E premte, 26.04.2024, 09:18 PM (GMT+1)

Mendime

Driton Tali: Dallimi mes Garashaninint dhe Daçiqit

E shtune, 26.01.2013, 06:52 PM


Çka e dallon Ilija Garashaninin nga Daçiqi (Nikoliqi…)

Nga Driton Tali

"Unë nuk besoj se veteranët e al-Qaedas pyeten në Shtetet e Bashkuara apo ata që kanë bërë akte terroriste në Londër e Madrid, nëse duan të vendosin monument”, deklaroi Daçiqi pasi që ambasadat amerikane dhe britanike në Beograd shprehën keqardhje për vendimin e njëanshëm të Qeverisë së Serbisë për ta hequr monumentin e UÇPMB-së në Preshevë.

Ju dukë pak kjo, dhe vazhdoi me “nuk ka negociata me terroristët... me ata që lëvdojnë terrorizmin nuk mund të negociohet”. Dhe e përfundoi me “nëse ne nuk kemi treguar tolerancë të mjaftueshme, atëherë unë nuk e di se kush”. Dhe kur i lexon këto marrëzira menjëherë të bie ndërmend “toleranca e Serbisë” jo vetëm e këtyre viteve të fundit si Vukovari, Srebrenica, Prekazi, Reçaku, Qyshku…, por të gjitha “tolerancat” në këto 150 vjetët e fundit.

Andaj, pos dukjes nga jashtë (fiziku) dhe disa nuancave tjera në karakterin e tyre, në esencë liderët serbë nuk dallojnë fare. Bile Garashanini dhe Daçiqi edhe karrierën politike e patën të ngjashme: të dy njëherë ishin ministra të Punëve të Brendshme (Garashanini 1844 – 1852 kurse Daçiqi 2008-2012) dhe që të dy ishin (është) kryeministra (Garashanini 1861 – 1867).

Dallim mbase mund të quhet fakti se Garashanini me veprën e tij “Naçertanje” (1848) e formësoi “nacionalizmin serb” (në realitet racizmin serbë!), e cila u bë program shtetëror menjëherë. Bile fakti se “Naçertanje” u mbajt si program sekret deri në vitin 1906, e pastaj edhe si program publik nacional, pa marrë parasysh se kush e udhëhiqte qeverinë apo cila familje mbretërore mbante fronin (obrenoviçët apo karagjorgjeviqët) në realitet edhe më shumë e veçon.

Me fjalë tjera Garashanini u bë ideologu dhe inspiruesi jo vetëm i Daçiqit e Nikolqit (dhe opozitarëve tjerë të tashëm) por edhe i Vladan Gjorgjeviqit, Jovan Cvijiqit, Stevan Moljeviqit, Vasa Çubriloviqit e akademikëve dhe intelektualëve tjerë serbë, qofshin ata anëtarë të Akademisë së Shkencave (SANU) apo të “Klubi i shkrimtarëve” (restorantit në rrugën “Francuska 7”) etj. Kurse inspiruesit e Garashaninit ishin siç dihet Vuk Karaxhiqi, Njegoshi dhe Kisha Ortodokse Serbe.

Prandaj, kur i përcjellim ato që ndodhin jo vetëm me Luginën e Preshevës, por edhe me trazirat në komunat veriore të Kosovës apo me rinegociatat mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë (me sihariqin e fundit “autonomi për Kosovën dhe autonomi për serbët në Kosovë”) , gjithmonë duhet pasur parasysh (atë që sociologët e quajnë) “modeli kulturor”, i cili u kultivua në Serbi këto 200 vitet e fundit. “Modeli kulturor” d.m.th., sistemi i vlerave, tradita, botëkuptimet, mënyra se si u rritën fëmijët (çfarë ninulle ju kënduan nënat e tyre), çfarë përralla ju treguan gjyshërit, mënyra se si u edukuan, se si u shkolluan gjenerata të tëra. Andaj “modeli kulturor” i shoqërisë serbe bëri që Serbia të fillojë gjenocidin e fundit e jo vetëm politika e Milosheviqit. Sepse individi pa përkrahjen e masës është e pa mundur të ndërmarrë aso projektesh.

