E premte, 26.04.2024, 02:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Në përkujtim të gazetarit Q. Kelmendi

E marte, 26.02.2013, 08:58 PM


NË PËRKUJTIM TË GAZETARIT QAZIM KELMENDI

Nga Xhemail Peci

‘Nga plaga e jetës së re që hap terrin e trazuar dalin shpirtra të zjarrtë si himne që mbushin atmosferën e besimit të tyre, oshëtima e të cilëve gjëmon mjaft kohë edhe pasi të kenë shkuar këta njerëz’. Romen Rolan

‘Atëherë m’u kujtua Qazimi. Qazimi është vëllai im….Shfletova fjalorin dhe: Qazim. ‘Që fashit pezmin’, ‘që nuk e shpreh hidhërimin’, ‘i qetë’ ‘i matur’. Pikërisht ai…’ (Ramiz Kelmendi, Shtatë persona ndjekin autorin, Kapitulli II, fq. 56)

Pasqyra Televizive dhe mëpastaj Bujku, janë dy emisione që në të kaluarën na kanë shoqëruar shpesh dhe që kanë mbetur në mbamendjen tonë. Për aq hapësirë sa kishte aty, gazetarët e atëhershëm të RTK-ës (TVP-ës), mëtonin që ta përçonin mesazhin e tyre dhe fjalën shqipe tek audienca televizive, ndonëse shumëçka shikohej nën thjerrëzat e mbikqyrjes së rreptë.

Një shembull krejtësisht i veçantë në punën dhe në përkushtimin e tij, në prirjen dhe në pasionin e tij, ishte ai i gazetarit shumëvjeçar të RTK-ës, Qazim Kelmendi. Ai ishte njeriu sa finsik po aq edhe modest, sa profesional po aq edhe parimor, sa i dedikuar në profesionin e tij, po aq edhe i admiruar për punën e tij, i mbrujtur me tipare dhe virtyte për të cilat kujtohet me respekt të thellë dhe admirohet edhe sot: kurdoherë i gatshëm për të ndihmuar e edhe për të këshilluar me përvojën e tij të pasur profesionale.

Nuk është  një koincidencë pse fjala vjen, tek rastisi që në orët e një mëngjesi të hershëm, një roje që dukej sikur po përfundonte ndërrimin e natës, që në fillim të bisedës, sa ra fjala – ndonëse në mënyrë indirekte, sikur kërceu nga gëzimi por edhe nga krenaria se po e kujtonte gazetarin e moçëm: E kam pasur shok! Madje, një gjë e tillë e thënë dhe e shprehur me një ndjenjë të theksuar të krenarisë së ligjshme, por edhe të mallëngjimit (gjë që vërehej qartë në sytë e bashkëbiseduesit, por edhe në fytyrën e tij pamja e të cilës të linte përshtypjen se gazetarin e kishte aty - para syve) si për të plotësuar pjesën tjetër të bisedës, e edhe për të përkujtuar se bujaria ishte mbi çdo gjë tipar thelbësor i shumicës së atyre njerëzve, që mbi shpatullat e tyre mbajtën barrën e rëndë të informimit në kushtet e shtetrrethimit të hekurt të falangave serbe, shtonte: A dëshironi ta pimë nga një kafe? Një njeri aq i thjeshtë por aq zemërbardhë, i cili me sjelljen e tij nuk kishte se si të mos ngjallte emocione….

Shumëçka që definohet si thjeshtësi e lartësive e ka sfiduar përherë madhështinë mospërfillëse. Këta njerëz të thjeshtë, të gazetarisë e të informacionit, të mbrujtur me tiparet dhe virtytet e atyre që punën dhe vlerat i kanë çmuar dhe i çmojnë përherë, me dijen dhe me vullnetin e tyre, ndonëse shumë shpesh në kushtet e një mbikqyrjeje të rreptë, nuk ka se si të mos na e kujtojnë thënien e njohur se: Greqia e pushtuar e mundi pushtuesin e pagdhendur.

Qazim Kelmendi, njeriu fisnik e me pamjen e një intelektuali të formuar dhe të një gazetari të sprovuar me reportazhin e me kronikat televizive në terren, me një ngrohtësi dhe afri bashkëbisedimi, me një vëmendje të përqëndruar në të biseduar, me një përkushtim të gjithanshëm e me një motivim të posaçëm për ta pasqyruar punën e atyre që tokën e donin mbi çdo gjë, arriti të krijonte afërsinë me teleshikuesit, por edhe të ngjallte kërshërinë me veçantinë e qasjes së tij, madje në përmasat e atilla sa emisioni i udhëhequar prej tij, kërkohej me një ëndje të veçantë, flitej dhe komentohej me pietet dhe me respekt të theksuar.

Ai ishte bërë prej kohësh sinonim i një njeriu, sa fisnik e po aq edhe të dashur për audiencën televizive, sepse i përzgjidhte temat e tij me një shije të theksuar, i përgatiste me përkushtim të veçantë kronikat e tij, hynte dhe dilte në fushat dhe në vendet e caktuara, për ta sjellur të gjallë ambientin e tokës nënë, bukurinë dhe hijeshinë, larminë dhe madhështinë, shumëllojshmërinë dhe ëmbëlsinë e natyrës, e cila po e shoqëronte prej vitesh në sfondin e ekranit televiziv.

Ai po mishërohej gjithnjë e më shumë me kërkesën e teleshikuesve për ta parë emisionin e udhëhequr nga ai, sepse me punën dhe me përkushtimin e tij, ai ishte bërë kështu pjesë përbërëse e së pritmes që në një orë të caktuar me padurim donte të takohej me shpresën e vet, me aspiratën për diçka të veçantë, shumë më ndryshe se uniformiteti, se ngurtësia dhe stereotipet e imponuara nga politikat redaktuese që vinin nga lart.

Ai ishte bërë kështu një figurë sa e dashur, po aq edhe e admiruar, sepse ai ishte njëjtësuar me dëshirat e atyre që në shirat që binin mbi tokën mëmë, shihnin frytet e punës së tyre. Dhe jo vetëm kaq. Sfondi i fushave me grurë, përcëllimi i Diellit mbi kallinjtë e grurit, duart që tokës i jepnin gjallëri e i falnin edhe dashurinë e tyre, shpaloste një prizëm të ri, një dritare të re, një hapësirë të re, e cila përkonte aq shumë me ëndrrën për lirinë e shumëpritur. E përderisa letërsia shërbehej me metafora, emisioni i përgatitur nga gazetari Qazim Kelmendi shërbehej me melodinë baritore të fyellit që ngjallte emocionet por edhe shpresat dhe ëndrrat; shkëlqimi i arave me grurë e hapësirat e pafundme të fushave, perëndimi i Diellit në mbrëmje dhe gishtërinjtë e trëndafiltë të Poemave të Naimit po shfletonin palë – palë ‘fushat e gjëra me lule’, si në një parandjenjë të çuditshme sa dhe të mahnitshme se nën tingujt magjepës të fyjeve e në rrjedhën e krojeve me ujin prej kristali - ku bënin hije zanat me shtojzovalle, diçka do të vinte, diçka do të ndodhte, herët a vonë: Shkëndijë e Diellit ndaj Manushaqes…

Është thënë me të drejtë se dramat e Henrik Ibsenit janë një simfoni hyjnore për kombin e tij. Është thënë po ashtu me të drejtë, se Fjalori i Konstantin Kristoforidhit është një poezi në vete. Nga ky prizëm mund të thuhet gjithashtu se një simfoni hyjnore po shpalosej si një metaforë e madhe, në idilën e një jete të thjeshtë por që në vetvete mbarte thelbin e dashurisë për tokën.

Nuk është pra rastësi se tokës në letërsinë dhe në kulturën tonë i është kushtuar një vend i posaçëm. Toka ka frymëzuar poetët, shkrimtarët, intelektualët, gazetarët, kompozitorët, artistët, këngëtarët, studentët, punëtorët, minatorët e thellësive të saj (fjala vjen Galerive të Trepçës), shtresat e gjëra të popullsisë, por mbi çdo gjë edhe luftëtarët e lirisë.

E larë shpesh me lot (siç e thotë edhe kënga popullore: Moj Fusha e Korabit…), e edhe me gjak: ‘Është toka jonë, t’parët na kanë lanë’ (siç do të thirrte Pashko Vasa në Obeliskun e tij madhështor ‘O Moj Shqypni’), Toka Jonë si dramë dhe vepër baleti - e Kolë Jakovës, apo edhe klithja e Dritëro Agollit: Takoj shokët, miqtë dhe farefisin/Menkulasin tim, s’e ndërroj dot, me Romën, as me Parisin; Toka dhe dashuria për te, në emisionin Bujku, ishte preludi i një dashurie që nënkuptonte lirinë e saj, dashuri që e kishin ushqyer breza dhe gjenerata të tëra atdhetarësh shqiptarë.

Qazim Kelmendi më kujton diçka nga thënia e shkrimtarit Ismail Kadare për Lasgush Poradecin, se ai ishte njeriu më modest që kishte ecur ndonjëherë në rrugët e Tiranës.

Modestia në të vërtetë, është shenjë të cilën e shpalos madhështia e njerëzve që me urtësinë e tyre lënë gjurmë të pashlyeshme, flasin pak e punojnë shumë.

Ai ishte njeriu i fjalës së urtë e i shembullit të mirë, i përkushtimit por edhe i parimit, i gdhendur në kujtesën e shikuesve me portretin e tij që shpesh mishërohej me sfondet e natyrës dhe horizontet e saj, e ku shquhej figura e një njeriu sa fisnik po aq edhe bujar, me një të folur të qëlluar e të qartë, të rrjedhshëm e tepër të natyrshëm, me supet e drejta e me rrobet e mbajtura me një pedantëri të veçantë, me një lëvizje të shkathët duarsh që në pëllëmbët e tyre mbanin dashurinë për tokën nënë por edhe që shpalosnin horizontet e natyrës së bukur - si një prelud të atyre horizonteve që doemos do të vinin në shtigjet e së ardhmes.

Përmbi çdo gjë, ai ishte Njeriu Fisnik, dhe se një gjë të tillë sikur ia kishte parathënë ajo që proverbi i lashtë latin e ka përmbledhur aq bukur: çka ka në emër, ka në zemër!

Emri i tij, pa dyshim se zë një vend nderi në Familjen Emblemë të Gazetarisë Shqiptare, e ku Ramiz Kelmendi e zë vendin ballor, traditë kjo që vazhdon edhe me brezin më të ri.

Prirem ta them me kreanari dhe me kënaqësi se kjo Familje Emblemë, është  një Familje që me Prirjen dhe Përkushtimin e saj, nuk ka se si të mos ma e përkujtojë Dhuntinë dhe Përkushtimin e Familjes së Gjerasim Qiriazit…

Një fjalë e urtë thotë se tradita e njerëzve të mirë është traditë e Perëndisë. E tillë është edhe tradita e atyre që e mbajtën ndezur pishtarin e dritës e të diturisë, pishtarin që i priu lirisë sonë…

QAZIM KELMENDI. DRITË I PASTË SHPIRTI!

Lum ata që kujtohen për të mirë dhe si të tillë nuk harrohen kurrë…

Mjer ata, që nuk i përmend kush!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora