poetit Ali R. Berisha. Shumëllojshmëria
tematike, motivet, figurat e të tjera e pasurojnë, e dendësojnë dhe e avancojnë
këtë poezi në veçanti dhe përmbledhjen poetike, në përgjithësi. Kështu poeti
qëllimisht ka bërë një shtrirje, e cila nuk është e ngurtë, madje as e zorshme,
por lirshëm depërton nga vargu në varg, nga rrokja në rrokje, nga figura në
figurë e tjerë, duke e shpalosur koloritin e krehur të poetikës së tij. Dhe kjo
është një qelizë që dallohet në këtë mes, por ajo duke u ngjizur me të tjerat,
krijojnë inde poetike që tingëllojnë mirë, harmonishëm dhe shprehimisht
avancojnë qëllimin e mëtimit poetik të vargëzimit. Andaj, poeti Ali R. Berisha
me këtë rast është i kujdesshëm, është madje tepër i frymëzuar dhe vrojtues
artistik i të gjitha poreve të jetës sonë që nga historia, lufta, qëndresa, e
deri te përditshmëria dhe bashkëkohësia jo vetëm lokale, kombëtare e
regjionale, por edhe me gjerë. Dhe kësaj, poeti duket se i vë qëllimin e duhur
dhe të dëshirueshëm. Në shumicën e poezive dhe vargjeve është shfletuar bota e vet poetike, duke shfaqur shpirtin e
ndjenjën e bukur dhe të brishtë të jetës njerëzore.
Në qendër të poetikës
së Ali R. Berishës është poezia përkushtuese, e cila shtrihet në tërë
përmbledhjen, jo e njëtrajtshme, por shumëdimensionale dhe në forma të
ndryshme. Poeti shkruan jo veç për Kosovën, Ilirinë, Dardaninë, e vise e regjione
të tjera, por edhe për prindërit, nënën e babain. Në disa vargje të poezisë “Kujtimit
të nënës”, ndër të tjera shkruan:
Nënë, ti je Rozafë e
unë kala
Ti je çifteli e unë
këngë
Nënë, ti je lule e unë
shegë
Për të vazhduar më tutje:
Nënë, ti je fjala e
ime e parë
Nënë, ti je fjala e
ime e rëndë
Tërë synimin poetik të
vargëzimit të vet, poeti Ali R. Berisha, e trajton nëpërmes poezisë për të
cilën ai ka jo vetëm frymëzim, por edhe konsideratë dhe ndjenjë. Poezia për të
është diçka e shenjtë, e hyjnueshme, madje edhe arritja më e përsosur
artistike. Vargjet e poezisë janë perla, madje janë edhe masë, por edhe element
i përshtatshëm për ta kthyer njeriun në rrugën e drejtë kur ai shkallon në
jetë. Atëherë ajo bëhet edhe mjet i domosdoshëm dhe tepër i suksesshëm për ta
arritur këtë mision. Kështu, misioni i poezisë është i lartë për njeriu në
përgjithësi dhe për disa shtresa të tij, në veçanti, sepse me gjuhën e vet
poezia gjen se nuk ka ngjarje të përgjakshme, punë të këqija, fat të zi, por ka
njerëz, të cilët i shkaktojnë këto, por edhe luftërat, sepse shumica prej tyre
janë zjarrvënës. Nuk ka poezi po s’pati vargje të natyrave dhe përmbajtjeve të
ndryshme. Andaj shpesh vargjet e poetit, në raste të caktuara e të duhura bëhen
shpatë, madje shpatë e Domekleut, por edhe pse ndonjëherë del ndonjë varg
rebel, ai nuk kërkon duel, sepse habitet nga bukuria e vashës, nga flatrimi i
dallëndyshes, nga metaforat e hënës e të tjera. Edhe vargjet krehën, mprehën e
prehën si vashat, dallëndyshet e hëna. Durimi për poetin bëhet qëllim, sepse ai
dhe synimi i tij kanë këtë mëtim, kanë këtë mbështetje, kanë këtë motiv. Durimi
ka anët e veta me të cilat shpesh kacafytet, por edhe ngacmohet, për t’i ikur
qetësia. Këtë nuk duhet pranuar, por vetëm duhet duruar me durim guri, sepse,
si gjithmonë atë po e duruaka edhe liria, ngase vargu tash flet me gjuhën e
lules, e cila ka trup të bukur, petale të bukura, ngjyrë të bukur, aromë të
këndshme dhe emër të madh. Mbi këtë bukuri kanë fjetur shekujt dhe e kanë bërë
krenari të krenarive, andaj ajo duhet të këtë kujdes e të ruhet, sepse vdekja
më së shumti i godet bukuritë. Në këtë mënyrë, poeti mëton që përveç me figura,
bukurisë, subjektit lirik, por edhe jetës së njeriut t’ia veshë petkun
filozofik dhe psikologjik. Këtij këndvështrimi ia arrin me sukses me vargje të
këtilla. Vargjet e veta i ka kapituj të poezive e të tregimeve akoma më të
gjata. Ato shpesh tingëllojnë edhe si kambana të ndryshkura dhe atëherë
subjekti poetik dëgjon kumbimin e tyre dhe i kërkon këmbët ku i kanë mbetur,
ngase iu ka ngadalësuar marshimi.
Edhe dashurisë, poeti
Ali R. Berisha, i thurë vargje, të cilat kanë burimin në gurrën e frymëzimit.
Dashuria dhe kujtimet për të, jo gjithmonë të këndshme, zënë shumë vend në
botën e tij poetike. Poezia e këtij poeti është gjithçka. Madje ajo është edhe
dashuri, është zanore e dashurisë, lule e dashurisë, puthje e zjarr është.
Kombinimet e këtyre elementeve dalin të suksesshme kur korrespondojnë me
poezinë, sepse ajo di çdo gjë, di ç’është vasha, mbase ajo e ka krijuar
dashurinë, sepse:
Për një dashuri ia
vlen të mos flesh
Ia vlen të mos
harrohesh
(Poezi: “Ta duam
poezinë e të mos vdesim”)
Si gjithë poetët
lirikë, edhe poeti, Ali R. Berisha, sjell vazhdimisht në poetikën e tij
peizazhin e natyrën. Kjo zë vend të rëndësishëm në botën e tij plot meditime e
gjykime, sepse në natyrë s’ka, por edhe gjejmë pak deformime. Peizazhet e
poetikës së këtij poeti, janë strukturime me shije.
Në tërësi, poezitë e
këtij poeti, janë të ndjeshme e të shkrira, por në të njëjtën kohë, janë edhe
të pasura në pikëpamje gjuhësore e estetike. Ai është i kujdesshëm dhe nuk
shfaq asnjë pasiguri dhe lëkundje drejtshkrimore, ai e nderon normën e
rregullave dhe parimeve gramatikore e artistike deri në detajin më të imët. Në
këtë drejtim, ai është një lloj “fanatiku” prej poeti që shkruan me këtë gjuhë
dhe stil që do të thotë se nuk iu qaset eksperimenteve, jo pse i paragjykon,
por ngase ka gjetur veten në këtë formë poetizimi.
Ka edhe elemente e shtresime të tjera në vëllimin poetik “Agu e hap dritaren vetë”, të Ali R. Berishës, që do të gjenden, lexohen, por edhe do të mbahen në mend nga lexuesi dhe të tjerë. Vepra është pasuri për bibliotekat tona të kësaj kohe e hapësire.