Këtë shumë mire e argumenton politologu dhe sociologu i njohur amerikan Goldhagen (D. J) në veprën e tij (tashmë të famshme) “Ekzekutuesit (xhelatët) e vullnetshëm të Hitlerit”. Ku argumentonte se ‘“arsyeja pse qytetarët e zakontë gjermanë morën pjesë me vetëdëshirë (ashtu siç e titulloi librin ‘Ekzekutuesit e vullnetshëm…) në holakaustë kundër hebrenjve ishte fakti se ‘antisemitizmi eleminues’ ishte pjesë formuese e identitetit nacional gjermanë. Ky antisemitizëm në Gjermani ishte i veçantë dhe nuk u zhvillua vetëm në kohën e Hitlerit por shumë e shumë vite përpara tij. Prandaj, gjermanët e rëndomtë ishin në gjendje që me vetëdëshirë e vullnet t’i vrasin hebrenjtë, siç e ilustron me shembullin e ‘Batalionit të Policisë Rezerve 101’ e cila bëri krime ne Poloni (1942), edhe pse anëtarët e atij batalioni të shumtën ishin meshkuj të moshës së mesme nga klasa punëtore pa ndonjë trajnim paraprak për terror, dhe të cilët madje nuk kishin treguar ndonjë interesim për nazizmin”’.

Ngjashëm është edhe me Serbinë ku u kultivua “antishqiptarizmi eliminues” në vazhdimësi. Bie fjala pse edhe çetnikët edhe komunistët serb bënë krime ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi edhe pse ata në Serbi e luftuan njëri tjetrin? Apo pse radikalët dhe socialistët (të cilët nga definicioni duhet të jenë të ndryshëm), ndaj Kosovës nuk kanë kurrfarë dallimi. Apo pse “demokrati” Zoran Gjingjiq (i cili për këshilltarë e pati Dobrica Qosiqin), në vitin 1989, në “Klubin e shkrimtarëve” (Francuska 7) kur mbajti fjalimin e tij “Milosheviqin e pati krahasuar me Napoleonin në kali të bardhë i cili do ta shkatërrojë Jugosllavinë feudale dhe do të sjellë demokracinë”.

Përgjigja pra është te fakti se gjenerata të tëra janë të edukuara në të njëjtën frymë. Po t’i marrim dhe lexojmë të gjitha programet nacionale serbe si: “Naçertanje” të Garashaninit; apo “Serbia Homogjene - Mbi shtetin tonë dhe kufijtë e tij” të Stevan Moljeviqit (këshilltari i Drazha Mihajloviqit); “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re” të Vasa Çubrilloviqit; ose “Memorandumin e Akademisë së Shkencave të Serbisë”, do të shohim se ato në esencë janë të njëjta: të gjitha si zgjidhje predikojnë “ gjenocidin dhe pastrimin etnikë”.

Por edhe strategjinë implementuese e kanë “kopie indigo”. Sa për hire të argumentit të marrim si ilustrim rebelimin serb në Vojvodinë me 1848, kur serbet kërkonin autonomi për Vojvodinën nga Austro-Hungaria për t’u mbrojtur nga “Policia Magyari” të hungarezëve. Garashanini në atë kohë, si ministër i Punëve të Brendshme shkruante se “vëllezërit tanë serbë të Vojvodinës presin ndihmë nga ne për ta mposhtur armikun e tyre tradicional. Ne nuk mundemi të qëndrojmë pasivë … Por, për shkak të situatës politike (lexo: në Evropë) në nuk mundemi t’iu ndihmojmë atyre drejtpërsëdrejti publikisht, e vetmja mënyrë na mbetet që t’iu ndihmojmë atyre në mënyrë sekrete”. Për këtë arsye u organizuan “vullnetarët” të cilët të shumtën ishin pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe, që futeshin në Vojvodinë në grupe të vogla. Armatimin, logjistikën dhe financat iu siguronte shteti i Serbisë. Në kulmin e rebelimit ishin mbi 8.000 “vullnetarë” serbë që luftonin për “çlirimin” e Vojvodinës.

Sigurisht se ky skenar lexuesit i duket familjar sepse është i njëjti që përdoret në Kosovë sot e kësaj dite. Zaten ky skenar u përdor edhe në vitet 1990-ta, gjithandej luftërave në vendet e ish-Jugosllavisë. Sigurisht se gjeneratave të pjekura iu kujtohen serbët e Kninit, të cilët bënin roje me armë “Thomson”. Ju kujtohet se si propaganda serbe nëpërmes “medies së verdhë” i arsyetonte ato si “armë të vjetra të cilët fshatarët i kanë ruajtur nga Lufta e Dytë Botërore, dhe ato tashti i kanë nxjerrë për ta ruajtur veten nga rreziku ustash”. E në realitet sipas informatave tashti të dala në publik ato ishin Thomson-kat, të cilat UDB i kishte shpërndarë atje (rreth 4000 armë me 8 milionë plumba).



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora